Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Mswati i Suazilandit, “playboy” i harruar afrikan
Publikuar me 31 Jan 2015

Mswati i Suazilandit, “playboy” i harruar afrikan

Profil – Një flotë makinash luksoze, një duzinë vila e shtëpi dhe 15 gra. Mswati III ka një stil jete që do t’i bënte shumë yje të botës së spektaklit të kërcenin përpjetë. Oh, dhe ai është gjithashtu edhe mbreti absolut i vendit të tij. Dhe ndërsa ai mund të duket si mishërim i të qenët “mbret afrikan” — me veshjen e tij shumëngjyrëshe “Suazi” dhe me sjellje prej djemsh të kolegjeve britanike  —“luani” është një sovran i pamëshirshëm. Nuk ka kurrfarë interesi për demokracinë në vendin e tij, dhe nuk shfaq asnjë tolerancë për kundërshtitë e mospajtimet politike.

 

Vendet në mbarë Afrikën subafrikane po lëvizin tashmë drejt demokracisë dhe ndërsa rruga zakonisht është pak e vështirë, është e ndershme të themi se Mswati i Suazilandit, akoma nuk ia ka nisur kësaj rruge. Është monarku i fundit absolut në kontinent, dhe Mswati është mbreti i fundit që qeveris në detyrë. 46-vjeçari trupvogël e energjik, ka qeverisur vendin qëkurse mbushi 18 vjeç; babai i tij kishte ndaluar të gjitha partitë politike një dekadë më parë. Kjo ishte një trashëgimi e leverdishme. I dha djaloshit shansin të qeveriste me një grusht të hekurt dhe të gëzonte një stil jetese tepër ekstravagant, si në filma vizatimorë, të cilin në fakt shtetasit e Suazilandit nuk e kritikojnë. Shumë prej tyre janë shumë të varfër për t’u ngritur e protestuar, dhe ata që e bëjnë, shtypen shpejt.

 

Për të qenë të sinqertë, Mswati ia ka dalë ta mbrojë autonominë e kombit të tij të vogël paqësor, sikurse dhe zakonet e traditat autoktone, të cilat përndryshe mund të ishin zhdukur, duke u përzier me ato të fqinjit madhor, Afrikës së Jugut, apo edhe influencave të tjera fqinje. Mswati ka ruajtur një sistem kryesor tradicional, të cilin banorët e mbretërisë së vogël “Suazi”, e respektojnë, thotë Chris Vandome nga programi për Afrikën në “Chatham House”, me bazë në Britani të Madhe. “Banorët suazianë kanë një identitet të fortë kulturor dhe ai, i ka ndihmuar ta ruajnë atë”.

 

Dhe atje ka edhe zgjedhje. Vetëm se është Mswati që e vendos rezultatin. (Të jemi të ndershëm; ai nuk ka nevojë ta bëjë këtë aq shpesh, pasi opozita nuk mund të kundërshtojë dot për asgjë). Atje nuk ka sindikata. Anëtarët e grupeve kryesore opozitare në vend, “Lëvizjes së Bashkuar Popullore Demokratike”, arrestohen rregullisht, ndërsa demonstruesit paqësorë rrihen nga forcat policore, e gazetarët futen në burg.

 

Mbreti, i cili nuk u përgjigjet kërkesave të shumta për intervista, duket se bën një jetë të denjë për një dhespot. Ai koleksionon makina luksoze që kapin shumën e 61 viteve rrogë mesatare në Suaziland, ndërmerr udhëtime drejt Las Vegasit me avionë privatë dhe fut në krevat nga një virgjëreshë të re thuajse çdo dy vjet. Poligamia është legale në Suaziland, por dashuria e tij ngjan më shumë me një telenovelë meksikane.

 

Gruaja e tij e gjashtë ia mbathi për në Afrikën e Jugut, pasi i ishte nënshtruar viteve të tëra abuzimesh prej tij, dhe e 12-ta prej tyre, u detyrua ta linte pallatin mbretëror, pasi u kap ndërsa përgjonte bisedat që mbreti bënte me ministrin e drejtësisë. Shumë nga ato që kanë pasur të bëjnë me të, po vuajnë tashmë duke çuar përpara një jetë plot trishtim e kujtime të hidhura.

 

Suazilandi është vendi që renditet në shtatëshen e vendeve më të uritura në botë, 63 për qind e shtetasve të tij jetojnë poshtë nivelit zyrtar të varfërisë dhe më shumë se 1 ndër 4 të rritur (nga mosha 15–49) janë të infektuar me virusin HIV/AIDS.

 

Si do ta menaxhojë Mswati gjithë këtë problem? Për fillestarët, një amulli politike: sidomos në fshat, ku shumica e banorëve suazianë janë të zënë me ushqyerjen e familjeve të tyre e s’mund të kryejnë dot një revolucion. “Shumica e tyre nuk po bërtasin për demokracinë, pasi ata nuk janë të arsimuar”, thotë Nhlanhla Msibi, autori suazian i vëllimit “Revolucioni i vonuar: Suazilandi në Shekullin e njëzetë” (origj: The Delayed Revolution: Swaziland in the Twenty-First Century).

 

HIV është përhapur tashmë gjerësisht, thotë ai: “ka vetëm jetimë të vegjël dhe të moshuar”. Por në qytete një lëvizje demokratike po e sfidon ndërkaq regjimin e Mswatit. “Është një sistem i korruptuar, antidemokratik dhe patetik”, thotë Philani Ndebele, pjesëtar i “Swaziland Democracy Campaign”, një koalicion i organizatave që kërkojnë demokraci pluripartiake dhe demokraci në vend.

 

Për kombet perëndimore që promovojnë demokracinë jashtë vendit, Suazilandit i mungon domethënia gjeopolitike e rëndësia strategjike.

 

Afrika e Jugut shfuqizoi një shumë prej 207 milionë dollarësh, pasi Mswati refuzoi të kryente disa reforma bazë demokratike, dhe SHBA e nxorën Suazilandin nga Amendamenti i Rritjes Ekonomike dhe Shanseve për Afrikën, pas shqetësimeve për shkeljet e të drejtave të njeriut — pak vende tani po shqetësohen për këtë “njollë të vogël, të gjelbër” në krah të Afrikës së Jugut. “Problemi është se Suazilandi nuk është Zimbabve. Atje nuk ka krizë humanitare ekstreme dhe nuk ka as naftë apo interesa në burime natyrore”, thotë Vandome.

 

Ajo çka ka ai vend prodhon, është vetëm sheqeri — malli i parë për eksport i vendit — por me këtë produkt, ai mund të konkurrojë edhe vende të mëdha si Brazili. Mswati nuk ka bërë shumë për të diversifikuar industrinë agrikulturore. Shkurtimet në buxhet janë bërë drastike dhe mësuesit tashmë shpesh nuk po marrin rrogat, ndërsa shkollat nuk hapin dyert ndonjëherë, megjithatë Suazilandi shpenzoi rreth 478 milionë dollarë në katër vitet e fundit për mbrojtjen, dhe buxheti vjetor i mbretit, kapi shifrën e 61 milionë dollarëve.

 

“Nëse gjërat vazhdojnë kështu, vendi shumë shpejt do të varet vetëm nga ndihmat humanitare dhe ndoshta do të dështojë të funksionojë si shtet”, paralajmëron Msibi.

 

Ndërkaq, minishteti tjetër në rajon, Lezoto, tashmë ka një monarki kushtetuese stabël dhe pas shumë viteve trazirash politike, po rimëkëmbet. Kritikët e Mswatit, mund të kenë një arsye për shpresë. Por Msibi thotë se pikërisht shpresa është edhe problemi: “Suazianët janë shumë optimistë kur vjen puna te halli i vet personal. Nuk shohim më larg se aq. Ata nuk do të ndryshojnë kurrë”.

 


1218
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI