Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Lezha:As homoseksuale, as homofobike
Publikuar me 06 Pri 2010

Lezha:As homoseksuale, as homofobike

Me Shëngjinin pak minuta larg, me një rrugë të drejtë nga Tirana, me një kala të stërlashtë dhe kafene të mbushura plot me të rinj e të reja. Lezha mund të quhet me plot gojën një qytet joshës, seksi... Dje ne e gjetëm atë të mbështjellë në një debat që sidoqoftë i përfshin këto fjalë.


Qytetarët e vendit ku u bë besëlidhja më e rëndësishme shqiptare, papritur kanë lënë debatet e tyre të përditshme për Ramën e Berishën, për dritat e ujin, për rritjen e çmimeve dhe kanë nisur të flasin nga mëngjesi në darkë për një ngjarje që u zbriti nga qielli, për homoseksualitetin. Disa në moshë të thyer ngrenë supet e madje as nuk e shqiptojnë dot pa gabime këtë fjalë, të tjerë kërkojnë t’u shpjegosh çfarë është e të tjerë thonë me tone fyese... “S’më interesojnë fare b.q”. Pas një ore udhëtim jemi në hyrje të një qyteti të vogël verior që shtrihet kah malit e kah detit dhe të ngjall ftohtësi dhe në një ditë marsi. Nuk kemi ardhur këtu për asnjë nga 100 hallet e përditshme të këtij qyteti, që ngjajnë aq shumë me hallet e gjithë qyteteve të tjera në Shqipëri, por për një “hall” që ndoshta është më shumë se luks në Lezhën e varfër dhe të heshtur në një stinë të tillë, një luks që duket normal në Teksas e në Florida.


Një ndeshje mes Lushnjës dhe Besëlidhjes së Lezhës nuk ofron vetëm futboll në fushë të pashtruar, por edhe një nxitje për protesta. Edhe pse fenomen jo i ri për futbollin shqiptar, këtë herë nuk ishte arbitri që ishte në qendër të “revoltës”, por një personazh i “Big Brother” që deklaroi publikisht se ishte homoseksual. Etiketimet e gjetura nga tifozët e Lushnjes për lezhjanët dy javë më parë ishin të mjaftueshme për nxjerrë 40 tifozë të ofenduar në qendër të Lezhës në protestë kundër Klodit të “Big Brother”.


U nisëm drejt qytetit verior me një sërë pyetjesh ndër mend. Kishim mësuar se për këto protesta ishin interesuar edhe autoritete të larta e madje edhe ambasada amerikane, çka e konfirmuam kur shkuam në qytet. Por a është Lezha një vend ku një debat mbi homoseksualitetin gëlon, e mbi të gjitha a kemi të bëjmë me një shfaqje ekstreme homofobie, apo një mori paragjykimesh për një kategori të cilën realiteti shqiptar nuk e ka njohur ende për ta vlerësuar?


Një orë në shkollë


Si çdo ditë gjimnazi “Hydajet Lezha” gumëzhinte nga zërat e qindra nxënësve, që këto ditë krahas bisedave të zakonshme të provimeve, ngacmimeve e çmendurive të adoleshencës, një tjetër debat ka nisur të lindë. A është homoseksualiteti diçka që duhet të dënohet, apo është zgjidhje e gjithsecilit?


“Lezhjanët i thonë jo Klodit”, “Lezhjanët kundër homoseksualëve”, e të tjerë ishin vetëm disa nga titujt e mediave të përditshme, që pasqyronin protestat në Lezhë, kundër deklaratës së një prej lojtarëve të “Big Brother Albania”.


Për herë të parë në Shqipëri është hapur një debat i qartë publik mbi homoseksualitetin, pranueshmërinë apo jo të tij në vendin tonë, homofobinë dhe përmasën e saj e mbi çdo gjë që vërvitet rreth orientimeve “ndryshe” seksuale. E vetmja e veçantë është se në këtë debat shpeshherë ngatërrohet mendimi i shumicës, pasi ata që marrin mikrofonin, dalin në rrugë, apo gjejnë hapësirën për të botuar dy radhë janë vetëm mbështetësit e flaktë e kundërshtarët e flaktë të këtij fenomeni.


Ku më mirë, për të parë se cili është mendimi i shumicës, apo qoftë të “pakicës cilësore”, sesa në një prej shkollave të këtij qyteti. Për këtë arsye, morëm aparatin fotografik, një stilolaps e një letër, së bashku me një mori pyetjesh për të hyrë në një nga klasat e shkollës së mesme të qytetit verior.


“Në fakt këtu ka lindur një debat i vogël, në një prej klasave, tek e treta C, prandaj po ju çoj aty”, – na thotë drejtoresha e shkollës, tërësisht e gatshme për të na treguar mendimin real, jomediatik, të të rinjve lezhjanë.


Në një klasë prej 30 nxënësish, ku ishin vetëm 6 djem, vështirë se mund të kuptosh realitetin e Lezhës, por jo edhe të marrësh frymën dhe argumentet e 17-vjeçarëve lezhjanë. Në klasën e tyre, një prej këtyre ditëve, një nxënës kishte bërtitur “Ik, Klodi, ik”, e mjaftueshme kjo për të hapur një debat, që ishte mjaft i nxehtë kur shkuam ne.


Djemtë nuk ishin lajmëruar për qëllimin e vizitës sonë, një “kurth” i ngritur për të tërhequr në mësimin e “Hyrjes në ekonomi”, ku ne u pritëm si miq të paftuar.


E megjithatë, sapo i pyet për lajmet dhe deklaratën e Klodit, qetësia prishet në klasë, ndoshta për debatin e zjarrtë që janë të sigurtë se do të kontribuojnë apo për të shpëtuar nga një orë tjetër mësimi, të gjithë ngrenë dorën të flasin.


“Mirë bën që protestuan, por nuk dinin të argumentonin”, – na thotë Aguileni, një prej më të zëshmëve në klasë. “Normalisht natyra ka krijuar femrat dhe meshkujt”, – vijon ai, duke analizuar më gjerë teologjikisht arsyen pse ishte kundër homoseksualitetit.


Një deklaratë e vetme, e vijuar nga “bravo”, e “mirë ja bën” e disa prej miqve të tij, mjaftonte për t’i hedhur zjarrit pakëz benzinë, për të nisur një debat që më së shumti ngjante si një teatër fjale, me skenar të mirë, me djemtë e vajzat kundër palës tjetër.


“Secili ka të drejtë të bëj çfarë të dojë, dhe askush nuk mund ta detyrojë atë të bëjë siç do shumica”, – thotë e ulur në mes të dy shoqeve të saj, me një artikulim të qartë shprehës trupor, Flavia.


Dukshëm kundër, me një shpërfillje ndaj argumentit, por respekt ndaj argumentimit, Aguileni vendoset pak në pozitë të vështirë, kur e pyesim mbi lesbizmin. “Aty ndryshon, jam gjysmë pro e gjysmë kundër”, – na thotë më së shumti për të ruajtur balancën mes argumenteve teologjikë që normalisht vlejnë të njëjtë për të dy rastet, e mendimit të tij kahkundërt për homoseksualitetin mes femrave. “Meshkujt janë ndryshe, bëhen më pak mashkullorë, kur janë homoseksualë”, – na thotë.


Disa nga vajzat marrin pozicionet e shokëve të tyre, por gjithsesi në “pakicë të dukshme” karshi vajzave të tjera. “Unë jam kundër homoseksualitetit”, – na thotë njëra prej tyre, – “nuk më pëlqen diçka e tillë”.


“Është e vështirë që ta heqësh këtë mentalitet, sepse duhet kuptuar edhe mentaliteti”, – na thotë zysha e “Hyrjes në ekonomi”, duke kujtuar edhe një rast prej Italie, ku jetonte vite më parë: “Në lagjen ku isha, një djalë nisi të deklaroj publikisht se është “gay” dhe u abandonua nga familja, pra edhe mentaliteti duhet kuptuar megjithëse duhet shumë punë për ta ndryshuar”.


E në këtë pikë, e gjithë homofobia e shprehur në përgjigje direkte duket se nuk është e njëjtë kur vendosen përpara dilemës. “Jo” – ishte thuajse unanime, me një përjashtim, përgjigjja ndaj pyetjes nëse duhet të abandonohet nga familja dhe të afërmit një person me orientim “tjetër” seksual.


Po aq më shumë ndryshon ky koncept kur vjen fjala tek aftësia. Një person i aftë në punë do të punësohej nga të gjithë këta nxënës nëse do ta kishin në dorë, edhe pse, ndonjëri do t’i jepte “zyrën e fundit në korridor”, a ndonjë tjetër do të merrte edhe mendimin e punonjësve të tjerë “për të mos pasur përplasje brenda mjediseve të punës”.


Duket se pika A, pra diskriminimi në punë e në familje është një absurditet, si për liberalët dhe për konservatorët...


Por, për shokun gjërat ndryshojnë! “Unë nuk mund të pranojë që shoqja ime të jetë homoseksuale, sepse do dyshoj për çdo veprim timin”, – na thotë Esmeralda, që iu bashkëngjit djemve, kur pyetëm se cili do të ishte reagimi i tyre nëse shoku apo shoqja e ngushtë do u tregonte se ishin homoseksual.


“Unë abstenoj”, – na thonë (pa folur për kuorum e për nisma ligjore) një prej djemve – “nuk e di se çfarë reagimi do të kisha”.


E ndërkohë vajzat në masë vijojnë të thonë se “çdokush ka të drejtë të jetojë jetën e vetë, pa u paragjykuar” dhe se “është e drejta e kujtdo të jetojë pa u diskriminuar, pavarësisht se çfarë orientimi seksual ka”.


E në fund të fundit, “halli” më i madh i djemve të këtij qyteti, duket se ishte etiketimi. “Kanë nisur të na thonë me ironi se jemi lezhjanë, duke nënkuptuar pikërisht këtë”, – thotë Aguilieni, për të marrë një “mbështetje” nga një djalë tjetër që nuk duket se e ndihmonte shumë në argumentim: “Sikur të ishim nga Kavaja”...


E megjithatë, edhe pse me mendime pro dhe kundër, me kundërshti e debate, me argumentime të mira, askush nuk do të dëbonte një person me orientim të ndryshëm seksual nga qyteti. “Nuk mund të dëboj dikë, – na thotë një prej vajzave, – sepse as ai nuk mund të dëboj mua”.


Nëse me homofobi do të nënkuptonim diskriminim në punë, abandonim nga familja, dëbim nga bërthama sociale, apo ofendime publike, kjo vështirë se do të gjendej në këtë klasë, që rastësisht na u ofrua për të parë se çfarë mendohet në një pjesë të Lezhës. Edhe pse disa prej tyre nuk do të pranonin ta kishin shokë, më shumë se një ndjenjë homofobike, duket se është paragjykimi që i drejtonte në deklarata ultimative...


“Duhet pak paragjykim” – na thotë me natyrshmëri, një prej nxënësve në fund të klasës, adhurues i grupit muzikor “Quëns”. “Mua më pëlqen Fredi Merkuri” – na thotë, duke shtuar se do të merrte një autograf prej tij, por se “do të ishte më mirë sikur të mos ishte homoseksual”.


Në një orë e gjysmë me nxënësit e të tretës C të gjimnazit “Hydajet Lezha” nuk kuptuam se çfarë mendojnë lezhjanët, por sigurisht u qartësuam, se nuk janë “lezhjanët” ata që do të dilnin e do të kërcënonin me jetë një person vetëm pse deklaroi një orientim tjetër seksual, sikurse nuk janë “lezhjanët” ata që do të pranonin se homoseksualiteti është një fenomen normal në shoqërinë e tyre. Ndër mendimet plurale që si çdo shoqëri ka edhe Lezha, shumica dukej se ishin më liberalë, edhe pse kjo vetëm në një klasë me pak djem...


Zor, se kjo ndryshon në ndonjë pjesë tjetër të vendit, apo edhe më gjerë në gadishullin tonë, por zhurma që mund të krijohet, heroizmi i personave që deklarojnë një identitet të ndryshëm apo sirenat homofobike, që shpesh amplifikohen në media, me qëllime të të bërit “lajm” vështirë se mund të jenë, në qoftë edhe një rast të vetëm, të vërteta.


Protesta? Vetëm 40 vetë


Drejtori i Policisë së Lezhës, Muharrem Furriku, duke folur për gazetën, shprehet se uniformat e policisë u ndjenë të papërgatitura nga një protestë e tillë. “Nuk e prisnim vërtet të ndodhte në Lezhë. Nuk kishte arsye”, - thotë drejtori, i cili tregon më tej se ditën e enjte kur ndodhi protesta e dytë kundër personazhit të Klodit ishte programuar diçka tjetër. Në sheshin qendror të qytetit, Partia Socialiste e Lezhës kishte lajmëruar policinë e kishte marrë lejen, për të zhvilluar një tubim politik të enjten në orën 5 pasdite, për të kërkuar hapjen e kutive të votimit. Politika e Tiranës ndihet edhe në qytetin verior, ndërsa forcat e policisë kishin marrë masat për mbarëvajtjen e kësaj proteste. Ndryshe nga sa pritej, protesta e PS-së nuk u zhvillua dhe kjo për arsyet e saj, por protesta në fakt u zhvillua. Sipas drejtorit të policisë së Lezhës, një grup djemsh të rinj dhe fëmijë të vegjël, jo më shumë se 40 vetë, zëvendësuan spontanisht protestën e programuar, duke hedhur parulla anti-Klodit të “Big Brother”-it. “Ishte diçka spontane por që ne morëm masat tona”, - thotë drejtori Furriku, duke konfirmuar më tej se ndaj tre organizatorëve të protestës spontane u mor masa e ndalimit të tyre. “Ata po ndiqen në gjendje të lirë me akuzën e organizimit të tubimeve të jashtëligjshme”, - thotë Furriku.


Policia e Lezhës ka skanuar edhe 3 djemtë që po ndiqen penalisht, dhe mësohet se ata njihen si djem të këqij në qytet. Organizatori kryesor, i cili foli edhe për mediat, sipas policisë, ishte në gjendje të dehur kur po jepte deklaratën për mediat elektronike.


Klodi nga Lezha?


Historia e personazhit të Klodit të “Big Brother”-it, tentohet që të anashkalohet nga lezhjanët. Ata justifikohen me “ai nuk është nga Lezha, por është i ardhur në atë qytet”. Në mënyrë sinkron çdo qytetar që pyet në rrugë, thotë të njëjtin informacion për origjinën e tij. “Nënën e ka nga Mallakastra, ndërsa babanë e ka nga Shkodra. Vonë janë zhvendosur në Lezhë”, - thonë disa. Të tjerë tentojnë ta trashin pak historinë, duke shtuar se ai i ka pasur prindërit e divorcuar dhe është rritur nga gjyshërit e tij. “U la pas dore, ndaj u bë ashtu”, - thotë një tjetër. Ndaj familjes së Klodit nuk mungojnë as fyerjet. Ndoshta sikur kërkojnë të vetëmbrohen, qytetarët e Lezhës, veçanërisht të rinj, fjalën e parë që shprehin pasi i pyet për personazhin e Klodit është: “Ai nuk është lezhjan”.


Familjen e Klodit nuk e gjejmë në Lezhë. Disa nuk e dinë ku ndodhet, disa nuk duan ta tregojnë, por pas disa përpjekjesh, mësohet se familja e tij jeton sot në Tiranë. Bëhet fjalë për nënën e tij. Pasaportizimin e kanë ende në Lezhë, ndërsa sot familja e tij jeton me qira në një apartament në Tiranë, ose të paktën kaq është ajo që dinë lezhjanët.


1374
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI