Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Korrespondenca e Mbretit Zog me Mehdi Bej Frasherin
Publikuar me 25 Kor 2007

Korrespondenca e Mbretit Zog me Mehdi Bej Frasherin

“Kam fillue pregaditjen e memoarve, natyrisht kam shënime, porë dot’ më pëlqente: një Autoritet që ka ndodhë në ç’ashtjet mbrenda, të më japë sa shpjegime ma të gjona. Pra’ në asht se do të keni mundësi të më jepni së hollësina mbi këto pika që po ju rendoj ma poshtë’ Këto në ka posibilitetin t’mi shkrueni gjanësishtë se, dot dishroshe që nji personalitet që i ka dhanë shqipnis shërbime të shkëlqyeshme”.

Kështu shkruhet në mes të tjerash në një nga letrat e panjohura të Mbretit Zog, që mban datën 20 janar të vitit 1960, kur ai kalonte muajt e fundit të jetës së tij në qytetin Canë të Francës, e cila i drejtohet Mehdi bej Frashërit, ish-kryeministrit të shqipërisë të disa kabineteve qeveritare në vitet e Monarkisë së Zogut, që asokohe jetonte si azilant politik në kryeqytetin italian, romë. po çfarë shkruhet më tej në atë letër të Mbretit Zog dhe çfarë i kërkon ai ish-kryeministrit të shqipërisë? Për të gjitha këto bëhet fjalë në një sërë letrash e dokumentesh origjinale që janë pjesë e korrespondencës së plotë në mes tyre, të cilat janë ruajtur me fanatizëm dhe kujdes të madh në arkivin familjar të Mehdi bej Frashërit në romë. Duke u nisur nga rëndësia që paraqesin ato dokumente (të cilat nuk ndodhen në arkivat e shtetit shqiptar), ku flitet për disa nga ngjarjet më të diskutuara dhe të përfolura të historisë së Shqipërisë, si: Protokolli i korfuzit në 1914, Veprimet e komisionit Ndërkombëtar të Lidhjes së kombëve në shqipërinë e Jugut, veprimet e Komisionit Ndërkombëtar për përcaktimin e kufijve të Shqipërisë, vrasja e Gjeneral telinit, grindjet për shën-Naumin e Vermoshin etj, falë dashamirësisë së nipit të Mehdi beut, z. Tefik Çelo i cili jeton në tiranë dhe na i vuri ato në dispozicion për revistën “shqip”, një pjesë të tyre ne po i botojmë të plota në këtë shkrim, duke mos i bërë asnjë ndryshim nga ana gjuhësore.

Zogu i shkruan Mehdi beut
“I dashtuni Mehdi Bej, Shpresoj se Juve, Nyre Hanmi, dhe e gjith Familja të jeni me shëndet të mirë, po edhe na të gjith mirë jemi. Kam fillue pregaditjen e memoarve, natyrishtë, kam shenime, porrë dot’më pëlqente; nji Autoritet që ka ndodhë në ç’ashtjet mbrenda, të më japë sa shpjegime ma të gjona. pra’ n’ asht se do të keni mundësie të më jepni sa hollësina mbi këto pika që po ju rendoj poshtë:

1- Veprimet e Komsionit Enternacional në kerfuse në 1914.
2- Mbi Dhenamet të Himarës.
3- Veprimet e komisionit të Lidhjes së kombeve në shqipnin e Jugut.
4- Veprimet e Komisionit Delimitationit të Kufive.
5- Vrasja e General telinit.
6- Grindjet, dhe përfundimi i shën-Naumit, dhe Vermoshit.

Këto në ka posibilitetin t’mi shkrueni gjanësisht se, dot dishroshe që nji personalitet që i ka dhanë shqipnis shërbime të shkylqishme. tue ju urue shëndet, Juve, Nyre Hanmit, e gjith Familjen ju marrë grykë.
Canne-20 Janar 1960

Përgjigjia e Mehdi Frashërit
“Madhni, Gëzohem që M.J. e familja jeni mirë nga shëndeti, ne për fat të keq akoma Nejren e kemi të sëmund, me gjithë që ka bae disa përmirësime. Medihaja e djemt bajnë çmos për t’i lehtësue jetën asaj e për me i gjetë udhën e shërimit. Kjo asht ngushullimi i madh i pleqëris t’ime në mërgim, i vetmi. Mësoj me kënaqsi të madhe që M.J. keni fillue shkrimin e kujtimeve. Jam i bindun se këto janë të domosdoshme për historinë e shqipnis; do të drejtojnë shumë gabime të ktyne 40 vjetëve të fundit. Këtu do të gjeni gjegjet e pyetjeve që M. J. më drejtuet. shpresoj që ju jeni të nji utiliteti. Sido qoftë un jam këtu, çdo herë që do të paraqitet nevoja, me dhanë çka dije, në këtë vepër eksepsionalisht me randësi që M. J. keni fillu. Në numrin pesë, vramjen e Gjeneral tellinit e kam përmbledh në veprimet e komisionit të Delimitacjoneve, kësisoj gjegjet e mija përbajnë vetëm 5 numra. Tue Ju drejtue M.J, ndigjoj nevojën t’i hedh nji sy të shkurtën situatës. Jam akoma i mendimit se shqipnija, e izolueme nga rusija nuk ka se si mos gjej herët a vonë nji konjukturë politike ndërkombëtare të favorshme, që t’i lejoj shqiptarëve me hedh këtë zgjedhë, që, nga të gjitha ç’ka parë, asht sigurisht ajo ma e tmerrshmja. Mbetem me nderimt e mija ma të thella për M. e J. dhe gjithë familjen mbretnore, në të cilat shoqnohet e gjithë familja jeme.
Mehdi Frashëri 31 Janar 1960, Romë”.


Protokolli i Korfuzit
Një ndër çështjet që Mbreti Zog i kërkonte ish-kryeministrit Mehdi bej Frashëri për t’i sqaruar, ishte ajo ku bëhej fjalë për “Veprimet e Komisionit Internacional në Korfuz, në 1914”, apo siç njihet ndryshe në historinë e Shqipërisë, si “Protokolli i Korfuzit’. Lidhur me këtë pikë, ndërmjet të tjerash në letrën e tij, Mehdi Frashëri i sqaron: “Në Konferencën e Londrës më 1913, me qenë se ishte vendosur që Korça e Gjirokastra t’i mbeteshin Shqipërisë, Greqia nuk mund t’i sulmonte hapur këto dy prefektura, të cilat i quante Epiri i Veriut. Prandaj ajo kërkonte që indirekt të gjente një shkak që këto vende, fillimisht t’i bënte autonome, dhe më vonë në një fazë të dytë t’i aneksonte ato. Për këtë qëllim guvernori grek i Janinës, mendonte që deri sa ishin trupat greke atje, të shtynte të krishterët orthodoks të asaj krahine në formën e një xhandarmërie kryengritëse, që kur të tërhiqeshin trupat greke, vendin e saj ta zinte xhandarmëria e cila do të luftonte me xhandarmërinë shqiptare po të shkonte ajo atje.

Kjo fuqi kryengritëse me shpirt grek kish nevojë për nji qeveri që ta quante veten epirote. Kështu një person i quajtur, Gjergj Zografi, i biri Kristaq efendiut, nga Lunxhëria e Gjirokastrës, me të kunatin e tij Karapanon, dhe nji oficer grek me origjinë shqiptare i quajtur Dhulis, formoji nji qeveri autonome të Epirit të Veriut. Në këtë kohë popullsia myslimane e këtyre dy prefekturave shqiptare, i hapi luftë xhandarmërisë epiriote. Nisur nga fakti se fuqia e xhandarmërisë shqiptare ishte e pamjaftueshme dhe popullsia myslimane nuk ishte e organizuar, xhandarmëria epirote filloj të digjte katundet myslimane, për të detyruar atë popullsi që të linte vendin dhe aty të mbeteshin vetëm orthodoksët. Për këtë ngjarje qeveria e Princ Widit me kryetar Turhan Pashën, u detyrua t’i drejtohej Komisionit Ndërkombëtar, që përbëhej prej delegatëve e gjashtë fuqive të mëdha ku bënin pjesë: Britania Madhe, Franca, Italia, Gjermania, Austria dhe Rusia.

Për të bashkëpunuar me këtë komision, nga ana e Shqipërisë ishte caktuar si delegat, Mehdi Frashëri. Në këtë kohë, në Shqipërinë e mesme, pjesa fanatike myslimane, filloi nji lëvizje në favor të Turqisë, duke thënë: “Duam Baba Dovletin”. Nisur nga kjo gjë, Qeveria e Princ Widit mbeti në nji pozitë shumë të vështirë, pasi fanatikët mysliman kërkonin në vendin e Princ Widit, nji princ nga Turqia. Pas kësaj Komisioni i Kontrollit Ndërkombëtar lajmëroi Zografon se do të vinte në Korfuz dhe do të bisedonte me qeverinë epirote. Në mbledhjen e Korfuzit delegatin shqiptar nuk e mbështeti asnjë nga fuqitë e mëdha, në mënyrë që ai ta detyronte Komisionin e Kontrollit për të marrë vendime në interes të Shqipërisë. Si rezultat i kësaj, Komisioni Ndërkombëtar vendosi që prefekturat e Korçës e Gjirokastrës të formonin një qeveri autonome nën juridiksionin e qeverisë shqiptare, ku oficerët e xhandarmërisë të Epirit Autonom, do të përbëheshin prej oficerësh grekë me qenë se orthodoksët shqiptarë të vendit, në kohën e Turqisë, nuk kishin pasur oficera.

Kisha orthodokse e vendit do të drejtohej prej klerit grek të emëruar prej Patriakanës së Stambollit. Gjuha e mësimit nëpër shkolla të veçanta të orthodoksve do të ishte greqishtja. Siç shihet të gjitha këto masa parashikonin greqizimin e një pjese të madhe të Shqipërisë së Jugut. Pas kësaj vendimet e Konferencës së Korfuzit, ju paraqitën Konferencës së Ambasadorëve në Paris për t’u aprovuar. Në këtë kohë qeveria epirote e Zografos kishte bërë një pakt me myslimanët fanatikë të Shqipërisë së Mesme, gjë e cila e detyroi Princ Widin të largohej nga Shqipëria. Në këtë kohë Epiriotët e thyen armë-pushimin që ishte lidhur midis fuqisë shqiptare dhe tyre, dhe vendin e qeverisë epirote të Zografos, siç edhe parashikohesh e zuri Greqia. Këto ngjarje përkuan me fillimin e Luftës së Parë Botërore. Në këtë kohë, Italia, me qenë se kishte rivendikime (pretendime) territoriale kundrejt Austrisë, me qëllim që më vonë të hynte në luftë, pushtoi Vlorën dhe me forcat aleate firmosi një traktat të fshehtë ku thuhej:
Vlora me një pjesë të krahinave rreth saj do të ishte drejt për së drejti në administrimin e Italisë dhe Shqipëria e Mesme (myslimane) nën protektoratin e saj. Ndërsa për Shkodrën në Veri dhe Korçën e Gjirokastrën në Jug, nuk do
të bënte asnjë kundërshtim, në qoftë se Konferenca, Shkodrën do të ja jepte Serbisë dhe Korçën e Gjirokastrën Greqisë.
Mbasi Lufta e Parë Botërore zgjati disa vjet dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës hynë në luftë kundra Austro-Gjermanëve e në favor të aleatëve, Presidenti Wilson deklaroi se traktatet e fshehta nuk i njihte. Në këtë kuadër, traktatin e fshehtë të Italisë me aleatët, në Konferencën e Paqes ai e quajti të pa vlerë, por me gjithë këtë, në tratativat e Konferencës në fjalë, ai propozoi që Vlora t’i mbetej Italisë dhe ana në jug të lumit Vjosë t’i jepej Greqisë. Sa për pjesën që mbetej, një zonë midis Vjosës e Liqenit të Maliqit, do të bëhej një referendum dhe përfundimi i tij do të ishte një provë se kujt do t’i mbetej ajo zonë, Shqipërisë apo Greqisë.

Me qenë se në këtë zonë shumicën e përbënin myslimanët dhe midis orthodoksëve kishte edhe nacionalistë shqiptarë, shpresa ishte e madhe që ajo të mbetej në Shqipëri. Sa për Shkodrën nuk u bë fjalë sepse ajo ishte thjesht shqiptare. Në vijim të luftës aleatët panë nevojën që në Selanik të zbarkonin një ushtri për të atakuar forcat Austro-Gjermane, duke përdorur dhe mbeturinat e ushtrisë serbe që përbëhej prej 150.000 ushtarësh, të cilat në Korfuz, aleatët i kishin riorganizuar dhe armatosur më së miri. Aleatët i propozuan dhe Greqisë që ajo të hynte në luftë në favorin e tyre, mirëpo, Mbreti Kostandin, ishte dhëndri i Kaiserit, (Mbretit të Gjermanisë) dhe përveç Venizellozit, një parti e madhe greke nuk dëshironte të hynte në luftë, vetëm në qoftë se i jepnin Stambollin.

Kjo ishte një punë që nuk bëhej, pasi ajo përkonte me qëllimet e Rusisë. Në këtë kohë, francezët filluan të dyshojnë se mos Greqia ishte në favor të Austro-Gjermanëve, dhe për të ndaluar kontaktin midis Greqisë dhe Austro- Gjermanëve, me ndërmjetësinë e naconalistit patriot, Themistokli Gërmenji, Gjenerali Sarail, komandant i ushtrive aleate në Selanik, dërgoi edhe një batalion ushtarësh në Korçë. Kjo forcë përzuri ushtrinë greke dhe formoi qeverinë e Korçës, Autonome Shqiptare, me Themistokli Gërmenjin. Pas kësaj ajo organizoi dhe dy batalione xhandarmërie shqiptare. Në këtë kohë fuqitë franceze ishin vendosur deri në katundin Selenicë të Kolonjës. Ndërsa territorin nga Selenica e deri në Sarandë e pushtoi ushtria italiane. Kështu në Korçë e Gjirokastër nuk mbeti as ushtri dhe as qeveri greke. Nga zhvillimi i këtyre ngjarjeve u bë e mundur që në Konferencën ePaqes, francezët të kundërshtonin rreptësisht për Korçën e Gjirokastrën dhe vendimet e Korfuzit nuk ju morën parasysh, pasi vetë Greqia e kishte prishur armëpushimin”.

Çështja e Himarës
Dy nga pikat e tjera që Mbreti Zog i kërkonte sqarime Mehdi Frashërit, ishin:
“Dhenomet (Privilegjet) e Himarës” dhe “Veprimet e Komisionit të Lidhjes Kombeve në Shqipërinë e Jugut”, çështje të cilat edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të krijojnë probleme. Lidhur me këto, ishkryeministri Frashëri në përgjigjen e tij për Zogun, shkruan:

“Privilegjet e Himarës janë po ato të Korçës e Gjirokastrës, me ndryshimin se në atë kohë, një person i quajtur, Spiro Milo, nga Himara, kishte vënë një kryq të madh në kraharor dhe kishte shoqëruar Zografon. Spiro Milo kërkoi një flamur të Himarës, gjë që nuk kishte ndonjë rëndësi, prandaj iu pranua nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit të Kufijve. Po kështu në atë kohë, nisur nga fakti se grekët gjithmonë ankoheshin që në Shqipëri shkeleshin të drejtat e pakicave greke, Lidhja e Kombeve vendosi të dërgonte në Shqipëri një komision të posaçëm të përbërë prej: profesorit Siderholm (finlandez), Comte de Pourtales (francez), dhe një oficeri norvegjez. Ky komision lëvizi në të gjithë Shqipërinë, si në Veri ashtu dhe në Jug dhe në fund, konstatoj se pakica greke kishte vetëm në krahinën e Dropullit në Gjirokastër dhe në Vurgun e Delvinës, të cilat nuk përbënin ndonjë rëndësi.
Ndërsa për prefekturën e Korçës, ata konstatuan se nuk kish as edhe një grek të vetëm. Si përfundim, komisioni konstatoi se grekërit quanin grekë edhe shqiptarët orthodoks. Pra siç shihet, ky komision në raportin e vet tregoj të vërtetën siç ndodhesh”.
Kështu e përfundon Mehdi Frashëri sqarimin e tij në lidhje me pretendimet e grekëve për pakicat e tyre në Shqiperi.


1865
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI