Revista
|
|
Biondet, për shkak të problemeve ekonomike të vendit tonë po kthehen në 'specie' në zhdukje. Kjo për shkak sepse duke qenë se është një ngjyrë flokësh që duhet trajtuar dhe lyer më shpesh, shumëkush ka hequr dorë nga kjo ngjyrë për të ulur shpenzimet dhe për të shkuar sa më rrallë në parukeri. Ikja nga qarkullimi e biondeve, sipas parukiereve po ia lë stafetën ngjyrave të ftohta, si ngjyrë gruri, lajthi apo kafe. Si tregon edhe në një intervistë për Gazetën parukierja Miranda Gradeci, klientela nëpër parukeri këto muajt e fundit ka rënë ndjeshëm. Sipas saj, për krehje, femrat u drejtohen çdo herë e më rrallë parukerive, pasi ato i bëjnë vetë në shtëpi. Por edhe për lyerje flokësh, tashmë shumë femra i lyejnë me bojëra vetjake për të ulur shpenzimet. "Tek ne vijnë për të prerë flokët, pasi krehjet, por kohët e fundit edhe lyerjen e flokëve po i bëjnë vetë në ambientet e shtëpive të tyre", - ka theksuar parukierja. Por një tjetër fenomen që është hapur në disa parukeri në periferi apo në ato zona të varfra të Tiranës, është edhe lista. Ndodh shpesh që në shumë parukeri femrat bëjnë shërbime dhe paratë ua japin më vonë parukiereve. Por kjo krizë ekonomike nuk ka prekur vetëm parukeritë, pro edhe ato që quhen sallone bukurie që ofrojnë më tepër shërbime, siç janë trajtimet e duarve, të këmbëve, thonj me akrelikë apo me xhel, depilime, trajtime fytyre e deri tek masazhet. Edhe këto qendra estetike janë të prekura, pasi edhe aty numri i klientëve ka rënë ndjeshëm; shumë vajza sipas punonjëseve të këtyre qendrave nuk po i bëjnë më thonjtë me xhel siç i bënin më parë, për shkak të reduktimit të shpenzimeve. Klientela e këtyre qendrave e cila nuk mungon janë vetëm të huajat, pra shtetase të huaja që jetojnë në Tiranë dhe punojnë në ambasada apo në shoqata të ndryshme. Pasi klientela tjetër është reduktuar, ndofta një pjesë ende nuk ka hequr dorë nga shërbimet e këtyre salloneve të bukurisë, por shumica i kanë reduktuar në maksimum.
Çfarë diference keni vënë re ju për sa i përket klientelës këtë vitin e fundit? Dhe, kur kanë qenë për ju vitet tuaja 'të arta' që kur keni nisur punë si parukiere?
Unë kam nisur punë që prej vitit 2003, dhe deri në 2005-2006 kanë qenë vërtet vite të arta për mua personalisht, por mendoj edhe për gjithë parukeritë e tjera. Unë kam arritur të nxjerr tri rroga, kur them këtë nënkuptoj pagesën e qirasë për dyqanin, detyrimet që i kam shtetit, pasi tatohemi dhe kam taksa si biznes, përfshi dhe taksat për ujin dhe dritat, si dhe atë që është më e rëndësishme për mua, rrogën time, që atëherë ka qenë një rrogë e madhe. Pra me bilancin që kam bërë, kam pasur një rrogë mbi 1 milion lekë të vjetra. Plus që edhe klientelë ka pasur më shumë vitet e mëparshme se sa këto vitet e fundit, sidomos këtë 6-mujor janë shumë të pakta. Njerëzit i kushtojnë më pak vëmendje pamjes dhe kujdesit të flokëve se sa më parë. Normalisht që kriza duke prekur çdo familje shqiptare, çdo femër, ka prekur edhe profesionin tonë. Pasi ato nuk bëjnë me krehje, gocat kanë filluar t'i rregullojnë vetë flokët nëpër shtëpi, kanë blerë pajisjet, furçat, tharëset apo pjastrat, dhe vijnë shumë rrallë në parukeri. Tek ne vijnë kur kanë për të prerë flokët, sepse e kanë të pamundur që ta bëjnë vetë. Por kam edhe raste që majat e flokëve i kanë prerë vetë në shtëpi, ose thonë m'i ka prerë mami që të mos shpenzonin.
Po lyerjet e flokëve, a janë të shpeshta si më parë?
Absolutisht jo. Kohët e fundit është vënë re një tendencë tjetër, kthimi i flokëve në ngjyra të ftohta, në ngjyra që nuk kanë shumë nevojë për lyerje të shpeshta. Floku i verdh biond përdoret shumë herë më rrallë, pasi kjo është ngjyrë që ka nevojë për përkujdesje të madhe. Vajzat po bëjnë më shumë ngjyra praktike, bionde janë vetëm ato që punojnë dhe duhet të ruajnë një imazh për punën, një imazh perfekt, ndërsa pjesa tjetër i ka eliminuar dhe kanë kaluar në ngjyrë të ftohta, si është ngjyra e grurit, lajthi apo kafe dhe kafe e errët, në mënyrë që të mos e frekuentojnë shpesh parukerinë. Ne jemi 'stacioni' i fundit për të shpenzuar, sidomos për një kategori të madhe femrash, pasi kujdesi për flokun, për pamjen konsiderohet si një gjë qejfi, dhe kur nuk kanë mundësi shpenzimi, ky është shpenzimi për të cilin tërhiqen fillimisht. Këto muajit e fundit po ndodh shpesh që shumë kliente bëjnë vetëm prerjen e flokëve dhe nuk i krehin për të kursyer një pjesë të lekëve. Pasi prerje plus krehje normalisht që kushton më shtrenjtë se sa vetëm kur pret flokët.
Më parë kur keni pasur më shumë punë, sa herë në javë vinte një kliente, dhe në sa herë është reduktuar këtë vit?
Disa kliente që kanë flokë të gjata dhe duhet t'i trajtojnë në parukeri për krehje, vinin dy apo tri herë në javë. Ndërsa tani vijnë një herë në dy javë, për të mos thënë vetëm kur ka festa. Ditët e festave fatmirësisht vijojnë të jenë ditët që ne kemi ende shumë punë.
Cili është shërbimi për të cilin vijnë më tepër femrat në parukeri?
Kryesisht vijnë vetëm për prerje dhe për lyerje thinjash. Pasi krehjet i kanë eliminuar pjesa më e madhe. Por edhe ato që i lyenin flokët, tashmë kanë filluar që t'i lyejnë në shtëpi. Duke qenë se në treg ka produkte si boja apo dekolorant shumë kliente kanë filluar t'i lyejnë vetë për të kursyer, kjo gjë normalisht që ka një ndikim negativ në aktivitetin e parukerive, pasi u ngushtohet së tepërmi tregu i punës. Por kemi pasur raste që klientet që kanë përdorur bojëra individuale, relativisht të lira, u kanë sjellë probleme, u janë bërë flokët me dy apo tri ngjyra dhe kanë qenë të detyruara që sërish t'i drejtohen parukerive duke shpenzuar akoma më tepër lekë. Sepse nëse do të drejtoheshin tek profesionistët që në fillim pa përdorur bojëra vetjake nuk do të shpenzonin aq shumë sepse për të eliminuar ngjyrat është e vështirë, plus që edhe floku dëmtohet. Në shumë parukeri, sidomos ato që ndodhen në zona të varfra të Tiranës, ndodh që edhe shërbimet që klientet i bëjnë në parukeri të mos i bëjnë me lekë në dorë, por me të ashtuquajturën 'listë', ashtu si veprohet me ushqimet. Nga Stacioni i Trenit ku punoj aktualisht, do të spostohem në rrugën e Burgut, pasi aty kam shtëpinë dhe do ndërtoj një parukeri në oborr të shtëpisë sepse e kam shumë të vështirë të paguaj qiranë këtu ku jam aktualisht. Por edhe aty ku do shkoj do përpiqem t'i përshtatem klientelës dhe zonës, pasi ajo është zonë më e varfër se sa kjo këtu.
Ju si konsumatore, nga çfarë shpenzimesh po hiqni dorë, ku keni filluar të ngushtoheni më tepër?
Në radhë të parë po heq dorë nga harxhimi i lekut në lidhje me veshjet. Veshjet për vete, për fëmijët dhe bashkëshortin, pasi nuk ia dalim dot. Po përpiqem që t'i mirëmbaj veshjet që kemi, pasi për të blerë veshje të reja sot duhet të mendohesh mirë. Pastaj, çfarë janë dyqanet e firmave të shtrenjta nuk u afrohesh dot me çmimet që kanë. Pra shpenzimi i parë që kam filluar të menaxhoj janë shpenzimet për veshjet. Por edhe tek konsumi, ushqimet e tepërta i kam hequr, nëse në mëngjes konsumonim një gotë qumësht dhe salçiçe, kohët e fundit salçiçen e kam hequr. Nëse nuk kemi qumësht, përdorim lëngje frutash, nuk i blejmë lëngje, por fruta dhe i shtrydhim se janë më të mira. Normalisht që ka ngushtime tek ushqimi, por përpiqem që të ulim sasinë dhe jo cilësinë. Në çdo familje jam shumë e sigurt që ndihet kriza ekonomike dhe me sa po dëgjojmë, ajo do vijë duke u rritur dhe jo duke u zbutur, ndaj duhet të marrim masa të tjera për të mbijetuar. Por një tjetër shpenzim që nuk do të bëjmë këtë vit janë pushimet, nëse çdo vit i kemi bërë në jug, në Himarë, këtë vit mund të shkojmë ndonjë fundjavë jashtë Tiranës, në Durrës apo pishina se kanë qejf fëmijët. Por pushime si vite më parë, me këtë situatë nuk e përballojmë dot.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje