Revista
|
|
Mbrojtja e jetës së presidentit amerikan i ka përballur shërbimet sekrete me një prej sfidave më të mëdha në histori. Por, kush ka për qëllim ta vrasë? Dhe sa gjasa ka që t’ia arrijë qëllimit? Qendra Ligjore “Southern Poverty” e nisi jetën në vitin 1971 si një firmë e vogël ligjore e specializuar në çështjet e të drejtës civile. Kjo studio u përball me Ku Klux Klanin dhe si pasojë avokatët e saj u kërcënuan me vrasje. Por ajo vazhdoi dhe u bë një prej grupeve më të respektuara të monitorimit të ekstremizmit në Amerikën e sotme. Së fundmi ka nxjerrë një raport të quajtur “Terrori nga e djathta”, kur identifikon komplotet brenda vendit dhe trazirat raciste që janë gatuar në vend që prej bombardimeve të Oklahomës në vitin 1995. Secili prej incidenteve synon të ndryshojë fasadën politike amerikane nëpërmjet dhunës, me anë të grupeve me tituj si Republika e Njerëzve Arianë, Urdhri i Ri dhe të Urryerit. Por në verën e vitit 2008 kjo kronologji ndryshoi drejtim. Sulmet dhe kërcënimet u bënë më të shpeshta dhe të ashpra. Dhe në vend të shënjestrave të ndryshme, tashmë shfaqet një emër gjithnjë e më shumë: Barack Obama. Ky ka qenë fakt i jetës së Obama-s dhe familjes së tij që para se të merrnin çelësat e Shtëpisë së Bardhë.
Frika dhe sfidat e shërbimeve sekrete
Në 2 maj 2007, 18 muaj para ditës së zgjedhjes atij iu caktua një skuadër e shërbimeve sekrete, shumë më herët se ç’kishte ndodhur për çdo president tjetër në historinë amerikane. Arsyet e skate të kësaj lëvizjeje nuk janë bërë kurrë publike. Një zyrtar i lartë amerikan në Departamentin e Shtetit është shprehur se para se të kandidonte për deputet Obama duhej të bindte Michelle-n duke i hequr frikën e ndonjë sulmi potencial ndaj tij, vajzave dhe saj. Michelle duhet ta ketë ditur se si kanë shkuar gjërat më parë: Që Colin Poëer kishte refuzuar të kandidonte për nominim republikan në vitin 1996 sepse gruaja e tij Alma kishte frikë nga vrasja prej racistëve të bardhë. Gjatë fushatës, Michelle foli hapur për frikën e saj dhe sa e vendosur ishte ta kapërcente atë. Përveç vetë Obama-s pesha e një kërcënimi të tillë bie kryesisht mbi shpatullat e shërbimeve sekrete amerikane dhe siç thotë Joseph Petro, kreu i sigurisë globale për “Citigroup”, sfidat me të cilat përballen këto shërbime sot janë ndryshe nga ato të derisotmet. Përmbi gjithë rreziqet e zakonshme që kanë lidhje me ruajtjen e presidentit më të fuqishëm të botës tani ekziston dhe përzierësi shpërthyes i racës së tij. “Si presidenti i parë me ngjyrë ai krijon një sërë krejt tjetër çështjesh për shërbimet sekrete”, thotë ai. Petro pretendon se është ekspert në këtë fushë: Ai ka kaluar 23 vjet si agjent special në shërbiem sekrete, katër prej tyre ka qenë personi që ka ruajtur Ronald Reagan. Ai e di se çfarë do të thotë të jesh linja e fundit e mbrojtjes, si ndjehesh të jesh në një tufë njerëzit dhe se si është të jetosh me dijen e vazhdueshme se çdo gabim mund të jetë fatal. Petro ka një formulë për të matur rrezikun potencial të çdo presidenti në Shtëpinë e Bardhë. Mjafton të llogarisësh atmosferën e përgjithshme me personalitetin specifik të presidentit dhe në këtë kontekst Obama është një rast i vështirë. “Tek Obama, ne kemi një president me personalitet shumë unik, të cilit i pëlqen të ketë kontakt me njerëz. Mjafton t’i shtojmë kësaj atmosferën politike të këtyre kohëve që është mjaft partizane, e me pas përfshijmë racën dhe ja ku kemi një sfidë të madhe. S’ka vend për gabim”.
Kandidati më i ruajtur
Barack Obama ka qenë kandidati presidencial më i ruajtur ndonjëherë nga shërbimet sekrete. Në fillim të vitit të kaluar ai deklaroi: “Mendoj se kushdo që vendos të kandidojë për President e di sa ka disa rreziqe që vijnë paralelisht me këtë vendim. Ashtu siç ka rrezik në çdo gjë”. Kjo mund të jetë e vërtetë, por rreziqet që shkojnë paralelisht me këtë karrierë specifike janë më të mëdha se zakonisht. Katër presidentë amerikanë janë vrarë, Lincoln, Garfield, McKinley dhe Kennedy, vëllai i të cilit Bobby ishte në prag të fitores së emërimit për kandidat presidencial, kur u vra dhe ai. Tetë liderë të tjerë amerikanë u kanë shpëtuar atentateve.
Pse rrezikohet Obama
Me një histori atentatesh ndaj presidentëve amerikanë është e vështirë të imagjinohet një politikan perëndimor më i rrezikuar se një kandidat me ngjyrë e liberal, në një vend me histori të vazhdueshme e dhunës raciste, aktivizimit të së djathtës ekstreme dhe dispononueshmërisë për të pasur armë. Kështu, sa herë zbulohet një komplot atentati ndaj Obama-s, ka një ndalje fryme kolektive nëpër gjithë SHBA-në. Gjatë fushatës zgjedhore janë zbuluar dy komplote, një në Memfis, Tenesi, si dhe një plan më pak i detajuar i zbuluar gjatë konventës demokratike në Kolorado, në gusht të vitit të kaluar. Sidoqoftë, kërcënimet me vdekje drejtuar Obama-s kanë bërë që ai të merrej në mbrojtje nga shërbimet sekrete amerikane që në maj të vitit 2007, faza më e hershme në të cilën një kandidat është vënë nën mbrojtje të rreptë. Forca që mbron presidentët, zëvendëspresidentët dhe kandidatët amerikanë, si dhe të ftuarit e huaj të rëndësishëm, pavarësisht emrit, është një prezencë konstante dhe e dukshme në krah të Obama-s.
Mbrojtja gjatë fushatës
Gjatë fushatës presidenciale gjashtë agjentë sekretë qëndronin pranë Obama-s në çdo moment, të gatshëm për t’u hedhur menjëherë në veprim nëse atij i kërcënohej ndonjë rrezik. Një agjent e shoqëronte gjithë kohës Obama-n (me emrin e koduar “Renegati”), në makinë, ndërkohë që agjentët e tjerë qëndronin pas. Sfida më e madhe e shërbimeve sekrete gjithnjë është momenti, kur kandidatit i duhet të shkëmbejë përshëndetje me turmën pas fjalimit. Në ato momente, agjentët sekretë vëzhgojnë me kujdesin më të madh, jo njeriun që po mbrojnë, por duart e atyre që ai po përshëndet. Turmat gjatë fushatës së Obama-s kalonin kontrolle të rrepta dhe nuk lejoheshin të mbanin çanta. Mbrojtja zgjerohej në gjithë familjen. Shtëpia e familjes Obama në Çikago ishte nën ruajtjen e trupave të armatosur dhe mbrohej nga një sërë barrierash sigurie. Vajzat e Obama-s mbroheshin gjithë kohës dhe daljet e familjes thuajse u ndërprenë. Edhe pse media amerikanë gjithnjë ka qenë e kujdesshme për të diskutuar këtë temë, sikur i trembej krijimit të një profecie që mund të përmbushej, ndjesia se dikush mund të bënte një kërcënim serioz të jetës së Obama-s ka qenë gjithnjë e fortë.
Nga vijnë kërcënimet
Burimet më të mundshme të kërcënimit të jetës së Obama-s janë konsideruar grupet ekstreme të krahut të djathtë apo simpatizantët, siç ishin dy personat e bardhë që u arrestuan në Tenezi, të përshkruar nga policia si neonazistë. Sipas gazetës “The New York Times”, në SHBA ka legjione apo organizata, të cilat kanë agjenda fikse urrejtjeje, qoftë ndaj emigrantëve, hebrenjve apo afrikano-amerikanëve. Disa janë të vogla. Disa, gjithnjë sipas “The New York Times”, si Partia Socialiste Kombëtare Amerikane, janë më të organizuara dhe përdorin internetin si mjet organizues. Për afro-amerikanët është vrasja e aktivistit për të drejtat civile, Martin Luther King, në vitin 1968 dhe e Bobby Kennedy-t, një tjetër aktivist i çështjes së tyre, që kanë përndjekur gjithë kohës kandidaturën e Obama-s, pavarësisht përparimeve që kanë ndodhur në marrëdhëniet racore, për të cilat dy burrat e lartpërmendur kanë luftuar.
Ndryshimi i ligjit, Obama do ruhet përjetë nga shërbimet sekrete
Kur shërbimet sekrete amerikane fillimisht morën në mbrojtje Barack Obama-n më 3 maj 2007, u konsiderua përjashtim. Sipas një ligji të miratuar nga Kongresi Amerikan në vitin 1997, mbrojtja e shërbimeve sekrete për ish-presidentët do të limitohej në dhjetë vjet. Por, Obama do të jetë përjashtim. Ai do të mbrohet përjetë, sipas një vendimi të shërbimeve sekrete vitin e kaluar, pas një rekomandimi nga lideri i maxhorancës së Senatit, Harry Reid. Kjo për arsye se ka gjasa që Obama të jetë gjithnjë i kërcënuar nga komplote me motive raciste. Sulmet raciste nuk kanë munguar asnjëherë duke nisur që prej fillimit të fushatës. Duke pasur parasysh rrethanat jo të zakonshme të Obama-s siguria e tij në SHBA do të jetë e një niveli tjetër, nga ç’ka ndodhur më parë. Në gusht të vitit t kaluar viti katër persona u arrestuan pranë konventës Demokrate në Denver pasi u kapën armë të specializuara zjarri. Një prej të dyshuarve ka folur për një plan për të qëlluar kandidatin për president “nga një pikë e largët strategjike...me një pushkë”. Nathan Johnson, i cili mohoi çdo përfshirje në komplot, u shpreh se shokët e tij “ishin këtu për të vrarë atë”. Të dyshuarit u kapën, kur policia lokale arrestoi një person të identifikuar si Tharin Gartrell, 28 vjeç, i cili po ngiste një makinë të marrë me qira në mënyrë të çoroditur. Televizioni “CBS4” raportoi se në makinën e tij, policia gjeti dy pushkë me teleskop, si dhe rroba maskime, radio marrëse-dhënëse, jelek anti-plumb, një teleskop me rreze të largët, tre dokumente identifikimi që nuk i përkisnin Gartrell dhe dy paruke. Kur policia e shoqëroi Tharin Gartrell në hotelin e tij në Denver, një person i dytë, Shaën Robert Adolf, kërceu nga dritarja dhe u plagos. 33-vjeçari, për të cilin kishte disa mandate arresti, theu kyçin dhe u arrestua menjëherë. Ai u shtrua në spital dhe u mbajt nën mbikëqyrjen e policisë. Johnson, 32 vjeç, i cili u përshkrua si bashkëpunëtori i Gartrell, u arrestua më vonë dhe i tha policisë se Gartrell dhe zoti Adolf “po planifikojnë të vrasin Barack Obama-n gjatë fjalimit të tij”. Johnson u shpreh se u kishte treguar agjentëve të FBI-së për planin, gjatë tetë orëve të marrjes në pyetje. “Thashë se do të ishte nga një largësi e madhe strategjike dhe se do bëhej me pushkë”. Ky ka qenë një kërcënimeve më konkrete zbuluar dhe bërë publik nga policia.
30 kërcënime me vdekje në ditë për Barack Obama-n
Që kur Barack Obama është zgjedhur në detyrë, shkalla e kërcënimeve me vdekje ndaj presidentit është rritur me 400 për qind nga 3 mijë në vit, gjatë kohës së presidentit George W. Bush. Konstatimi është kryer nga autori Ronald Kessler, në librin e tij të fundit “In the President’s Secret Service”.
Disa prej kërcënimeve që i shkojnë Obama-s, emri i koduar i të cilit është “Renegade”, janë bërë publike, duke përfshirë këtu dhe atentatin e supozuar të supremacistëve të bardhë në Tenesi, vitin e kaluar. Sipas këtij atentati ato planifikonin të grabisnin një dyqan armësh, të vrisnin 88 njerëz me ngjyrë, t’u prisnin kokën 14 të tjerëve dhe të vrisnin presidentin e parë me ngjyrë në historinë amerikane. Por, pjesa më e madhe e kërcënimeve nuk bëhen publike sepse Shërbimet Sekrete kanë frikë se zbulimi i detajeve të tyre mund të rrisin numrin e përpjekjeve të ngjashme. Edhe pse shumë prej kërcënimeve nuk janë të besueshme, ato duhet të hetohen të gjitha në mënyrë tepër të përpiktë. Sipas librit, zyrtarët e inteligjencës kanë marrë informacione se njerëz të lidhur me grupin Islamik me bazë në Somali, “al-Shabaab” mund të përpiqeshin të përçanin inaugurimin e presidentit Obama në Janar, kur Shërbimet Sekrete koordinuan të paktën 40 mijë agjentë dhe oficerë nga 94 agjenci policore, ushtarake dhe sigurimi. Më shumë se 12 ekipe snajperësh u vendosën përgjatë rrugës së paradës së inaugurimit dhe gjithë të dhënat kriminale të punonjësve dhe të pranishmëve në hotel dhe ndërtesat e afërta u këqyrën me imtësi. Pavarësisht gjithë kësaj, ka pasur mjaft hendeqe që në siguri, sipas Kessler. Ai përshkruan në libër, se si më shumë se 100 VIP-a dhe donatorë të mëdhenj të fushatës kaluan nëpër detektorët e metalit, por më pas ecën të qetë në trotuarin publik përpara se të hipnin në atobuzët e “sigurt” pa u kontrolluar më. Sipas Kessler, mund të kishte qene relativisht e lehtë për një vrasës që të përzihej me to, në mënyrë që të afrohej mjaftueshëm për t’i qëlluar presidentit të ri. Pasi Obama u zgjodh president, dy vajzat e tij, Malia me emrin e koduar “Radiance” dhe Sasha me emrin “Rosebud” u vunë nën mbrojtjen e Shërbimeve Sekrete. Michelle Obama mban emrin e koduar “Renaissance”. Shërbimet Sekrete morën në mbrojtje dhe fëmijët, nipërit e mbesat dhe nënën e zëvendëspresidentit, Joe Biden.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje