Revista
|
|
Zbulohen dokumentet që implikojnë shtetin shqiptar në masakër
Të tjera dëshmi se Divizionet V dhe VI në Kosovë drejtoheshin nga Ramiz Alia e Rahman Parllaku
Në masakrën e Tivarit, ku gjetën vdekjen mbi 3 mijë kosovarë, nuk ka qenë i implikuar vetëm Ramiz Alia, i cili në atë kohë ishte në krye të një prej divizioneve që ndodheshin në Kosovë. Në librin e tij “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”, historiani Uran Butka sjell një sërë dokumentesh, që jo vetëm mbajnë firmën e Alisë, por edhe të vetë Enver Hoxhës. Me urdhër të tij, të gjithë kosovarët që arratiseshin nga ushtritë jugosllave, që kapeshin apo dorëzoheshin me dëshirë pranë forcave shqiptare, u dërgoheshin divizioneve jugosllave, edhe pse e dinin shumë mirë se ata i priste vdekja. Gjatë rrugës për në Frontin e Perëndimit, rreth 1000 kosovarë gjetën vdekjen brenda kufijve shqiptarë. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, kjo masakër iu faturua Koci Xoxes, i cili edhe u akuzua si agjent i Titos. Për këtë flasin një sërë dokumentesh dhe dëshmish të kohës, mes të cilave dhe ajo e Zoi Themelit, shef i Mbrojtjes së Popullit të krahinës III (Shkodër). al.mi
Komandantët dhe komisarët politikë të divizioneve e të brigadave shqiptare zbatonin urdhrat e shtabit jugosllav, por vinin në dijeni dhe merrnin formalisht edhe pëlqimin e Komandës së Përgjithshme të Shqipërisë e të komandantit Enver Hoxha. Kjo nuk ndryshonte asgjë, sepse edhe politika, edhe ekonomia, edhe ushtria, edhe lufta ishin në atë kohë të unifikuara ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë, Titos dhe Enver Hoxhës, por, gjithnjë nën dominancën e Jugosllavisë së Titos.
Ja disa dokumente:
Nr. 146
Divizioni V, më 29.04.1945
Komandës së Përgjithshme
Në bazë të urdhrit nr.93, datë 28.04.1945, të Shtabit Operativ të Kosmetit, Divizioni V dhe VI lëvizin për në zonat Ferizaj-Gilan. Divizioni ynë me qendër Gilan.
Komandanti i Divizionit V
Nënkolonel Rahman Parllaku
Nr. Extra
Divizioni V, 21.05.1945
Tepër urgjent
Komandës së Përgjithshme
Partizanët e Kosmetit që janë në brigadat e Ushtrisë Jugosllave, kanë dezertuar nga ato deri më sot, janë kapur e dorëzuar në repartet tona në këto ditë, po ia dorëzojmë Shtabit Operativ të Kosmetit. Ky është mejtimi ynë, ju ç’mendoni? Na lajmëroni me lidhjen e parë.
Gafur Çuçi
Nr. 541/32
Divizioni V, 30.05.1945
Komandës së përgjithshme
Shtabi operativ i Kosmetit prapë na i kërkon të gjithë të dorëzuarit ose të kapurit, që sot janë në Divizionin tonë, t’ia dorëzojmë Divizionit 52…
Enver Hoxha, Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, i përgjigjet me radiogram komandës së Divizionit V në Kosovë:
Nr. 138/1 Res
Tiranë. Më 30 maj 1945
Radiogram (shifër)
Divizionit V
Na lajmëroni sa bëhet numri i t’arratisurve që janë dorëzuar në Divizionin tuaj dhe sa bëhet numri i kosovarëve që keni mobilizuar në terren.
Enver
Komandës së Përgjithshme
Gjegje e tel.nr.51 res, datë 30.05 1945
Numri i të arratisurve që janë dorëzuar në repartet tona, arrin deri 155 aproksimativisht, me përjashtim të disa kriminelëve që ja kemi dorëzuar M.P. simbas kërkesës së tyre. Numri i kosovarëve që janë mobilizuar është 1398.
Gafur Çuçi
Ja dhe përgjigjja e Enver Hoxhës:
Nr.38/III Res
5.06.1945
Radiograme
Divizionit V. Shifër
Gjegje telit tuaj ne 135 Res datë 1.06 1945
T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52.
Enver
Nga këto radiograme, por edhe nga të tjerë, që ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit, konkludojmë:
-Të arratisurit shqiptarë nga njësitë ushtarake jugosllave, që kapeshin e arrestoheshin nga forcat e Ushtrisë NÇ të Shqipërisë në Kosovë, apo vetëdorëzoheshin tek njësitë e Divizioneve V dhe VI të Shqipërisë për shkak të keqtrajtimit, dhunës e masakrave që kishin nisur në stil të gjerë aradhet serbo-çetnike ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës, por edhe për shkak se i kishin rekrutuar për t’i larguar nga trevat e tyre, duhet t’i dallojmë nga të mobilizuarit (vullnetarët) shqiptarë, që vullnetarisht, apo mbi bazën e thirrjes e propagandës së shtabeve të divizioneve, brigadave e batalioneve të UNÇSH në Kosovë, bashkoheshin me divizionet e Shqipërisë, me besimin se kishin bërë gjënë e duhur apo kishin gjetur mbrojtjen e duhur te vëllezërit e tyre të një gjaku e të një gjuhe dhe i shihnin si shpëtimtarë. Sipas dokumentit 135/Res, numri i të arratisurve nga ushtria jugosllave deri në atë çast, ishte 155, ndërsa numri i të mobilizuarve nga ushtria shqiptare (div. V dhe VI) ishte 1389. Të gjithë këta të arratisur e të kapur dhe vullnetarët shqiptarë të Kosovës u dorëzoheshin udb-ashëbe jugosllavë.
-Divizionet V dhe VI, respektivisht dhe brigadat dhe batalionet e tyre, udhëhiqeshin e komandoheshin realisht nga komitetet e partisë dhe komisarët politikë: Ramiz Alia, Gafur Çuçi, Reis Malile, Njazi Islami etj. Bindesh për këtë po të lexosh raportet e tyre drejtuar KQ të PKSH dhe Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë. Edhe nga ana formale mund të dallosh lehtësisht, në fund të raporteve, përparësinë Ramiz/Brahman; Ramiz Alia/Gjin Marku e kështu me radhë. Komisarët politikë, Ramiz Alia, Gafur Çuçi etj. u drejtoheshin jo vetëm KQ të PKSH (sipas linjës partiake), por edhe Komandës së Përgjithshme, të cilën realisht duhet ta informonin komandantët. Në urdhëresën e Koci Xoxes, atëherë sekretar Organizativ i PKSH, drejtuar komisarëve e zv.komisarëve të korpuseve e të divizioneve të Ushtrisë NÇSH, ndër të tjera thuhej: “KQ i PKSH është koka udhëheqëse e Partisë, që këtej drejtohen në punët e ndryshme të gjitha organizatat si në pushtet, ashtu edhe në ushtri”.
Ishte koha e komisarëve. Kuptohej që, për gjithçka, komandën e kishte Partia Komuniste Shqiptare, vegël e PK
jugosllave, kuptohet, gjithashtu, se ç’dëm të madh dhe ç’tragjedi kombëtare i pruri kjo politikë Shqipërisë dhe Kosovës, sidomos në vitin 1945, vitin e kthesës vendimtare drejt perandorisë së Lindjes komuniste.
-Të gjitha veprimet e divizioneve shqiptare në Kosovë miratoheshin edhe nga komandanti i Përgjithshëm i UNÇ të Shqipërisë, Enver Hoxha. Ai, pasi kërkonte shifrën e të arratisurve dhe të vullnetarëve të mobilizuar, urdhëronte shtabet e Divizioneve V dhe VI: “T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52″.
Ndërkohë, luftëtarët e lirisë, të ashtuquajtur “kriminelë”, u dorëzoheshin reparteve të OZN-së dhe të Mbrojtjes së Popullit, që i ndëshkonin dhe asgjësonin. Për të gjitha këto veprime antishqiptare dhe antinjerëzore mban përgjegjësi direkte Shtabi Operativ i Divizioneve V dhe VI, me komisar politik Ramiz Alinë dhe komandant Gjin Markun, që i merrnin urdhrat nga Beogradi dhe i zbatonin ato përpikërisht. Po e japim të plotë radiogramin e tyre drejtuar Komandës së përgjithshme të Armatës Jugosllave në Beograd:
Nr.70/Res
1.04.1945
Radiogram
Komandës së Përgjithshme të Armatës Jugosllave
Beograd
Brigadat e Divizioneve tona vazhdojnë të jenë të vendosura në vendet e mëparshme të Kosmetit stop Brigadat janë duke bërë ndjekje e rrethime të bandave gjithnjë me sukses stop Elementet e arratisur e sidomos ata që kanë ma pak faje, po dorëzohen stop Repartet tona janë duke bërë dhe konferenca e metingje politike në popull stop
Të gjitha këto veprime bëhen duke iu përgjegjur edhe karantinës së tifos, në të cilën ndodhen forcat tona stop
Për Shtabin Operativ të Divizionit V dhe VI
Komisari Politik
N/kolonel Ramiz Alia
Komandanti
N/kolonel Gjin Marku
Në këtë radiogram dëshmohet edhe një herë tjetër për operacionet ushtarake të Divizioneve V dhe VI të Ushtrisë NÇ në Kosovë….
Sipas raportit të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore të Jugosllavisë, datë 12 shkurt 1945, në Divizionin e 52-të jugosllav janë dorëzuar 662 shqiptarë. Në luftime, ky divizion ka zënë robër 99 persona. Divizioni 46 ka zënë robër 52 vetë, ka vrarë 32 dhe janë dorëzuar 37. Numri i përgjithshëm i robërve, i të dorëzuarve dhe i të vrarëve nga ky divizion, është 882. Divizioni i 41-të ka zënë robër ose janë dorëzuar 107 shqiptarë gjatë muajit mars 1945, plagosur e vrarë 19 “banditë” shqiptarë.
Sipas raportimeve të komandave të brigadave dhe divizioneve të UNÇSH, në rajonet e Mitrovicës e të Vushtrisë ishin vetëdorëzuar te Brigada III shqiptare 250 vullnetarë shqiptarë, në rajonin e Drenicës ishin bashkuar me repartet e ushtrisë shqiptare 980 vetë të armatosur, ndërsa në Divizionin VI ishin inkuadruar 200 të arratisur nga brigadat jugosllave.
Radiogrami i datës 1 prill 1945 provon se Ramiz Alia dhe Divizioni V gjendeshin në Kosovë, jo vetëm përgjatë muajit mars 1945 kur u mobilizuan dhe u dërguan tri kolonat e para me rekrutë shqiptarë për në Frontin e Triestes, por edhe gjatë muajit prill 1945 (siç e dëshmojnë edhe dokumentet e tjerë arkivorë), kur u mobilizuan dhe u dërguan për në Tivar tri kolonat e tjera me rekrutë kosovarë. Një ditë pas masakrës së përgjakshme në Tivar, Ramiz Alia i shprehte Beogradit se “divizionet tona vazhdojnë të jenë të vendosura në vendet e mëparshme të Kosmetit, janë duke bërë ndjekje e rrethime të bandave gjithnjë me sukses dhe se të arratisurit po dorëzohen”, për të mbushur brigadat me shqiptarë që dërgoheshin në Tivar e gjetkë. Fakti që ai kishte dijeni për masakrën e 31 marsit 1945 në Tivar, vërtetohet nga informacioni që na jep ish-shifranti i KQ të PKSH, Islam Kadeshi:
“Atë ditë erdhi një telegram-shifër nga komisari i Divizionit V, Ramiz Alia, i cili njoftonte se sot herët në mëngjes, një turmë e madhe, disa mijëra shqiptarë të Kosovës, pasi u grumbulluan në mes të dy kodrave, në një luginë, u pushkatuan dhe u likuiduan të gjithë. Në momentin që unë e dorëzova këtë telegram, në zyrë gjeta Koci Xoxen dhe Enver Hoxhën, ua dhashë telegramin në shifër të përkthyer”.
Shtabet e Divizionet V dhe VI, por edhe shtabet e brigadave, që përcillnin urdhrat e tyre gjatë muajve mars-prill 1945, kur bëhej mobilizimi ushtarak i shqiptarëve dhe dërgoheshin në Frontin e Triestes, dorëzonin tek autoritetet ushtarake jugosllave, të arratisurit nga Ushtria jugosllave, por edhe vullnetarët kosovarë që hidheshin në ushtrinë shqiptare, për të gjetur shpëtim…
…
Bashkëpunimi komunist jugosllavo-shqiptar për masakrimin e rekrutëve shqiptarë të Kosovës përgjatë rrugës Kukës-Shkodër, pra në territorin e Republikës së Shqipërisë, është pasqyruar në disa dokumente arkivore. Më së pari në notën e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë drejtuar Legatës së Jugosllavisë, datë 22.11.1949: “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-së gjatë luftës dhe pas luftës. Në këto masakra të pashembullta ndaj popullsisë së Kosovës ka marrë pjesë dhe agjenti i qeverisë jugosllave në gjirin e qeverisë shqiptare, tradhtari Koci Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë”.
Fajin për këtë kasaphanë qeveria shqiptare u përpoq t’ia hidhte, pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, Koci Xoxes, i cili gjithashtu ishte kriminel, si gjithë komunistët e klikës hoxhiste, por nuk ishte në atë kohë ministër i Brendshëm. Në të vërtetë, ministër i Brendshëm në atë kohë, pra, nga viti 1944 e deri në maj të vitit 1946, ishte Haxhi Lleshi… Është absurde të mendosh se një ministër i Punëve të Brendshme, sidomos i një qeverie komuniste, pushteti i së cilës ishte përqendruar në një dorë të vetme, të lejonte hyrjen e një ushtrie të huaj në territorin e shtetit shqiptar, të autorizonte vrasjen pa gjyq e pa faj të një mijë shqiptarëve të Kosovës nga një ushtri e huaj, brenda territorit të Shqipërisë, pa dijeninë e qeverisë shqiptare dhe të kryeministrit Enver Hoxha, i cili mbante njëherësh postet e kryetarit të PKSH, të kryetarit të Frontit Demokratik, të komandantit të Ushtrisë dhe të ministrit të Jashtëm?!
…Këtë masakër perfide brenda kufijve të Shqipërisë, ku janë vrarë me qindra rekrutë të thjeshtë kosovarë ndërmjet rrugës prej kufirit tonë në Kukës e deri në Tivar, e konfirmon edhe prokurori i Përgjithshëm ushtarak, Bedri Spahiu, në gjyqin kundër Koci Xoxes:
“Xhelatët e Rankoviçit, që janë shquar për krimet e tyre alla-fashiste kundër popullit të thjeshtë të Kosovës, i kanë vazhduar këto masakra kundër tyre nëpërmjet rrugës prej kufirit tonë në Kukës e deri në Ulqin, duke vrarë qindra prej tyre.. Ishte kjo një rrugë e përgjakshme e fshatarëve të thjeshtë kosovarë brenda dhe jashtë tokës sonë deri në Ulqin”…
Është e paprecedentë dhe e paimagjinueshme, ndoshta e pashembullt në tërë historinë botërore, që qeveria e një vendi të pavarur të autorizojë të huajt që të vrasin ilegalisht dhe pa gjyq, në territorin e saj, bashkëkombësit e vet, madje të bëhet edhe vetë palë në këtë krim. Këtë na e dëshmon edhe deklarata e Zoi Themelit, shef i Mbrojtjes së Popullit të krahinës III (Shkodër):
“Nga mesi i vitit 1945, jugosllavët duke shoqëruar një numër kosovarësh të mobilizuar për në Mal të Zi, i vrisnin në masë rrugës, pa pasur faj dhe nga ky veprim, disa nga këta kosovarë, duke shpëtuar nga plumbat e tyre, mundën të iknin dhe të dorëzoheshin tek organet tona, duke kërkuar mëshirë dhe mbrojtje për të shpëtuar kokën. Ne, duke parë këto veprime antinjerëzore, që bëheshin tek njerëzit e rekrutuar nga Kosova, kemi vënë në dijeni me telegrame e shkresa, drejtorinë e Sigurimit dhe kemi sugjeruar që këta njerëz, të cilët kanë shpëtuar dhe na janë dorëzuar neve, të mos u jepeshin në atë kohë jugosllavëve, se do t’i vrisnin. Njëkohësisht, kemi përmendur që për këto vrasje të vihej në dijeni qeveria jugosllave, pasi ne kujtonim se bëheshin pa dijeninë e saj. Mirëpo Koci Xoxe, siç dihet, ishte bashkëpunëtor me këta (jugosllavët) dhe në shërbim të tyre, mbas disa ditëve na urdhëroi që kosovarët e dorëzuar ose të kapur t’u dorëzoheshin jugosllavëve. Ne, në atë kohë, këtë urdhër nuk e pritëm hiç mirë, mbasi e dinim që porsa t’i dorëzonim, jeta e tyre ishte në rrezik dhe, me sa jemi informuar, disa nga këta gjetën vdekjen”.
URAN BUTKA
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje
Agroni |
Lexuar 30428 |