Revista
|
|
Me një shkrim në profilin e tij në facebook këshilltari i Berishës tregon orët e fundit të këtij njeriu “legjendë” për PD.
Ja se çafrë shkruan konkretisht Ilir Kadia për Berishën:
“Dje në mesditë, pasi dola nga zyra e Kryeministrit Berisha i thashë kolegut tim Ylli Asllani se do të nxitoja të botoja në “Facebook” në shenjë mirënjohje ndaj Kryeministrit Berisha për përkushtimin në punët e tij të bukura për Shqipërinë, ku unë isha dëshmitar dhe e ndihmova sa munda, një foto të përbashkët.
E shoqërova foton me të me një dedikim. Thashë se jam krenar që për afër dy vjet e ndihmova në punët e bukura për Shqipërinë, Njeriun e Mirë, Intelektualin e shquar dhe Shqiptarin e Madh, Sali Berisha!
Ngela pa mend nga reagimi. Qindra miq e të panjohur, demokratë e socialistë nga Kosova Maqedonia dhe gjithë bota i bënë “like” dhe e mbushën me komente statusin dhe foton me Berishën.
Unë kam vite që operoj në “Facebook” dhe ata që kam miq e dinë se i marr ca “like” edhe për statusin më tip koti si “I Marri” i shpallur me kohë, por më besoni nuk e prisja atë numër.
Nuk ishte për mua, shumica dërrmuese ishte për Berishën. Ishte dita që ai po merrte lajmin më të keq të jetës: Humbjen me përmasa të jashtëzakonshme në zgjedhje dhe njerëzit po i thoshin me ato pëlqime se ai nuk e meritonte këtë humbje dhe se ata e vlerësonin me fjalët e mia, por edhe me më shume akoma.
Do të dëshmoj më pas edhe për “sekretin” e ditës së parë të humbjes së tij, por do të kthehem edhe njëherë tek statusi në “Facebook” kur dikush shpotiti, nuk flas për atë që lehu, se në çfarë punësh të bukura e paskësha ndihmuar unë Berishën, nëse nuk ishte sekret?! Nuk do t’i përgjigjesha tani sikur, shih, Berisha vetë e paska thyer heshtjen e paszgjedhjeve dhe paska futur në “Facebook” reagimin e tij se gazsjellësi TAP qenka shpallur fitues. “Kjo është një fitore për gjithë shqiptarët!” – shkruan Berisha. Kaq?!
Por jo o njeri, jo! Ti duhet t’u bësh thirrje tani gjithë shqiptarëve me çfarëdo flamuri partie që kanë qejf të dalin në sheshet e Shqipërisë dhe të gëzojnë! T’i valëvisin e të gëzojnë deri pas mesnatë! Jo vetëm se do të futen në punë afër 20 mijë syresh, por gazifikimi i Shqipërisë është më i forti zhvillim në jetën e përditshme të vendit, se pas ca vitesh shqiptari do të jetojë si jeton sot anglezi dhe francezi. Nuk do t’i bërtasë gruas dhe fëmijës as në Tiranë, as në Shkodër, as në Tepelenë: “Mbylle derën” kur mes dimrit ta lërë derën hapur se nuk do e trembë, por do e shikojë shpërfillës faturën e energjisë dhe xhamat do t’i shkrijnë nga avulli. E do të vazhdojë i qetë të pijë gotën e verës se kuqe me verë nga serat me ngrohje gazi edhe të Kukësit, edhe të Korçës edhe të Librazhdit.
Por ti nuk do ta bësh këtë thirrje Kryeministri Berisha (të mbeti ky emër edhe pas dorëheqjes, kështu do të të thërrasin përherë shqiptarët). Nuk do ta bësh, se nuk do tua prishje gazin fituesve, për mua të rremë, të zgjedhjeve. Në vendin tënd ka rrezik ta bëjnë kryeministrat e Malit të zi, Kroacisë, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës. Mbaje mend!
Dhe meqë përmenda zgjedhjet, t’i kthehem ditës se djeshme të takimit me Berishën pas votimit. Bashke me Yllin ishte edhe Mirela Tabaku e shëndetësisë, këshilltarja model për nga mirësia. Ishte e mërzitur shumë. Jashtëzakonisht shumë. Në sy loti mund të dilte në çast nga keqardhja që populli nuk të kuptoi.
“Edi premtoi gjëra që unë nuk mund t’i premtoja. Nuk mund t’i premtoja shërbimin falas në shëndetësi, as heqjen e taksave për 95 për qind të popullsisë, as t’ua merrja djersën një pale e t’ia shpërndaja një pale tjetër!” – tha Kryeministri.
“Si në ‘97-ën që nuk premtuat të njihnit një borxh që nuk e kishit marrë dhe e paguat me humbjen e zgjedhjeve të radhës. Qershor ishte dhe atëherë”- i thashë unë.
“Të na vinte njoftimi për TAP-in para zgjedhjeve!”- tha Ylli Asllani. “S’ka gjë, – tha Berisha, – ka rëndësi të vijë, fiton Shqipëria! Unë e bëra atë premtim se e dija që e mbaja!”
Dhe mua me erdhi në mendje çfarë pune të jashtëzakonshme ka bërë Berisha në lobomin për TAP-in të cilit unë dy vjet me parë, edhe pse gazetar me dekada vite përvoje në vend, as emrin nuk i dija.
Ishim në Podgoricë në vizitë zyrtare. Sa kisha filluar punë si këshilltar për PR-në (në fakt mediat). Takim me kryesorët e Malit të Zi njëri pas tjetrit. Ngri dhe ul në tavoline TAP-in. Berisha rrekej t’u mbushte mendjen malazezëve se kanë rëndësi edhe rrugët mes dy vendeve, edhe zonat turistike të përbashkëta edhe rigjallërimi i hekurudhës, edhe…, por si TAP-i,jo!!!! Igor Luksic, kryeministër i asaj kohe i Malit të Zi, një djalë i arsimuar për ekonomi në SHBA e shihte në sy Berishën si studenti sheh Profesorin!
“Po, – tha, – Luksiç, do të shkoj në BE këtë javë dhe do të loboj për TAP-in. Paska kaq leverdi për ne! Patjetër. Por tani le të shkojmë të hamë një peshk nga ai i liqenit dhe të pimë nga një “Vranac” të vjetër 100-vjeçar”.
Shyqyr! – thashë unë. Më hahej aq shumë. Prisja që në dreke kur të flitej për sport, muzike apo edhe balerina e këngëtarë “crnogorase” të kisha edhe unë shans të hapja gojë e të beja kompetentin.
U futem në sallën e vogël të drekës, ngritëm gotat, bëmë “gëzuar dhe “zhiveli”, gëlltitem gjithë qejf, sipas qejfit, verën e kuqe dhe… “Shiko Luksiç, deri në Bosnjë, pale Kroacinë e Serbinë, duhet të përfshimë tregun e gazit kur TAP-i të kalojë nga Shqipëria”.
“Po ky more! Na lër o njeri të hamë një kafshore bukë, se na vdiqe!”- thashë me vete për Kryeministrin Berisha, sigurisht, pa me dëgjuar as vetja, se…jo se s’ma mbante, por nuk kishte kuptim.(Qesh) Por në fakt kur u kthyem, vura vath në vesh se sytë katër për lajmin më të vogël për gazsjellësin TAP.
Sa herë kam hyrë duke prishur radhën e kolegëve dhe ministrave mbrapa derës së Kryeministrit Berisha, se “zbuloja” lëvizjen e lajmeve për TAP-in a Nabuco-n!
Dhe ja vjen ky lajm, se është përzgjedhur TAP-i për të çuar gazin e Azerbajxhanit në Evropë. Dhe këtë lajm e përhap Berisha ndërsa të gjithë mezi presin të thotë: Humba! Nuk do të hipi prapë në kalë! Nuk do të guxoj! ( As një fije nuk besoj unë!)
Dhe gazsjellësi kalon nga Korça e Devolli im, nga Skrapari i kunatit, Fieri i nipit, Vlora e gruas dhe e imja, viset tona që, për mua, gabuan kur votuan aq shumë kundra Kryeministrit Berisha!
“Megjithatë, TAP-in e fitoi Shqipëria! – tha Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha.
E unë si?! Të mos jem krenar që e ndihmova në këtë punë të bukur për vendin?! Çfarë thua mor mik?! Gjithë jetën!”.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje