Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Historianët: Osmanët ishin pushtues, me ta patëm beteja të përgjakshme
Publikuar me 11 Qer 2013

Historianët: Osmanët ishin pushtues, me ta patëm beteja të përgjakshme

Historianët shqiptarë kanë reaguar në lidhje me pretendimet e historianëve turq dhe qeverisë së këtij vendi, të cilët janë duke u përpjekur të krijojnë idenë se ata nuk kanë qenë pushtues të mirfilltë, dhe as që kanë kryer vepra të përgjakshme.

Drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta dhe historiani Romeo Gurakuqi thonë se nuk mund të ndryshohet fakti që osmanët kanë qenë pushtues dhe me ta janë zhvilluar beteja të përgjakshme.

“Turqit në Ballkan dhe në Shqipëri kanë ardhur si pushtues e do të thoja se shqiptarët kanë bërë luftrat më të përgjakshme, me kostot më të larta në historinë e tyre si popull.

Nuk mund të përdoret qënia e disa nënpunësve shqiptarë në Turqi, që ishin një minorancë.

Nuk përfaqësonin interesat e kombit shqiptar. Ata ishin thjesht nënpunës otomanë. Turqit sigurisht kanë qenë timoni drejtues, forca , pesha e kësaj perandorie. Këtë nuk e vë në dyshim askush”- tha Meta.

“Shqipëria ka qenë për pesë shekuj e pushtuar nga perandoria osmane. Gjëja e parë që duhet bërë është ndarja e një shteti të së kaluarës me një shtet aktual- sot. Bëhet fjalë për një pushtim të mirëfilltë”- tha Gurakuqi.

Sa i takon pretendimit të historianëve apo qeverisë turke për rishikim të historisë shqiptare mbi periudhën e Perandorisë Otomane, studiuesit pranojnë se debatet shërbejnë, por historia duhet të thotë të vërtetën.

“Qeveria turke nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në historiografinë e një vendi tjetër. Kanë gjithë të drejtën e zotit të debatojnë me të gjitha termat e parametrat.

Pastaj sa të sakta janë dhe sa të pasakta do të dali nga rezultatet e këtij debati”- tha Meta.

“E vetmja ndërhyrje që mund të jetë e pranueshme është zbatimi I kritereve shkencore. Do të duhet të jemi të kujdesshëm në heqjen e termave pezhorativë nëqoftëse do të ekzistojnë”- tha Gurakuqi.

Turqia është duke ushtruar një presion të madh, sidomos në Kosovë, për ndryshimin e teksteve të historisë, në mënyrë që të zbutet qendrimi ndaj periudhës së pushtimit osman.

Historianët turq në Tiranë: Osmanët, jo pushtues
I ftuar në Tiranë në janar të këtij viti për konferencën mbi luftërat ballkanike, historiani turk Mehmet Haxhisalihoglu sjell teza provokuese që pritet të hapin debat.

Nën argumentin se shqiptarët kanë qenë drejtuesit kryesorë të administratës osmane, historiani Hxhisalihoglu mohon përdorimin e termit pushtim, pasi sipas tij, vetë shqiptaret kanë drejtuar disa nga vendet kryesore nën batinë e Perandorisë Osmane.

Por historiani nuk mjaftohet me kaq, pasi ai shkon më tej duke mohuar konvertimin e shqiptarëve në myslimanë me forcë. Sipas Haxhisalihoglu, shqiptarët u islamizuan pasi drejtuesit e tyre e kishin më të lehtë për të ruajtura pozitat dhe pronat nëse konvertoheshin.

“Gabimi më i madh i historiografisë tuaj kombëtare është se paraqet Perandorinë Otomane si Perandori turke, por ajo ishte një bashkim etnitetesh. Në administratën e saj kanë shërbyer shumë shqiptarë dhe myslimanët e Shqipërisë kanë luajtur po aq rol sa edhe turqit në Perandorinë Otomane, prandaj shqiptarët kanë po aq përgjegjësi për veprimet e kësaj perandorie”, u shpreh historiani turk Hacisalihoglu.

Historiani ka marrë me vete edhe një pyetësor të cilin pretendon ta shpërndajë në shkollat e Tiranës, për të kuptuar se cili është imazhi i Turqisë dhe osmanëve në librat e historisë. Sipas tij, ky projekt po realizohet në 15 vende jo vetëm të Ballkanit, dhe nga të dhënat e deri tanishme imazhi i Perandorisë Osmane konsiderohet si negativ në tekstet shkollore.

Ndërkaq që dje në konferencë, historianët shqiptarë dhe kosovarë nuk kanë mbajtur qëndrime të qarta lidhur me kërkesat apo pretendimet historianëve turq dhe qeverisë turke. Ndërkohë në konferencë pati edhe polemika mbi ndikimin e Luftërave Ballkanike 1912- 1913 në shtetformimin e vendeve të Ballkanit përfshi Shqipërinë.

“Mendoj se formimi i shtetit është shkaktuar nga lufta sepse edhe në anën e Hasan Prishtinës përshembull planifikimet kishin qenë për një autonomi", u shpreh Konrad Clewing nga Gjermania.

Ndërsa për këtë çështje historiani Ferid Duka u shpreh se: "Shteti shqiptar është produkt i disa faktorëve, i zhvillimeve brenda përbrenda shqiptare, i zhvillimeve ballkanike.

Jam plotësisht dakord se në këta faktorë është edhe lufta ballkanike, por edhe kalkulimet gjeopolitike në shkallë evropiane”. Ndërkaq që sot është dita e dytë e konferencës dhe pritet të ketë të tjera tema në diskutime.


1040
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI