Revista
|
|
Ju rrëfej tmerrin e udhëtimit në Greqi, kur bashkë me Lekën e porsalindur, bashkjetonim me vdekjen orë e çast”.
Geraldina, mbretëresha më e bukur dhe më e papërfolura në Europë, përbën një pjesë të bukur të historisë së Shqipërisë. Në monografinë e porsabotuar “Geraldina” të Leon Mollës, nga kemi shkëputur një pjesë të kujtimeve të mbretëreshës shqiptare, ky përcaktim i Kadresë ka vlerën e një kredoje majft domethënëse. Pavarësisht se jetoi pak në Shqipëri, mbretëresha Geraldinë e deshi atë si rrallkush dhe iu përkushtua shpirtërisht deri në çastet e fundit. Pikërisht për këtë arsye figura e saj është respektuar e do të respektohet nga të gjithë brezat e shqiptarëve e në të gjitha regjimet. Në numrin e sotëm kemi zgjedhur për botim mbresat e mbretëreshës në çastet dramtike të largimit nga Shqipëria, në prag të pushtimit nga Italia fashiste… Af.Im
Në ajrin e ftohtë të mëngjesit thellë, një varg prej trembëdhjetë veturash me motorë të ndezur po pritnin. Në veturën Krysler që do ishte imja ndenjësja në anë të shoferit u hoq me një anë dhe u hodh në kopësht. Dysheku im u shtrua për së gjati dhe aty mbeta e shtrirë me këmbët në pjesën e përparëshme dhe kryet mbështetur në kolltukun e prapsme. Një doktor zuri vend pranë meje dhe brenda pak minutave u nismë. Nuk munda të përshëndes as Mbretin. Fëmija ime ishte në një veturë tjetër me njërën nga motrat e Mbretit, me infermieren dhe zonjën që qe pranë meje kur u lind princi.
Teneqe me benzinë u ngarkuan në veturat, sepse asnjëri nuk e dinte sa i gjatë do të ishte udhëtimi ynë deri në kufirin e Greqisë dhe në se do të mund të gjenim benzinë nga do të kalonim. Shërbyeset e mia dhe zonjat përcjellëse kishin mbledhur bashkë atë që mundën të marrën dhe shpejt mësuam se rrëmbimi i ikjes na kish bërë të harrojmë shumë gjëra të çmueshme. Kishim lënë shumë thesare të vjetra e kujtime të dashura si dhe tërë pjatat dhe lugët e florinjta të Pallatit.
Disa kohë më parë im shoq kishte pasë shitur lëndën e pyllit tij privat një shoqërie italiane dhe kish marrë kundër vleftën në napolona ari. Këto napolona ishin mbyllur në dy valiza të thjeshta bojë qielli, por unë nuk dija asgjë në këtë kohë rreth këtyre napolonave megjithëse këto qenë mjeti i vetëm i jetesës sonë gjatë atyre viteve të mërgimit. Disa herë rruga dukesh se ndalte përnjëherësh dhe kaluam nëpër tokë të ashpër të parrahur më parë. Qe një udhëtim i tmerrshëm dhe sot kur më kujtohet më zë tmerri. Lindja e fëmijës time kish qenë e ngadalshme dhe shumë e vështirë dhe unë jesh akoma në një gjendje gjysmë të ndërgjegjëshme dhe nën efektin e mjekimeve. Dhe me gjithë këtë edhe sot më kujtohen kthesat e ngushta shumë dhe brinjët e pjerrëta që binin në përrenjtë e zhveshur e të thatë. Kur po largoheshim gjithnjë larg Tiranës të mbytur me kaosin e gjendjes së krijuar, më goditi syrin fakti i qetësisë që mbretëronte nëpër tërë fshatrat dhe qytetet që kaluam. Shumë nga ata nuk kishin radio dhe mjete të tjera që të mësonin se liria e tyre kish humbur. Rreth mesit të ditës qëndruam për një drekë të vogël në Korçë. Një nga oficerët e grupit tonë mundi t’i telefonojë Mbretit në Pallat. Të gjithë ende shpresonim se do të na kishte thënë të qëndrojmë këtu ose ndofta të ktheheshim prapë në Tiranë, kurse Mbreti na porositte që të shkonim sa më shpejt të ishte e mundur në kufirin e Greqisë. Im vëlla Gyula, katërmbëdhjetë vjeç, ishte duke studiuar në liceun Freng të Korçës. Një nga njerëzit tanë vajti ta kërkojë ku qe, nga një vend në tjetrin, deri sa e gjeti në një klasë së bashku me nxënës të tjerë në orën e arithmetikës. Pa i thënë asnjë fjalë mësuesit mori Gyuala-n për dore ashtu si qe me librat ndënë sqetull dhe fluturoi tek ne.
I mjeri Gyula im. Më vonë shkoi në Francë që të bashkohesh me mëmën time dhe, megjithëse vuante nga diabeti, u bashkua me fuqitë e rezistencës frënge gjatë luftës. Po përvojat dhe vuajtjet që pati gjatë luftës e keqësuan shumë shëndetin e tij deri sa disa vite më parë në Merano të Italisë dha shpirt.
Po sa tmerre dhe dëshpërime të tjera na prisnin më tutje. Në këtë kohë kishim vetëm një qëllim që të mundemi të arrjmë kufirin Grek. Më së fundi, pas një udhëtimi të vështirë për më shumë se katërmbëdhjetë orësh, mundëm të arrijmë në afërsi të kufirit Grek.
JASHTË RREZIKUT PËR PAK KOHË.
Veturat tona qenë skuqur nga balta e madhe dhe fytyrat e njerëzve tanë plot pluhur dhe të këputura nga lodhja. Kjo pjesë e veçantë e kufirit nuk ish në përdorim dhe vetëm një ushtar grek qëndronte për roje. Më kujtohet se jeshë zgjuar dhe e pashë kur më vështroi me çudi nëpërmjet dritares së veturës. Vargu i gjatë i makinave të mbytura në baltë me udhtarë dhe oficerë ngarkuar me shpata e mitraloza e trembte shumë. Leshrat e tij të shkurtra ju ngrenë përpjetë, një gjë e kam dëgjuar të përshkruhet, por asnjëherë nuk e kam parë qysh ahere ose më parë kësaj kohe. Kapela i ra për tokë dhe duke u munduar ta marrë prapë, i shpëtoi dhe pushka nga dora. Pastaj nga turpi dhe nga tronditja iku e u fsheh në pyll.
Një nga ushtarët tonë ngriti trarin që qëndronte në hyrje të kufirit dhe më së fundi u futëm në tokën greke. Përçuam për gati nja gjysëm ore tjetër deri sa erdhëm në kontakt me fuqitë Greke të policisë të motorizuara që na drejtuan për në Follorinë. Qyteti ishte një qytet i varfër pa hotele të kënaqshëm, por më së fundi jeshëm jashtë rrezikut. Një nga shtëpitë e gurta ishte bosh, kështu që vajzët dhe zonjat që më shoqëronin e fshinë dhe e pastruan krejtësisht brenda një kohë të shkurtër dhe më muarën mua me gjithë dyshekun tim e më shpunë brenda. Kisha vuajtur nga një hemoragji (humbje gjaku) e keqe shumë dhe e ndjeja veten kaq të sëmurë sa që s’më bënte më asnjë përshtypje në se vdisja ose jetoja. Dikush më luti të vija diçka në gojë që të merrja pakëz fuqi, por i vetmi ushqim që gjetëm ishte ca djathë që binte erë jo të këndëshme, bërë nga qumështi i dhisë dhe vezë të ziera shumë të ngjyera me bojra të ndryshme për shkak të Pashkës.
Ditën e nesërme, Ditën e të Premtes së Zezë, Mbreti Gjergj i Greqisë mori vesh për qëndrimin tonë këtu dhe dërgoi dy doktorë me një tren të veçantë në Follorinë që të më mjekonin dhe të më shpien në Athinë.
Ngula këmbë të mos shkoj. E njeja se vendi im ishte të qëndroja sa më afër tim shoqi dhe se do të ishte punë më e urtë të pritnim aty afër kufirit për të parë se çdo të ndodhte në vendin tonë.
Mbreti Zog mbeti në Tiranë gjatë 6 e 7 Prillit, duke u përpjekur të organizojë qëndresë kundër pushtuesit. Dëshironte që të bënte një luftë guerriljesh kundër sulmonjësit, të paktën deri në plasjen e luftës së dytë e cila dukesh se do të shpërthente së shpejti. Ai kish bërë plane që të organizonte një grup të vogël qëndrese me lëftëtarë në Veri afër kufirit të Jugosllavisë. Pasonjësit e tij tashmë ishin më të fortë në këto anë ku kish lindur Ai vetë.
Porse qeveria Jugosllave mori vesh rreth këtij plani dhe i dha një notë Qeverisë Shqiptare duke e njoftuar se, në rast se luftimet bëhen në një zonë jo më larg se 15 km. nga kufiri i tyre, ata do të marshonin mbi Shqipërinë për “të shpëtuar paqen në Ballkan”. Për shumë shokë Jugosllavia kish lakmuar pjesë të tokës shqiptare të kufisë dhe im shoq kuptoi se kërcënimet Jugosllave ishin të sakta dhe Shqipëria nuk ish në gjëndje t’u bëjë ballë dy fuqive sulmonjëse.
Në 8 të prillit Mbreti u ndal në Pogradec afër kufirit Grek. Ai po udhëtonte në një karvan automjetesh së bashku me tërë qeverinë shqiptare dhe shumicën e deputetëve gati pothuaj 1 500 vetë. Këtu për herë të fundit im shoq u mundua të organizojë një qëndresë të fundit. Po vetë shokët e tij e këshilluan që të largohej dhe të vazhdojë luftën për lirinë e vendit jashtë kufinjve të Shqipërisë. “E pranova këtë këshillë me zemër të thyer” më tha Mbreti disa kohë më vonë, sepse mu duk se po të largoheshe kështu nuk do ta shihja më i gjallë vendin tim përsëri”.
Me gjithë këtë qeveria e bindi. Ata e shkoqitën qëndrimin e tyre duke thënë se pas luftës së ardhëshme Shqipëria do të ishte në rrezik për t’u bërë copa-copa dhe meqënëse Mbreti ishte kryetari i Shtetit, ai vetëm mundesh të fliste në emër të gjithë popullit.
NË LARGIM PËRSËRI
Me tërë këto arsyetime Mbreti mbeti me dy mendje dhe nuk kish vendosur se ç’vijë të ndiqte. Në këtë kohë mori vesh se kufiri grek do të mbetesh i hapur deri në mesnatë për të pritur aty dhe shokët e Tij si refugjatë politikë. Pas kësaj ore do të mbyllesh përgjithnjë për cilindo. Ky urdhër i fundit e bëri të marrë vendimin të lërë vendin. Kaloi kufirin 10 minuta para mesnatës dhe mundi të më takojë në orën gjashtë të mëngjesit të ardhshëm.
Në këtë kohë treni dërguar nga Mbreti Gjergj gjendej ende në Follorinë dhe kështu vendosëm që të pranojmë të udhëtojmë me këtë tren por jo për Athinë po për në Selanik.
Pak kohë pasi u nismë së këndejmi treni u ndalua dhe gati nja 500 ushtarë dhe oficerë grekë hypën në tren. Komandanti i tyre na njoftoi se kishte marrë urdhër nga lart që të çarmatoste tërë shqiptarët që mbanin armë. Mbreti Zog dhe familja e Tij do të mbylleshin në Volos; anëtarët e qeverisë dhe të tjerë oficerë do të burgoseshin në Kozan dhe mbetja tjetër e oficerëve dhe ushtarëve do të mbylleshin në një ishull grek. Mbreti Zog e hodhi poshtë këtë ultimatum. Ai i dërgoi një telegram qeverisë helenike në të cilin thuhesh: “Ne nuk jemi robër lufte por miq e fqinjë që kemi nevojë për mikpritjen e Greqisë. Në se Greqia do ta dëshirojë jemi gati të largohemi sa më parë nga toka Greke por kurrë nuk do ta pranojmë të ndahemi nga shoshoqi dhe asnjë nga armët tona nuk do t’u dorëzohet”.
Ndërsa po pritnim përgjigjen e telegramit ndenjëm në tren dhe ushtarët grekë na kishin rrethuar në çdo anë. Brenda një ore Kryeministri i Shqipërisë u thirr në telefon në zyrën kryesore telefonike mbasi vetë Mataksai, kryeministri i vendit, po në fakt diktatori i vërtetë i tij , dëshironte t’i flasë personalisht. “I paraqitni nderimet e mia Mbretit” tha. “Vendosëm që të gjithë Ju do të qëndroni në Larisë disa milja larg nga vendi ku gjendeni tani”. U kënaqëm shumë kur dëgjuam këtë lajm po vetëm shumë kohë më vonë munda të zbuloj se cila qe arsyeja që e detyroi qeverinë Greke të ndërrojë mendimin e parë dhe kjo rrodhi jo vetëm për shkak të marrdhënieve të mira midis të dy vendeve, porse më shumë për shkak të këshillave të mjekëve Grekë që më vizituan. Njëri nga ata ishte mjeku personal i Mbretit Gjergj dhe ai i tha Mbretit të tij se në qoftë se nuk do të mjekohesh në qetësi patjetër do të vdisja. Dhe atëherë vdekja ime do ju barrosë Grekëve dhe jo fashistëve Italianë.
Një hotel i ri kishte qenë ngritur në Larisa po nuk ish hapur ende. U hap vetëm për të pritur ne së pari si myshterinjtë e parë. Qëndruam këtu deri në 1 të Majit dhe paguam për të gjithë hem në këtë hotel, hem në hotelet e tjera më të vegjël të qytetit, sepse ishim shumë e nuk na nxinte hoteli të gjithëve. Ne paguam faturën nga napolonat që kishim në të dy valicat bojë qielli.
Përveç të hollave të Mbretit edhe qeveria kishte marrë të holla floriri nga thesari i shtetit dhe këto fonde ajo i përdori për të paguar tërë oficerët dhe njerëzit e tjerë në shërbimin e saj deri në kohën kur fondet u shterën. Në këtë kohë shumica e shqiptarëve që kishin ardhur me ne kishin shkuar në vende të tjera dhe kishin marrë punë të ndryshme. Gjatë qëndrimit tonë në Larisa disa ngjarje shqetësonjëse na bënë të kthjellët se duhesh të iknim për së shpejti. Një ngjarje e tillë ndodhi kur dy nga oficerët tonë vajtën në Selanik për të parë Konsullin e Shqipërisë. Këta oficerë u çuditnë kur panë se flamuri i fashizmit i kish zënë vendin flamurit kuq e zi të Shqipërisë dhe kur panë Konsullin nxuarën revolet t’i bien në kokë. Policët grekë duke dëgjuar britmat e tij, shkuan në ndihmë të Konsullit po që të dy u vranë nga oficerët dhe konsulli vetë u vra. Pas kësaj ngjarjeje dhe një tjetre të tillë, im shoq dha urdhër që t’i dorëzohen atij armët e zjarrit. Kësisoj nderi i oficerëve nuk prekej dhe mikpritja greke nderohej.
Në këtë kohë Ministri i Shqipërisë në Turqi z. Xhaxhuli kish marrë pëlqimin e qeverisë Turke që na porositte të kalonim sa më parë në këtë vend dhe vendosmë që të vemi.
GJITHNJË NË LARGIM
U prekëm shumë nga kjo oferta zemërgjerë e Turqve dhe sapo munda të mbahem në këmbët e mija dhe të hypim vetë në trenin që na kish lënë në dispozicion qeveria Greke, vendosmë të nisemi për Turqi. Të gjithë e dinim që në atë vit të 1939 sulmi i Italisë kundër Greqisë ishte shumë i afërt.
Udhëtimi ynë për Turqi është një udhëtim që do ta kujtoj për tërë jetën time sa të jem gjallë. Turma populli u derdhën në tërë stacionet e vogla të trenit ku qëndronim që të përshëndesnin Mbretin Zog duke i britur urimet dhe bekimet e tyre. Arrimë në Stamboll në orën tre të mëngjesit në 3 Maj.
Guvernatori i qytetit së bashku me z. Xhaxhuli dhe zonjën e tij na pritën në mënyrën më të përzemërt që mund të bëhej. U strehuam në hotelin Pera Palace dhe turqit u suallnë kaq mirë sa që disa herë nuk dinim si t’i falenderonim. Ata ngulnë këmbë dhe nuk e njohnë zyrtarisht pushtimin e Shqipërisë dhe ndërsa dilnim nga hoteli ishin urdhëruar tërë shtetasit që të na linin rrugën të lirë kujtdo nga ne.
Ditët tona këtu kaluan në vizita shtetërore, në vizita pallatesh, xhamish dhe muzeumesh të ndryshëm dhe ngado që kaluam plaka dilnin prej turmës dhe i lëshoheshin Mbretit për t’i puthur duart dhe për shpëtimin dhe shëndetin tonë.
Gjatë qëndrimit tonë u takova me Presidentin Ismet Inonu, një burrë shumë simpatik dhe mikpritës. Patëm çaste së bashku në shumë raste dhe më vonë ndërsa im shoq bisedonte me të rreth të ardhmes së vendeve tanë, unë dhe Zonja e Presidentit merreshim me punët tona shtëpiake.
Mundeshim të qëndronim përherë këtu dhe në vetvete kjo do të kishte qenë shumë mirë në shumë pikpamje, porse Mbreti ishte takuar me të dërguar të ndryshëm nga Parisi, Londra dhe Washingtoni që e nxitnin të vente në njërën nga këto kryeqytete.
Ishte e kthjellët për të gjithë ne që jeshëm kaq afër ngjarjeve të Evropës se lufta do të kërcitte për së shpejti midis fuqive të boshtit nga njëra anë dhe Francës e Anglisë nga ana tjetër. Ishte e kuptueshme se mund të bënim më shumë punë në Paris ose në Londër se sa këtu dhe kësisoj Mbreti vendosi të nisemi në 30 të qershorit.
Vijon nesër…
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje