Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Misioni sekret i nendeteseve shqiptare ne 1968-en
Publikuar me 13 Mar 2010

Misioni sekret i nendeteseve shqiptare ne 1968-en

Një prej udhëtimeve më të bujshme të nëndetëseve shqiptare është ajo në detin Mesdhe, në vitin 1968. Kasem Spahiu është një prej drejtuesve të këtij misioni dhe ka shërbyer në postet drejtuese të flotës së nëndetëseve për më shumë se 17 vjet. Spahiu së bashku me efektivë të tjerë, iu desh që të mësonte të gjitha funksionet e nëndetëseve dhe deri te riparimi i tyre pas ikjes së rusëve, ndërkohë që udhëtimi i Mesdheut është dhe ai më i gjati i një nëndetëseje shqiptare. Madje, gabimi më i vogël që mund të ndodhte, mund të shkaktonte dhe një luftë ndaj Shqipërisë.
Disa herë është folur në lidhje me këtë udhëtim në biseda ushtarakësh të vjetër, por rrallë herë imtësisht. Si është e vërteta?
Kjo ka qenë një prej ngjarjeve më madhore që ndodhën në atë kohë në Shqipëri, por që për shkak të vet misionit, nuk bëri shumë bujë. Në muajin shtator të vitit 1968, dy nëndetëset shqiptare ndërmarrin një udhëtim në detin Mesdhe, më shumë me qëllim demonstrativ dhe që fatmirësisht edhe rezultati ishte pozitiv. Ne pra, shqiptarët, duhet t'i tregonim NATO-s, amerikanëve apo sovjetikëve, se ishim në gatishmëri kundër çdo lloj sulmi apo kërcënimi që i kanosej Shqipërisë. Në bazën tonë, mbërriti urdhri nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes të viheshim në gatishmëri luftarake, por nuk u sqarua pse. Pas raportimit të gatishmërisë, shefi i Shtabit të Brigadës së Nëndetëseve, Dashamir Ohri urdhëroi që nëndetësja e parë dhe e dytë me komandant Besnik Rizvani dhe Aleko Pojani, të dilnin për lundrim.
Ju në cilën nëndetëse gjendeshit?
Unë gjendesha në nëndetësen e parë dhe në të erdhi dhe komandanti i Flotës Luftarake Shqiptare, Abdi Mati, ndërsa në nëndetësen e dytë shkoi komandanti i brigadës së Nëndetëseve, Mark Plani. Në mesditë u bë dhe nisja dhe rreth orëve të mbrëmjes mbërritëm në Sarandë, ku vetëm më pak se gjysma e efektivëve u lejuan të dilnin në qytet. Në orët e para të mëngjesit të ditës së nesërme, u dha sinjali që të gjithë efektivët të vendoseshin në pozicionet luftarake pasi do të niseshim për një mision.
Cili ishte objektivi, apo destinacioni?
Aty mësuam dhe destinacionin tonë nga koordinatat e dhëna nga Komandanti i nëndetëses Aleko Pojani, por do të ishte një udhëtim mbi ujë dhe jo nën ujë. Pas nisjes, dy nëndetëset morën destinacione të ndryshme. E jona drejt Italisë, ndërsa nëndetësja tjetër drejt Greqisë, por që dy ditë më pas u bashkuam të dyja. Dy nëndetëset tona morën rrugën për në drejtim të Maltës në ujërat neutrale, ku herë pas here nëndetësja drejtohej nga unë. Për një moment, disa milje më larg vumë re një objekt lundrues që lëvizte në të njëjtin kurs me ne. Mjeti ujor, që me sa mbaj mënd ka qenë anije, na jep një sinjal që sipas deshifrimit ishte: "mos na pengoni. Ndryshoni Kurs".
Ju si reaguat?
Ishte komandanti, Abdi Mati, i cili urdhëroi: "vazhdoni drejt Perëndimit, ndiqeni atë anije. Patjetër që duhet të jetë Ruse dhe në të duhet të jetë Jegorov, ish komandanti i Pashalimanit". Kështu që ne e ndryshuam kursin, por në ndjekje të anijes së panjohur. Menjëherë i gjithë ekuipazhi u mobilizua në verifikimin e flamurit, apo llojit të anijes, e cila na bëri ta ndiqnim nën urdhrin e dhënë, një urdhër aspak i drejtë mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare.
Ishte anije ushtarake apo civile?
Pasi arritëm t'i afroheshim, pamë që ishte anije ushtarake amerikane koracatë, gjë e cila na mobilizoi akoma më shumë. Në momentin që ne iu afruam anijes, i gjithë ekuipazhi u rreshtua në bordin e saj duke dhënë sinjal paqësor. Anija u fotografua nga ana jonë me periskop dhe aparat fotografik, ndërsa më pas ne u rikthyem në trajektoren që kishim nisur fillimisht.
Reagoi ekuipazhi i anijes pas largimit tuaj?
Pas rreth dy orësh, mbi kokën tonë filloi të fluturonte një aeroplan bombardues B52, i cili njihej si antinëndetëse për shkak të armatimit dhe mënyrës së goditjes. Po fluturonte aq ulët, sa mund të them se edhe me një gur po të qëlloja e godisja xhamin e pilotit. Madje, mund të them që pilotit i mbaj mend shumë mirë dhe fytyrën, me një palë mustaqe të mëdha. Për një moment, aeroplani hedh diçka që ne na u duk si bombë dhe menjëherë u alarmuam, por pamë që pas disa sekondash, ajo doli nga uji dhe ishte një bovë me antenë sinjalizuese, e cila jepte informacion për vendndodhjen tonë, gjë e cila vazhdoi për disa milje pasi avioni sinjalizonte herë pas here me bova të tilla.
Pati ndonjë reagim nga ana juaj?
Jo, nuk patëm ndonjë reagim të dukshëm, por ishim gati të reagonim kundër çdo lloj provokimi. Pas disa orësh, bovat sinjalizuese e bënë punën e tyre. Dy anije luftarake të flotës së 6-të amerikane i afrohen nëndetëses tonë, e cila ishte gati të zhytej nën ujë, por kjo nuk u aprovua nga komandanti i flotës, Abdi Mati pasi nëse do të bënim një veprim të tillë, mund të ishim qëlluar dhe kjo do të gjente justifikim me ndërkombëtarët. E gjithë ngjarja ishte transmetuar në Komitetin Qendror dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, të cilët ishin në gatishmëri, ndërsa nga ana tjetër na nisnim mesazhe mbështetëse nga ana e tyre.
Pati ndonjë provokim nga ana e tyre apo nga ana juaj?
Ne u urdhëruam që të përgatisnim silurët dhe të ishim gati në çdo kohë, pasi nëse do të qëllonte pala tjetër të parët, atëherë do të kundërvepronim edhe ne. Siç mund ta mendoni, bëhej fjalë për një vëmendje shumë të madhe dhe ekuipazhi ishte në gatishmëri të plotë. Unë i bëra gati 6 silurë, nga 12 që ka gjithsej nëndetësja. Për tri ditë me radhë u shoqëruam vetëm nga mesazhet akustike dhe prej tyre, madje në disa raste iknin përpara dhe na prisnin që t'i arrinim. Pasi mbërritëm në afërsi të brigjeve italiane në rrugën e kthimit, u zhdukën si anijet, po ashtu dhe sinjalizimet apo dhe avioni. Pas 5 ditësh, misioni u quajt i realizuar me sukses. Ky mision mbërtheu pas vetes vëmendjen jo vetëm të shtetit shqiptar, por edhe atë ndërkombëtare, pasi askush nuk e dinte se cili ishte qëllimi i misionit tonë.
Si i shikoni pas kaq vitesh nëndetëset?
Është vërtet gjynah se si janë katandisur apo si priten të katandisen akoma më shumë pas shkrirjes për metal. Edhe pse tashmë ato mund të quhen të vdekura, historia që ato mbartin në vetvete simbolizon një krenari të kombit tonë. Në kohën që Shqipëria kishte 4 nëndetëse, vendet fqinje si Italia apo Greqia, të cilat ishin shumëfishi jonë në banorë apo sipërfaqe, kishin më pak. Do të kisha shumë dëshirë që shteti shqiptar të kthente të paktën një prej këtyre nëndetëseve, në një muze të denjë për historinë e kombit tonë dhe për të kujtuar ato që këto mjete "të paprekshme" nga gjithkush, të vizitohen tashmë nga çdokush.


2950
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI