Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Ikën kreu i RENEA-s, ja 80 operacionet më të bujshme
Publikuar me 27 Nen 2007

Ikën kreu i RENEA-s, ja 80 operacionet më të bujshme

Ikën nga detyra legjenda e RENEA-s. Bujar Ahmeti disa ditë më parë ka lënë detyrën si komandant i Repartit të Eliminimit dhe Neutralizimit të Elementëve të Armatosur, për t'u emëruar në krye të FNSH-së së Fierit. Ahmeti mund të quhet me plot gojën rekordi i qëndrimit në krye të një institucioni të rëndësishëm shtetëror. Për plot dhjet vjet, 36-vjeçari nga Tepelena ka drejtuar forcat elitë të Policisë së Shtetit dhe ka drejtuar operacione mjaft të suksesshme.

Ka filluar punë në vitin e trazirave, duke arrestuar kapobandat që kishin pushtuar vendin dhe ka vijuar më tej në superaksione shpëtimi, pengmarrjeje, kapje personash në kërkim, sigurim të personaliteteve të larta që kanë vizituar vendin tonë, etj. Janë të paktën 80 operacione që janë cilësuar si më të suksesshmet, të realizuar nga RENEA. Që nga sigurimi i vizitës së sekretarit të OKB-së, De Kuelar, në vitin 1990, në arrestimin e 5 bashkëpunëtorëve të Bin Ladenit e deri të vizita e Presidentit amerikan Xhorxh W. Bush në Shqipëri. Natyrisht një pjesë e këtyre aksioneve nuk janë drejtuar nga komandanti Bujar Ahmeti, por roli i tij në operacionet e zhvilluara pas vitit 1997 ka qenë mjaft i rëndësishëm.
Ndryshimi në RENEA
E njohur si një nga forcat më të dalluara të policisë shqiptare, RENEA u ka shpëtuar ndryshimeve dhe reformave të shpeshta, prej vitesh. Në krye të trupave të zgjedhura qëndronte Bujar Ahmeti, por disa ditë më parë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi dhe drejtori i Forcave Lëvizëse Operacionale (FLO), Hamdi Fjora, kanë prezantuar përpara efektivit drejtuesin e ri të repartit më të zgjedhur, një nga oficerët më me eksperiencë dhe më të mirë të specialeve, Luigj Vathin. Inspektori Vathi, pjesëmarrës në dhjetëra operacione të shkallës më të lartë të vështirësisë në më shumë se një dekadë në kontributin e tij në repartin RENEA, i ka kaluar të gjitha shkallët e karrierës, që nga komandant grupi, instruktor qitjeje, taktike dhe nivele të tjera komanduese atje. Ndërkohë, Bujar Ahmeti është emëruar në një detyrë tjetër, në atë të drejtimit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Fier.
Historia e RENEAS
Zanafillën e krijimit, forcat speciale të RENEA-s e kanë në vitin 1982, atëherë kur u krijua Batalioni 326, antidemonstratë, i Ministrisë së Brendshme. Elementët e përzgjedhur në atë kohë, ishin ushtarakë profesionistë dhe vinin kryesisht nga policia, nga Garda e Republikës, nga zhytësit e Marinës Luftarake, etj. Këto forca deri në vitin 1990 u impenjuan kryesisht në stadiume, ku si rezultat i problemeve sociale dhe ekonomike që po kalonte Shqipëria, ishte shtuar dhuna e tifozëve. Gjatë kësaj kohe u përdorën vetëm dy herë në konflikte të armatosura, një herë në vitin 1983 kur nga Italia erdhi një bandë prej 5 shqiptarësh dhe amerikanë që trafikonin kokainë, të cilët kishin vendosur të sfidonin diktaturën dhe u vranë të gjithë. Me arritjen e pluralizmit politik në Shqipëri, filloi rindërtimi i institucioneve demokratike të brishta, ku në emër të një kryqëzate antikomuniste, u larguan nga funksionet e tyre shumë juristë dhe investigatorë të zotë, shumë nga të cilët nuk ishin kompromentuar me regjimin komunist. Kjo i lejoi kriminalitetit të organizuar ndërkombëtar, që të vendoste bazat e para në vendin më të varfër të Evropës, sigurisht në bashkëpunim me kriminalitetin shqiptar. Këto fakte çuan në shtimin e akteve të dhunshme si vrasje, rrëmbim personi dhe trafiqe të paligjshme. Kështu që ishte e pamundur për repartin që të mbante një dopio-rol. Për këto arsye, në nëntor 1991, pas një procesi shumë të rreptë seleksionimi, rreth 80 operatorë nga 600 të 326-s formuan RENEA-n. Pjesa e tjetër së bashku me anëtarë të të tjerave njësi elitë, formuan FNSH-në.
Emri RENEA
Në nëntorin e vitit 1991, forcat më të specializuara të policisë së asaj kohe në emrin Batalioni 326, nuk do të quheshin më ashtu. Gjithçka do të ndryshonte dhe këta djem, të specializuar në eliminimin dhe neutralizimin e elementëve të armatosur, do të ishin pjesë e një reparti që mori emrin RENEA. Një emër që vjen pikërisht nga funksioni shumë i rëndësishëm që kryenin forcat speciale, pra do të quhej Reparti i Eliminimit dhe Neutralizimit të Elementëve të Armatosur. Po në këtë vit do të shënohet edhe vrasja e parë në radhët e RENEA-s. Një djalë vetëm 21 vjeç, pjesë e këtij reparti elitë, u vra në Shkodër. Që nga viti 1991, RENEA ka humbur tre djem në aksionet e saj dhe ka pasur më shumë se 40 të plagosur rëndë. Qoftë Reparti, qoftë elementë të saj të veçantë, kanë marrë dekoratat më të larta të shtetit shqiptar dhe nga shume vende perëndimore.
Armatimi
Fillimisht armatimi bazë i Repartit 326 ishte ai tipik i Forcave të Armatosura, AK-47 dhe AKMS e pistoleta TT 33. Si armatim special përdorej snajperi "Dragunov", thika-pistoletë M 316, pistoleta "Makarov", "Stechkin" me kalibër 9,2x18 PM 54. U përdor edhe një sasi "Colt Governmen"t 1911 cal .45 ACP (11,43 mm) dhe "Brouning" HP 35 cal 9 "Luger", të marra si ndihmë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që nuk ishin përdorur deri në krijimin e 326, dhe "Valter" P-38 trofe lufte, edhe kjo në cal 9 "Luger". Pas vitit 1990 filloi adoptimi i armatimit perëndimor, si pump-action riot gun cal 12 "Magnum", pistoleta paralizuese elektrike dhe pajisje antisomoza italiane e franceze. Nga viti 1992 arritën snajper të një cilësie të mirë të pajisura me dylbi dite dhe nate. Në të njëjtën kohë u adoptuan edhe dy armë që janë adoptuar nga të gjitha njësitë antiterroriste të botës si pistoleta "Beretta" 92 FS dhe SMG gjermane, "Heckler und Koch" MP5 dhe MPK.

Bujar Ahmeti drejtoi RENEA-n me 9 ministrat e Brendshëm

Që nga koha kur komandanti i RENEA-s, Bujar Ahmeti, ka marrë detyrën dhe deri në momentin që është larguar nga ajo detyrë, në dikasterin blu janë ndryshuar 9 ministra të Brendshëm. Perikli Teta ka qenë ministri që ka emëruar si komandat të Repartit të Eliminimin dhe Neutralizimit të Elementëve të Armatosur, Bujar Ahmetin. Më pas ai ka qëndruar në këtë detyrë edhe kur në krye të dikasterit blu ka qenë Petro Koçi, Spartak Poçi, Ilir Gjoni, Stefan Çipa, Luan Rama, Igli Toska, Sokol Olldashi dhe së fundmi Bujar Nishani.

OPERACIONET E RENEA-s

11-13 MAJ 1990
RENEA ose siç quhej atëherë, Batalioni 326, siguron vizitën e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Peres de Kuelar. Ishte vizita e parë e një zyrtari të lartë të huaj që kishte mbledhur aq shumë njerëz, sidomos në qendër të Tiranës, kur De Kuelar vizitoi Muzeun Historik Kombëtar. Por falë forcave speciale, gjithçka shkoi më së miri.

JANAR 1991
Revoltë në burgun e Shënkollit. Kriminelë të armatosur marrin disa gardianë peng. Mediat e gjithë botës i kishin sytë të drejtuar nga Shqipëria. Qeveria e atëhershme dërgon forcat speciale 326 ose siç quhen sot, RENEA dhe situata u vu nën kontroll pa gjakderdhje, vetëm me lotsjellës dhe plumba plastikë. I vetmi i plagosur qe një operator i Repartit, i cili është edhe sot në shërbim.

22 QERSHOR 1991
Forcat speciale RENEA marrin përsipër të sigurojnë vizitën e sekretarit të Shtetit amerikan, James Baker, dhe ia dalin më së miri. Ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, William Rajerson, ka qenë dëshmitar i afërt i një ngjarjeje që i habiti diplomatët dhe politikanët amerikanë të kohës, pritja madhështore që shqiptarët i rezervuan sekretarit të Shtetit, James Baker.

23 QERSHOR 1992
Një operacion i policisë së Fierit dhe forcave RENEA kap 24 orë pas vrasjes së një familjeje në Libofsh dy vëllezër. Ky operacion për vrasjen e një familjeje me pesë anëtarë, ku mes tyre edhe një foshnje, ka bërë identifikimin e autorëve dhe më pas arrestimin e vëllezërve Josif Çuka dhe Didbardh Çuka. Më pas, për një javë drejtësia shqiptare zhvilloi gjyqin dhe dënoi me vdekje dy vëllezërit. Ata u ekzekutuan 20 ditë pas krimit, duke u varur në litar.

NENTOR 1992
Gjatë përmbytjeve që goditën shumë zona të Shqipërisë, RENEA me helikopterë dhe gomone, në kushte kohe dhe vështrimi shumë të vështira, u shpërndau ushqime, veshmbathje dhe asistencë mjekësore mijëra të shpërngulurve. Një shembull guximi qe ai i një operatori (i vrarë në gusht 1993), i cili u hodh në ujin e akullt dhe u shpëtoi jetën tre barinjve që po mbyteshin.

25 PRILL 1993
Vizita e Papa Gjon Pali II në Shqipëri u sigurua nga forcat speciale RENEA. Ati i Shenjtë vizitoi Tiranën dhe Shkodrën, qendrën e katolicizmit në Shqipëri. Në këtë qytet ai mori pjesë në inaugurimin e katedrales së re, ndërtesës që në vitin 1967 ishte transformuar në pallat sporti, si dhe shuguroi 4 peshkopë shqiptarë. Vizita e Papës erdhi 2 vjet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë, të ndërprera që në vitin 1939, pas pushtimit fashist.

PRILL 1996
Gjatë takimit të presidentit Scalfaro me homologun e tij Berisha, në Tiranë, një i çekuilibruar i armatosur me një bombë dore pa siguresë, Ilir Buza, kërkoi që t’i afrohej presidentëve. Menjëherë personalitetet u larguan nga skena dhe ndërsa një oficer i RENEA-s negocionte me Buzën, operatorë tjerë arritën ta çarmatosin dhe t’i vënë siguresën bombës.

GUSHT 1996
Isht-Presidenti Amerikan, Xhorxh Bush, (i vjetri), mbërrin në Vlorë me një jaht, bashkë me ish-shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Amerikës, Colin Powell dhe të birin, Jep Bush. Policia shqiptare ishte lajmëruar për vizitën e tyre dhe ngarkon në detyrë për t’i siguruar forcat speciale RENEA. Gjithçka shkon më së miri, pas asnjë incident.

JANAR 1997
Një studente, në Qytetin Studenti, në Tiranë, në krizë depresive kërcënonte se donte të vetëvritej me një bombë dore, të cilës i kishte hequr siguresën. Asnjë person, të afërm të saj apo miq, nuk arritën ta bindnin dot që ajo të mos vetëflijohej. Ndërhyrja e RENEA-s zgjidhi situatën pa gjakderdhje. U deshën negociatorët e repartit special, që vajza të bindej dhe të dorëzonte armën që mbante në dorë.

15 MARS 1997
Cënimi i sigurisë së zyrtarëve të ambasadës amerikane në Tiranë, por edhe i personave të tjerë me nënshtetësi amerikane gjatë trazirave të ’97-s, “detyroi” SHBA-në që të sillte në Shqipëri një anije me marinsat më të specializuar. Duhej të evakuonin të gjithë shtetasit dhe nënshtetasit amerikanë, në mënyrë që të mos kishin asnjë rrezik për jetën. Pjesë e misionit të marinsave ishte edhe mbërritja e diplomatëve shëndoshë e mirë në atdheun e tyre. Për të shkuar gjithçka më së miri, sigurisht duhej edhe ndihma e forcave më të specializuara shqiptare, RENEA.

PRILL 1997
Në prill të vitit 1997, 90 për qind e komisariateve u shkatërrua nga turmat dhe të gjithë punonjësit e policisë u larguan nga godinat duke i braktisur ato. RENEA i rimori njëri pas tjetrit nën kontroll, rithirri në shërbim të gjithë policët, rivuri në funksion sistemet e sigurisë dhe të transmetimit. Në shumë nga këto komisariate, operatorët riparuan personalisht zyrat e dëmtuara.

16 GUSHT 1997
Operacioni i forcave speciale në qytetin e Vlorës ka arritur që të grumbullojnë 7 mitraloza të rëndë 12,7 mm, si dhe një numër të madh armësh të tjera të rënda dhe municion. Në lagjen “Çole” forcat speciale RENEA dhe të policisë kanë ndaluar 20 persona, midis të cilëve 4 pjesëtarë të grupit të Myrteza Çaushit, 2 nga të cilët vëllezërit e tij.

VITI 1997
Gjatë revoltave, RENEA ngarkohet që të rikuperojë arin dhe vlerat monetare nga të gjitha bankat e Shqipërisë dhe t’i sillte në Bankën Qendrore në Tiranë ku ishin të sigurta. RENEA kreu misionin me furgonë IVECO të pablinduar dhe nuk humbi asnjë qindarkë. Rikuperimi i këtyre vlerave me furgonë të pablinduar, në momente kur turma e tërbuar vrau dhjetëra policë, kujtohet nga Reparti si “operacioni kamikaz”.

JANAR 1998
Disa persona kishin marrë peng kinezin Çu, i cili ndodhej me banim në Tiranë. Prej disa ditësh me radhë policia ka hetuar për këtë ngjarje dhe për këtë është ngritur një grup i posaçëm pune nga uniformat blu dhe RENEA. Një operacion i suksesshëm i policisë së kryeqytetit ka bërë të munduar që shumë shpejt të lirojnë pengun, të cilin e kishin futur në një bodrum.

21 GUSHT 1998
RENEA arreston në Tiranë 5 islamikë terroristë të lidhur me rrjetin e Bin Ladenit, të kërkuar në të gjithë botën. Mes tyre ishte një shumë i kërkuar. Të gjithë dyshoheshin se ishin pjesëtarë të një celule në Shqipëri. Por, policia e Tiranës nuk nxjerr asnjë komunikatë dhe njoftim lidhur me këtë operacion të fshehtë i bashkëpunuar me agjentë të CIA-s.

24 TETOR 1998
Vritet në një vilë pranë “Oxhakut” në Tiranë, Selam Muhamed Omar Al Said, 27 vjeç, një arabo-egjiptian, i kërkuar për 25 krime. Ai sapo kishte ardhur nga Italia dhe falë përgjimeve të telefonatave të bëra me gruan e tij shqiptare, u bë edhe zbulimi. Një skuadër e RENEA-s shkon për ta arrestuar, por ai i përgjigjet me armë policisë. Nga plumbat plagoset komandanti i specialeve Artan Didi. U fsheh në lavatriçen që nga brenda ishte bosh, por ekzekutohet pikërisht aty.

1 NENTOR 1998
Një oficer policie që po kryente shërbimin bashkë me disa punonjës policie në postbllokun e Mirakës, ka rënë viktimë e dy banditëve të cilët janë prezantuar si punonjës të Ministrisë së Rendit. Ata po udhëtonin me një “Benz” pa targa, me shpejtësi skëterrë, por makina është bllokuar nga punonjësit e policisë. Për mungesë dokumentesh shoferi dhe shoqëruesi janë shoqëruar nga oficeri i policisë, A.S, për në Komisariatin e Librazhdit, por në mes të rrugës, të dy banditët kishin nxjerrë pistoletat dhe e marrin peng oficerin e policisë. Gjithçka zgjidhet vetëm me ndërhyrjen e negociatorëve të RENEA-s.

MARS 1999
Tre persona të armatosur, me precedentë të mëparshëm kriminal, vrasin për një ditë tre policë dhe katër qytetarë në Berat. Më pas ata ngujohen në një shtëpi dhe marrin peng një çift me fëmijën e tyre 7-muajsh. Kërkohet ndërhyrja e forcave speciale RENEA për çlirimin e pengjeve. Gjatë negociatave vriten tre pengmarrësit, pasi filluan të qëllonin me armë në drejtim të forcave speciale.

3 MAJ 1999
Kryeministri britanik Tony Blair viziton Shqipërinë. Ai ishte i pari kryeministër britanik që vizitoi vendin tonë. Vizita e tij nuk ishte thjesht kortezi, jo thjesht për të bërë histori, por për të dhënë një mesazh të fortë në momentet më të vështira për mbarë shqiptarët. Atëherë kur zhvillohej lufta në Kosovë dhe në Shqipëri ishin kampet e kosovarëve, të cilat Blair i vizitoi. Në këtë mënyrë vizita e tij duhej të ishte e siguruar dhe këtë nuk mund ta bënte askush më mirë se RENEA.

MAJ 1999
Emigranti shqiptar në Greqi, Flamur Pissli, zihet me punëdhënësin, i cili kishte kohë që s’e paguante. Denoncohet në polici, ku keqtrajtohet nga policët grekë. Kthehet në Shqipëri, armatoset me një AK 47 dhe dy bomba dore. Rikthehet në Selanik dhe merr peng një autobus me 14 persona. Qeveria greke i jep 250 mijë dollarë që kishte kërkuar dhe e lejon të futet në territorin shqiptar së bashku me pengjet. Në periferi të Tiranës negociatorët e RENEA-s kërkojnë ta bindin që të lëshojnë pengjet, por pengmarrësi vret një peng dhe eliminohet menjëherë me një qitje snajperi.

27 KORRIK 1999
Arrestohet në Tiranë Xhuzepe Muolos, anëtari i organizatës kriminale “Sacra Coron Unita” në Itali. Forcat speciale RENEA i shtrënguan prangat në kyçe 48-vjeçarit, i cili mbante 15 akuza, mes të cilave edhe vrasje dhe shkatërrim kufomash. Për një kohë të gjatë ishte strehuar në Shqipëri dhe, përveç fshehjes, ishte kthyer në një ndërlidhës i organizatës mes Italisë dhe Shqipërisë

SHTATOR 1999
Më 7 korrik 1999, Myrteza Çaushi akuzohet se ishte protagonist në një ngjarje ku mbeten të vrarë tre persona. Ai u arrestua dy muaj më vonë pas një incidenti me armë në fshatin Mifol. Çaushi akuzohet për vrasje dhe rrëmbime të personave në vitin 1997 në Vlorë.

VITI 1999
Për mandat të prokurorisë italiane arrestohet nga forcat speciale RENEA një person i dyshuar për vrasjen e tre policeve në Udine të Italisë. Edhe pse doli i paimplikuar me këtë krim, ky person u përgjigj para drejtësisë për shumë vepra penale.

19 SHKURT 2000
Sekretarja e Shtetit amerikan, Madeleine Albright, vizitoi Shqipërinë dhe falë vëzhgimit të specialeve të RENEA-s, të cilët ishin pozicionuar në të gjitha pikat më të larta për të vëzhguar gjithçka të dyshimtë, gjithçka shkoi më së mirë. Ajo u entuziazmua nga pritja që iu bë në Shqipëri dhe gjatë gjithë kohës që ajo qëndroi nuk pati asnjë incident.

9 MARS 2000
Në Burgun 313 ekzekutohet me një armë tip snajper nga pallati përballë godinës së burgut, Ilir Bardhi, atentatori i Denis Ginës. Sipas policisë, autorët ishin Roland Kostare dhe Alban Dani. Kostare arrestohet nga forcat speciale të RENEA-s bashkë me armën e krimit, ndërsa Dani arrin të shpëtojë. Derisa në 14 mars, vetëm 5 ditë pas vrasjes së Bardhit, Dani vritet pas një konflikti të rastësishëm në Durrës.

NENTOR 2000
Anëtar i “Sacra Corona Unita”, Donato di Tano, është arrestuar në lokalin “KIDI” në Durrës. Një operacioni i RENEA-s i zhvilluar në një nga lokalet e plazhit këtij qyteti, përveç Di Tanos u arrestuan tre shtetas italianë dhe të tjerë shqiptarë, mes të cilëve dhe e fejuara shqiptare e tij. Sipas policisë së qytetit bregdetar, mësohet se italiani akuzohet për trafik lëndësh narkotike, falsifikim dokumentesh dhe dëshmi të rreme.

SHKURT 2001
Pas marrjes në pyetje të qindra personave të rangjeve të ndryshme, prokuroria lëshon urdhër-arrestet e para për personat e akuzuar si vrasësit e deputetit demokrat, Azem Hajdari. Kështu në muajin shkurt të vitit 2001 forcat speciale RENEA arrestojnë Ismet dhe Isamedin Haxhia dhe Fatmir Meta, të akuzuar si bashkëpunëtorë në vrasjen e Azem Hajdarit.

SHKURT 2001
Gjatë operacionit “Journey Italia” shkatërrohet një bandë narko-trafikantësh shqiptaro-amerikanë, të cilët në bashkëpunim me kartelin e Medelinit, mafiozë shqiptarë dhe italianë, po krijonin në Shqipëri një qendër ndërkombëtare të trafikut të kokainës. RENEA arreston të gjithë personat e implikuar, mes tyre një funksionar të lartë të policisë shqiptare, që kishte marrë arratinë.

6 MAJ 2001
Një operacion i forcave speciale RENEA në Tropojë është finalizuar me sukses, me vënien në pranga të njërit prej të akuzuarve për vrasjen e Azem Hajdarit, Jaho Mulosmani. Ai ishte duke shkuar në shtëpinë e vjehrrit kur një skuadër e repartit special e arreston. Menjëherë transferohet në Burgun 313 në Tiranë, me kapuç në kokë.

2 NENTOR 2001
Forcat e Policisë Kriminale në bashkëpunim me SKATET e forcat e RENEA-s organizuan operacionin për kapjen e shumë të kërkuarit Dritan Zhuka (Shuaipit). Në kohën kur forcat e policisë e ato të RENEA-s i bënë thirrje se ishte i rrethuar, Dritan Zhupa qëllon me armë kundër forcave të policisë, ku si pasojë i shkëmbimit të zjarrit mbeti i vrarë Dritani, i cili ka qenë i dënuar për vrasje, marrje pengjesh dhe si autori i vrasjes së shefit të Policisë Kriminale, Berat, Ilir Ngresi.

JANAR 2002
RENEA shkatërron një bandë narko-trafikantësh që sillte nga Itali 100 kg heroinë. Sekuestrohen rreth 1000 kg heroinë e pastër. Informacioni ishte marrë nga Guardia di Financa, për një grup personash, të dyshuar që transportonin lëndë narkotike, ishin nisur drejt brigjeve shqiptare. Trafikantëve gjithçka u erdhi e befasishme dhe përfunduan në prangat e specialëve.

7 QERSHOR 2002
Operacion i forcave të policisë së Komisariatit të Bajram Currit arreston një person të shpallur në kërkim për vrasje. Në bashkëpunim dhe me forcat speciale RENEA prangoset Sulejman Daçi. Sipas policisë, arrestimi i tij u krye sepse ka qenë i person i shpallur në kërkim për vrasjen e Avni Buçpapajt dhe është dënuar nga gjykata me 18 vjet heqje lirie.

23 SHTATOR 2002
Situata e krijuar në të gjithë vendin si rezultat i përmbytjeve të mëdha nga shirat, bënë që situata të dilte jashtë kontrollit. Në Ministrinë e Rendit Publik u ngrit grupi i drejtimit, i cili ndiqte në vazhdimësi situatën e krijuar dhe zbatimin e detyrave të vëna për këtë ministri nga Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile. Grupi i zhytjes së repartit RENEA në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit kanë mundur të shpëtojnë nga mbytja në lumin e Vjosës 4 persona.

2 MAJ 2003
Sekretari i Shtetit amerikan, Colin Powell, erdhi në Shqipëri kur shkoi për firmosjen e Kartës së Adriatikut, një dokument që prin anëtarësimin e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë në NATO. Për sigurinë e zyrtarit të lartë të Amerikës, nevojiteshin trupat më të përgatitura dhe më speciale. RENEA u ngarkua me një operacion të posaçëm dhe vizita e Powell në Shqipëri shkoi më së miri.

26 SHTATOR 2003
Arrestohet Rasim Robaj, i shpallur në kërkim nga policia. Uniformat blu të Shkodrës në bashkëpunim me forcat speciale RENEA, organizuan operacionin për kapjen e personit shumë të kërkuar për vrasje, Rasim Robaj. Ky i fundit është dënuar me 13 vjet heqje lirie, pasi në vitin 1993, në qendër të qytetit të Koplikut ka vrarë në krye të detyrës shefin e Policisë Rrugore të Komisariatit Malësi e Madhe, Isa Tahiri.

10 MARS 2004
Në vendin e quajtur Uji i Ftohtë në Tepelenë, rreth 100 metra larg nga fabrika e prodhimit të ujit të gazuar, filial i “Coca Colës”, makina fuoristradë, tip “Mistubish Pajero” me targë 387 E 659 ka rënë në lumin Drino. Admir Moisiu, drejtor i Kontrollit në Prokurorinë e Përgjithshme; Artan Shijaku, drejtues i automjetit, kishin rënë në lumë, Rahman Jata ka shpëtuar. Polumbarët e RENEA-as kanë bërë e mundur gjetjen e trupit të djalit të Presidentit Moisiu.

18 PRILL 2004
Forcat Speciale të repartit RENEA në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, pas një operacioni të befasishëm, kanë bërë të mundur arrestimin e të shumëkërkuarit Adriatik Kalemi, lindur në Memaliaj të Tepelenës. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë belge, pasi akuzohej se në bashkëpunim me vëllanë e tij Fatmir Kalemi kishte vrarë shqiptarin Mevlan e Adriatik Çaça (vëllezër), ngjarje e ndodhur në Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.

29 PRILL 2004
Vetëdorëzohet personi i shpallur në kërkim, Sokol Vuçeta, i akuzuar për veprën penale të pengmarrjes dhe gjobëvënies. Ndonëse në fillim qëlloi mbi forcat e policisë, specialët e RENEA-s kanë treguar profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë duke bërë të mundur që brenda një kohe shumë të shkurtër të arrihej në dorëzimin e të shumëkërkuarit në Shkodër. Operacioni u krye nën mbikëqyrjen e oficerëve gjermanë që ndiqnin, trajnonin dhe monitoronin prej 4 vjetësh forcat RENEA.

7 MAJ 2004
Të paraburgosurit kanë thyer dyert e dhomave të brendshme dhe kanë marrë peng policin rojë të shërbimit të brendshëm, Geg Gega. Bashkë me forcat e komisariatit ndërhynë edhe forcat e RENEA-s dhe u rivendos regjimi i brendshëm. Ndërkaq përfundoi transferimi i të paraburgosurve në mjediset përkatëse të Drejtorisë së Policisë Durrës, Dibër, Elbasan dhe Berat. U pezulluan nga detyra komandanti i repartit të policisë, inspektor Armando Muça dhe 5 punonjës policie të rolit bazë.

27 SHTATOR 2004
Forcat speciale të RENEA-s arrestojnë në Lazarat Razip Mahmutajn, i dënuar nga Gjykata e Apelit me 22 vjet heqje lirie, i dyshuari kryesor si autor i goditjes së helikopterit të misionit Interforcë. Falë negociatave të kryetarit të komunës, Dashnor Aliko, me drejtuesit e policisë dhe Avokatin e Popullit, Ermir Dobjani, u arrit të vetëdorëzoheshin dy persona të tjerë.

31 TETOR 2004
Si rezultat i një operacioni të policisë së Shkodrës në bashkëpunim me Forcat Speciale të repartit RENEA është bërë e mundur kapja e personit të shumëkërkuar Astrit Kurmemaj, vjeç 39, me banim në Lagjen “Ahmet Haxhia” të qytetit të Shkodrës. Astrit Kurtmema ishte shpallur në kërkim pasi, në bashkëpunim me persona të tjerë, është autori i dyshuar i vrasjes me armë zjarri të Genc Muçës dhe Luan Muçës.

19 SHKURT 2005
Forcat e Drejtorisë së Policisë Elbasan në bashkëpunim dhe forcat e repartit RENEA, pas një operacioni me një shkallë të lartë vështirësie kanë arritur të kapin në orët e para të mëngjesit të sotëm shtetasin e shumëkërkuar Andi Gurabardhi, 32 vjeç, dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e punonjësit të policisë Florenc Balla, ngjarje e ndodhur në vitin 2003.

26 MARS 2005
Në qytetin e Burrelit, forcat speciale RENEA kanë bërë të mundur kapjen në banesën e tij të të shumëkërkuarit Ismet Kola. Ai ka qenë person i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Matit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale të “vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Ismet Kola, nga hetimet e deritanishme, është autori i dyshuar, së bashku me dy vëllezërit e tij, Faslli Kola, tashmë i arrestuar dhe Mehdi Kola, i vrarë, për vrasjen me armë zjarri të Bashkim Xhetanit.

15 PRILL 2005
RENEA arreston në Tropojë të dënuarin për vrasje Afrim Biberaj. I vëllai shkëmben zjarr për 10 minuta me specialët. Për më shumë se 10 minuta, forcat speciale kanë shkëmbyer zjarr me dy vëllezër të kërkuar nga policia, njëri prej të cilëve ka çarë rrethimin në mënyrë spektakolare dhe është arratisur. Në pranga ka përfunduar i kërkuari për vrasje Afrim Biberaj, i cili ishte larguar nga burgu që në vitin 1997, ku vuante dënimin me 15 vjet burg për vrasje.

2 QERSHOR 2005
Arrestohet Kujtim Duro, 59 vjeç, banues në Gjirokastër, sepse kishte marrë peng për tri dite 15-vjeçarin S.L, të cilin e ka ngacmuar seksualisht, si dhe ka kundërshtuar me armë forcat e policisë. Përfundon me sukses pas rreth 26 orësh operacioni forcave speciale të RENEA-s në policisë e Gjirokastrës. Negociata 20-orësh, djegia e shtëpisë 200-vjeçare, njeriu kyç në operacion dhe dorëzimi pa kushte në duart e policisë.

13 GUSHT 2005
Kujtim Vokshi, i kërkuar për vjedhjen e Bankës Amerikane, u ndalua në një aksion të RENEA-s dhe policisë së Tiranës. Vokshit, të cilit iu kap sasia prej rreth 20 mijë dollarësh, është arrestuar rreth orës 2:30 në banesën e tij në qytetin e Durrësit, pasi akuzohet se është një nga bashkëpunëtorët e vjedhjes së Bankës Amerikane në kryeqytet. Për këtë grabitje është shpallur në kërkim edhe Musli Mehmetaj.

6 TETOR 2005
Një operacion i policisë së Tiranës dhe RENEA-s ka arrestuar brenda 24 orëve nga arratisja nga materniteti “Koço Gliozheni” Frederik Durdën. Ky i fundit ishte strehuar në një banesë në lagjen “Ali Demi”. RENEA është futur menjëherë në këtë banesë dhe i ka bërë thirrje të dorëzohej, pasi ai ishte futur poshtë krevatit. Ndërkohë Durda është dorëzuar dhe ka kërkuar të mos qëllojnë pasi ishte i paarmatosur.

12 TETOR 2005
Shtëpia e Bashkim Kullës, i akuzuar për vrasjen e Laerton Vathit, është rrethuar për të disatën herë nga policia, duke realizuar kështu më së fundmi operacion me sukses. Djemtë e RENEA-s kanë ditur dhe këtë herë të ndërhyjnë në momentin e duhur, duke zënë objektivin në shtëpi. Burime nga policia tregojnë se Kulla nuk ka bërë rezistencë, kur ka parë armët e drejtuara drejt tij. Arrestimi i Kullës i ka kushtuar 5 operacione policisë. Madje, për të kanë qenë vënë dhe 500 mijë lekë të rinj për informatorin që do të tregonte vendndodhjen.

16 NENTOR 2005
Një operacion i mirëorganizuar i forcave speciale RENEA, në bashkëpunim me policinë e Tiranës kanë bërë të mundur arrestimin e Nehat Kullës ose të quajtur ndryshe “Gjeneral”. Një rrethim i shtëpisë së tij në fshatin Tufinë të kryeqytetit ka bërë të mundur arrestimin e Kullës, i cili akuzohet për vrasje. Gjithashtu bashkë me të u kap dhe djali i tij, Roberti, i cili më pas u la i lirë.

7 JANAR 2006
Ilir Stërgu dhe Arben Boriçi, janë shoqëruar nga Lushnja në drejtim të Elbasanit, nën masa të forta sigurie të forcave speciale RENEA. Stërgu dhe Boriçi akuzohen për veprën penale të dhunimit të varreve në bashkëpunim. Çështja penale ndaj tyre ka nisur më 30 dhjetor të vitit 2005, pas denoncimit të kryer nga dy persona nga Lushnja. Sipas akuzës, bëhet fjalë për gjetjen e një pjese të kufomës në vendin e quajtur Ura e Grabianit, si dhe dhunimit të varreve në vendin e quajtur Toka Jonë në vitin 1998.

26 JANAR 2006
Nga një operacion i organizuar nga forcat speciale RENEA kanë bërë të mundur kapjen e personit shumë të kërkuar Ludovik Ujka, vjeç 37, lindur e banues në fshatin Tale të Lezhës. Ujka më datë 1 shtator të vitit 2003 ka vrarë me armë zjarri Zef Ndojn dhe Eleni Muri, po ashtu ka tentuar të vrasë Kastriot Ndojn. Ludovik Ujkën Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë e ka dënuar me 25 vjet heqje lirie për veprat penale të “vrasjes”, “vrasjes së mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtjes pa leje”.


3 SHKURT 2006
Arrestohet në Tropojë nga një operacion i RENEA-s Luan Biberaj, pasi ishte shpallur në kërkim dhe dënuar në mungesë me 9 vjet heqje lirie për vrasje me dashje të mbetur në tentativë, të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Biberaj ishte dënuar në mungesë dhe me 4 vjet heqje lirie për krijim të turmave të armatosura.

12 SHKURT 2006
Një operacioni policisë së Tiranës në bashkëpunim me forcat RENEA kanë bërë të mundur arrestimin e Emiliano Shullazit. Së bashku me të është vënë në pranga edhe e dashura e tij, Elona Fuga, gjithashtu edhe shokët e tij, Gilmando Dani dhe Dritan Hate. Ndërkohë, pas hetimeve Elona Fuga lihet e lirë për shkak të mungesës së provave. Pas saj edhe Dritan Hate, pasi këtij të fundit i kishte mbaruar afati i paraburgimit. Ndërsa Shullazi ndodhet ende në paraburgim.

13 SHKURT 2006
Operacioni është zhvilluar nga forcat speciale RENEA, policia e Mirditës dhe uniforma blu të Tiranës, në dalje të qytetit të Rrëshenit. Dy vëllezërit Ramiz dhe Rifat Onuzi, të armatosur, morën peng një autobus me pasagjerë. Pengmarrja e autobusit përfundoi me një bilanc tragjik, pasi 2 persona gjetën vdekjen, njëri efektiv policie dhe 5 persona të tjerë u plagosën. Ndërkaq pengmarrja e autobusit zgjati rreth 3 orë.

22 SHKURT 2006
RENEA prangos në Qerret të Kavajës dy të kërkuar për vrasjen e mbetur në tentativë të një personi në kryeqytet. Kildi Kodra, 25 vjeç dhe Erald Bakalli, 26 vjeç, të dy banues në Tiranë, janë arrestuar nga forcat e RENEA-s, në një banesë në këtë fshat, ndërsa ishin duke ngrënë mëngjesin. Ata akuzohen se tentuan të vrisnin gjatë një përplasjeje me armë Elton Deliun, për larje hesapesh dhe prishje pazaresh.

23 MARS 2006
Pas marrjes së informacionit se 12 pasagjerë të një furgoni rrezikonin të mbyteshin në lumin e Zall-Bastarit në Tiranë, drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar forcat RENEA, zhytësit dhe polubarët. Këta të fundit kanë bërë menjëherë shpëtimin e 12 pasagjerëve. Kështu pas 15 minutash forcat RENEA kanë arritur që të nxjerrin në breg të lumit të gjithë personat që ndodheshin në automjetin, i cili ishte duke ardhur drejt Tiranës.

28 MARS 2006
Aldo Bare pas largimit nga Shqipëria për të mësuar mbi fatin e familjes dhe mbarëvajtjen e procesit gjyqësor kontaktonte me të motrën e tij. Ai ishte shumë i kujdesshëm në telefonatat që bënte duke mos lënë asnjëherë numër telefoni apo adresën se ku ndodhej. Por një aksion i forcave RENEA ka kontrolluar banesën e motrës së tij, Pëllumbesha Gjonaj, në Laprakë të Tiranës, për të marrë të gjitha provat që i nevojiteshin drejtësisë, disa ditë pas arrestimit të Bares në Turqi.

9 PRILL 2006
Pas kontrollit në kullën fortesë të Hakljave dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme armatimi, një automatik mod.56 ka rezultuar se është arma me të cilën është vrarë punonjësi i policisë Musa Dunisha, kulla e Haklajve u kontrollua nga forcat RENEA dhe policia e Tropojës, në të cilën u gjetën dhe sekuestruan një arsenal i paparë armësh dhe municionesh.


17 PRILL 2006
Skuadrat e RENEA-s marrin pjesë në super-operacionin për të kontrolluar hotelet në lagunën e Karavastasë. Operacioni nisi në orën 02:00 të mëngjesit dhe mbaroi pas 90 minutash. Në operacion ishin 39 makina të llojeve dhe tipave të ndryshme në dispozicion të Forcave Speciale. Kontrolli u ushtrua në 15 hotele, të cilët ishin në distancë me njëri-tjetrën. RENEA gjatë operacionit shoqëroi 30 persona.

6 MAJ 2006
Shpërthejnë rezervat ushtarake në fshatin Dhemblan të Tepelenë. Në vendngjarje krahas forcave të policisë së Gjirokastrës qenë dërguar dhe forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe grupi i njësisë antieksploziv i repartit RENEA, të cilët bashkëpunuan me xhenierët e ushtrisë. Në dispozicion u vunë dhe helikopterë. Pas disa orësh situata u vu nën kontroll edhe pse pati pasoja të konsiderueshme.

7 QERSHOR 2006
Policia e Durrësit, Krujës dhe forcat speciale RENEA bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit të koduar “Vrion 2006”, gjatë të cilit u bë e mundur kapja e personit shumë të kërkuar Muharrem Daka. Ai ishte shpallur në kërkim me nga Komisariati i Krujës, pasi kishte vrarë me armë zjarri Ramazan Cangun, si dhe kishte plagosur rëndë Dashamir Cangun. Gjatë operacionit është hasur në kundërshtimin e tij për t’u dorëzuar. Më pas neutralizimi i tij është bërë i mundur pas përdorimit të pajisjeve speciale me gaz lotsjellës.

14 QERSHOR 2006
Forcat e policisë të Shkodrës në bashkëpunim me forcat speciale RENEA bënë të mundur arrestimin e të shumëkërkuarit, Bib Gjon Ndreca (Lekani). Ndreca ishte person me rrezikshmëri të theksuar. Për kapjen e tij forcat e policisë kishin organizuar disa herë operacione, por arrestimi i tij u bë i mundur vetëm gjatë operacionit të zhvilluar nga RENEA. Ai më datë 5 maj të vitit 1999 ka vrarë me armë zjarri bashkëfshatarin e tij Gjon Bardhi dhe për këtë Gjykata e Shkodrës me vendim të formës së prerë e kishte dënuar me 19 vjet heqje lirie.

9 GUSHT 2006
Lulëzim Berisha, “i forti” i Durrësit, vjen në Shqipëri nën masa shumë të rrepta sigurie, duke u shoqëruar nga forcat speciale RENEA. I arrestuar në Maqedoni, ai ka ardhur në pikën e kufirit tonë. Berisha akuzohet si kreu i pothuajse të gjitha bandave kriminale të qytetit të Durrësit gjatë viteve të fundit. Gjatë gjithë rrugës, nga burgu e deri në kufi, Berisha ka qenë nën ruajtjen konstante të forcave speciale maqedonase. Ndërkohë sapo ka hyrë në kufirin shqiptar, ai është marrë në dorëzim nga forcat speciale të RENEA-s.

15 GUSHT 2006
Policia Kufitare e Sarandës dhe RENEA shpëtojnë nga mbytja tre të rinj. Të rinjtë janë bllokuar nga dallgët e mëdha, ndërsa ishin duke vozitur në gjirin e Sarandës. Oficeri i Policisë Kufitare, Dashamir Malo, është shprehur se ishte një aksion prej rreth 1 ore, i cili përfundoi me sukses duke i shpëtuar të rinjtë nga ajo që mund të ishte një vdekje e sigurt. Ky është rasti i dytë ku moti i keq rrezikon jetën e plazhistëve në Sarandë, pasi vetëm një muaj më parë forcat e RENEA-s kanë shpëtuar nga mbytja 11 persona në gjirin e Manastirit.

25 SHTATOR 2006
në afërsi të Liceut Artistik Tiranë ka ndodhur një konflikt për linjën e autobusëve midis Dritan Agës dhe Allaman Ibërliu, banues në Baldushk. Më pas konflikti ka degjeneruar më tej dhe vëllezërit e Dritanit kanë marrë peng babanë e Allamanit Banush Ibërliut. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta polici dhe helikopterë të RENEA-s. Për disa minuta situata ka qëndruar e njëjtë më pas është liruar pengu.

26 SHTATOR 2006
Sekretari amerikan i shtetit për Mbrojtjen, Donald Rumsfelt, e viziton për të dytën herë Shqipërinë. Kjo vizitë e Rumsfeld në Tiranë konsiderohet mjaft e rëndësishme përballë përpjekjeve të forcave tona të armatosura për një integrim sa më të shpejt në NATO. Çështja e sigurisë së tij në vendin tonë u zgjidh fare mirë falë snajperistëve të forcave speciale RENEA, të cilët ishin pozicionuar në pikat më të larta të kryeqytetit.

12 TETOR 2006
Forca të shumta policore dhe RENEA mbështetën policinë e Gjirokastrës për të normalizuar situatën e rendit në këtë qytet që doli jashtë kontrollit. Pas një incidenti të armatosur mes një grupi të rinjsh nga fshati Lazarat dhe një grupi tjetër nga Memaliaj, ku u vra Gurgas Selimi dhe u plagos një tjetër, dhjetëra të rinj nga fshati Lazarat shkatërruan një diskotekë dhe më pas i vunë asaj zjarrin. RENEA arrestoi katër persona e përfshirë në incident Agim dhe Robert Qendron, Klejdis Qepën dhe Alfred Isarajn.

25 NENTOR 2006
RENEA arreston dhe zhvillon një kontroll në banesën e Gjelo Gërbeshit. Gjatë operacionit ka pasur shkëmbime zjarri dhe katër plumba godasin një nga automjetet e RENEA-s. Situata normalizohet shumë shpejt dhe RENEA bashkë me policinë lokale marrin gjithçka nën kontroll. Nuk pati asnjë të plagosur dhe forcat speciale u drejtuan drejt kryeqytetit.

8 JANAR 2007
Merr fund “arratia” e “kaçakut” Riza Malaj. Specialët e RENEA-s kanë mundur t’i shtrëngojnë në duart e gjymtuara prangat të shumëkërkuarit Malaj. I “forti” i Tropojës ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në akuzën e gjobëvënies së biznesmenit në fushën e ndërtimeve, Ramë Geci. Ai u arrestua në fshatin e tij të lindjes, Bujan të Tropojës. Ai u gjykua dhe dënua me 15 vjet burg për disa vepra të rënda penale, por prej disa kohësh ndodhej nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” të vendosur nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

15 SHKURT 2007
Forcat e RENEA-s hyjnë në fshatin Lazarat dhe arrestojnë 28- vjeçarin Roland Mahmuti, i dënuar me 16 vjet burg për vjedhje me armë në bashkëpunim. Gjatë operacionit nuk kishte incidente. Gjykata e Gjirokastrës, me vendim nr. 94, e pati dënuar këtë person me 16 vjet burg për veprën penale “vjedhje me armë në bashkëpunim”. Operacioni i 15 shkurtit shënon rastin e parë të ndërhyrjes së forcave RENEA në fshatin Lazarat për 2007-n.

6 MARS 2007
Ka zgjatur vetëm 20 minuta pengmarrja e 17-vjeçares nga Tirana nga i dashuri i saj fierak. Por brenda kaq pak minutash, në rrugën “Stavri Themeli” në kryeqytet kanë ndodhur disa incidente të njëpasnjëshme. Përveçse ka shkuar i armatosur në shtëpinë e të dashurës, duke e marrë peng atë, 23-vjeçari Alush Shpata ka kërcënuar me armë familjarët, duke qëlluar me automatik mbi makinën e babait të saj, Avdyl Zguraj. Gjithçka ka përfunduar vetëm kur në vendngjarje kanë mbërritur forcat speciale RENEA dhe negociatorët e këtij reparti kanë filluar negociatat me pengmarrësin.

10 QERSHOR 2007
Për të siguruar vizitën e Presidentit amerikan, Xhorxh Bush, u vunë në dispozicion 15 mijë forca. Janë rreth 11 mijë pjesëtarë të Policisë së Shtetit, pjesëtarë të Shërbimit Informativ Shtetëror, të Forcave Speciale RENEA, ato të Forcave Komando të Ushtrisë, por edhe të shërbimit sekret amerikan të CIA-s, si dhe 100 marinsat më të përgatitur të SHBA-së, ato që do të bëjnë të mundur normalitetin e një vizite me të vërtetë historike.

19 KORRIK 2007
Forcat speciale RENEA arrestojnë pjesëtarët e bandës famëkeqe të Mirditës, të cilët akuzohen për disa vrasje dhe grabitje në rrugët nacionale të këtij vendit. Janë arrestuar Tomë e Bardhok Syziu, të lindur dhe banues në Malaj të rrethit të Mirditës, dhe dy bashkëpunëtorëve të tjerë Arjan Reçi dhe Tonin Gjoka. Pas kësaj i konsideruari si kreu i kësaj bande Nikoll Syziu, është mbajtur gjithnjë nën vëzhgim deri në momentin e arrestimit pas disa javësh.

6 GUSHT 2007
Arrestohet një i akuzuar si kreu i një klani kriminal në qytetin e Durrësit. Ilir Xhakja, 33 vjeç, ka rënë në prangat e policisë pas një operacioni të zhvilluar nga forcat RENEA dhe policia e Durrësit. Arrestimi i tij është kryer rreth orës 14:00 pranë grykëderdhjes së lumit Erzen. Klani “Xhakja” dyshohet se ka pasur qendrën e tij në Katund Sukth. Kreu i tij, Ilir Xhakja, është dënuar nga Gjykata e rrethit Durrës me 21 vjet burgim për vrasjen e shtetasit Qerim Maloku në vitin 1998. Në momentin e arrestimit Xhakja ka qenë i shoqëruar me pesë persona të tjerë dhe kanë pasur dy automatikë kallashnikov në makinë.

29 GUSHT 2007
Forcat RENEA dhe policia e Tiranës, në kuadër të operacionit “Spitalla 2”, në një banesë në qytetin e Tiranës, realizuan arrestimin e Indrit Taullait, miku i Lul Berishës, i cili veç të tjerash hetohet si i dyshuar për vrasjen e Ndriçim Saliut. Ndërkohë u arrestua edhe Fjorentina Kotorri, Altina Bani, të cilat akuzohen për përkrahje të autorit të krimit. “Spitalla 2” arrestoi edhe Edmond Taullajn, Ervis Cerrikun, Ervin Cukjan dhe Gramos Agon.

22 SHTATOR 2007
Tre persona të akuzuar për vrasje janë arrestuar, gjatë një operacioni të organizuar nga forcat speciale RENEA në bashkëpunim me forcat e komisariatit të policisë së Tropojës. Operacioni për kapjen e tyre është zhvilluar në fshatin Shoshan të komunës Margegaj, bazuar në informacionet e grumbulluara për vendndodhjen e tyre. Ata janë Izet Demaj dhe Sami e Dritan Pali. Arrestimi i 44-vjeçarit Demaj dhe i dy vëllezërve Pali, është kryer në bazë të një urdhër-ndalimi, i lëshuar nga Prokuroria e Tropojës, e cila i ka akuzuar për tre vepra penale, “vrasjes me paramendim”, “vrasjes të mbetur në tentativë”, si dhe “armëmbajtjes pa lejë”.

2 TETOR 2007
Forcat e RENEA-s dhe policia e Shkodrës kanë arrestuar dy persona të kërkuar për vrasje të kryera vite më parë. Ne pranga janë vënë Jetmir Koçia dhe Dush Muça. Dy të arrestuarit akuzohen për vrasje të kryera në vitin 1999. Ata dyshohet se kanë vrarë me armë Artur Talanin dhe Fatbardh Trumën. Operacioni që çoi në pranga dy të kërkuarit që prej vitit 1999, ishte koduar “Dragonova”.


23 TETOR 2007
Vihet në prangat e forcave të RENEA-s një nga të shumëkërkuarit të Bandës së Mirditës, Nikoll Syziu. Arrestimi i tij u krye në banesën ku ai jetonte me familjen në fshatin Malaj të Mirditës. I shumëkërkuari akuzohet për një vrasje të ndodhur në ‘97-n. Syziu ka qëlluar për vdekje në vitin e lartpërmendur policin Gjon Paçuku. Prej 10 vitesh i kërkuari fshihej maleve dhe shpellave duke i shpëtuar ndjekjes nga policia për vrasjen e policit Paçuku në ’97-n dhe plagosjen e një personi tjetër.

1 NENTOR 2007
Dy të rinj me banim në Maliq, nëpërmjet letrave kërcënuese që dërgonin në shtëpinë e biznesmenit korçar, i kanë kërkuar atij 50 mijë euro se në të kundërt do t’i merrnin peng familjen. Letrat e para biznesmeni nuk i ka marrë shumë parasysh, por ka denoncuar në polici kur në oborrin e shtëpisë së tij është hedhur tritol. Me ndihmën e RENEA-s dhe policisë së Korçës është ngritur kurthi për kapjen e 2 të rinjve, të cilët janë kapur në kodrat e qytetit kur po prisnin të merrnin eurot. Johan Haxhiaj dhe Klaus Ethemi, që të dy 20-vjeçarë, i kishin kërkuar shumën prej 50 mijë eurosh ndërtuesit me inicialet Xh.P., i cili ka bërë edhe denoncimin në polici.

7 NENTOR 2007
Forcat e RENEA-s kanë vrarë një të shumëkërkuar në Lazarat të Gjirokastrës. Gjatë operacionit për arrestimin e të shumëkërkuarit, Sabri Shurdhi, ky i fundit ka qëlluar me automatik në drejtim të forcave RENEA, duke plagosur një prej tyre. Sabri Shurdhi akuzohet për vjedhje me armë, si dhe është i dyshuar për një vrasje. Kjo ngjarje u shoqërua me kryengritje në qytetin e Gjirokastrës, ku persona të ardhur nga Lazarati sulmuan komisariatin dhe dogjën një makinë policie. Madje për këtë ngjarje nisën hetimet nga SHKB dhe prokuroria, pasi dyshohej se RENEA u spiunua nga brenda radhëve të policisë.


16213
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI