Revista
|
|
Kryeministri Sali Berisha ka vizituar dje në mbrëmje në shtëpinë e tij kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Shefi i qeverisë ka qëndruar rreth dy orë në banesën e Metës, një vilë trekatëshe që ndodhet në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Burime pranë dy krerëve të koalicionit të maxhorancës nuk bëjnë të ditur detaje nga takimi, por kanë konfirmuar vizitën e pazakontë të Kryeministrit në shtëpinë e aleatit të tij. Kryeministri Berisha është fiksuar nga kamerat duke dalë nga banesa e Metës rreth orës 22:35 të mbrëmjes së djeshme, teksa i ka përshëndetur gazetarët e pranishëm, pa pranuar të bëjë komente.
Dy ditë më parë, Kryeministri Berisha deklaroi gjatë një interviste në “Abc News” se Prokuroria kishte mashtruar Parlamentin në kërkesën për heqjen e imunitetit të Ilir Metës, pas publikimit të videopërgjimit në zyrën e ish-ministrit Dritan Prifti. Berisha mbështeti Metën, duke deklaruar se kërkesa e tij për t’u gjykuar me themel e nderonte atë si politikan, ndërsa e quajti të drejtë dhe ligjore procedurën e ndjekur nga Gjykata e Lartë. Kreu i qeverisë la të hapur edhe mundësinë e rikthimit në qeveri të Ilir Metës pas mbylljes së gjyqit, duke deklaruar se një vendim i tillë ishte në tagrin e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Në datën 16 janar, Gjykata e Lartë do të japë vendimin për gjyqin e Ilir Metës me Dritan Priftin. Prokuroria kërkoi shpalljen fajtor të Ilir Metës për akuzën e korrupsionit dhe dënimin e tij me 2 vjet burg dhe një milion lekë gjobë. Po në atë seancë, avokatët e Metës iu kundërvunë paditësit Dritan Priftit, duke kërkuar pafajësinë e klientit të tyre. Gjatë procesit gjyqësor, ekspertët e caktuar nga Gjykata e Lartë rrëzuan provën kryesore të Prokurorisë, videon ku Prifti kishte përgjuar Metën.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje