Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Lufta e pergjimit dhe teknologjia e zhvillimit
Publikuar me 22 Nen 2007

Lufta e pergjimit dhe teknologjia e zhvillimit

Nga viti i ardhshëm në Gjermani do të ruhen për gjashtë muaj me radhë të dhënat e atyre që telefonojnë, përdorin internetin, dërgojnë e-maile apo sms. Bundestagu pritet ta miratojë ligjin përkatës këtë javë. Frank Ulrih Montgomeri (Frank Ulrich Montgomery), mjek dhe kryetar i shoqatës së mjekëve "Marburger Bund" i referohet mjekut të Greqisë së Vjetër Hipokratit, që konsiderohet si themeluesi i mjekësisë si shkencë, kur është fjala për raportim mes mjekut dhe pacientit. Që përpara 2500 vjetësh ai e quante si parim të vetkuptueshëm të punës së mjekut, atë që kërkojnë sot mjekët dhe përfaqësuesit e disa profesioneve të tjera që kanë të bëjnë me besimin e njerzve, pra juristët dhe gazetarët: „Ne mjekët jetojmë prej besimit që kanë pacientët për të na treguar gjithçka që ka të bëjë me shëndetin dhe sëmundjet e tyre. Kjo e drejtë u takon edhe të burgosurve, edhe atyre që konsiderohen si të dyshuar. Kjo bën pjesë në të drejtat themelore të njeriut dhe nuk mund të kufizohet prej askujt.“ Me kritikën e Montgomerit bashkohen edhe të tjerë, që mendojnë se miratimi i ligjit për regjistrimin dhe arkivimin e të dhënave të telekomunicionit përbën një kufzim të veprimtarisë së tyre.

 Megjithatë miratimi i këtij ligji mund të konsiderohet si i sigurt për shkak të shumicës së votave që kanë në parlament CDU dhe SPD. Ministrija e drejtësisë, Brigite Cypris Brigitte Zypries (SPD), mendon se kritikat nuk janë të justifikuara. Sipas saj Gjermania zbaton në këtë mes një direktivë të BE-së dhe arkivimi ka të bëjë jo me përmbajtjen e bisedave apo të e-maileve, por vetëm me të dhënat e atyre që komunikojnë. Sipas saj kompetencën për përgjimin e plotë e kanë gjykatat: „Kjo do të thotë se vendimin nëse vërtet do të përgjohen telefonat apo lidhjet e internetit duhet ta marrë për çdo rast të veçantë gjykata.“ - thekson Zypries. Deputetët dhe priftërinjtë përjashtohen nga ky ligj. Në ndryshim nga ai i gazetarëve, mjekëve apo avokatëve komunikimi elektronik i tyre mbetet për prokurorinë tabu. Partitë opozitare në parlamentin gjerman, liberalët, të majtët dhe ekologjistët, janë kundër miratimit të këtij ligji. Sipas tyre pas miratimit të tij do të pasojë ligjit tjetër, i cili sipas modelit amerikan do të lejojë që për 13 vjet me radhë të depozitohen 19 të dhëna personale të pasagjerëve të avionëve.

Në Gjermani është tashmë realitet pajisja e pasaportave me shenjat e dy gishtrinjve si dhe të dhëna biometrike. Një grup aktivistësh për të drejtat e njeriut kanë vendosur që në rast se ligji, sikurse edhe pritet, do të miratohet, do të ngrenë padijë në Gjykatën Kushtetuese Gjermane. Kryetari i shoqatës së avokatëve gjermanë, Hartmut Kilger thekson: „Natyrisht që ky ligj do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuse.“ Në vitin 2003 kjo gjykatë e kishte konsideruar mbledhjen e të dhënave të telekomunikacionit si shkelje të rëndë të ligjit për ruajtjen e fshehtësisë së tyre. Në lidhje me këtë çështje pritet të marrë një vendim edhe Gjykata Evropiane. Irlanda ka ngritur padijë në këtë gjykatë kundër direktivës së BE-së për depozitimin e të dhënave të telekomunikacionit.


1515
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI