Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Irlanda shteti më i arsimuar në BE (Satistikat per SHBA dhe Europen)
Publikuar me 26 Pri 2013

Irlanda shteti më i arsimuar në BE (Satistikat per SHBA dhe Europen)

Agjencia e Statistikave të BE-së ka nxjerrë përfundimet për përqindjen e të diplomuarëve ku Irlanda kryeson listën. Bashkë me të disa shtete kanë arritur objektivat e tyre, ndërsa disa të tjera kanë ende punë për të bërë.

Irlanda ka përqindjen më të lartë të personave me arsim të lartë në raport me popullsinë në krahasim me 27 shtetet e Bashkimit Europian, siç raporti i Eurostat, agjencisë së statistikave të BE-së, ka bërë të ditur.

Duke parë përqindjen e njerëzve nga mosha 30-34 vjeç që kanë kryer nivelin e tretë të arsimit, Eurostat thotë se në 2012-ën, 51.1% e rezidentëve të Irlandës kishte diplomë universitare. Kjo republikë ndiqej nga Qiproja (49.9%), Luksemburgu (49.6%) dhe Lituania (48.7%).

Ndërkohë, përpjesëtimi më i ulët i të diplomuarve me arsim të lartë është në Itali (21.7%), Rumani (21.8%) dhe Maltë (22.4%).

Po t’u referohemi shteteve të tjera të mëdha europiane, përqindjet janë 47.1% për Britaninë, 31.9% në Gjermani (e cila ruan një traditë të arsimit profesional), 43.6% në Francë, 40.1% në Spanjë dhe 39.1% në Poloni.

Të gjitha shtetet anëtare të BE-së kanë targete kombëtare për të rritur numrin e qytetarëve të tyre me arsim të lartë dhe raporti i Eurostat thotë që tetë prej tyre i kanë përmbushur ose kaluar objektivat e tyre kombëtare për 2020: Danimarka, Qipro, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Finlanda dhe Suedia.

Komisionerja e BE-së për arsimin, Androulla Vassiliou ka thënë: “Progresi në rritjen e targeteve tona të arsimit është një mesazh pozitiv në kohën e pasigurive ekonomike.

Më tej ajo ka vazhduar: “Profesionet e së ardhmes do të kërkojnë kualifikime më të larta dhe këto shifra tregojnë se gjithmonë e më shumë të rinj janë të përgatitur për të arritur potencialin e tyre të plotë. Unë i ftoj gjithë shtetet anëtare të mbështesin përpjekjet e tyre në mënyrë që të arrijmë synimet tona”.

Ajo vuri në dukje që jo të gjitha shtetet po bëjnë progres dhe Eurostat regjistroi një rënie në numrin e të diplomuarve të arsimit të lartë si një përpjesëtim i popullsisë së përgjithshme për 2012, krahasuar me 2010. Këto përfshijnë Belgjikën (nga 44.4% në 43.9%), Bullgaria (nga 27.7% në 26.9%), Estonia (nga 40% -39.1%) dhe Spanjë (nga 40.6% në 40.1%). Vassiliou iu bëri thirrje këtyre shteteve të “rrisin përpjekjet e tyre dhe të ndjekin shembujt e shumtë të praktikave të tilla”.

Panorama afatgjatë është më rozë, me një përpjesëtim të njerëzve të moshës 30-34 vjeç, të cilët kishin kryer arsimin e lartë në 2012-ën në rritje në të gjitha shtetet anëtare që nga 2005. Shifra e tyre pothuaj është dyfishuar në Letoni (nga 18.5% në 2005 në 37% në 2012), Republikën Çeke (13% në 25.6%).

Njëkohësisht, Eurostat ka thënë se mesatarisht ka më shumë gra në moshën 30-34 vjeç që kanë kryer arsimin e lartë sesa meshkuj në BE: 40 krahasuar me 31.6%. Dhe kjo është një e vërtetë e të gjitha shteteve anëtare, me hendekun më të madh gjinor në Estoni, Letoni dhe Slloveni.

Për gratë, përqindja e përfundimit të shkollës së lartë varion nga 23.2% në Rumani në 57.9% në Irlandë. Për burra, ajo shkon nga 17.2% në Itali në 50.4% në Luksemburg.

Komisioni Europian do të nxjerrë një raport mbi zhvillimet që kanë të bëjnë me rritjen e numrit të studentëve në institutet e arsimit të lartë në këtë bashkim kombesh.

Eurostat i botoi shifrat e tij në Sondazhin e Forcës së Punës të BE, i cili siguron të dhëna mbi tregun e punës të BE-së, përfshirë ndjekjen e studimeve.

Shqipëria ende larg standardeve të BE-së
Në Ballkan, veçanërisht në Shqipëri në dhjetë vitet e fundit, ka pasur një shpërthim të numrit të universiteteve private dhe është krijuar ideja se ka një mbingopje të tregut. Megjithatë, vendet e Ballkanit, edhe pas hapjes së universiteteve private, vazhdojnë të kenë një përqindje më të ulët të numrit të studentëve në krahasim me vendet perëndimore.

Shqipëria ka një numër edhe më të vogël, madje edhe në raport me vendet e rajonit. Për shembull, në 100 amerikanë, të paktën 42 prej tyre kanë një diplomë të shkollës së lartë; për 100 europianë, përafërsisht 32–36 kanë një diplomë të tillë; kurse në Shqipëri më pak se 10 veta, ose nën 9 për qind, nga 100 njerëz, kanë diplomë universitare.

Kjo do të thotë se ka ende vend për zhvillim, për një analizë tërësore të gjendjes së arsimit të lartë në vend, si dhe të gjendjes së tregut të punës. Për këtë duhet t’u referohemi praktikave më të mira, më cilësore dhe më të avancuara të sistemit të arsimit të lartë.


1043
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI