Revista
|
|
Pasaporta
Tiranë
Inis Gjoni, një nga prezantueset më të njohura të ekraneve tona ka provuar dy netë më parë qelinë për disa orë me radhë, për t‚u lënë e lirë vetëm në orët e para të mëngjesit.
Sipas burimeve, shkak për këtë është bërë fakti që ka qenë e ulur në tavolinë me Arjan Selimin, ndaj të cilit prokuroria ka ngritur një akuzë. Por nuk përjashtohet edhe versioni që 28-vjeçarja të jetë e përfshirë në trafik. Megjithatë, kjo gjë do të vërtetohet nga organi i akuzës. Ajo është një nga të shoqëruarit, të cilët sipas policisë merren me trafikimin e lëndëve narkotike. Kënaqësia e darkës që po kalonte me të dashurin dhe dy miqtë e këtij të fundit, i është prishur nga disa persona civilë të cilët u janë prezantuar si policia. Më pas ata e kanë gjetur veten në një nga furgonat e policisë. Gazeta ”Panorama” ka arritur të sigurojë një pjesë të dëshmisë së 28-vjeçares dhënë para oficerëve gjyqësorë. Sipas këtyre burimeve, Gjoni ka rrëfyer lidhjen që ka me Arjan Selimin. Nga dëshmia e saj del se ajo thjesht bashkëjetonte me të, por nuk kishte dijeni se ai mund të merrej me drogë.
Rrëfimi
Operacioni më i bujshëm policor i ditëve të fundit duket se e ka goditur rëndë edhe jetën private të njërës prej prezantueseve më të njohura në vend. Inis Gjoni ka dhënë llogari para organeve kompetente se cila ishte lidhja e vërtetë që kishte me Arjan Selimin dhe nëse ishte e përfshirë në aktivitetet e kundraligjshme me të cilat merrej ai. ”Unë me Arjan Selimin bashkëjetoj prej një viti e gjysmë dhe nuk kam dijeni se ai mund të merret me ndonjë aktivitet të kundraligjshëm”. Kështu e ka nisur dëshminë e saj, Inis Gjoni, njëra prej fytyrave më të njohura të ekraneve shqiptare para oficerëve gjyqësorë. Ajo që në momentin e parë ka mësuar se është vetëm e shoqëruar dhe nuk duhet të kundërshtonte asnjë nga urdhrat e agjentëve civilë të antidrogës. Më pas ajo ka treguar se Arjanin e kishte njohur para një viti e gjysmë dhe, duke qenë se shkonin mirë, kishin vendosur të bashkëjetonin në një apartament te Blloku. Në të njëjtën kohë ajo ka mësuar gjithashtu se jo vetëm telefoni i Selimit, por edhe i saji përgjohej prej kohësh. “Unë nuk e di se pse më keni shoqëruar, unë nuk di asgjë nga këto që thoni ju. Unë nuk kam transportuar ndonjëherë drogë”, iu është kthyer 28-vjeçarja e nervozuar oficerëve gjyqësorë që po e merrnin në pyetje.
Një pjesë e dëshmisë
Oficeri gjyqësor: Ç’lidhje keni me Arjan Selimin?
Inis Gjoni: E kam të dashur.
Oficeri gjyqësor: Prej sa kohësh njiheni bashkë?
Inis Gjoni: Unë jetoj me Arjanin prej një viti e gjysmë.
Oficeri gjyqësor: Jetonit bashkë?
Inis Gjoni: Po, kishim një apartament tonin.
Oficeri gjyqësor: Në cilin vend ndodhet apartamenti juaj?
Inis Gjoni: Në një apartament te ish-Blloku.
Oficeri gjyqësor: A keni dijeni që i dashuri juaj merrej me trafikim droge?
Inis Gjoni: Jo. Nuk e di një gjë të tillë. Madje as nuk më ka shkuar ndër mend.
Oficeri gjyqësor: Po dy personat që ishin në tavolinë me ju, i njihni?
Inis Gjoni: Po i njoh, ata janë miqtë e të dashurit tim. Por edhe për ata nuk kam dijeni që mund të merren me ndonjë aktivitet të kundraligjshëm.
Oficeri gjyqësor: A keni vënë re ndonjë gjë të çuditshme në sjelljen e të dashurit tuaj? Nuk ju ka bërë përshtypje ndonjë telefonatë?
Inis Gjoni: Jo. Me mua Arjani gjithmonë sillej normalisht dhe unë nuk e kam kuptuar asnjëherë se ai merrej me veprimtari të kundraligjshme. Pastaj nuk e kishim për zakon t‘i dëgjonim telefonata njëri-tjetrit.
Oficeri gjyqësor: Ju vetë, a keni transportuar ndonjëherë drogë?
Inis Gjoni: Jo, asnjëherë.
Kush është Arjan Selimi
Arjan Selimi ka lindur në vitin 1974 në Shkodër. Në kryeqytet ai njihet si një biznesmen i fuqishëm. Ai zotëron disa prej lokaleve më me emër në kryeqytet, në të cilat të rinjtë kalojnë pjesën më të madhe të kohës. 30-vjeçari kishte katër vjet që ishte kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë familja e tij jeton ende atje. Selimi bashkëjetonte me bukuroshen e njohur Inis Gjonin që prej gati dy vjetësh. Edhe në momentin e arrestimit ata kanë qenë bashkë në restorant-piceri “Rozafa” duke darkuar në shoqërinë e dy personave të tjerë. Sipas burimeve nga policia, Selimi dyshohet të jetë njëri nga krerët e organizatës së trafikut të drogës. Kjo e fundit e shtrinte aktivitetin e saj në disa vende të Ballkanit me destinacion Italinë. Madje, mësohet se edhe urdhërarresti për të riun është prerë në vendin fqinj. Duket se policia italiane ka treguar interes të veçantë për Selimin, pasi edhe gjatë operacionit në të cilin ky është vënë nën pranga, ka marrë pjesë edhe një prokuror italian. Bashkë me të arrestuarit janë shoqëruar edhe persona të tjerë, të cilët kanë lidhje farefisnore me Selimin. Bëhet fjalë për Perikli Dhales dhe dy djemtë e tij, Hetin dhe Frenklin. 30-vjeçari i arrestuar është kushëriri i parë i djemve të Dhales. Ata janë shoqëruar për në polici dhe më pas janë lënë të lirë. Uniformat blu kanë qenë të rezervuara në dhënien e informacionit për 30-vjeçarin. Ende nuk dihet nëse ky ka pasur më parë probleme me drejtësinë apo jo.
Pronat e të arrestuarve nën verifikim
Drejtori i përgjithshëm i Policisë shpjegoi dje gjatë konferencës për shtyp se të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të personave të arrestuar po verifikohen, për të parë se nga ka ardhur burimi financiar që ka ndikuar në ngritjen e aktiviteteve financiare. Kjo do të shërbejë edhe për të provuar në njëfarë mënyre edhe akuzat e ngritura ndaj tyre.
Gazeta Panorama
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje