Revista
|
|
Ismail KADARE
Sprovë 1 Në shkurt të vitit 2006, kryekomisioneri i Këshillit të Evropës, Baroso, fluturoi me avion për në Tiranë, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Shqipërisë së vogël me kontinentin e madh evropian. Disa vite më parë fjala “marrëveshje” e përdorur për Evropën, do të ishte fatale në Shqipëri, madje aq fort, saqë do të çonte në burg ose në pushkatim cilindo. Për Evropën ishte e përshtatshme vetëm një fjalë, ajo e kundërta me marrëveshjen, pra “mosmarrëveshja”. Mosmarrëveshje e plotë, e palodhshme, e përjetshme. Ky ishte urdhri numër një i kohës. Programi i pandryshueshëm komunist. Thënë ndryshe: verdikti kundër Shqipërisë. Në dhjetor të vitit 1990, ky verdikt u shkel me këmbë e u thye. Fjalët “e duam Shqipërinë si Evropa”, ishin të parat që gjëmuan në trajtën e një himni, e një programi të ri. E bashkë me to, disa javë më pas, shtatorja e njeriut më antievropian që kishte njohur ky vend, u thye e u zvarrit gjithashtu. Që nga ajo kohë Evropa, më saktë Evropa atlantike nuk pushoi së qeni xanxa kryesore për shqiptarët.
Më 1997, kur për turpin tonë, shteti shqiptar ra, ishte Evropa që na u gjend në fatkeqësi. S’na erdhi ashtu siç e kishim pritur: me viza, para dhe, Zoti e di çfarë, por me armë dhe topa, për të na pajtuar me njëri-tjetrin. Përpara se Evropa me NATO-n të merrnin këtë vendim të madh, disa herë u ngrit dyshimi se mos shqiptarët e ndërkryer, ashtu të armatosur siç ishin, të qëllonin trupat ndërhyrëse. Për fat të mirë, kjo nuk ndodhi. Midis marrëzisë, populli shqiptar e bëri së paku një gjë të mençur. Në vendin ku mosprekja e kufirit prej çizmes së ushtarit të huaj, ishte kthyer në mit, asnjë armë, qoftë edhe për zakon, nuk u shkreh kundër ushtrisë euroatlantike. Ishte hera e parë që në historinë shqiptare ndodhte një gjë e tillë. Ajo ishte një dëshmi e madhe: dëshmi prekëse, se atë ushtri që po zbarkonte nga deti dhe nga ajri, shqiptarët e quajtën si të tyren. Vetvetishëm midis kaosit, pa retorikë integruese, pa u shtyrë prej askujt, shqiptarët treguan qartë se ndiheshin evropianë. Ata nënshkruan kështu një akt monumental: rigjetjen e Evropës së humbur. Dy vite më pas, si një përgjigje e mirëkuptimit, ndodhi e pabesueshmja. E njëjta ushtri euroatlantike, me avionë, raketa e bombardime, ndërhyri për çlirimin e Shqipërisë së jashtme, Kosovës. U duk sikur kontinenti mëmë, i penduar për harresën e gjatë, po kujtohej më në fund për popullin e braktisur. 2 Nëse marrëdhëniet e Evropës me më trillanin e tre gadishujve të saj jugorë, Ballkanin, mund të thuhej se ishin kundërthënëse, ato me shtetin e vogël shqiptar, e kapërcenin çdo përfytyrim. Përpara se të kujtojmë tepër shkurt kronikën historike, le të sjellim ndër mend vitet e tranzicionit, ato që i mbajnë mend të gjithë. Fill pas dehjes së parë për Evropën, madje mu midis dalldisjes për të, nuk u bë e qartë asnjëherë se çfarë e shtyu qeverinë e parë demokratike të bënte një lëvizje kundërthënëse. Krejt si një shpend i verbër, një dërgatë shqiptare fluturoi me avion për në Xhedal, fluturim pas të cilit Shqipëria u gdhi në Ligën Islamike. Opozita e majtë bëri njëfarë zhurme, kundërshtuese, që u quajt me të drejtë e pasinqertë, ngaqë kur ajo vetë erdhi në pushtet, nuk bëri asgjë për ta rishqyrtuar anëtarësimin ende të paratifikuar në Parlament. Kjo u shpjegua dymënyrash. E para, se opozitës, së akuzuar, për shkak të liderëve të saj, si grekofile, i interesonte një ngjyrim i tejshquar islamik për t’u mjegulluar filogreqizmi i saj. E dyta, hotelet e shtrenjta të Dubait, të shoqëruar, ndoshta, nga dhurata të shtrenjta, ishin mjaft joshëse gjithashtu për të majtën. Kur u duk se, pas kësaj turbullire, njëfarë konsensusi u arrit midis dy krahëve kryesorë politikë, të djathtës dhe të majtës, lidhur me Evropën, kur u duk se u kapërcye disi edhe xhelozia e secilës palë, që futjen në Evropë ta kryente ajo e kurrsesi pala tjetër; shkurt, kur u duk më në fund se dritëza e shumëpritur në anën tjetër të tunelit po shfaqej, në vend të kthjellimit të strategjisë politike shqiptare, ca re të zeza e mbuluan horizontin. Ishin ca hamendje përherë e më shqetësuese, ca si mëdyshje kinse filozofike, kinse hamletiane: jemi apo s’jemi evropianë. Të jemi a të mos jemi të tillë. Është Shqipëria Evropë, a s’është Evropë. Është Lindje a Perëndim. Është më shumë Perëndim se Lindje. Është më shumë myslimane se e krishtere. Është edhe ashtu edhe kështu. S’është as ashtu, as kështu etj., etj. U dukën si përçartje komike në fillim. Ndërkaq, hamendjet e hamletizmat sa vente shtoheshin. Le ta themi më mirë haptas atë që kemi fshehur. Përse të hiqemi ata që s’jemi? Përse, hiqemi si evropianë, kur dihet që s’jemi të tillë? Shkurt, përse të na vijë turp nga identiteti ynë joevropian? Sa më shumë që nënshkrimi i marrëveshjes së Shqipërisë shtetërore me Evropën afrohej, aq më fort ndiheshin murmurimat. Sa më shumë që afrohej caktimi i statusit të Kosovës, me fjalë të tjera, besimi i Evropës e i Amerikës se Kosova mund të hynte si shtet i pavarur në familjen kontinentale, aq më këmbëngulëse bëhej krrokama se shqiptarët ishin si mish i huaj, pra i padashur, për Evropën. S’ishte mbushur as java e fillimit të bisedimeve të Vjenës për statusin e Kosovës, e s’kishin kaluar veç disa orë që avioni i kryekomisionerit evropian Baroso, ishte ulur në aeroportin e Tiranës, kur murmurimat disi kaotike u shtuan. Ato u shfaqën madje edhe atje ku priteshin më pak, si për shembull, në ndonjë deklarim të akademikut nga Kosova, Rexhep Qosja. Thelbi i shkrimit të tij “Identiteti kombëtar dhe vetëdija fetare”, është përpjekje për të treguar se shqiptarët vetëm përgjysmë i përkasin qytetërimit evropian. Sipas Qosjes shqiptarët s’kanë pse të shtiren si evropianë, ngaqë ata “i takojnë qytetërimit islamik hiç më pak se qytetërimit të krishterë”. I turbullt, i cekët dhe i pasaktë, akademiku bie në kundërshtim me veten dhe shkrimet e tij të mëparshme ku ai me të drejtë, ka qenë ithtar i vendosur i tezës se atdheu është një, e fetë janë tri, pra, nuk janë fetë ato që kushtëzojnë identitetin por tjetër gjë. E megjithatë, kur vjen puna për të vërtetuar evropianizmin e munguar shqiptar, Qosja përdor pikërisht fjalët “islamik” dhe “i krishterë” thua se një shqiptar i krishterë mund të jetë evropian, por një shqiptar mysliman, kurrsesi! Por keqkuptimet në shkrimin e Qosjes nuk janë vetëm këto. Përveç nervozizmit të papërligjur ndaj asaj tradite kulturore që ka qenë lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar, nervozizëm që nuk lë pa prekur mbajtjen e portretit të Nënë Terezës në institucionet e Kosovës, në këto shkrime spikat diçka e errët dhe e rrezikshme: ndarja e identitetit shqiptar. Muzika ngjan si e njohur. Askush nuk mund të jetë aq naiv sa të mos e kuptojë se një identitet i ndarë është një komb i ndarë. Askush s’mund të jetë aq i ngathët nga mendja që të mos e kuptojë se përjashtimi i gjysmës ose shumicës së kombit shqiptar nga identiteti evropian, do të thotë përjashtim nga Evropa. Dhe përjashtimi nga Evropa nuk është larg dëbimit nga Evropa. Ky nuk është as përfundim teorik e as filozofik. Kombi shqiptar, përpara se ta lexojë në libra e ka ndier në mishin e tij këtë lemeri. Shpërnguljet me dhunë kanë hyrë në vetëdijen e traumatizuar të disa brezave shqiptarë. Këto shpërngulje nuk ranë si rrufe në qiell të pastër. Ato ishin përgatitur për një kohë të gjatë nga zyra kriminelësh, nga ushtarakë sadistë, nga akademikë të zinj si Vasa Çubrulloviçi, nga mendësia e një popullsie të tërë të dehur prej etheve shoviniste. Në këtë përgatitje, po ta hulumtosh tani do të gjesh paradigmat e vjetra: Njëra prej tyre është identiteti joevropian i shqiptarëve. Shqiptarët, turq të ardhur nga Anadolli. Shqiptarët, myslimanë, mish i huaj për Evropën e krishtere. Shqiptarët, rrezik për qytetërimin evropian. Shqiptarët duhen mbajtur të tkurrur, të thyer në mes. Na lini ne ta bëjmë këtë punë. Gjithë strategjia e Millosheviçit për të marrë dritën jeshile nga Evropa për zhbërjen e së paku gjysmës së kombit shqiptar, atij “që s’kishte identitet evropian”, domethënë të shqiptarëve më besim mysliman, bazohej në besimin e tij të verbër se Evropa do të binte në këtë kurth gjenocidar. Ne e dimë ç’ndodhi. Evropa dhe SHBA-ja nuk ranë në kurth dhe kjo është një nga aktet më të ndritshme të qytetërimit perëndimor.
3 Përpara se t’i kthehemi tezave për identitetin e përgjysmuar shqiptar, le të hamendësojmë një çast se ndoshta mbrojtësit e tyre kanë të drejtë. Me fjalë të tjera të shtrojmë pyetjen se mos vallë gjithë këto vite, madje disa shekuj me radhë nuk e paskëshim ditur ç’kemi qenë? Ose e kemi ditur gabim? Mos na kanë gënjyer poetët, nga De Rada te Naim Frashëri, që të kujtojmë se jemi ata që s’jemi? Dhe prapë mund të vazhdonim. Mos vallë më 1990, kemi lëshuar britmën e gabuar “E duam Shqipërinë si Evropa?” Mos vallë ajo duhej të ishte: “E duam si Evropa, por e duam edhe si Azia”, ose “Hiç më pak se Azia?” Shkurt mos jemi ata që s’jemi? E gjithë kjo nuk është aspak për të qeshur. Përçartje të tilla, në prag të afrimit të portave të Evropës, përpara se të ishin komike, janë thellësisht tragjike. Si të tilla, ato kërkojnë një përgjigje të qartë, serioze dhe pse jo, të prerë. Në raste të tilla parimi kryesor është se një popull është ai që është dhe s’ka nevojë as për pudër zbukurimi e as për blozë përçmuese. Letrat e Shqipërisë janë të qarta. Populli shqiptar nuk ka identitet gjysmak, të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh mashtruese. Identiteti i tij është gjithashtu i qartë, pavarësisht se dikush nuk dëshiron ta shohë, e dikujt nuk i intereson ta shohë. Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para evropianitetin shqiptar. Zelli i atyre që me çdo kusht duan ta zbehin disi edhe këtë fakt kokëfortë, arrin disa herë të krijojë përshtypjen se Shqipëria është në skaj të Evropës dhe fill pas saj nis Turqia, ose Azia. Ndërkaq, kur hedh sytë në hartë vëren se gjer në atë kufi shtrihen së paku tri shtete të tjera: Maqedonia, Greqia dhe Bullgaria. Për të mos përmendur atë që quhet “Turqia evropiane”. Popullsia shqiptare, ashtu si e gjithë kontinentit evropian, është e bardhë. Ashtu si gjuha, ajo quhet, në rastin më të favorshëm, pasardhëse e ilirëve, në më të pafavorshmet, e trako-ilirëve. Historia e Shqipërisë, ashtu si e gjithë gadishullit, gjer në pushtimin otoman, është pjesë e kronikës mesdhetare evropiane. Së paku tri qytete kryesore të saj, me jetë të pandërprerë, Durrësi, Shkodra dhe Berati, kanë afërsisht një moshë me Romën. Lidhjet ekonomike e ushtarake, ligjet rregulluese (statutet) e qyteteve, të rrugëve e porteve detarë janë të një natyre me ato të kontinentit. Gjurmët arkeologjike greko-iliro-romake, teatro e amfiteatro gjenden gjithashtu kudo. Historia e mesjetës shqiptare sipas veprës monumentale të Milan Shuflait, jepet në një tablo të plotë me principatat, kryezotët, aleancat, krushqitë e natyrisht grindjet e pashembullta, tradita e të cilave ka mbërritur e pazbehur aspak gjer në ditët tona. Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi kombëtar shqiptar, përmendja e të cilit ishte e ndaluar në Shqipëri për pesë shekuj, për shkak të sundimit otoman, u bë së pari një mit evropian, (mbi një mijë vepra historike e artistike, të shkruara për të), përpara se Evropa t’ia rikthente Shqipërisë në shekullin XX. Letërsia e hershme shqipe, letërsi dygjuhëshe, shqip e latinisht, si në shumicën e vendeve evropiane, u zhvillua në të njëjtin nivel për gati tre shekuj. Emra të mëdhenj të saj si Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani i botonin veprat e tyre dygjuhëshe në kryeqendrat kulturore evropiane, për t’i sjellë fshehtazi në Shqipëri, ku shkrimi dhe shtypshkrimi shqip ishin të ndaluara. Në kushtet dramatike të ndalimit, më 1908, një komision i kryesuar nga Gjergj Fishta dhe Mithat Frashëri, me shpalljen e alfabetit latin si alfabet zyrtar të shqiptarëve, dhanë një kumt të qartë të evropianizmit shqiptar. Kjo ndodhte në prag të agut, pas një nate të gjatë pesëshekullore, kur mendjet ishin ende të turbullta, dhe alfabeti latin në Ballkan ishte tepër i rrallë. Me këtë mall tragjik për Evropën e humbur, Shqipëria mbërriti në vitin 1912, vit i lirisë së saj. Më 28 nëntor u shpall pavarësia, dhe nga zgafellat e kombit u nxor flamuri i moçëm mbretëror me shkabë dykrenore, një nga emblemat e mëdha, e cila, prej botës romako-bizantine i kishte kaluar Evropës e kishte zënë vend në qendër të heraldikës së saj. Kontinenti nënë, në një vrull fisnikërie ua njohu atë shenjë shqiptarëve. Por gjestet e Evropës do të ishin më pas tepër të kursyera për ta.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje