Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Ky eshte njeriu qe po terrorizon Tiranen
Publikuar me 29 Mar 2012

Ky eshte njeriu qe po terrorizon Tiranen

Kamerat e sigurisë të vendosura në një rrugicë kanë arritur të filmojnë të dyshuarin. Grabitësi ka përshkuar me vrap rrugicën pasi ka dalë nga banka. Gazeta "Shqip" publikon sot një foto ku tregohet autori teksa po arratiset. Kamerat e sigurisë janë sekuestruar nga grupi hetimor i cili po përpunon pamjet me qëllim përmirësimin e cilësisë që mund të çojë në identifikimin përfundimtar të autorit të vrasjes së arkëtares por dhe të argjendarit më 21 tetor 2011.

Policia: Ngjarja ndolli ne 38 sekonda
I kanë mjaftuar 38 sekonda grabitësit që hyri në filialin "NBG Bank" që ndodhet në zonën e Xhamllikut, për të ekzekutuar me armë zjari arkëtaren Leonora Kaloci dhe plagosur rojen e bankës Skënder Elmazi.
I riu nuk ka pritur të marrë as paratë, të cilat ishin dhe qëllimi kryesor i futjes në bankë, por ka qëlluar direkt në drejtim të rojës duke shfaqur shënja agresiviteti edhe për punonjësit e tjerë të bankës. Sapo i është afruar banakut ku ndodhen punonjësit e arkëtimit, autori i krimit i ka drejtuar armën, shtetases Leonora Kaloci, dhe më pas i ka hedhur një qese të zezë në duar.

Me britma të forta ai i ka pohuar: …mbushe qesen…, ndërkohë që nga ana tjetër viktima, 43 vjeçaria Kaloci ka rrëmbyer qesen dhe është ulur poshtë banakut të arkëtimit. Me shpresën se arkëtarja ishte duke mbushur qesen me para, autori i ngjarjes ka qëndruar i qetë për disa sekonda, duke parë vetëm majtas dhe djathtas. Mirëpo kur ka vënë re se arkëtarja nuk ka dalë nga banaku, atëherë ai është zgjatur mbi banak për të parë veprimet e Leonora Kalocit. Nga sa mësohet kjo e fundit nuk i është bindur fare urdhërit të autorit të krimit, por përkundrazi duke u strehuar poshtë banakut ka tentuar të arijë tek dera e ndaljes me qëllim, shmangien e grabitësit.
Këto lëvizje janë vënë re nga personi i armatosur që sapo kishte plagosur me një plumb rojen e policisë Skënder Elmazi. Sapo ka parë tentativën për tu larguar të arkëtares, grabitësi është treguar i pa mëshirshëm duke e qëlluar me dy plumba pas shpine. Pas kësaj autori ka dashur të largohet, por ka qënë sërisht roja i bankës ai që ka tentuar ta ndalojë duke i zënë derën. Autori edhe në këtë rast ska kursyer plumbat duke e qëlluar sërisht në krahun tjetër, çka ka sjellë rrëzimin në tokë të 53 vjeçarit Skënder Elmazi. Pas kësaj, ai ka mundur të dalë nga ambjentet e bankës duke u larguar me shpejtësi në rrugicat e lagjes.
Sipas policise se Shtetit nga veprimet që ka kryer autori ne vendin e ngjarjes, dyshohet se autori ose është i sëmurë mendor ose është i droguar”, tha zyrtari i policisë. Ai theksoi se vrasësi nuk ka pritur të marrë paratë por ka vrarë dhe është larguar.
“Besojmë me 90 për qind se është i njëjti autor si në rastin e vrasjes së argjendarit Sinanaj në 21 tëtor 2011”, shpjegoi zyrtari i policisë.

Dëshmia e rojes: Leonora iu lut të mos e gjuante, do jepte lekët
Skënder Elmazi ka rrëfyer nga Spitali Ushtarak sulmin e dy ditëve më parë në filialin e NBG bankë, pranë Xhamllëkut, që i rrezikoi jetën atij dhe i mori jetën arkëtares Leonora Kaloçi.
Zoti Elmazi rreth çfarë ore është sulmuar banka ditën e martë?
Ora 15:10 ka qenë jo më shumë sepse pak çaste përpara sulmit pashë dhe orën sa kishte shkuar për shkak se rreth atyre momenteve bëhet dhe procesi i mbylljes së degës së bankës.
Ju keni marrë dy plumba një në krahë dhe një në shpatull, në ç'rrethana u goditët?
Unë kam qenë brenda derës kryesore hyrëse të bankës. Kam qenë në krah të djathtë të derës përbri saj rreth dy metër distancë nga dera. Plumbin e parë e kam marrë në krah pasi hajduti më gjuajti nga ana tjetër e xhamit.
Sa veta ndodheshin në bankë në atë moment?
Unë, punonjësja që u vra, drejtuesi i degës dhe një tjetër punonjës, pra katër ishim gjithsej.
Pasi hyri në bankë hajduti çfarë ndodhi?
Ai ka hyrë rrufeshëm dhe unë kam qenë i ulur në gjunjë pasi plumbi në krahë më solli këputje dhe po më dilte shumë gjak. Porsa ka hyrë te dera hajduti duke më parë mua në gjunjë dhe me kurriz nga ai më ka goditur me plumbin e dytë që e mora në shpatull dhe më depërtoi gjithë kraharorin fatmirësisht pa dëmtuar shumë organe jetësore. Pasi mora dhe plumbin e dytë rashë komplet në tokë dhe nisi të më dilte edhe më shumë gjak për më tepër nisa të humb kontaktin me realitetin dhe të më mjegullohej shikimi dhe dëgjimi, por prapë kam qenë në gjendje koshience pasi ende nuk më kishin shteruar forcat.
Po arkëtarja në ç'rrethana u godit?
Nuk e di me saktësi pasi nuk e kam parë me sy, por diçka kujtoj. Pasi më gjuajti mua, hajduti nisi të bërtasë për lekët dhe të përmendte fjalë presioni dhe kërcënime. Mbaj mend që arkëtarja i ka thënë: "Aman se ti jap unë të gjitha lekët, merri të gjitha vetëm mos na gjuaj". Këtë e mbaj mend mirë se e kam fiksuar si moment. Por më pas se ç'ndodhi nuk di ta them se kishte ulërima, panik dhe të shtëna dhe unë isha i shtrirë përmbys.
Si e more vesh për arkëtaren që ishte goditur?
Po sapo doli hajduti unë jam kthyer nga ana tjetër. Nisa të çohem duke u mbajtur dhe te muri. Aty e kam parë të shtrirë arkëtaren por s'e dija në çfarë gjendje ishte e plagosur apo e vdekur. Kam dalë zvarritur te dera dhe një taksist më ka marrë dhe më çoi në spital.


985
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI