Revista
|
|
TIRANË- Pas 51 vitesh eshtrat e mbretit Zogu I do të prehen në Tiranë në një mauzole të ndërtuar së fundmi për anëtarët e familjes mbretërore.
Eshtrat e mbretit të parë të shqiptarëve erdhën dje në Atdhe, ndërsa në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” arkivoli i mbështjellë me flamurin kombëtar u prit me të gjitha nderimet shtetërore.
Ai u mbajt nga ushtarë të Gardës së Republikës dhe më pas u vendos në shtratin e një topi, për tu përcjellë drejt banesës së familjes mbretërore.
Për më shumë se dy orë në Pallatin e Brigadave janë zhvilluar homazhe përpara arkivolit të ish-Mbretit Zogu i Parë. Personalite të larta shtetërore, simpatizantë të monarkisë dhe shqiptarë të ardhur nga diaspora janë përkulur përpara arkëmortit me eshtrat e Ahmet Zogut, ardhur nga Franca një ditë më parë.
Ceremonia ka vijuar me vendosjen e eshtrave të ish-Mbretit Zog në mauzoleumin e Familjes Mbretërore.Krahas personaliteteve më të larta nga Shqipëria dhe Kosova kishte ardhur edhe zëvendëskryeministri i Hungarisë, vend nga ku kishte origjinen edhe Princesha Geraldine.
Nuk kanë munguar në këtë ceremoni edhe disa prej ambasadorëve të akredituar në Tiranë, nderkohe qe është bojkotuar nga politika e majte.
Princ Leka, në emër të Familjes Mbretërore ka falenderuar pjesëmarrësit, duke u shprehur se kjo është një ngjarje historike në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë.
“Rishikimi i historisë së popullit tonë nuk fillon dhe mbaron sot. Eshtë një proces ende i gjatë dhe i vështirë për të zbuluar me objektivitet të vërtetat historike. Rindërtimi i mauzoleumit ka një rëndësi jo vetëm për Familjen Mbretërore, por për të gjithë kombin shqiptar", tha Princ Leka.
Në fjalën e saj, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, evidentoi një sërë arritjesh të Mbretit Zog, në formimin e një shteti modern shqiptar.
“Kthimi i eshtrave të ministrit, kryeministrit, presidentit dhe të naltmadhnisë së tij, mbretit të shqiptarëve Zogu i Parë, simbolizon drejtësinë hyjnore, paqen politike dhe pajtimin kombëtar. Shqipëria, nën udhëheqjen e mbretit Zog i Parë, nga një vend i varfër dhe i pazhvilluar, fisnor dhe i përcarë, me kontradikta të shumta u bë një vend modern i kohës, i unifikuar, me shtrirje të pushtetit dhe të administratës në çdo cep, me liri qytetare dhe tolerancë fetare", tha Jahjaga.
Ndërsa presidenti Bujar Nishani tha se Ahmet Zogu ishte i pari mbret real i shqiptarëve, paçka se për figurën e tij ka diskutime të ndryshme.
“Rivarrimi i tij pikërisht aty ku shteti-parti hodhi në erë varrin e nënës së tij, nënës mbretëreshe është simbolika e Shqipërisë që nuk urren, por nderon, që nuk harron, por i jep secilit atë që meriton", tha Nishani.
Pas dorëzimit të Flamurit Kombëtar nga truproja e nderit Princit Leka, arkëmorti me eshtrat e ish-Mbretit Zog është vendosur në ambientet e brendshme të mauzoleumit, duke plotësuar kështu një dëshirë jo vetëm të pasardhësve të monarkisë shqiptare, por edhe mbështetësve të tyre.
Berisha: Vepra e tij duhet t’i bashkojë shqiptarët
Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka vlerësuar veprën e Mbretit Zog I, për kontributin e pamohueshëm të ndërtimit të shtetit shqiptar duke deklaruar se gjithë shqiptarët janë krenarë ndër vite për veprën dhe kontributin e tij.
Duke folur pas homazheve ne Pallatin e Brigadave, Berisha ka theksuar se te vertetat i duhen lene historianeve per te bere vleresimin e figurave, por ka shtuar se kontributi i pamohueshem i Mbretit duhet t’i bashkoje gjithe shqiptareve pavaresisht bindjeve te tyre dhe indoktrinimit.
“Kontributi i Ahmet Zogut duhet të bashkojë të gjithë shqiptarët, sepse të vërtetat historike më mirë t’i mësosh vonë sesa kurrë. Ai që ka frikë nga eshtrat e monarkut ka mbetur në lëkurën e Enverit,” tha Berisha.
Sipas tij, Tirana kryeqytet eshte veper e ‘ketij burri te madh’.
“Koicidencë e mrekullueshme që ai kthehet sot në dheun e tij në ditën e clirimit të Tiranës. Tiranë kryeqytet është vepër e këtij burri që nga Lushnja deri në Tranë e cau me pushkë dhe bëri që qeveria e dalë nga kongresi i Lushnjes të përzgjedhë kryeqytet Tiranën. Ahmet Zogu nderohet sot nga të gjithë shqiptarët për ndërtimin e shtetit shqiptar, kontributin që dha në ndërtimin e tij që nga koha e Skënderbeut, ai do të nderohet gjithnjë nga shqiptarët për kontributin e jashtëzakonshëm, në zhvillimin e vokacionit perëndimor të shoqërisë shqiptare, mbreti bëri përpjekje të jashtëzakonshme për zhvillimin e infrastrukturën e një vendi të prapambetur, arsimit, kulturës, bujqësisë, biznesit dhe konturoi diplomacinë shqiptare”- tha Berisha, pas homazheve të bëra në Pallatin e Brigadave.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje