![]() |
Revista
|
|
A është serioz kërcënimi bërthamor i Koresë së Veriut? Apo ata janë thjesht duke vënë në provë botën?
Një raketë me rreze të gjerë u bë gati të lëshohej, duke nxitur alarm tek ushtarakët amerikanë, por më vonë oficerët që po mbikëqyrnin situatën vunë re që raketa u kthye sërish në shtratin e saj.
Një zyrtar i qeverisë koreane citohet të ketë thënë për një media shtetërore se “lufta mund të shpërthejë nga momenti në moment”.
Lëvizja e djeshme do të thotë se sulmi raketor të cilit i tremben të gjithë mund të mos ndodhë, por mund të tregojë edhe se qeveria e Koresë së Veriut po teston pajisjet lëshuese. Një ushtarak i SHBA-së ka thënë se ngritja e raketës në pozicion lëshimi mund të jetë një provë parapërgatitore për sulmin, por në të njëjtën kohë edhe një “provokim” ndaj SHBA-së dhe aleatëve që i mbajnë nën vëzhgim lëvizjet e Koresë së Veriut.
Banorët e Koresë së Jugut, më të rrezikuarit nga një sulm i tillë, por që janë përballur edhe më herët me të tillë luftë kërcënimesh nga fqinjët veriorë, po e shohin situatën qetësisht edhe pse qeveria dhe ushtria janë në gatishmëri të plotë. Askush në fakt nuk dëshiron të rrezikojë dhe të jetë i papërgatitur dhe askush nuk mund të parashikojë lëvizjet e udhëheqësit koreano-verior
Kim Jong Un, i cili nuk duket se kërkon të tërhiqet prej kërcënimeve. Ushtarakët amerikanë refuzuan të thoshin se si e mësuan që raketa e njohur si ‘Musudan’ ishte vendosur në pozicion lëshimi.
Musudan është një armë e patestuar, e cila sipas Koresë së Jugut ka një rreze prej 3500 kilometrash. Ajo mund të arrijë deri në Guam, një territor që është bazë e marinës së SHBA-së dhe ku këta të fundit kanë vendosur sistem mbrojtjeje raketore.
Jeta sidoqoftë vazhdon si normalisht në rajon, edhe pse Veriu bombardon me kërcënime të herëpashershme, përfshi edhe lajmërimin se nuk garantonte jetën e të huajve që mund të hynin në gadishull.
Koreanët e Jugut, të mësuar jo vetëm me kërcënimet boshe por edhe me sulme lokale të Veriut, kanë dalë në punë si në një ditë normale. Madje edhe turistët që vizitojnë Korenë e Veriut kanë vijuar të kenë të njëjtin fluks. Kina, prej nga edhe zhvillohet ky turizëm, njofton se ka pasur disa ture që janë fshirë, por kufijtë vijojnë të punojnë normalisht.
Nga ana e tyre edhe japonezët, të dytët në listën e të kërcënuarve, e shikojnë sjelljen e regjimit të Kim Jong Unit më shumë si zhurmë sesa si kërcënim serioz për sigurinë në rajon.
Nga dritaret e zyrave dhe të banesave në lagjen e Tokios, Ichigaya mund të shohësh njësitë e raketave “Patriot” që janë stacionuar në territorin e Ministrisë së Mbrojtjes. “Ato janë në gjendje gatishmërie dhe do të përdoren nëse Koreja e Veriut kërcënon sigurinë e Japonisë dhe të popullit të saj”, u tha në një deklaratë qeveritare.
Edhe pse njerëzit këtu i ndjekin me sy vigjilent zhvillimet në gadishullin korean, ata nuk janë shumë të shqetësuar në lidhje me kërcënimet pothuajse të përditshme të Penianit. Ata e shikojnë sjelljen e regjimit të Kim Jong Unit më shumë si zhurmë sesa si kërcënim serioz për sigurinë në rajon.
“Qeveria nuk ka si të mos e marrë seriozisht situatën, – thotë Haryuki Yoshida, një biznesmen në Tokio, – prandaj ka instaluar sistemim mbrojtës këtu në Tokio. Por unë, vërtet nuk mendoj se Koreja e Veriut do të jetë aq e paarsyeshme dhe do të shkaktojë konflikt”.
Sisteme mbrojtjeje prej raketave janë në gatishmëri edhe në dy vende të tjera përreth Tokios, si dhe në prefekturat Gifu dhe Okinava, ku janë të stacionuara shumica e njësive amerikane. Po ashtu marina japoneze ka dislokuar në Detin e Japonisë destrojerin “Aegis” për të kundërvepruar edhe nga deti në rast të ndonjë sulmi të mundshëm nga Koreja e Veriut.
Në fillim të javës mediat shtetërore të Koresë së Veriut e sulmuan me fjalë të ashpra qeverinë japoneze, sepse ajo kritikoi “deklaratat dhe veprimet provokuese” të Penianit. Koreja e Veriut i fajësoi autoritetet japoneze se këto deklarata janë një manovër për të mbrojtur zotërinjtë e tyre amerikanë dhe tha se ata janë përgjegjës për shkallëzimin e tensioneve në gadishullin korean.
Paralajmërime të tilla japonezët kanë dëgjuar tashmë shumë shpesh në të kaluarën. “Ata bëjnë zhurmë për t’i treguar pjesës tjetër të botës se sa të fortë janë. Por kjo është një mënyrë shumë e çuditshme për të fituar respektin e fqinjëve”, thotë Kanako Ooko, që banon rreth 30 km në jug të Tokios, ku gjendet baza detare amerikane Yokosuka. “Unë nuk jam i shqetësuar, sepse nuk mendoj se ata do të bëjnë vërtet ndonjë budallallëk”.
Rreziku që vjen nga Koreja e Veriut u diskutua edhe në Komitetin e Inteligjencës në SHBA.
James R. Clapper, drejtor i Inteligjencës Kombëtare në SHBA, thotë se këta të fundit besojnë që objektivat të cilët kërkon të arrijë Kim Jong Un përmes retorikës luftarake kanë të bëjnë më shumë me “konfirmimin e fuqisë së tij” dhe për të treguar se ai “kontrollon Korenë e Veriut”.
Ai beson se Kim nuk është gati për “t’i dhënë fund lojës”, por kërkon që të njihet si fuqi bërthamore dhe me anë të kësaj të përfitojë “negociata më të favorshme dhe ndoshta edhe ndihmë.” Sidoqoftë, ai e pranon rrezikun.
Që prej dhjetorit, Koreja e Veriut ka hedhur një satelit në orbitë dhe ka bërë një test bërthamor, të tretin që prej 2006-ës, dhe pretendon se është gati për luftë bërthamore.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje