Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Interneti, Tirana më e ngadalta në rajon
Publikuar me 07 Qer 2010

Interneti, Tirana më e ngadalta në rajon

Mund të duket shaka, por ndonëse nuk kanë ujë në shtëpitë e tyre dhe ndonëse deri një vit më parë nuk kishin as energji elektrike 24 orë, shqiptarët, kur vjen puna për internetin përfaqësojnë popullin europian me rritjen më të lartë të përdorimit nga viti në vit.
Sipas disa statistikave globale që mund të gjenden në faqen e internetit internetëorldstats.com rezulton se në Shqipëri ka sot jo më pak se 750 mijë përdorues.
Ky numër në fakt ngjason pak i habitshëm kur mendon se pasja e internetit në shtëpi, konsiderohet ende një luks për shumicën e familjeve shqiptare. Dhe sigurisht, ky numër jo i vogël përdoruesish, mbi 80 përqind e të cilëve janë nën moshën 30 vjecarë nuk ka aspak lidhje me “ëndrrën” e kryeministrit për ta çuar Shqipërinë në epokën dixhitale.
Tjetër gjë është aspirata e të rinjve shqiptarë për të përfituar nga lehtësirat e internetit, e tjetër gjë është aspirata e kryeministrit Berisha që vetëm për teknologjinë dhe internetin nuk ka menduar asnjëherë me të njëjtin vullnet, siç, - për shembull, - mendon për familjarët e liderit të opozitës, Edi Rama apo për të krijuar lloj lloj diversionesh politike…
Harta e shpejtësisë së internetit: Tirana, më e ngadalta mes kryeqyteteve të Ballkanit
Për të kuptuar më mirë se sa cilësore kanë qenë investimet në fushën e teknologjisë dhe komunikimit në Shqipëri, MAPO përdori një teknikë fare të thjeshtë testuese dhe krahasuese.
Në faqen e internetit speedtest.net çdokush që di të përdorë internetin mund të testojë shpejtësinë e tij dhe ta krahasojë atë me çdo qytet apo vend tjetër të botës. MAPO përdori disa lidhje të internetit, në zona të ndryshme të Tiranës, nga ish-blloku, në qendër, pastaj në rrugën e Durrësit, në pjesën ku lidhet Unaza me sheshin “Rilindja”, si dhe në zonën periferike të Ish-Kinostudios.
Në të gjitha këto zona të kryeqytetit shqiptar, rezulton se shpejtësia e internetit është një ndër më të voglat në Ballkan. Rezulton kështu, që për të shkarkuar 5 MB një MP3 file nevojiten jo më pak se 45 sekonda, ndërkohë që për të njëjtin shërbim në vende të tjera të rajonit, si në Beograd mund të mjaftojnë edhe 25 sekonda!
Sipas të njëjtit test që mund të bëhet nga kushdo dhe në çdo moment në faqen speedtest.net, rezulton se për të shkarkuar një video të përmasave 35 MB nevojiten të paktën 5 minuta në Tiranë, ndërkohë që këtë gjë mund ta bësh në Shkup për vetëm 3.5 minuta!
Gjithashtu, për të shkarkuar një film të zakonshëm 800 MB, në qendër të Tiranës nevojiten të paktën 119 minuta ndërkohë që dhe në Prishtinë këtë gjë mund ta bësh edhe për më pak se 105 minuta!

Shakaja pa kripë e kryeministrit!
Në vitin 2006 gjatë një takimi elektoral kryeministri Berisha mbajti një fjalim para një turme njerëzish që jo vetëm nuk e kuptonin atë që po thoshte ai, por mbi të gjitha as që donin t’ia dinin se çfarë po artikulonte me zë të lartë! “Cdo dhomë e juaja”, tha kryeministri atëherë, “do të bëhet me një kompjuter… s’po them …nuk po them Pentium 4, por Pentium 3 dhe Pentium 2… me 100 përqind!” Kjo shaka absurde e kryeministrit (në fakt fyerje edhe për ata 750 mijë përdorues të internetit në Shqipëri) bëhej 4 vjet më parë, atëherë kur kompjuterat Pentium 2 kishin të paktën 15 vjet që nuk preferoheshin më (sot jo vetëm që nuk preferohen po as prodhohen më!).
Sipas statistikave në internet rezulton se çdo vit, numri I përdoruesve të internetit në Shqipëri rritet në masën 300 përqind po kjo është një “arritje” tërësisht personale pasi kur vjen puna për investimet në këtë fushë, Shqipëria mbetet ende vendi më modest jo vetëm në Europë, por edhe në të gjithë rajonin.
Të gjitha investimet në këtë fushë nuk janë kryer asnjëherë sipas një politike inkurajuese të qeverisë, por vetëm në bazë të intuitës së disa bizneseve që më shumë se kudo tjetër kanë gjetur në Shqipëri edhe nevojën e lartë për këto investime, edhe infrastrukturën më të papërshtatshme, edhe klimën më pak favorizuese për shkak të konfliktualitetit politik dhe për shkak të ndërhyrjeve klienteliste në treg të qeverisë.
“Përdorimi i internetit është shtuar ndjeshëm” deklaroi para qeverisë Ministri Genc Pollo, në shkurt të këtij viti, sipas të cilit “kemi shënuar rritjen më të shpejtë në Evropë dhe këtë e tregon më së miri shumëfishimi 30 herë brenda një viti i lidhjeve ADSL”.
Plotësisht e vertetë kjo deklaratë kur e krahason edhe me shifra të tjera jozyrtare, por gjatë së njëjtës mbledhje të qeverisë, Pollo deklaroi edhe se: “ofrimi i internetit në shkolla është arritur në masën 100% në sajë të një programi të Qeverisë të iniciuar në vitin 2006”. Kjo e dyta është një prej deklaratave më të pavërteta, pasi sipas raportimeve të vazhdueshme të medias, shumica e shkollave shqiptare ndodh që nuk kanë as edhe energji elektrike, jo më internet të aksesueshëm nga nxënësit.

Interneti, shqetësim për
përdorimin e pakujdesshëm…
Sipas disa sondazheve të fundit për përdorimin e internetit nga të rinjtë rezulton se të paktën 57 përqind e të rinjve janë të ndërgjegjshëm se nuk është e sigurt të postosh informacion personal në internet, megjithatë 44 përqind e të rinjve ende postojnë detaje rreth tyre, ndërsa 1 në 8 bën publike edhe adresën e shtëpisë. 40 përqind e prindërve në të gjithë Europën pranojnë se ata nuk monitorojnë veprimet e fëmijëve të tyre në internet.
Teknologjia e re ofron një pafundësi mundësirash për të qenë krijues. Fëmijët dhe adoleshentët të cilët janë përdoruesit më të mëdhenj të këtyre rrjeteve, i përdorin këto mundësi kreative për të shprehur identitetin e tyre. “Por nga ana tjetër fëmijët dhe të rinjtë janë në procesin e zhvillimit të personalitetit të tyre dhe për këtë arsye, ata mund të jenë të ndjeshëm ndaj thashethemeve apo problemeve të tjera që mund t’u happen me publikimin e informacioneve të ndryshme”, thotë për MAPO z. Altin Hazizaj drejtor i CRCA-se.
Fëmijët dhe të rinjtë nuk janë gjithmonë të ndërgjegjshëm që informacioni që ata publikojnë mund të qëndrojë në internet për vite e vite të tëra, ai mund të shikohet nga kushdo, madje dhe nga prindërit e tyre, nga punëdhënësit apo edhe nga predatorë të mundshëm… Ndonjëherë informacioni mund të keqpërdoret për qëllime të këqija nga njerëz të paskrupullt.


1569
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI