Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Kush spiunoi Aldo Baren dhe Izet Haxhinë
Publikuar me 14 Kor 2006

Kush spiunoi Aldo Baren dhe Izet Haxhinë

Redaktore: Laureta RRYÇI

Të cilësuar si më të kërkuarit e drejtësisë shqiptare për nga mënyra se si kishin arritur t’i fshiheshin, kësaj radhe jo vetëm fati i ka tradhtuar që të dy. E kush do ta mendonte se si imazhi që nuk u bë publik deri në ditët e sotme, Aldo Bare, ashtu edhe personazhi që humbi gjurmët në 1998-n, Izet Haxhia, kishin qenë në të njëjtin shtet dhe bien në pranga po për të njëjtin shkak. E ndërsa deri dje për gjithkënd mund të ishte çudi se Bare apo Haxhia ishin arrestuar, tani policia e ka kryer misionin e saj dhe gjithçka mbetet në dorën e drejtësisë shqiptare. Tani që dy operacionet kanë mbaruar me sukses dhe drejtuesit e policisë e kanë më të lehtë të tregojnë edhe me detaje se si e lokalizuan vendndodhjen e dy super të kërkuarve. Sipas tyre, si Bares ashtu edhe Haxhisë iu ka ardhur “gjëma” nga njerëz shumë të afërt e shumë të besueshëm. Bares nga miku i tij që tani nuk jeton më dhe Haxhisë nga vajza, e cila se ka menduar që në vend ta gëzojë të atin, i ka vënë në duar byzylykët e hekurt.
Jeta pas arrestimit
Aldo Bare, apo i njohur ndryshe si deri pak ditë më parë si kreu i bandës famëkeqe të Lushnjës, aktualisht qëndron në një nga qelitë e burgut të Ankarasë në pritje të vendimit të gjykatës. Të paktën kështu na e përshkruajnë specialistë të Ministrisë së Drejtësisë që po merren me procedurat e ekstradimit, sepse vetë i arrestuari e ka mohuar të jetë djaloshi lushnjar që nisi të vriste për të marrë hakun e të vëllait. I arrestuari ka realizuar takime si me avokatët shqiptarë ashtu edhe me turq. Prangosja e tij ka mbajtur vetëm për pak orë pronarin e shtëpisë ku jetonte. Më pas gjatë dëshmisë së tij ai ka treguar se pronari i shtëpisë nuk dinte asgjë për të dhe me të takohej vetëm për të paguar qiranë. Ndërsa, ai që pas 25 marsit vazhdon të jetë në qeli në pritje të vendimet të Gjykatës së Apelit të Ankarasë. Ndërsa Haxhia, është paksa më tutje, në një tjetër qytet më të vogël. Prej dhjetë ditësh është transferuar në një nga qelitë e burgut të Kushadasit. Specialistët shpjegojnë se ky i fundit ka më pak gjasa që të mos ekstradohet. Nëse kthehet në Shqipëri rrëfimi i tij mund të rrokullisë shumë dëshmi e procesverbale. Pse jo ndoshta dhe fabulën e ngjarjes së shekullit, vrasjen e Azem Hajdarit.
Kush spiunoi për Baren
Policia në Shqipëri prej muajsh kishte shpallur luftë të hapur me anëtarët e “Bandës së Lushnjës” që vazhdonin të ishin të lirë. Për ta vështirësia më e madhe deri në ditën e zgjedhjeve ishte pikërisht vendndodhja e kreut të kësaj bande. Specialistët që janë marrë me hetimin e kësaj bande tregojnë se ditën që Leonard Prifti u qëllua për vdekje nisën dhe dyshimet e para konkrete për vendndodhjen e Aldo Bares. Prifti cilësohej si një nga ekzekutorët e kësaj bande dhe një nga më të besuarit e Bares, dhe sendeve që iu gjetën po i bëhej një kontroll i imtësishëm për të lidhur diçka me kapon e tij. “Nuhatja” kësaj radhe nuk i ka zhgënjyer specialistët. Në tabulatet telefonike që Prifti kishte komunikuar muajt e fundit gjendeshin shumë numra me prefiks turk. Menjëherë pas kësaj ka nisur verifikimi i tyre dhe më 25 mars policët e Ankarasë kanë marrë për detyrë për të prangosur shqiptarin e super të kërkuar, Aldo Bare.
Kush spiunoi për Haxhinë
Izet Haxhia edhe pse i kujdesshëm si gjithmonë, kësaj radhe zëri i ëmbël i së bijës nëpërmjet receptorit të telefonit ka qenë fatal për të. Specialistët e Zyrës së Interpolit tregojnë se e bija e ka marrë për festën e Abetare pa e ditur se babai i saj ishte një nga më të kërkuarit dhe arrestimi i tij pritet nga momenti në moment. Pas kësaj dite vetëm nëpërmjet numrit Zyra e Interpolit të Turqisë e ka pasur më të lehtë të komunikojë me qytete për të zbuluar shqiptarin që kërkohej që në vitin 1998. Kësaj radhe operacioni i është dashur të bëhej nga policët e Kushadasit.

Te dhena

Denimi
Gjykata e Tiranës më 29 prill 2002, pas 60 seancash gjyqësore merr vendimin për të gjithë të pandehurit e procesit “Azem Hajdari”. Trupi gjykues gjykoi që Izet Haxhia duhet të dënohej me 25 vjet burg.

Arrestimi
Policia e Kushadasit të Turqisë më 3 qershor të këtij viti arrin të arrestojë në shtëpinë e tij Izet Haxhinë. Ky i fundit sipas policisë kishte që në vitin 2002 që qëndronte në këtë qytet.

EKstradimi
Drejtësisë shqiptare i ka mbetur dhe 11 ditë afat për të dorëzuar dosjen me materialet që mban argumentet juridike përse duhet të ekstradohet Izet Haxhia

Arrestimi
Alfred Shkurti i njohur me emrin Aldo Bare është arrestuar në Ankara të Turqisë, në një shtëpi që jetonte prej kohësh me qira. Që në momentin e arrestimit ai s’e ka pranuar të jetë Aldo Bare.

Gjykata
Gjykata e Ankarasë tri ditë pas arrestimit të Bares e ka cilësuar prangosjen e tij të ligjshme dhe ka pranuar kërkesën e drejtësisë shqiptare për ekstradim. Aktualisht Bare ka apeluar.

Ekstradimi
Aldo Bare edhe pse është arrestuar para Izet Haxhisë, përsëri ekstradimi i tij ka gjasa se do të zgjasë më shumë seç duhet. Ai tani është në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit të Ankarasë.


5896
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI