Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Lezhjanet,fajin e ka Shteti jo shiu.
Publikuar me 30 Dhj 2009

Lezhjanet,fajin e ka Shteti jo shiu.

Banorët e ultësirës së Lezhës janë të bindur se përmbytja nuk ka shkaqe natyrore, por njerëzore. Këtë e thonë kryesisht banorët e fshatit Tale, ku përmbytjet nuk janë të zakonshme si në fshatrat e tjerë, që njerëzit janë “familjarizuar” aq shumë me to sa mund të thuash se janë shndërruar në amfibë.


Pashk Luli, një nga banorët e përmbytur në Tale, thotë: “Kam qindra vite që jetoj në këtë lagje dhe nuk jemi përmbytur asnjëherë. Kjo nuk është se ka ardhur për shkaqe natyrore, por shkaqe njerëzore. Në afërsi të hidrovorit, një person nga Tirana, që as emrin nuk ia dimë, ka blerë një sasi toke në breg të detit duke e rrethuar atë. Ndërsa ka mbyllur kanalet që dërgonin ujin në hidrovorë, duke e ngritur mbi nivelin e rrugës ekzistuese. Kjo ka sjellë për pasojë edhe fryrjen e kënetës që është favorizuar nga prurjet e shumta të Drinit, që sipas drejtuesve të prefekturës, të cilët kanë ardhur për të na parë, ka ndodhur për shkak të hapjes së portave të hidrocentralit dhe prurjeve të shumta. Deti ka dalë mbi sipërfaqen e rërës, pasi ka qenë me dallgë duke dërguar lumin në kënetë e më pas uji ka kaluar mbi rrugë. Ne kemi ngritur shqetësimin në instancat përkatëse për bllokimin e kanaleve, por askush nuk ka pyetur si nga pushteti lokal, por edhe nga prefektura. Personalisht kam njoftuar policinë me anë të numrit 129 që në orën 05.00 të mëngjesit kur nisi përmbytja, por policët filluan të talleshin me mua duke më thënë se je çuar jerm. Nëse situata do ishte ndjekur nga ana e pushtetit lokal, nuk do të kishim përmbytje”.


Ndërsa Lule Smajli, shtëpia e së cilës rrezikohet të shembet, shprehet: “Kam 46 vjet në këtë banesë dhe nuk jemi përmbytur asnjëherë, jo më të rrezikohet shtëpia për t’u shembur. Kjo është papërgjegjshmëri e organeve të pushtetit lokal që lejon investime të kryhen pa plan dhe në dëm të komunitetit. Nuk jam vetëm unë e përmbytur, por jemi dhjetë shtëpi. Ne nuk dimë ku të vemi, jemi të tronditur nga situata e krijuar që nuk ka ardhur për shkaqe natyrore, pasi ka dy ditë që nuk ka rënë shi në Tale. Ndërsa dje në orën 05.00 të mëngjesit jemi përmbytur”.


1083
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI