Revista
|
|
Ngjarja e ndodhur në fshatin Fushë-Kuqe të Kurbinit të premten e 23 majit ka tronditur jo vetëm familjen Keqi, të afërmit apo fshatin, por mbarë opinionin publik shqiptarë që iu është rikthyer edhe një herë kronikave të krimit në familje për një rast tragjik si ky.
E përditëshmja “Panorama” shkruan sot se dyshimi se vajza takonte fshehurazi një djalë çon nënën në ekzekutimin e të bijës së vetme e më pas dhe vetes.
Gruaja, nënë e një djali më të madh dhe Gesarës 15 vjeçe, e ka rrahur fillimisht vajzën e më pas ka derdhur mbi të breshëri automatiku.
Gjithçka ka ndodhur pasi e ka gjetur pas shtëpisë adoleshenten, duke dyshuar se ajo kishte takuar dikë.
Pa pritur sqarimet nga e bija, nëna ka kryer aktin ekstrem, duke i dhënë fund brenda pak çastesh jetës së saj dhe të bijës, nxënëse e klasës së 9-të.
Tmerri pushtoi dje të gjithë zonën e Kurbinit e më gjerë, ku njihej familja e Mark Keqit, si ndër më të mirat. Por, tragjedia pllakosi këtë familje rreth orës 13:00.
Adoleshentja ishte nxënëse në shkollën 9-vjeçare të fshatit Fushë Kuqe të Kurbinit, por ditën e djeshme ajo nuk kishte shkuar në shkollë, me arsyetimin se ishte e sëmurë.
Ajo kishte qëndruar vetëm në shtëpi, kur i ati ishte në punë, ndërsa e ëma kishte dalë për të ruajtur bagëtitë, veprim që e kryente çdo ditë.
Ka qenë ora 12:30 kur Mimoza Keqi është kthyer në banesë duke e gjetur vajzën te një dhomë e vjetër pas shtëpisë, ndërsa ka menduar se me të ka qenë dhe një person tjetër.
Ky i fundit dyshohet se me të dëgjuar hapat e të zonjës së shtëpisë është larguar me shpejtësi.
Nisur nga rrethanat e krimit, policia dyshon se e gjithë kjo është parë nga gruaja, e cila ka thirrur më pas vajzën e saj për të dhënë shpjegime.
Policia bëri të ditur se në këtë moment ka pasur një debat të ashpër midis nënës dhe të bijës. Ato janë futur të dyja në banesë duke debatuar për rreth 20 minuta, ku fillimisht nëna e ka dhunuar fizikisht vajzën.
Nderkohe e perditshmja Gazeta Shqiptare shkruan se "Rebelimi" ndaj urdhrave dhe vendimeve të nënës i ka kushtuar jetën Sara Keqit. Mëngjesin e djeshëm, 15- vjeçarja është grindur keqazi me të ëmën.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore paraprake, policia tha se vajza i kishte thënë nënës së saj se në fund të muajit do të shkonte në një ekskursion me shokët dhe shoqet e klasës. Por, Mimoza Keqi e ka refuzuar kërkesën e së bijës. Debatet mes tyre kanë vijuar deri pas mesdite.
Rreth orës 13:00, konflikti ka arritur kulmin, pasi minorenia ka kundërshtuar ashpër të ëmën duke i thënë se, "me lejen ose pa lejen tënde, do të shkoj në ekskursion, madje do të iki fare nga shtëpia".
Në momentin që 15-vjeçarja ka dalë në oborrin e banesës, nëna e saj ka marrë automatikun që e mbante pa leje dhe ka qëlluar drejt së bijës, duke e lënë të vdekur në vend. E përfshirë në depresion të thellë, 40-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve, ka marrë vendimin fatal për t'i dhënë fund jetës.
Ajo ka hyrë në banesë dhe ka qëlluar veten me të njëjtën armë që vrau dhe vajzën. Krismat e armës kanë alarmuar fqinjët, të cilët kanë njoftuar policinë.
nena dhe vajza
Kurse e perditshmja "Shekulli" shkruan se sapo gruaja ka kuptuar se e bija kishte ndërruar jetë, ka hyrë brenda, ka shkruar copën e letrës dhe më pas ka marrë armën dhe ka qëlluar veten në kokë po në oborr.
Policia bën me dije se krimin e dyfishtë gruaja 40 vjeçe e ka kryer me një armë kallashnikov, ndërsa vajza ka marrë tre plumba, një në krah dhe dy në trup, ç`ka i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Sipas informacioneve policore mësohet se gruaja ka një plagë në kokë, ndërsa në afërsi të trupi të së bijës, janë gjendur edhe një sasi flokësh që gruaja i ka shkulur nga dhimbja për aktin që ka kryer ndaj së bijës vetëm 15 vjeç.
Blutë kanë gjetur një numër të madh gëzhojash në oborrin e banesës së familjes Keqi. Sipas tyre, zënka mes nënë e bijë kishte filluar që mbrëmjen e së enjtes, për të vijuar ditën e djeshme. Burime pranë grupit hetimor sqaruan se në momentin e
krimit, kryefamiljari Mark Keqi dhe dy djemtë e tij nuk ndodheshin në shtëpi.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje