Revista
|
|
Xhihadistët kosovarë të Shtetit Islamik në Siri ishin në fokusin e kësaj të hëne të emisionit të famshëm investigativ në Itali “Le Iene”.
Gazetarët italianë udhëtuan drejt Kaçanikut, qytet me 30 mijë banorë, prej të cilit drejt Sirisë janë nisur 30 persona për të luftuar në krah Shtetit Islamik.
Nga ky qytet e ka origjinën, i ashtuquajturi “Kasap” i Shtetit Islamik, Lavdërim Muhaxheri, i shfaqur në foto e video me pengje, të cilëve u pret kokat e i ekzekuton me armë.
I ndodhur në Siri prej dy vitesh, ai është një pikë referimi për xhihadistët nga Ballkani, thotë gazetari i “Le Iene”. Për këtë arsye, emisioni shkoi pranë familjarëve të tij në Kaçanik, ku të gjithë e njohin.
Taksisti që i shoqëroi gazetarët drejt shtëpisë së Muhaxherit, nuk e fshehu frikën se mund t’i hapeshin probleme po t’a shihnin se ishte ai që i kishte shoqëruar, ndaj dhe preferoi t’i linte pranë shtëpisë.
Në shtëpinë e xhihadistit, gazetari takohet me vëllezërit e tij edhe ata praktikantë të fesë islame.
Kur u shfaqen përpara syve videot e masakrave të Lavdrimit, ata hiqen si mosbesues duke pretenduar madje se mund të jenë montazhe, duke lënë të kuptohet se lavdërimi nuk është njeri i keq sikurse shfaqet aty.
I vëllai i Lavdërimit pranon se në video është vëllai i tij por beson se skena kur djali qëllohet me antitank është e “montuar”. “Nuk është kafshë është njeri” thotë ai
Ai tregon se nuk i ka shkuar ndonjëherë mendja për tu bashkuar me Muhaxherin në këtë luftë
Kaçaniku është në të vërtetë një vatër rekrutimi për xhihadistët e Shtetit Islamik. Prej këtej është edhe ky xhihadist, identiteti i vërtetë i të cilit nuk dihet. Por i famshëm është bërë pikërisht nga këto kërcënime...
Gazetari i “Le Iene” thotë se këto kërcënime nuk janë thjesht propagantë, por ajo çka po ndodh sot nëpër botë.
Ashtu si vëllezërit e “Kasapit” Lavdërim, edhe motra e këtij xhihadisti justifikon veprimet e të vëllait në Siri. Ajo vetë, nuk duket fort besimtare, pasi siç duket gjatë xhirimeve në stinën e verës, ka qenë e veshur hollë.
Ajo thotë se familja e saj është mjaft e paragjykuar, për veprimet e të vëllait, aq sa e ka të vështirë të dalë në rrugë.
“Të gjithë e dinë që djali im është në luftë” thotë e ëma.
“Nuk ka shkuar për para pasi po të kishte shkuar për lekë do ia kishim parë hajrin. Ai ka thënë se ka shkuar në luftë për Allah. Ai e di më mirë dhe Zoti lart. “Cfarë faji ka fëmija dhe nëna” thotë e motra.
Ajo që bën përshtypje është se edhe disa nga banorët e Kaçanikut e konsiderojnë Muhaxherin një njeri të guximshëm.
''Emri i Muhaxherit do te mbahet mend edhe per 200 vjet, Ai eshte nje njeri i guximshem''-shprehet nje banor.
Imami i Kaçanikut bën një deklaratë të fortë kur thotë se në qytet praktikohet një islam më radikal.
Imami i Kaçanikut pranon faktin se banorët e qytetit, që janë larguar drejt Sirisë, janë terroristë, pasi sipas tij Shteti Islamik nuk bën xhihad, por është thjeshtë një organizatë kriminale.
Reportazhi mbyllet në shtëpinë e një banori që ka dy djemtë e tij në Siri, njëri prej të cilëve ka humbur jetën. Ai nuk e aprovon këtë luftë ndërsa u bën apel të rinjve të mos i bashkohen kësaj lufte.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje