Revista
|
|
Faik Konica
Shqipëtarët qi kanë mendjen të lëruar duhet të kenë turp të përdorojnë fjalë të huaja duke folur shqip. “Evet efendem, bahusurs do te vin. Andan-sonra, ghezdisa ne bayce, lok or byrazer, s’ta kam taktin”. Të tilla mënyra folje janë shumë të poshtra. Do të flasësh turqisht? Fol turqisht.
Po kur më flet shqip, lëshoje më n’janë turqishten, mos fol si ato robeshat arapka që sillnin qëmoti pashallarët në Shqipëri.
Përveç fjalëve si ihtimal, velaqin, omos, malista, dunque, që është punë fare e shtrembër t’i fusim në shqipen, ka shumë fjalë turqisht, greqisht ettj. që disa shkronjëtorë shqipëtarë i përdorojnë pa ditur se janë fjalë të huaja.
Sot, po shpallim një mbledhje fjalësh turqisht që duhet të qërohen nga gjuha t’onë.
Mos thoni eglendisem (po thoni: përgëzohem); mos thoni ortak (po thoni: shok); baft (fat); bashte a bagshe (kopshta); hyzmet (shërbim); ihaf (fjalë); sevda (dashuri); sëkëlldisem (mërzitem); inatosem (zemërohem, mërzitem); gjezdis (bares); ghene (prapë, përsëri, rishtazi); ashçi (gjellëtar); terezi (qepetuar); hasm a dushman (armik); dynia (botë); muhabet (kuvend); Allahu (Perëndia, Hyji); fukara (vobek); behar (verë); sokak (rrugë); heqim (mëkat); fiqir (mend); penghere (dritore); kasaba (qytet); jeshil (i, e gjelbër); jetim (i vorfën); javash (ngadalë); ihtiza (nevojë); hise (pjesë); hazer (gati); ferk (ndryshim); skat (shegur); adet (zakon); sebep (shkak); zabit (fiqal).
“Shën Elia”
Katër vjet më parë, u poqa në Manastir me një Shqipëtar që e kish emrin Isa agë, dhe i cili më rrëfeu një ngjarje mjaft për të qeshur, e mjaft për të vënë re, se dëften sheshit mendjen e Bullgarëve.
Isa aga udhëtonte në disa fshatra afër Perlepit. Në një fshat, emri mjerisht s’më kujtohet, vendësit ishin të gjithë Bullgarë; e për këtë shkak e për ca të tjerë, kishin një armiqësi për vdekje për Isa agën. Një ditë, Isa aga hyri në kishë para se të mblidhej bota e vate e u-fsheh nën altar, me një shkop të mirë në dorë.
Vjen ora e meshës, e, kur nisi të meshone prifti, Isa aga zu e po trokiste. Ç’është kjo trokitje? thosh prifti duke vështruar rreth e rrotull, kur dëgjon një zë: Unë Shën-Elia jam! Të gjithë Bullgarët ishin të habitur. Shën Elia pasoi duke thënë: Prej cilit kini vuajtur edhe qaheni? Vuajmë shumë, tha prifti në emër të popullit, prej Isa agës. Po pse s’veni t’a vrisni?
Paguajtëm dy a tre njerëz, por asnjë s’e vrau dot. S’duhet të humbisni shpresë; unë Shën-Elia kam për tju ndihmuar. Cili midis jush do të marrë barrën e kësaj pune? Unë, dhe unë, dhe unë! thanë disa fedakë Bullgarë.
Atëherë, altari u tund, e, atë hop, Shën Elia u shfaq me fytyrën e Isa agës. Katër shokë ishin gati në prag të kishës; hyjnë, mbyllin mirë dyert, edhe shkopinjtë zunë të kërcejnë mbi kurrizët e mbi krerët e Bullgarëve; gjaku rrodhi dendur, edhe prifti mësoi se Shën Elia s’ish ndihmëtar për Bullgarët.
Q’atë ditë, Isa aga u-bë i njohur në gjithë viset e Prilepit me emrin “Shën Elia”.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje