Revista
|
|
Ne foto: Megi Jokiçi me të fejuarin Granit Ribaj
Granit Ribaj: Po prisnim në makinë kur qëlluan, nga tronditja nuk munda të shoh kush qëlloi.
Atentati te “Komuna e Parisit”, dëshmia në Polici nga i fejuari i 24-vjeçares.
Personi i parë që është marrë në pyetje nga policia në lidhje me vrasjen aksidentale të 25-vjeçares Megi Jokiçi, ka qenë i fejuari i saj, Granit Ribaj. Ai ndodhej në makinën e të fejuarës së tij në momentin kur ndodhi ngjarja e rëndë. I riu nuk arriti dot të shihte asgjë se kush po qëllonte apo çfarë po ndodhte jashtë makinës, në zonën te “Komuna e Parisit”. Në këtë kohë, ai ka qenë duke u kujdesur për të fejuarën që ishte gjakosur nga goditja me një plumb në nofull në një skenë krimi me të cilin nuk kishte asnjë lidhje.
I fejuari i 24-vjeçares ka treguar për policinë se në vendin ku ndodhi atentati, që ishte destinuar për një tjetër person, vajza e re ndodhej fare rastësisht. I fejuari ka thënë se me Megin kishin shkuar të merrnin një kushëririn e tij bashkë me një shoqe, e më pas të katërt do të dilnin të pinin një kafe së bashku. Granit Ribaj ka treguar se makinën e kishte drejtuar Megi deri aty dhe ajo ndodhej në ndenjësen e shoferit në momentin kur u qëllua nga një plumb. Ai vetë ndodhej në ndenjësen e parë të makinës tip “Mercedes A Clas”, me targë TR 3134 R. Përveç shpërqendrimit dhe tensionimit në momentin kur është plagosur e fejuara e tij, faktin që nuk ka arritur të shohë asnjë person të dyshimtë apo me armë, Ribaj e shpjegon duke treguar se para se të fillonin krismat, ishin kthyer të dy me kurriz nga xhami i përparmë i makinës.
“Kur dëgjuam të shtënat, u kthyem të dy përpara që të shihnim se çfarë po ndodhte. Por nuk arritëm të shihnim asgjë, pasi në një moment u ktheva të shoh Megin dhe pashë që po i dilte gjak”, ka deklaruar për oficerët e Policisë Gjyqësore 25-vjeçari Granit Ribaj. Burime nga Policia e Tiranës thanë se nga deklarimet e të fejuarit të viktimës Megi Jokiçi, por edhe nga dinamika e ngjarjes, rrethanat dhe shpejtësia e kryerjes së veprimeve, rezulton që i riu nga Vlora, banues në Tiranë, nuk ka parë asnjë person të dyshuar. Ai nuk mund të përshkruajë asgjë nga skena e ngjarjes në lidhje me autorët, pamjen e tyre, pasi nuk ka parë asgjë. Këtë ai e shpjegon me faktin se në momentin kur ka parë të fejuarën që ishte e gjakosur, është tronditur dhe ka nisur të kujdesej për të, pavarësisht se nuk po arrinte t’i ndalonte dot gjakderdhjen.
Pyetje: Ku ndodheshit në momentin kur u plagos e fejuara juaj?
Kishim vetëm pak minuta që kishim parkuar makinën para një kazinoje. Aty po prisnim një kushëririn tim, i cili do të vinte bashkë me një shoqe të tij. Ai e ka shtëpinë afër vendit ku kishim parkuar makinën. Pasi të vinin ata, do të iknim të pinim kafe, po nuk e kishim përcaktuar ende se ku, në çfarë vendi.
Pyetje: Gjatë kësaj kohe keni zbritur nga makina?
Jo, jo. Nuk kishim zbritur. Vetëm disa minuta kishim që arritëm aty, orën nuk e mbaj mend fiks se sa ishte. Po e prisnim brenda në makinë që të vinin ata të dy, kushëriri im bashkë me shoqen e tij.
Pyetje: Si ishit ulur në makinë?
Megi ishte në timon, ndërsa unë isha në sediljen e parë.
Pyetje: Patë ndonjë lëvizje të dyshimtë rreth makinës ku ishit para se të fillonin të shtënat?
Asgjë. Në momentin kur dëgjuam krismat, unë dhe Megi ishim kthyer me kurriz nga xhami i përparmë i makinës, drejt sediljeve të pasme. Po rregullonim diçka që të uleshin ata të dy kur të vinin (kushëriri me shoqen).
Pyetje: Çfarë kujtoni në atë moment? Sa të shtëna dëgjuat?
Kur dëgjuam të shtënat, u kthyem të dy përpara që të shihnim se çfarë po ndodhte. Por nuk arritëm të shihnim asgjë, pasi në një moment u ktheva të shoh Megin dhe pashë që po i dilte gjak. Nuk mund të them sa të shtëna, sepse nuk kujtohem dot tani.
Pyetje: Pra, ju nuk arritët të shihnit çfarë po ndodhte jashtë?
Nuk mund të shikoja më jashtë, pasi u trondita nga Megi dhe po përpiqesha ta përmendja, të shihja a ishte mirë, por pashë që ajo po mbulohej me gjak dhe gjaku nuk pushonte. Nuk po ia ndaloja dot. Menjëherë fillova të kërkoja ndihmë, s’po e kuptoja se çfarë po i ndodhte dhe përpiqesha ta nxirrja nga makina. Në një moment njoftova policinë dhe pastaj Megin e kemi çuar në spital me një makinë policie.
“Vrasësi i Megit, me kapele”
Plumbi e kapi 25-vjeçaren në kohën kur po priste në makinë me të fejuarin.
Vrasja e 25-vjeçares Megi Jokiçi ka qenë krejtësisht rastësore, pasi ajo nuk ka pasur asnjë lidhje me atentatin e ndodhur te “Komuna e Parisit”. Policia dhe Prokuroria e Tiranës pohuan dje se shtetasja 25-vjeçare që humbi jetën nga një plumb në nofull është ndodhur në momentin dhe vendin e gabuar për fatin e keq të saj, pasi atentati ka pasur si objektiv shtetasin Aleksandër Gocaj.
Ky person, që sipas hetuesve ishte kontingjent policie, ndodhej në një fuoristradë me dy persona të tjerë kur ndaj tij është hapur zjarr. Grupi i hetimit, nga dëshmitarët dhe kamerat e sigurisë së disa bizneseve në vendin e ngjarjes, ka mësuar se rreth orës 21:30, një person ka zbritur nga një makinë tip “Benz” dhe ka hapur zjarr. Atentatori mbante në kokë një kapelë të ngjeshur te balli, me strehë të ulur dhe po ashtu xhupin e kishte ngritur deri te veshët që të mos identifikohej.
Autori i ngjarjes, sipas Policisë, ka qëlluar drejt makinës ku ndodhej Aleksandër Gocaj me dy persona të tjerë. Njëri nga plumbat e ka prekur në shpatull 27-vjeçarin nga Mati, ndërsa plumbi tjetër ka depërtuar makinën dhe ka goditur Megi Jokiçin në nofull, duke i marrë jetën më pas. Pas atentatit me armë, autorët e krimit janë larguar, ndërsa policia beson se kanë qenë të paktën dy shtetas, njëri që ka qëlluar me armë dhe tjetri që drejtonte makinën. Policia e Tiranës tha mbrëmë se ka persona konkretë të dyshuar për atentatin ndaj Aleksandër Gocajt, ndërsa nuk ka motiv vrasja e Megi Jokiçit, pasi ajo është ndodhur rastësisht në vendin ku humbi jetën.
Hetimi
Veprimi i parë që policia ka bërë për zbardhjen e atentatit ndaj Aleksandër Gocajt, ku mbeti e vrarë 25-vjeçarja Megi Jokiçi, ka qenë sekuestrimi i kamerave të sigurisë pranë vendit të ngjarjes. Vendi i krimit ishte pranë një kazinoje te “Komuna e Parisit”, e pajisur me kamera sigurie. Po kështu, një bankë, fare pranë vendit të ngjarjes dhe një biznes privat disa metra më tutje, kanë qenë të pajisura me kamera sigurie. Policia ka sekuestruar kasetat me pamje filmime në mënyrë që të arrihej identifikimi i autorëve apo qoftë edhe identikiti i tyre.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, ende nuk është arritur ndonjë gjë konkrete që mund të ndihmojë policinë në identifikimin e autorëve. Hetimet intensive të kryera nga policia kanë përforcuar pistën kryesore hetimore, që dyshohet të jetë ajo e “larjes së hesapeve” mes autorëve të atentatit dhe objektivit të tyre, Aleksandër Gocaj. Ky i fundit ka qenë i shoqëruar nga nipi i Gentian Marës, i cili është i fejuari i këngëtares Ingrit Gjoni.
Me makinën e Marës, tip “Toyota”, me targë TR 6116 U, Gocaj, i cili ishte pasagjer, ndodhej pranë vendit ku u vra Megi Jokiçi. Autorët, që dyshohet të kenë qëlluar me automatik tip “Kallashnikov” nga një makinë tip “Benz”, kanë plagosur në krah 27-vjeçarin Gocaj, i njohur me pseudonimin “Mente Koçi” dhe plumbat kanë vrarë 25-vjeçaren Jokiçi, që ndodhej në makinën e saj, fare rastësisht. Më pas autorët janë larguar me makinën e tyre. Policia gjithashtu ka marrë në pyetje shtetasen Jolanda K., e cila në orën 21:20 ka telefonuar në sallën operative të policisë, duke lajmësuar se një makinë tip “Toyota”, me ngjyrë gri, me targë TR 6116 U, ka goditur mjetin e saj.
arma
Arma e përdorur në ngjarjen ku gjeti vdekjen Megi Jokiçi ka qenë një Kallashnikov. Sipas pamjeve dhe dëshmive të siguruara nga grupi i hetimit, mësohet se vrasësi ka zbritur nga një makinë top Benz dhe më pas, ka qëlluar me një automatik kallashnikov në drejtim të makinës ku ndodhej Aleksandër Gocaj. Policia ka thënë se të shtënat kanë qenë me breshëri.
CEREMONIA
Megi Jokiçi, 25-vjeçarja që u vra mbrëmjen e së enjtes te “Komuna e Parisit” në Tiranë, u përcoll dje për në banesën e fundit. Kortezhi mortor, ku morën pjesë qindra njerëz, familjarë, të afërm, miq, kolegë, fqinjë dhe të njohur të stomatologes së re, u nis dje në orën 14:00 nga pallati ku banon familja e saj, pranë “Don Boskos”, drejt Varrezave të Tufinës në Tiranë. Arkivoli ku qëndronte trupi i pajetë i vajzës së re, e cila u vra në mënyrë tragjike vetëm pse u ndodh në vendin e gabuar, mbahej nga kushërinjtë e saj më të afërt, të cilët e mbajtën në duar deri te kryqëzimi pranë Zogut të Zi.
POLICIA
Në njoftimin zyrtar të shpërndarë për median paraditen e djeshme, Policia e Tiranës nuk dha shumë detaje në lidhje me ngjarjen ku mbeti e vrarë 25-vjeçarja Megi Jokiçi. “Rreth orës 21:30, në rrugën ‘Komuna e Parisit’ është plagosur me armë zjarri shtetasja Megi Millosh Jokiçi, 25 vjeçe, e cila u dërgua në gjendje të rëndë në SQU dhe rreth orës 23:50 ka gjetur vdekjen. Në vendngjarje është plagosur në dorë edhe shtetasi Aleksandër Gocaj, 27 vjeç, i cili ndodhet në SQU, jashtë rrezikut për jetën. Aktualisht po punohet për identifikimin e kapjen e autorit, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes në bashkëpunim me Prokurorinë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
I plagosuri
Në Pavijonin e Kirurgjisë në Spitalin Ushtarak ndodhej dje i shtruar dhe jashtë çdo rreziku për jetën, vetëm me një plagë në krah, Aleksandër Gocaj, 27 vjeç, i cili ishte edhe objektivi i atentatit të së enjtes te “Komuna e Parisit”, ku mbeti e vrarë aksidentalisht 25-vjeçarja. Gocaj, i njohur edhe me pseudonimin “Mente Koçi”, duke qenë se është edhe dëshmitari kyç i ngjarjes dhe dëshmia e tij mund të zbardhte të gjithë ngjarjen, ruhet vazhdimisht nga dy punonjës policie të Komisariatit Nr. 2 të Tiranës. Burime nga Policia thanë se Gocaj mbahet vazhdimisht nën mbikëqyrje nga frika e ndonjë atentati të dytë që mund të kryhet ndaj tij nga personat që nuk e arritën dot vrasjen e tij dy ditë më parë. Por, njëkohësisht, edhe për shkak të rëndësisë që ai ka në lidhje me zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorëve. Të njëjtat burime konfirmuan se Aleksandër Gocaj është një prej miqve më të ngushtë të ish-efektivit të forcave speciale Halit (Donald) Dedja, i cili u vra në dhjetor të vitit 2010. Sipas burimeve nga Policia, Gocaj ishte krahu i djathtë i Dedjes dhe ka qenë pranë tij në shumë incidente e ngjarje të rënda që kanë tronditur Burrelin, por edhe Tiranën pas vitit 1997.
Dje, takimi i Kuliçajt me krerët e komisariateve
Analiza, vrasjet e dy femrave tronditin Policinë e Tiranës
TIRANE – Një analizë e hollësishme e punës së Policisë së kryeqytetit është mbajtur dje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës e më pas edhe në Drejtorinë e Përgjithshme dhe në Ministrinë e Brendshme. Zv.drejtori për hetimin, Agron Kuliçaj, së bashku me shefin e hetimit të krimit të organizuar, Tonin Vocaj, kanë qëndruar dje për më se një orë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, në një analizë të situatës së kriminalitetit në kryeqytet. Në këtë takim është marrë në analizë edhe puna e Policisë në raport me ngjarjet e ndodhura njëra pas tjetrës të enjten. Në takim, veç drejtuesve të Policisë së kryeqytetit, kanë qenë edhe shefat e komisariateve. Pak orë pas takimit në Drejtorinë e Policisë, ku është kërkuar angazhim maksimal i policisë, mësohet se një analizë e ngjarjeve është bërë edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Rreth orës 19:00, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka thirrur drejtuesit e Policisë në një raport për situatën.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje