Revista
|
|
Rreziku për të cilin flet një raport i Policisë së Kosovës për radikalizimin e Islamit në Kosovë nuk është vështirë të verifikohet në ligjëratat që mbajnë në xhami apo predikimet që i bëjnë në kanalet e tyre në youtube disa imamë të Bashkësisë Islame të Kosovës. Njëri prej tyre mendon që shtetin që e udhëheq një femër “i ndodh kiameti”, thuhet në hulumtimin e Qendrës Kosovare për Gazetari.
Feja islame në Kosovë i ka rrënjët e saj pas pushtimit të Ballkanit nga Perandoria Osmane. Periudha kur feja islame me të madhe është përhapur ndër shqiptarët është prej vitit 1389 deri më 1912, ndërsa tani, sipas të dhënave zyrtare të Bashkësisë Islame:
90 % e popullatës që jeton në Kosovë janë myslimanë
6 % janë ortodoksë
3 % katolikë dhe
1 % të tjerë
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e para udhëheqëse femër e një vendi ballkanik, gjatë një darke në Varshavë që e ka pasur në maj të vitit 2011 me presidentin amerikan, Barack Obama, lidhjen e kosovarëve me fenë e ka sqaruar si lidhje individuale me Zotin, aty ku shteti nuk përzihet.
Në shtetin e Jahjagës, Kosovë, ekziston një grup i njerëzve që thonë se shteti që udhëhiqet prej një femre, aq më tepër të pambuluar me shami, rrezikohet prej “kiametit”. Imami i xhamisë në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, Fadil Sogojeva, nuk e thotë asnjë fjalë të keqe për presidenten Jahjaga, megjithatë ai si shembull që “kiameti” po i ndodh Kosovës për shkak se Jahjaga po e udhëheq Kosovën, e përmend përhapjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar në përmasa tejet të mëdha.
Këtë grup të imamëve e acaron tej mase edhe miratimi i Ligjit për arsim që nuk lejon futjen në shkollat publike të vajzave të mbuluara.
Në opinion grup i njerëzve që njihen si “Wahabistë”, janë njerëz me mjekra të gjata dhe pantallona deri te neni i këmbës, ndonëse ata nuk e pranojnë se janë të tillë. Përhapja e ideve të tyre dhe ushtrimit i ndikimit gjithashtu ndihmohet shumë edhe përmes propagandës në internet dhe shkrimeve në media.
Një nga imamët më të njohur për qëndrime të tilla është edhe hoxha i xhamisë më të madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, i cili në një prej intervistave dhënë në Klan Kosova ka sugjeruar që flamuri kombëtar i shqiptarëve të ketë të shkruar edhe në arabisht fjalën “La Ilahe Il Allah” (S’ka Zot tjetër përpos Allahut). Kjo shprehje gjendet në flamurin e Arabisë Saudite, vendi që udhëhiqet prej një dinastie mbretërore e ardhur në pushtet nga përkrahja e wahabistëve.
Në një nga kanalet në faqen e internetit “youtube.com”, hoxha i Bashkësisë Islame të Kosovës nga Prizreni, Mazllam Mazllami, duke folur për temën e ekstremizmit fetar, thotë me habi se si mund të akuzojnë të tjerët për rrymë radikale nëse ai kërkon që “shqiptarët të mos shkojnë në det së bashku meshkuj e femra për t’u cullakuar”.
Te jo pak të rinj kosovarë që marrin pjesë rregullisht në ligjëratat e këtyre imamëve, ndikimi dhe lojaliteti tej mase i madh vërehet te pyetjet që i bëjnë. Njëri pyet nëse ka të drejtë që të dalë me bashkëshorten e tij dorë për dore, tjetri pyet nëse është haram të pihet “Coca-cola”…etj. (Ligjërata të marra nga youtube.com, ligjërues Mazllam Mazllami, Prizren, Enes Goga – Pejë).
Bashkësia Islame e Kosovës gjatë bisedës me QKGH fillimisht e pranon se ka imamë të tyre që vetëm mënyrën e lutjes e kanë pak më ndryshe. Megjithatë kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, dhe Afrim Sadriu nga zyra për media, kur pyetën nëse përkrahin predikimet e disa prej imamëve të lartpërmendur, e pranojnë që disa prej tyre edhe predikimet i kanë ndryshe prej asaj që e thotë zyrtarisht BIK-u dhe se disave prej këtyre imamëve “u është tërhequr vërejtja”.
Ngatërrimi i wahabistëve me salafistë arabë nuk bëhet vetëm në Kosovë, pasi dallimi që ekziston mes tyre është si një fije peri, ndonëse sipas profesor Ahmad Mousalli, ligjërues në Universitetin Amerikan të Bejrutit, ky dallim shumë i vogël është i një rëndësie të veçantë.
Ai ka kryer një studim në vitin 2009 për universitetin e tij ku mundohet të sqarojë dallimet dhe të përbashkëtat e këtyre rrymave. Profesor Mousalli mendon që wahabizmi është forma më strikte e islamit e nisur nga Muhammad Bin al-Wahhab, si lëvizje reformash teologjike me qëllim, siç thonë ata, që të shpërbëjë disiplinat tradicionale dhe praktikat e zhvilluara në historinë e islamit. Themeluesi Abd al-Wahhab në kohën e tij ka argumentuar se njohja e një krijuesi të vetëm pa partner nuk është e mjaftueshme për besim korrekt dhe se kësaj i duhet shtuar sjellja “e pastër” islamike. Kjo lëvizje në kohën kur është nisur ka pasur gjithashtu për qëllim edhe largimin e Perandorisë Osmane nga Meka e Medina, e cila, sipas tyre, nuk ka praktikuar islamin si duhet.
Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese ka siguruar edhe një raport top-sekret të Policisë së Kosovës, i para disa vjetësh, që flet për rrezikun e wahabizmit në Kosovë:
“Sipas tyre (wahabistëve) ata edhe mund ta vrasin një mysliman tjetër që nuk i takon sektit të tyre.) etj., të cilët veprojnë pothuajse në tërë territorin e Kosovës, ndërsa shumë nga anëtarët e këtyre sekteve njihen edhe si persona mjaft ekstremistë”, thuhet në faqen e parë të këtij raporti.
Ky raport trefaqësh që është konfirmuar se i është dorëzuar kohë më parë edhe Komisionit Parlamentar për Siguri (mandati 2007 – 2010) nuk identifikon organizata dhe persona konkretë si wahabistë, por flet hapur për rrezikun çdoherë e në rritje nga përhapja e kësaj rryme.
Policia kosovare nuk ka pranuar të përmendë ndonjë organizatë, të cilën e dyshojnë për veprimtari të tillë.
Kompania amerikane “JCB Consulting” në dokumentin e tyre të vitit 2002, në një raport special për presidentin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i titulluar: “Financimi i terrorizmit, rrënjët dhe trendët e financimit të terrorizmit”, flet edhe për bastisje që UNMIK-u ka bërë nëpër organizata për këtë qëllim. Aty përmendet krijimi i një komiteti prej Mbretërisë së Arabisë Saudite që do kontrollonte fondet që jepen për organizata fetare humanitare edhe për Kosovën. Sipas dokumentit të “JCB Consulting”, “UNMIK-u ka bastisur një shtëpi që ishte marrë me qira nga “Saudi Joint Relief Committee” në Prishtinë, bastisje kjo që është bërë në prill të vitit 2000. Kjo organizatë (e krijuar nga Mbretëria e Arabisë Saudite) punonte si mbulesë për disa prej operativëve të Osama bin Ladenit, përfshirë edhe ish-drejtorin e këtij komiteti, Adel Muhammad Sadi Bin Kazem dhe Wael Hamza Julaidan (sekretari i përgjithshëm i Trustit Rabita në Pakistan dhe një prej bashkëthemeluesve të Al-Kaidës e deklaruar si organizatë terroriste nga Qeveria e SHBA-së në vitin 2002”.
Të njëjtën bastisje e përmend edhe Shaul Shay, në librin e tij “Islamic Terror and the Ballkans”, ku ndër të tjera thuhet se “ka qenë evidente se SJRC ka shërbyer si mbulesë për aktivitetet e njësive terroriste dhe për transferimin e fondeve dhe organizimin e aktiviteteve në Ballkan”.
Rasti i vetëm, që të paktën dihet në opinion, kur shteti i Kosovës ka ndërhyrë kundër personave që janë të dyshuar për përhapje të ideve ekstreme fetare ka qenë ai i Marinës në Skenderaj. Atëkohë shteti kishte vendosur largimin e personit Kastriot Duka që në opinion paraqitej si hoxhë, por që asnjëherë nuk e kishte marrë miratimin e organizatës së vetme e cila ka të drejtë të japë këtë titull në Kosovë, Bashkësisë Islame të Kosovës. Largimi i tij për në Shqipëri përmes pikës kufitare të Vërmicës u bë në praninë e kamerave televizive, ndonëse, siç zbulon QKGH, ai është kthyer në Kosovë heshtazi, me gjithë vendimin se është “persona non grata”.
Kastriot Duka apo“Hoxhë” Xhemajl Duka me origjinë nga Elbasani para dy vjetësh sfidoi seriozisht tërë Bashkësinë Islame të Kosovës. Tash ai po e sfidon tërë shtetin e Kosovës duke mos ia respektuar vendimin që ia kishte shqiptuar para dy vjetësh. I larguar me urdhër gjykate në mars të vitit 2010, pa të drejtë kthimi në Kosovë për tre vjet, Xhemajl Duka megjithatë ka hyrë në territorin kosovar.
H. K., kontakti kryesor i organizatës arabe të Dukës në Marinë, i ka thënë QKGH-së se shteti kosovar nuk arriti ta ndalojë për tre vjet hoxhën e vetëshpallur.
Përzënia e tij nga Kosova u bë pas dorëzimit të një peticioni në Kuvendin Komunal të Skënderajt të nënshkruar nga gjashtë mijë persona.
Peticioni ishte menaxhuar nga shoqata “Prehja”, udhëheqësja e së cilës, Ajneshahe Halimi, në vitin 2010, i kishte thënë televizionit Top Channel se në xhaminë e ndërtuar nga Duka “zhvilloheshin aktivitete, si ardhja dhe bujtja e mysafirëve të ndryshëm nga vise të ndryshme të botës dhe organizimi i shumë ceremonive që janë në kundërshtim me islamin”.
Ndërkombëtarët kanë bërë eksperiment me Kosovën në këtë aspekt, është akuza shumë e rëndë që e bën Bajram Rexhepi, ministër i Brendshëm i Qeverisë së Kosovës.
Ai e kujton kohën sa ka qenë kryeministër, sidomos mes viteve 2003 e 2004, kohë që ende rrymat e reja me tendencë radikale nuk kishin as xhemat e pothuajse fare ndikim. Atëkohë kryeministri Rexhepi kishte propozuar hartimin e një projektligji, i cili do të ndalonte menjëherë aktivitetet e të gjitha organizatave të të gjitha feve që vërehet se po përhapin ide ndryshe nga forma tradicionale.
Mirëpo për këtë gjë unë kam pasur pengesa nga Këshilli i Evropës në Strasburg., nga zyrtarët më të lartë. Ai tregon se ka pasur raste kur edhe interesi shtetëror është rrezikuar, p.sh. fundamentalizëm apo vehabizëm, ndërsa thotë se ka pasur raste kur pas arrestimit gjykatat i kanë liruar për shkak se gjyqtarët kanë kërkuar shumë më shumë argumente (botohet me shkurtime, sipas tekstit të publikuar dje e sot në “Kohën Ditore”).
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje