Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Muslimanët shqiptarë mes Lindjes dhe Perëndimit
Publikuar me 23 Sht 2010

Muslimanët shqiptarë mes Lindjes dhe Perëndimit

Konflikti i fundit që ka shpërthyer në strukturat drejtuese të Komunitetit Musliman Shqiptar ka në fillesë një detaj banal (shkarkimin e një kleriku të lartë musliman lokal për shkak të financimeve të paligjshme që ky klerik i lartë akuzohet se ka marrë nga vendet arabe). Megjithatë, ky detaj banal është shumë domethënës për të shpjeguar natyrën e këtij konflikti. Në thelb ai shpreh përplasjen mes dy rrymave në gjirin e këtij komuniteti: mes rrymës tradicionale muslimane shqiptare dhe rrymave radikale të ndikuara nga islamizmi arab. Jo rastësisht konflikti ka të bëjë me financime të ardhura nga vendet arabe dhe jo rastësisht të prekurit nga masa e marrë ndaj klerikut musliman shqiptar kanë organizuar një lëvizje të brendshme për largimin e drejtuesve legjitimë të këtij komuniteti.

Do të qe etike që në një debat fetar që lidhet me një komunitet të caktuar të mos përfshiheshin elementë dhe faktorë ekstrakomunitarë. Por, po të kemi parasysh rëndësinë e madhe që ka për kohezionin e shoqërisë dhe të ardhmen e demokracisë shqiptare orientimi që do të kenë besimet e ndryshme fetare që operojnë në kuadrin e kësaj shoqërie, mendoj se debati i fundit nuk duhet të mbetet thjesht brenda strukturave drejtuese të Komunitetit Musliman Shqiptar apo besimtarëve të këtij komuniteti edhe pse ky debat u përket kryesisht dhe mbi të gjitha atyre. Debati për orientimin që do të ketë besimi musliman shqiptar u përket të gjithë shqiptarëve, pasi një islam i radikalizuar i tipit arab do të përbënte problem jo vetëm për muslimanët e moderuar tradicionalë shqiptarë por për gjithë shqiptarët: katolikë, ortodoksë, bektashi, protestantë apo të çfarëdolloj besimi qofshin ata. Një islam i tipit arab do të trondiste themelet e vetë shtetit laik shqiptar dhe të shoqërisë multifetare shqiptare. Sepse deri më tash, islami radikal arab është i papajtueshëm me modernitetin dhe me vlerat demokratike fetare a laike të shoqërisë Perëndimore. Për pasojë, vlerat e muslimanizmit të moderuar tradicional shqiptar nuk duhen mbrojtur vetëm nga muslimanët e moderuar shqiptarë.

Konfliktet që po zhvillohen brenda strukturave të komunitetit musliman shqiptar janë reminishencë e debatit të madh që prej kohësh ka shkaktuar në botën moderne shfaqja e disa rrymave islamike që e kanë origjinën nga bota arabe. Këto rryma kanë shkaktuar shqetësime të mëdha në shoqëritë Perëndimore për dy arsye. E para, sepse demokracitë Perëndimore në përpjekjet e tyre për vendosjen e një rendi demokratik botëror kanë ndeshur në një pengesë të fortë në vendosjen e këtij rendi në pjesën më të madhe të vendeve arabe për arsye kryesisht të natyrës religjioze. Këto shoqëri kundërshtojnë me vendosmëri laicizmin si dhe disa prej lirive dhe të drejtave themelore demokratike që përbëjnë bazën e shoqërive demokratike Perëndimore. Arsyeja e dytë e shqetësimit Perëndimor në lidhje me islamin radikal ka të bëjë me faktin se rrymat radikale arabe synojnë të bëhen mbizotëruese brenda shoqërive Perëndimore ku jetojnë komunitete të konsiderueshme besimtarësh muslimanë. Duke përfituar nga liritë demokratike që të ofrojnë shoqëritë Perëndimore, grupe të caktuara të orientimit arab kërkojnë të imponojnë  në gjirin e shoqërive Perëndimore parime dhe norma që bien në kundërshtim me vetë demokracitë Perëndimore.

Këto rryma radikale e konsiderojnë demokracinë Perëndimore si diçka të korruptuar dhe kërkojnë që të imponojnë në gjirin e komuniteteve të besimit musliman norma dhe vlera të trashëguara nga shoqëritë tradicionale arabe dhe joarabe. Kjo përpjekje ka shkaktuar reagime të forta në Perëndim dhe ka forcuar bindjen se islami radikal është i papajtueshëm me demokracinë. Në kuadrin e këtyre shqetësimeve, në vendet Perëndimore janë shtuar presionet për krijimin e një islami Perëndimor, i cili është në gjendje të jetojë në harmoni me vlerat bazë demokratike të këtyre shoqërive. Ky presion konkretizohet si në forcimin e kontrollit ndaj strukturave dhe rrymave fetare të këtyre komuniteteve ashtu edhe në hartimin e ligjeve që i theksojnë aspektet laike të shteteve Perëndimore dhe i bëjnë ato të detyrueshme edhe për muslimanët që jetojnë në këto shtete.

Duket pra, se edhe muslimanët shqiptarë janë përfshirë në vorbullën e shqetësimeve planetare që kanë të bëjnë me marrëdhënien mes islamit dhe demokracisë, apo mes traditës dhe modernitetit. Prej kohësh brenda komunitetit musliman shqiptar janë shfaqur rryma të ndikuara nga tradita islamike e vendeve arabe. Këto rryma janë në kontradiktë me islamin shqiptar, i cili ka një traditë të gjatë të përshtatjes me traditën dhe qytetërimin shqiptar ashtu siç e kanë edhe besimet e tjera në Shqipëri. Muslimanët shqiptarë, si të gjitha besimet e tjera në Shqipëri, kanë fituar karakteristika që i bëjnë ata të ndryshëm nga variantet e ngjashme të tyre në botën arabe apo me islamin turk. Ky proces diferencimi është theksuar shumë sidomos pas krijimit të shtetit shqiptar. Që në vitin 1921, 3 vjet para se Ataturku t’i jepte fund Sheik-ul-Islamit të Stambollit, Aleanca Kombëtare Muslimane Shqiptare shpalli shkëputjen nga Sheik-ul-Islami i Stambollit. Në vitin 1923 bashkësia sunite shqiptare shpalli zyrtarisht shkëputjen nga kalifi i Stambollit dhe u riorganizua si strukturë e pavarur klerikale shqiptare. Ky akt u pasua edhe nga akte të tjera që synonin reformimin e islamit shqiptar, si p.sh. vendimi për të ndaluar poligaminë, përkthimi i Kuranit në gjuhën shqipe, vendimi për heqjen e perçes për gratë muslimane etj. Ky reformim i brendshëm i islamit shqiptar shkon paralelisht me konsolidimit e shtetit laik shqiptar. Në vitin 1928 shteti shqiptar miraton Kodin Civil, i cili ishte një kod tërësisht Perëndimor, dhe po këtë vit hyri në fuqi edhe kushtetuta e re, e cila rregullon edhe marrëdhëniet e bashkësive fetare me shtetin shqiptar. Kjo reformë juridike u imponon bashkësive fetare disa parime që janë në kundërshtim me frymën tradicionale të islamit si “laiciteti i shtetit, liria fetare, barazi e feve dhe nënshtrim i tyre ndaj shtetit” (R. M. Della Roca, Feja dhe kombësia në Shqipëri). Një vit më vonë, në vitin 1929 sunitët shqiptarë mblidhen në një kongres dhe marrin një sërë masash mjaft të avancuara për kohën, të cilat do të përfshihen edhe në statutin e kësaj bashkësie fetare, që do të hartohej nën drejtimin e shtetit shqiptar. Në këtë kongres u vendos përdorimi ekskluziv i gjuhës shqipe për lutjet dhe predikimet, administrimi i centralizuar i të gjitha pasurive të bashkësisë muslimane, kufizimi i numrit të xhamive, detyrimi që çdo klerik të jetë shtetas shqiptar i pajisur me letërnjoftime të lëshuara nga qeveria shqiptare. Bashkësia islame duhej të zgjidhte një Këshill të Përgjithshëm, dhe kryetari i saj duhej të merrte miratimin e mbretit. Këto reforma e bënë islamizmin të kontrollueshëm nga shteti dhe i dhanë atij tipare origjinale krahasuar me vendet e tjera muslimane.

Pas viteve ‘90, muslimanët shqiptarë si dhe të gjitha besimet e tjera u përpoqën ta rifillonin traditën e ndërprerë nga shteti ateist shqiptar i Enver Hoxhës, por ndërkohë për shkak të ndryshimeve të mëdha që kishin ndodhur në gjeopolititkën religjioze të botës, ky komunitet u gjend nën presionin e islamit radikal të botës arabe. Pikërisht përpjekja e këtyre të fundit për t’i imponuar vlerat e veta dhe karakterin e vet autentik muslimanizmit tradicional shqiptar ka shkaktuar konflikte të gjata dhe të vazhdueshme në gjirin e këtij komuniteti dhe sa herë këto konflikte janë rënduar kjo ka sjellë edhe rritjen e vëmendjes së opinionit publik për atë që po ngjet brenda komunitetit musliman shqiptar.

Zhvillimet e fundit vetëm sa kanë theksuar një realitet që tashmë ekzistonte. Është lehtësues fakti që për momentin ka triumfuar rryma e islamit të moderuar shqiptar dhe rezultati i arritur në mbledhjen e forumit më të lartë musliman shqiptar, ku elementi radikal u gjend i izoluar, është inkurajues. Ashtu siç është inkurajues vendimi i këtij forumi për të hapur një Universitet Teologjik Islamik në Shqipëri, gjë që do të ndikonte në forcimin e bazave të rrymës tradicionale shqiptare. Një gjë të tillë tashmë e kanë bërë katolikët me Universitetin Teologjik Katolik në Shkodër dhe ortodoksët me Akademinë e Durrësit.

Mbetet ende për t’u parë nëse konflikti do të vazhdojë dhe nëse korrentet sektare do të tërhiqen nga projektet e tyre të importuara. Natyrisht në këtë rast është me rëndësi edhe ndërhyrja dhe roli i shtetit. Sepse në fund të fundit është shteti garant i vlerave multifetare të shoqërisë shqiptare. Pikërisht në emër të këtyre vlerave shteti duhet të inkurajojë konsolidimin e muslimanizmit të moderuar shqiptar, si një nga kushtet bazë të kohezionit të shoqërisë shqiptare, madje të vetë ekzistencës së shtetit shqiptar.


2045
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI