Revista
|
|
Sipas analistëve, dështimi në Samitin e Lisbonës, ku Maqedonia do jetë në pritje të ftesës për anëtarësim në NATO, mund të jetë fundi i një shteti shumëtnik. Ky sherr paralajmërohet të plasë në mesin e maqedonasve, si shoqëri e ndarë në ‘patriotë’ dhe ‘tradhtarë’. Shqiptarët, sipas analistëve, do të jenë në rolin e amortizuesit dhe të qetësuesit të situatës, shkruan Koha e Re
Kanë mbetur vetëm edhe dy muaj nga Samiti i Lisbonës, në të cilin do të vendoset nëse vendi do të marrë ftesë për anëtarësim në NATO. E gjithë kjo nuk do të varet nga Brukseli zyrtar apo anëtarët e NATO-s, por nga dëshira dhe vullneti politik i kryeministrit Nikolla Gruevski për të zgjidhur kontestin disavjeçar me Athinën. Sipas paralajmërimeve të deritanishme, Maqedonia edhe në Samitin e Lisbonës do ta përjetojë reprizën nga Bukureshti, pasi që nuk ka asnjë sinjal nëse kontesti njëzetvjeçar mund të zgjidhet për dy muaj, aq sa kanë mbetur deri në Samit. Analistët politikë kanë vlerësime të ndryshme lidhur me këtë gjendje, disa prej tyre nuk shpresojnë në diçka spektakulare, derisa të tjerët thonë se mund të ndodhin zhvillime serioze nga të cilat mund të varet edhe ardhmëria e Maqedonisë. Analisti politik Mersel Bilalli, vlerëson se dështimi në Samitin e Lisbonës do të jetë fillimi i ndarjes së Maqedonisë, pasi që e njëjta po dëshmon se nuk mund të mbijetojë si shtet shumëtnik.
“Dështimi i Maqedonisë në Samitin e Lisbonës do të hapë procese tjera në rajon, siç është ndryshimi i kufijve në Ballkan. Te faktori ndërkombëtar gjithnjë e më tepër mbizotëron bindja se Maqedonia nuk mund të mbijetojë si shtet shumëtnik dhe do të imponohet nevoja për ndarjen e Maqedonisë dhe rishikimin e kufijve në Ballkan. Diplomatë perëndimorë, janë të lodhur nga sjellja e palës maqedonase, e cila në asnjë mënyrë nuk tregon seriozitet në mbijetimin e këtij shteti, prandaj imponohet nevoja që ndërkombëtarët të marrin hapa tjerë”, ka thënë analisti Mersel Bilalli. Për profesorin universitarë Lubomir Fërçkovski, zhvillimet politike pas Samitit të Lisbonës do të varen nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila do të duhet të vlerësojë se çfarë do të ndërmarrë. “Çështja kryesore është BDI-ja, e gjithë situata, pra do të varet nga roli i saj. Vetëm sjellja e BDI-së, mund t’i shkaktojë kokëdhembje Gruevskit. Ky koalicion për momentin është i pakontestueshëm dhe ka mbështetje të madhe edhe në bllokun shqiptar edhe në atë maqedonas, por nuk na mbetet tjetër përveç se t’i durojmë edhe në dy vitet e ardhshme. Përgjegjësia i mbetet edhe BDI-së, e cila në bazë të analizave të veta do të vendosë se si do të veprojë. Konsideroj se kësaj radhe ndërkombëtarët do ta kursejnë BDI-në nga presionet që ajo të luajë rolin e qetësuesit të situatës“, ka thënë Fërçkovski. Ndërkohë, analisti politik Alajdin Demiri, ka thënë se eskalimi i situatës mund të ndodhë në bllokun politik maqedonas për shkak të dallimeve të mëdha dhe ndarjes së tyre në “patriotë” dhe “tradhtarë”. Sipas tij, Samiti i Lisbonës do të jetë reprizë e Bukureshtit në të cilin Maqedonia nuk do të marrë ftesë për anëtarësim në NATO.
“BDI luan rolin e nihilistit, sillet me hipotekë dhe nuk ka asnjë ide për ardhmërinë e Maqedonisë, ata për momentin e luajnë rolin e disiplinuesit, pra situatën në dorë ata ia kanë lënë kohës. Ata presin që koha t’i sjellë ndryshimet, por një gjë e tillë nuk mund të ndodhë. Destabilizimi në Maqedoni pas Samitit të Lisbonës do të ndodhë në mesin e maqedonasve shoqëria e maqedonase, pasi gjithnjë e më tepër ajo po ndahet më ‘patriotë’ dhe ‘tradhtarë’. Destabilizimi mund të ndodhë, megjithatë kësaj radhe maqedonasit mes vetes, ndërsa shqiptarët për momentin nuk kanë fuqi për të destabilizuar shtetin për shkak të rolit amortizues dhe për atë se do jenë në pozicionin e qetësuesit të situatës”, ka thënë analisti politik, Alajdin Demiri.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje