Revista
|
|
Pesëmbëdhjetë vjet më parë, më 15 janar 1993 në Palermo, arrestohet shefi historik i Cosa Nostras siciliane, krimineli më i kërkuar në botë deri atëherë, Salvatore Riina. Ishte hetimi i shkëlqyer i karabinierisë dhe Palermos dhe konkretisht i një skuadre speciale, në krye të të cilës ishte kapiteni Serxho De Kaprio, i mbiquajtur "Ultimo", që do të finalizohej me kapjen e bosit të bosëve. Pas arrestimit të Riinas, falë punës së karabinierisë, Policisë dhe sidomos Prokurorisë së Palermos e Kaltanisetas me prokurorët Kazeli, Tinebra, Lo Forte, Natoli, Skarpinato, Teskaroli, Xhordano, Grasso etj,do të bëhej e mundur identifikimi dhe kapja e të tjerë shefa mafioze, si Benedeto Santapaola, Leoluka Bagarela, Xhovani Bruska, Pietro Alieri, Salvatore Kancemi, Antonino Xhufre, Rafaele Ganci, Bernardo Provencano, Salvatore Lo Pikolo,etj.Rreth jetës së Salvatore Riines dhe familjes së tij, ende ka shumë mistere. I lindur në fshatin Korleone në vitin 1930, sot ai është 77 vjeç. Veprimtaria e tij si "njeri i nderuar", fillon një ditë vere të vitit 1958, kur në afërsi të fshatit të tij, Luciano Lixho, masakron me plumba mitrolozi, drejtorin e spitalit, doktorin Mikele Navarra, i cili ishte shefi i mafies në vend. Në krah të Lixhos, qelluan edhe një grup të rinjsh, midis të cilëve ishte edhe Salvatore Riina. Jeta e tij ishte thjeshte jeta e një të arratisuri, që e ka zanafillen në muajin qershor të vitit 1969. Nuk ka patur asnjë burim zyrtar, që të vërë në dukje praninë në Sicili, gjatë gjithë periudhës para arrestimit të tij. Tre rrethana të rëndësishme do të lidhen me arratisjen: Martesa, lindja e fëmijëve dhe Korleone. Fillimisht ishte mëkëmbës i Lixhos, shef i plotfuqishëm i Mafies Korleoneze, i cili zevëndesoi Navarren. Gjate kësaj kohe ka bashkëpunuar sidomos me Bernardo Provencanon. Salvatore Riina fillon të bëhet shumë i pushtetshëm pas rënies së bosit të "korleonezëve", Luciano Lixho, i cili arrestohet në maj te vitit l974. Pushteti i don Toto-s, sikundër zbulojnë disa të penduar, arrin deri në SHBA ku në pak vite, bosi korleonez ja arrin të lidhë aleanca me disa nga "familjet" më të pushtetshme të Cosa Nostras amerikane. Për pushtetin e Riinas, fliste në hetimet e tij edhe prokurori Xhovani Falkone. Këtë e bën pas rikthimit nga udhetimi i shkurtër në SHBA, ku kishte shkuar për të takuar prokurorin e Neë Yorkut, Rudolf Xhuliani dhe prokurorin e Manhattanit, Ricard Martin.
"Por shefi i Cosa Nostras nuk ishte më Luciano Lixho, por Salvatore Riina. Është ai, që nga vendi i arratisjes, drejtonte trafikët më të mëdha të drogës në gjysmën e Botës. Dhe është gjithmonë ai prapa çdo ngjarje të përgjakeshme", kishte thënë Falkone. Hetuesit shpjegojnë shkallën e ngjitjes zyrtare të Toto Riina-s në majat e Cosa Nostras, e cila arrin kulimin në vitin l981. Është viti i fillimit të luftës së familjeve mafioze me njera tjetren për pushtet. Nga njëra anë është klani i "korleonezëve" dhe nga ana tjetër boset Gaetano Badalamenti, Stefano Bontade dhe Salvatore Inzerilo, që përfaqsonin mafien palermitane. Në më pak se dhjetë vjet, kronistët përshkruajnë skenat e një çmëndurie të vërtetë, të kryer ndërmjet qytetit dhe provincës.
"Eshtë luftë "familjesh" që përballen me interesa. Vriten ndërmjet tyre. Pas disa muajsh do të vijë paqja dhe gjithëçka do të kthehet si më parë. Në se për momentin qëllohet, është vetëm problem aleancash dhe ndarje territoresh. Me arritjen e marëveshjes, gjithëçka do të harrohet", shkruajnë hetuesit. Duken optimistë. Nuk imagjinojnë se shpejtë do të duhet të merren me "korleonezët", këtë grup mafiozësh me origjinë nga Korleone, që bosët palermitanë do t'i përcaktojnë si "fshatarë", domethënë ata që vijnë nga fshati. Të parët që do te japin sinjalet e luftës me "korleonezët", janë don Gaetano Badalamenti, bosi historik i Cinisi-t, Tomazo Busheta, i "familjes" Porta Nuova dhe Stefano Bontade, që në ambientet e Cosa Nostras quhej "Princi" i Villagrazia. Është fillimi i viteve '80. I pari që përfundon në shënjestrën e armëve të zjarrit të vrasësve të Toto Riina-s është Stefano Bontade. Është mbremja e 23 prillit 1981. Bontade vritet në Rrugën "Aloi", një rrugë që kryqëzohet me atë "Regione Siciliana". Policët e sektorit të policisë kriminale gjejnë trupin e Bontades brenda në Alfa Romeon e tij. Fytyra e bosit është shpërfytyruar nga një numer i madh plumbash. Pak do t'i kishte shërbyer pistoleta kalibër 7,65, me karikatorin e dyfishtë në rripin e pantallonave. "Vrasja e Stefano Bontades ishte vendosur me siguri nga "korleonezët", në bashkëpunim me persona të tjerë të afërt te Bontade-s", do të thoshte ish bosi Tomazo Busheta në vitin l984, kur ai do të fillonte bashkëpunimin me drejtësinë palermitane. Dy burgime të përjetshme jepen për këtë vrasje, që do te sinjalizonte fillimin e "luftës" ndërmjet "familjeve" palermitane dhe atyre "korleoneze". Për këtë vrasje Riina dënohet me burgim të perjetshëm, ndërsa njëzetë e pesë bashkëpunëtore të tjerë të prezumuar të tij, ndër të cilët "korleonezi" Bernardo Provencano, marrin pafajësi. Por në vitet e para '90, do të arrijnë zbulimet e të penduarve dhe çështja e vrasjes së Bontades do të rihapet. Do të tregojnë detaje para prokurorëve palermitanë të penduarit Gaspare Mutolo dhe Xhuzepe Markeze, të cilët sqarojnë detajet mbi eliminimin e Stefano Bontade-s: "Stefano e paguan me jetë projektin për një komplot kundër Riina-s". Dhe ishte vërtetë i sigurt don Toto Riina që në harkun e pak viteve do të arrinte në majën e Cosa Nostras. Ai do të thoshte para bashkëpunëtoreve të tij se :" Është vetëm çështje kohe, mjafton të detyrohen disa familje palermitane të bashkohen me ne dhe ajo që mbetet do të jetë vetëm një lojë fëmijësh" Fjalë profetike këto të Toto Riina-s: do të kalonte të gjitha pengesat duke masakruar dhe eliminuar "armiqtë". Në projektet e Riina-s nuk parashikohej vetëm vrasja, apo thjeshtë egzekutimi mafioz. Objektivi i tij ishte të vritet në mënyrë të dukshme, të jepen sinjale, te cilat nuk lenë shteg për ekuivoke, në mënyrë që të gjithë të kuptojnë. Për të nuk mund të kishte "familje" neutrale:" Në se nuk janë me mua, janë armiq", thoshte shefi i "korleonezëve", ndërsa vendoste dënimin me vdekje te Stefano Bontade-s. Të njëjtin fund si Bontade, do të kishte Salvatore Inzerilo, shef i mafies së lagjes palermitane te "Passo di Rigano". Tetëmbëdhjetë ditë pas vrasjes së Bontades, do të ndodhte pusia kundër Inzerilos. Eshtë 11 maj 1981. Kishte kaluar pak nga ora 12.20, kur zëri i një njeriu anonim do të njoftojë policinë se në Rrugën "Bruneleski" është kufoma e një njeriu. Kur agjentët e seksionit të vrasjeve të policisë kriminale arrijnë në vendin e saktësuar nga telefonisti misterioz, do të gjejnë trupin e Salvatore Inzerilos. Në gjoks kishte një revolver 357 Magnum. Fytyra e bosit nuk mund të njihej, e shpërfytyruar nga plumbat.
"Dhe janë dy", thonë hetuesit. Policia dhe karabinierët i kanë vendosur në një relacion të dy vrasjet dhe kuptojnë shpejtë se të dy bosët palermitanë janë vrarë nga "korleonezët", sepse të dyja vrasjet bënin pjesë në të njëjtin projekt kriminal: vrasja Bontade lexohet së bashku me atë te Inzerilos. Ata do të eliminoheshin sepse " janë elementë pengues në ngjitjen e Riina-s". Edhe për vrasjen e Inzerilos do të hetohen dhe dërgohen në gjyq rreth tridhjetë mafiozë, ndër të cilët i zakonshmi Toto Riina. Por megjithatë çmenduria nuk ndalon këtu. I penduari Mutolo do të flasë rreth vrasjes së shefit te tij Rosario Rikobono i "familjes Partanna-Mondello dhe gjashtë personave të tjerë. Mutolo tregon para hetuesve se grupi i lidhur me Riçobonon, më parë do të mbytet me litar dhe pastaj trupat e tyre do të shuhen në acid. Një vrasje e paralajmëruar kjo e Rikobono-s. Toto Riina nuk do t'a kishte falur kurrë vendimin për shkëputje nga "korleonezët". Riina dhe Provencano kishin mbërthyer sytë mbi Palermon dhe mbi një numër të madh biznesesh që nga kryeqendra siciliane gërshetoheshin me pjesën tjetër të botës, mbi të gjitha për trafikun e drogës, si dhe miliona dollarët e "kombinuar" me SHBA, Amerikën e Jugut dhe Italinë.
Të njëjtin fat si Rikobono do të prisnin të gjithë bosët e tjerë "jo besnike". Masakrohen Filipo Markeze, shef i familjes "Corso dei Mille", Pino Greko, Mario Prestifilipo dhe Pietro Mesikati Vitale. Por janë vetëm disa nga një numer i madh njerëzish të mafies të vrarë me urdhër te don Toto Riina. Njëri nga të fundit "njerëz të nderuar" të eliminuar me urdhër të don Toto Riina, do të ishte Xhovani Bontade, vëllai i Stefano Bontades, i cili asgjesohet bashkë me gruan e tij. Do të eliminonte me të vërtetë çfarëdolloj pengese don Toto Riina. Atje ku nuk arrinte vetë "delegonte" njeriun që, - sikundër shprehet prokurori Xhovani Tinebra- ishte gjithmonë në një nivel me të: Bernardo Provencano, që me Riinan kishin qenë të preferuarit e Luciano Lixhos. "Sipermarrja të vret", titulloheshin faqet e para të gazetave siciliane në vitet '70. Është pikërisht kështu, kush kundërshtonte sistemin rreth të cilit xhironin dhjetra miliarda rrezikonte të zhdukej nga qarkullimi. Janë vite të korrupsionit, ku xhironin dhe pastroheshin para rreth qindra miliona në veprimtari të ligjëshme në dukje. Janë të penduarit që shpjegojnë para magjistratëve palermitanë, se cilat ishin mekanizmat e përdorura për dhënien e sipërmarrjeve publike. Ata flasin edhe për rregullin e 15 përqindshit, një shifër fikse, një metaforë, që nënvizon rregullin lidhur me veprimtarinë e sipërmarrjes. Në thelb, një sistem ryshfeti që për shume vite kishte mbajtur të shtrënguar ekuilibret ndërmjet politikanëve të korruptuar, afaristëve dhe majës së Cosa Nostras me në krye Toto Riina. Bosi i Cosa Nostres, do të ishte urdheruesi direkt edhe i vrasjes së njerëzve të institucioneve që do ta pengonin në rrugën e tij kriminale, si gjyqtari Gaetano Costa, prokurorët Roko Kinici, Xhovani Falkone, Paolo Borsellino, punonjësit e policisë dhe karabinierisë, gjenerali Karlo Alberto Dala Kieza, Emanuele Bazile, Nini Kasara, Boris Giuliano, Xhuzepe Montana e shumë e shumë të tjerë. Sidoqofte ky personazh sot, prej pesëmbëdhjetë vjetësh është në burg, ku ruhet 24 orë plus 24 orë dhe ende nuk ka pranuar të thote asnjë fjalë...Nga ky qëndrim stoik, ai nuk lëvizi edhe pas arrestimit të djalit të tij, Xhovani Riina, kur u mendua se do te "thyhej".
Me arrestimin e Toto Riines dhe bosëve të tjerë, nuk do të thotë se Cosa Nostra është rrëzuar. Ajo vepron, por tashmë me e kamufluar, me e rafinuar. Në krye të saj, mendohet se është Mateo Messina Denaro, rreth 45 vjeç, një bos mafioz i një brezi tjetër me të ri, i cili gjendet prej vitesh në arrati....Megjithatë, sipas Prokurorit Nacional të Antimafies italiane Piero Graso, nuk është se aktualisht egziston një Komision në krye të organizimit mafioz, sikunder ishte më parë, në periudhën e Toto Riines.
Për Toto Riinen janë realizuar ekranizime, si "Shef i shefave" dhe "Ultimo".Po ashtu janë shkruar edhe libra, si "Toto Riina" dhe "Korleonezet".
Pjesë nga nga një procesverbal pyetje e Toto Riines.
Pierluixhi Vinja: "Sot është data 22 prill 1996, ora 17.35. Jemi në sallën bunker të Firences. Unë, prokuror i Prokurorisë së Firences dhe së bashku me mua është edhe Xhankarlo Kazeli, prokuror i Prokurorisë së Palermos. Diskutimi që dua të bëj me ju zoti Riina është ky: Ka tashmë një numër të madh gjykimesh dhe hetimesh, që thonë se Cosa Nostra egziston. Ka gjithashtu një numër të madh personash, të cilat thonë se jeni ju shefi i Cosa nostras. në këto kushte mendimi i pare që më vjen mua është në se jeni i disponueshëm për të folur ?
Salvatore Riina:Ju lutem, as mos e zini në gojë...
Riina:Doktor, ju lutem ndaloni këtu ...
Vinja:Jo, unë mbarova.
Riina:Ndaloni këtu dhe mos shkoni më tej.
Vinja:Më falni Riina, më lini të mbaroj mendimin tim, sepse kam përshtypjen se ...
Riina:Ju keni gabuar person.
Vinja:Jo ...
Riina:Ju dhe doktor Caselli keni gabuar person.
Vinja:Ju nuk dini se çfarë dua t'ju them përfundimisht. Kështu që është e panevojshme të ngrini zërin,si është e mundur që bërtisni kështu?
Riina:Sepse ju keni gabuar person.
Vinja:Nuk është çështja aty. Në se ju nuk lini të mbaroj diskutimin, nuk mund të dini atë që unë paskam gabuar person. Mos mendoni vallë se unë kam ardhur këtu për t'ju
kërkuar që të bashkëpunoni?
Riina:Ju flisni për seanca gjykimi.
Vinja:E thashë, fola qartë ...
Riina:Me këto fjalë thatë shumë, thatë gjithçka, thatë shumë gjëra.
Vinja:Jo thashë pak, fola për vendime, për seanca gjyqësore e hetimi në të cilat
flitet për Cosa Nostran. Unë thashë se janë shumë persona që ju tregojnë, që flasin për ju ...
Riina:Ju nuk keni pse preokupoheni.
Vinja:... si shef i Cosa Nostra-s ...
Riina: Mos u preokuponi për këtë doktor Vigna.
Vinja:Diskutimi im, ... unë preokupohem ...
Riina:Mos u preokuponi për mua.
Vinja:Unë preokupohem jo më shumë për ju, por për mënyrën në të cilën bëhen
hetimet. Në këto kushte, është thjesht për të ditur në se ju jeni i gatshëm për të
arsyetuar rreth këtij realiteti që përfaqëson Cosa Nostra, për pozicionin tuaj,për të cilin një mal me njerëz ju atribuojnë një mal me fakte ...
Riina:Ju lutem kurseni frymën doktor Vigna, ju lutem kurseni frymën.
Vinja:Përse?
Riina:Më hiqni ... është një dite e hedhur poshtë kot, jam pa ngrënë, jam ... kam
dhimbje veshkash, më hiqni, më lini në hallet e mia, më lini të qetë...
Xhan Karlo Kazeli:Është ky një refuzim edhe për të dëgjuar se përse bëhet fjalë ...
Riina:Nuk kam asgjë për të dëgjuar sepse tashmë e kuptova se përse bëhet fjalë,
dokor Caselli. E prisja, bile ishte ... prisja që të vinit pikërisht ju dhe doktor Vigna
sepse e prisja këtë lloj diskutimi prej kohësh.
Vinja:Që prej kur e ke pritur ...
Riina:Dhe përse ju të tjerët i mëshoni këtij diskutimi.
Kazeli:E kush do të ishte sipas jush ky diskutim?
Riina:Pikërisht ky diskutim që po bëni këtë mbrëmje.
Kazeli:Shumë herë ne lexojmë kështu edhe në kronikat publike ...
Riina:Lexoni, lexoni. I lexoj edhe unë ndërkaq ...
Kazeli:... për pohimet e tua dhe, shumë herë të prera sipas të cilave gjithçka duhet të ishte kështu ... duhet të bëhet kështu. Përdorim këto shprehje, edhe pse nuk janë pikërisht fjalët e tua, të kombinuara ndërmjet të penduarve që ndërsa i përqafonit, më
pas i përndiqnit. Për këto kemi elemente vlerësimi, njohje me ...
Riina:Më fal doktor, më jepni kënaqësinë që të mos flas, unë nuk flas, kam të drejtën të mos përgjigjem. Nuk dua të bëj figurën e të pa edukuarit,nuk dua të flas dhe do t'ju lutesha të më lini këtu dhe ta mbyllim,duke bërë sikur nuk ka ndoshur asgjë. Vinja:Nuk ka asnjë arsye për të nënvizuar ...
Riina:Arsyet janë të miat, janë personale dhe dua t'i mbaj për vehte.
Kazeli:A mund të provoj të të kërkoj vetëm një gjë, në se mund të më shpjegoni më mirë frazën: "Ju prisja ju të dyve"?
Riina:Sepse kam lexuar, kam dëgjuar në televizion dhe kaq gjë mjafton. Domethënë ku synoni dhe ku doni të arrini ...
Kazeli:Për të bërë punën tonë, detyrën tonë.
Riina:Vazhdoni,vazhdoni të bëni.
Vinja:Atëherë ...
Riina:Bëni punën tuaj.
Vinja:Natyrisht do të doja të shikoja...
Riina:Për atë Zot kush po ju pengon.
Vinja:Ju natyrisht që jo. Të bësh procedim do të thotë të dëgjosh edhe arsyet e të tjerëve. E kuptoni?
Kazeli:Është i pranishëm avokati juaj me të gjitha garancitë e kësaj bote.
Vinja:Atëherë mund t'i japim fund pyetjes dhe të bëjmë një procesverbal mbyllës?
Riina:Po, po.
Pjesë nga intervista telefonike, bërë më 15 janar 1993, menjëherë pas arrestimit të Riinas, nga gazetari i shquar Enco Biaxhi, me të penduarin e madh të mafies, Tomazo Busheta (atëkohë në ruajtje të FBI).
Biaxhi: Kanë arrestuar Riinan.Cili është mendimi juaj?
Busheta:Çfarë mendoj unë? Besoj se është kryer mrekullia e parë e vitit 1993. Është një gjë e bukur. Një gjë që do të mund t'u japë më shumë besim forcave te shtetit. Më bën të ngrihem moralisht për atë që forcat e shtetit, ja kanë dale në krye të luftojnë me pasion për të ruajtur të drejtat e qytetarisë italiane..
Biaxhi: Si ka arritur Riina të jetojë kaq gjatë në arrati?
Busheta:Unë besoj se e vetmja përgjigje që mund të jepet është se do te kishte shumë njerëz që do t'a ndihmonin. Nuk e di dhe nuk dua ta di se kush janë këta njerëz...
Biaxhi: Kush do të ruante një mafioz si ai?
Busheta: Shumë. Shiko, kjo ka të bëjë me kulturën tradicionale siciliane...Sidoqoftë është një kulture tradicionale, që shpresoj se megjithë këto që kanë ndodhur, që kaluan, i përket një historie tashmë të shkuar...Unë nuk besoj se arrestimi i Riinas sot, ...populli sicilian mendoj se është me ligjin..
Biaxhi: Riina ishte armiku me i madh i juaj. Çfarë njeriu ishte?
Busheta: Ishte armiku me i madh imi sepse...unë nuk e di se kush është autori material që më ka shkatërruar mua, por di me siguri që është ai që ka dhënë urdhrin për të shkatërruar familjen time. Unë jetoja pa patur ndonjë urrejtje për Riinan, ndërsa ai u muarr me fëmijët e mi.. Sidoqoftë unë jetoj jetën, ndërsa ai sot do të paguajë gjitheçka.
Biaxhi: Ti e ke njohur. Diçka nga karakteristikat e tij?
Busheta: Ja, përzemërsinë e tij në dukje. Mënyrën se si mundohej të reagonte gjithmonë me përzemërsi. Asnjëherë me inat. Asnjëherë me shpërthime.
Biaxhi: Kishte pamjen e njeriu me sjellje të egër ?
Busheta: Jo. Absolutisht jo. Përkundrazi. Gjithçka e kundërt me pamjen e një njeriu me sjellje të egër .
Biaxhi: Për cilat krime e konsideroni përgjegjës?
Busheta: Për gjithçka. Për gjithçka që nga vrasja e parë me 1981, dita kur u vra Stefano Bontade dhe deri më sot. Asnjë nuk përjashtohet. Pa urdhërin e tij asgjë nuk do të ishte bërë.
Biaxhi: Tetë vjet më parë më keni thënë se Riina është në Sicili. Çfarë argumenti u jepte këtë bindje?
Busheta: Këtë bindje do të ma jepte përvoja e jetës sime. Kam njohur e parë shumë mafioze. Janë individë që nuk mund te humbasin nga fusha e shikimit, problemet që ata vetë i kanë krijuar. Duhen përballuar këto probleme, këto të këqija që i kanë rezervuar dhe, për të përballuar ato, ndihet nevoja e prezencës së tyre. Nuk mund të lihen të tilla gjera kështu në ajër. Po të liheshin, qofte edhe për tre muaj, të gjitha do të kumbisnin, do të kumbisnin vlerën e tyre. Prandaj isha i bindur se ishte në Sicili, në Palermo.
Biaxhi: Ka akoma bose të tjerë që qarkullojnë?
Busheta: Natyrisht.
Biaxhi: Sikur donit të shtonit diçka?
Busheta: Do të doja që në këtë intervistë, duhet trajtuar pak edhe ky problem. Dhe në se nuk e bëni këtë, juve nuk ndihmoni. Nuk duhet bërtitur: Fitore. Nuk duhet humbur vigjilenca. Unë mund të them vetëm se sot është një ditë e madhe dhe vetëm kaq.
Biaxhi: Mos vallë është dorëzuar vetë, duke hequr dorë nga gruaja dhe fëmijët?
Busheta: Që të heqësh dorë nga gruaja nuk është ndonjë gjë e madhe. Që të lësh në rrugë fëmijët, kjo është e vështirë. Por me e vështirë është të heqësh dorë nga arratisja. Arratisja është kënaqësi për mafiozin sicilian. Aq më tepër për të. Nuk është dorëzuar vetë. Në Siçili, në Palermo, arratisja e tij kishte lehtësira.
Biaxhi: Megjithatë mund të ketë diçka që edhe mund ta ketë shtyre të heqë dorë?
Busheta: Janë shumë faktorë. Nuk dëshiroj të hyja në një aventure të tillë për të shpjeguar se do të ngatërrohesha. Pastaj do të më kërkonin shpjegime. Megjithatë insistoj se nuk ka hequr dorë. Për të, që ka urdhëruar për shumë vjet, është tepër e veshtirë të lëshojë pushtetin. Shiko, Riina u rrezua. U rrëzua sepese ai ka hequr dorë në sensin se njerëzit janë lodhur prej tij. Është pikërisht ai përgjegjës për humbjen.
Biaxhi: Mendoni se do të flasë?
Busheta:Jo. Absolutisht jo. Të shpëtojë nga çfarë. Unë nuk besoj se Qeveria italiane t'i bëjë propozime një individi si ai për të bashkëpunuar. Duhet vetëm te gjykohet. Ne se do te flasë, le te flasë. Të thotë ato qe di. Por nuk duhet zbritur në tratativa me një njeri të tillë, që ka urdhëruar masakra pas masakrash.
Biaxhi: Besoni se do të kapen edhe të tjerë bose mafioze?
Busheta: Nuk besoja. Por tani besoj. Besoj se njerëzit në Sicili filluan të ndjejnë që shteti për herë të parë, mbase në gjithë shekullin, filloi të jetë prezent...
Biaxhi: Në se do të ishit i vendosur para Riinas, çfarë do t'i thoshit?
Busheta: Përse i ke bërë të gjitha këto. Përse i shkatërrove gjithë ato familje.
Biaxhi: Si mendoni se po i kalon këto orë Toto Riina?
Busheta: Duke menduar se cili ishte ai person që e ka tradhëtuar. Përse ishte bërë ai gabim fatal. Dhe ai do të arrije në një përfundim. Pa tjetër.
Biaxhi: Do të mundej të bëjë hakmarrje për këtë?
Busheta: Besoj se do të kalojë kohë që ai mund të bëjë hakmarrje. Është logjike. magjistratët dhe autoritetet e burgut do të duhet të mbanin parasysh se kush është Riina dhe nuk do të bënin lojera me të, me ruajtjen e tij.
Biaxhi: Atëherë Toto Riina ka mbaruar?
Busheta: Toto Riina ka mbaruar.
Biaxhi: Cili është hopi që duhet bërë në të ardhmen?
Busheta:Ështe ai që po bëhet. Duhet të vazhdojë lufta, siç po bëhët tani, pa u lodhur, pa menduar çfarë ndodhi dhe të harrohet në mendimin se mafia u mund. Sepse shumë herë është bërë pikërisht kjo. Arrihet diçka, një sukses dhe pastaj harrohet.
Biaxhi:Mbas mafiozeve të themi kështu romantik si juve dhe të egër e çnjerëzor si Riina, shihet ndonjë tip tjetër mafiozi?
Busheta: Besoj se jo. Them se shihet një njeri i zakonshëm në Siçili. Një njeri që shkon në shkollë për t'u kulturuar, si dhe një njeri që punon. Nuk besoj të bëhen të tjerë mafioze, mbasi asnjë nuk beson më tek mafia.
*Autori është anëtar i Gjykatë së Apellit në Tiranë
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje
ges pashai |
gangester Premte, 20 Qershor 2014 07:34 |
xhulio |
super Premte, 21 Mars 2014 12:51 |
xhulio |
super Premte, 21 Mars 2014 12:51 |
kkakak |
Shtunë, 15 Shkurt 2014 00:43 |
SALVATORE RIINA |
i madh totto riina sdo shuhet kurre nje njeri i tille LEGJEND Diele, 30 Qershor 2013 16:10 |