Revista
|
|
Deputeti Igli Cara, personi i parë që ka mbërritur në vendin ku ndodhi aksidenti tragjik që i mori jetën deputetit Sokol Olldashi, rrëfen për "Gazetën Shqiptare" të gjitha detajet, që nga çasti që mori vesh lajmin për aksidentin, deri në momentin që ai u përball me të vërtetën shokuese të vdekjes së mikut të tij më të mirë.
"Unë e kam lajmëruar vetë policinë nga numri im për aksidentin. Në momentin që kam mbërritur në vendin e ngjarjes, makina ishte kthyer përmbys", - pohon Cara. Veç kësaj, ai sqaron se në momentin që u hapën dyert e makinës, brenda saj ka qenë vetëm trupi i Sokol Olldashit. "Kur mbërritëm, nuk gjenim dot trupin e Sokolit, dyert nuk hapeshin. Vetëm kur erdhi policia kuptuam se Sokoli kishte vdekur dhe në makinë ishte vetëm trupi i tij", - rrëfen deputeti Igli Cara për gazetën.
Ku ishit juve natën që ndodhi aksidenti i z.Olldashi dhe si e morët vesh për lajmin tragjik?
Unë isha tek një lokal me një mikun tim dhe isha duke ngrënë darkë, një pjatë makarona. Ne po e prisnim Kolin që të vinte, sepse kur kishim folur më parë na kishte thënë që ta prisnim aty. Konkretisht kam qenë tek një lokal i quajtur "Artisti", bashkë me një kolegun tim dhe shoferin e Sokolit, i cili ishte jashtë. Unë kisha folur me Kolin dhe më kishte thënë që ta prisja diku afër zyrës dhe ne po e prisnim.
Juve, kush ju lajmëroi për ngjarjen?
Unë, siç ju thashë, isha në lokal dhe rreth orës 21:00, hyri shoferi në lokal dhe i traumatizuar siç ishte, i kishte ikur fytyra, më tha që, "kush e ka makinën", se duhej të niseshim direkt për në Krrabë, sepse kishte ndodhur diçka e tmerrshme. Sokolit i kishte ndodhur diçka. Hipëm në makinë dhe rrugës me telefonin tim kam lajmëruar 129-ën. I kam thënë që ka ndodhur një aksident, por jo se kush e kishte bërë dhe ku, sepse nuk dija se ku ishte vendi. Kisha dëgjuar vetëm që aty afër ishte një lokal, më dukej se quhej "Lokal Kiu", por se ku fiks nuk e dija, sepse nuk kisha qenë asnjëherë në atë vend. Kjo është e gjithë historia dhe unë habitem se pse duhej të flitej kaq shumë, kur dhimbja për ne të gjithë është shumë e madhe pas vdekjes së Sokolit.
Juve, rreth çfarë ore mbërritët në vendin e ngjarjes dhe si e gjetët makinën?
Ne mbërritëm në vendngjarje rreth orës 21:20, nuk e kam fiksuar mirë, dhe pak minuta pas nesh erdhi policia. Kur shkuam në vendngjarje, pamë makinën që ishte kthyer përmbys në një pozicion shumë ters. U afruam tek makina dhe filluam të kërkonim se ku ishte Sokoli dhe nuk e shikonim. Pamë tek pjesa e pasme e mjetit, por na doli nga mendja që të shikonim në pjesën para. Shoferi filloi të kontrollojë jashtë makinës, sepse kujtuam se kishte dalë. Por, ne harruam që makina ishte mbrapsht dhe duhej të shikonim në pjesën para të saj. Nuk e shikonim asgjëkund Sokolin; vetëm kur pamë këmbët e tij tentuam të hapnim derën, por ajo nuk hapej, sepse makina ishte përmbys dhe në vend të keq. Pas dy-tre minutash ka mbërritur policia, të cilët u afruan tek makina dhe kur e panë trupin, mesa duket e kuptuan se ai kishte ndërruar jetë dhe nuk na lanë më që të afroheshim. Dhe, kur kemi hapur makinën, brenda ka qenë vetëm Sokol Olldashi. Nuk ka pasur njeri tjetër. Nuk e kuptoj se pse media mundohet kaq shumë që të prishë imazhin e dikujt; do patjetër që të ketë në makinë një person tjetër, kur në fakt nuk ka.
Ju thatë që shoferi ju lajmëroi për aksidentin; po shoferin, kush e lajmëroi?
Në fakt kjo është një pyetje që e di shoferi, por mesa di unë, ai më tha që kishte qenë duke folur në telefon me Sokolin. Por, gjatë momentit që kishte qenë duke folur me Sokolin, kishte dëgjuar zhurmë dhe ai më tha që në këtë moment kishte kuptuar se Sokoli kishte bërë aksident. Kjo është e gjithë e vërteta, të cilën shumë media u përpoqën që ta përdhosin.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje