Revista
|
|
Analistët thonë se kjo dëshmon se ka arritur kulminacioni i luftës politike si dhe nuk kursehet edhe zhargoni i fjalëve ofenduese dhe nënçmuese. Sipas tyre, kjo betejë politike ka arritur kulminacionin dhe ky është një paralajmërim për një vjeshtë të nxehtë
Akuzat e ndërsjella mes subjekteve më të mëdha maqedonase Lidhjes Social Demokrate (LSDM) dhe VMRO-DPMNE-së për çështje të ndryshme, duke poentuar politikisht, nuk lënë pa e përmendur luftën e vitit 2001. Në akuzat e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së ata mundohen të fajësojnë njëra tjetrën se kush ishte shkaktarë që shpërtheu konflikti i 2001. Edhe pas nëntë vjetësh nuk pushojnë madje këto akuza, duke tentuar që të fusin elementin shqiptar për përftime politike. Analistët thonë se kjo dëshmon se ka arritur kulminacioni i luftës politike si dhe nuk kursehet edhe zhargoni i fjalëve ofenduese dhe nënçmuese.
Duke analizuar këtë zhargon të akuzave dhe përmendjes së asaj se kush ishte iniciatorë i luftës së vitit 2001-shit, analisti Sefer Tahiri thotë se kjo është një metodë e VMRO-DPMNE-së për të frikësuar maqedonasit dhe për të paraqitur Cërvenkovskin si njeri që organizon komplote dhe konflikte.
“Akuzat e liderëve të partive politike maqedonase Cërvenkovski dhe Gruevski është një sinjal që dëshmon se lufta politike ka arritur kulminacionin dhe është një paralajmërim për një vjeshtë të nxehtë. Përmendja e luftës së vitit 2001 nga VMRO-DPMNE-ja, ku si iniciatorë përmend Branko Cërvenkovski, për mendimin tim është një metodë e kësaj partie, për të treguar dhe prezantuar para popullit maqedonas, Cërvenkovskin si njeri që organizon komplote dhe i gatshëm për konflikte. E gjithë kjo bëhet me qëllim që të frikësohen maqedonasit. Politikisht nuk ka bazë reale të ndodhë një gjë e tillë, pasi që Cërvenkovski nuk posedon kapacitet politik për ta rrëzuar qeverinë e Nikolla Gruevskit e lere më të organizojnë diçka tjetër”, thotë Tahiri.
Ndërkohë, botuesi i gazetës së përditshme “Lajm”, Fejzi Hajdari thotë se njëherë e përgjithmonë dikush duhet të pastrojë iluzionet se lufta e 2001-shit ishte kundër Cërvenkovskit apo Gruevskit, duke shtuar se ende maqedonasit janë kundër shqiptarëve, por vetëm aktrojnë përçarje.
”Në vitin 2001 luftuan shqiptarët dhe maqedonasit që do të thotë se shqiptarët luftuan së bashku kundër Gruevskit dhe Cërvenkovskit, si dhe të tjerëve. Një ‘luftë’ e tillë po vazhdon edhe sot, mirëpo për dalllim nga viti 2001 kur të gjithë shqiptarët ishin bashkë, sot disa kanë iluzione se në atë kohë luftuam kundër Cërvenkovskit, disa kanë iluzione se luftuam kundër Gruevskit dhe nuk e kanë të qartë se sot e kësaj dite maqedonasit akoma janë të bashkuar kundër shqiptarëve, por vetëm aktrojnë përçarje mes veti”, thotë Hajdari. “Ne jemi mësuar me gjëra të tilla t’i dëgjojmë prej tij, fjalimet e këtilla të urrejtjes, kërcënimet e këtilla, fyerjet e këtilla, sikurse që i bën rregullisht kohë pas kohe. Unë them shpesh herë vetëm, se mos të ndodh ajo që u bë në vitin 2001, tjetër gjithçka mund të durojmë”, ka thënë një ditë më parë kryeministri Nikolla Gruevski.
Ndërsa, në kundër reagimin me shkrim të LSDM-së thuhet se Gruevski bashkë me kryeministrin e atëhershëm Ljubço Georgievski, propozonte shkëmbimin e territoreve.
“Do të bëjmë çmos që të mos përsëritet viti 2001, kur Nikolla Gruevski punonte në shkatërrimin e marrëdhënieve ndëretnike e që në stilin e njëjtë, po e përsërit edhe tani si kryeministër në vitin 2010”, kanë thënë në LSDM.
Cërvenkovski s’ka forcë
“Politikisht nuk ka bazë reale të ndodhë një gjë e tillë, pasi që Cërvenkovski nuk posedon kapacitet politik për ta rrëzuar qeverinë e Nikolla Gruevskit e lere më të organizojnë diçka tjetër”, thotë Tahiri.
Aktrimi përçarës
“Sot disa kanë iluzione se në atë kohë luftuam kundër Cërvenkovskit, disa kanë iluzione se luftuam kundër Gruevskit dhe nuk e kanë të qartë se sot e kësaj dite maqedonasit akoma janë të bashkuar kundër shqiptarëve, por vetëm aktrojnë përçarje mes veti”, thotë Hajdari.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje