Revista
|
|
U promovua libri i Uran Butkës, Masakra e Tivarit. Historiani tregon bisedën me ish-ministrin e Brendshëm në kohën e masakrës së Tivarit.
Nuk jam penduar, po të kthehej e njëjta situatë, do të veproja po ashtu. Kështu do ti thoshte pak kohë para se të ndahej nga kjo jetë Haxhi Lleshi, historianit Uran Butka, në lidhje me masakrën e Tivarit. Nuk kishte pendesë, deri në fund. Dje, në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, historiani Uran Butka promovoi librin e tij Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar. I pranishëm ministri i MTKRS-së, Aldo Bumçi, historianë e njerëz të letrave. Sipas shkrimtarit Agron Tufa, masakra e Tivarit ngre një mori pyetjesh para historianëve, të cilat nuk marrin dot përgjigje, ndërkohë që asnjë prej përgjegjësve të saj nga pala shqiptare nuk ka dalë para përgjegjësisë, madje nuk u janë hequr as dekoratat që kanë marra nga Shqipëria e Jugosllavia, njëkohësisht. Akti i pabesë i PKSH-së ndaj bashkëkombësve të vet, edhe sot pas 67 vjetësh ka mbetur pa u zbardhur. Pjesëmarrësit në këtë krim kurrë nuk u vunë para drejtësisë dhe shteti shqiptar i paskomunizmit asnjëherë nuk zbatoi detyrën ligjore për zbardhjen e këtij krimi, tha Tufa. Në lidhje me këtë që tha shkrimtari Tufa, historiani Butka rrëfeu një episod, që i kishte ndodhur me një nga pushtetarët më të lartë gjatë viteve të diktaturës. Bëhet fjalë për Haxhi Lleshin, i cili në kohën kur ndodhi masakra e Tivarit, ishte në pozicionin e ministrit të Brendshëm. Kam shumë vite që merrem me zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe, teksa kërkoja nëpër arkiva, më ra në dorë një dokument i firmosur nga Haxhi Lleshi. Ishte një autorizim, që lejonte kalimin e forcave jugosllave nëpër Shqipëri dhe për vrasjen e dezertorëve. Haxhi Lleshi ishte ende gjallë, e marr në telefon dhe i them se kisha gjetur një dokument të tillë, pasoja e të cilit ishte rreth 1000 të vrarë. I thashë se kërkoja një konfirmim në lidhje me këtë dokument dhe në të njëjtën kohë ky ishte një shans i mirë që ai të shprehte pendesën e tij në lidhje me këtë ngjarje. I thashë: tashmë jeni i moshuar dhe do të ishte në nderin e tij të ikte nga kjo botë me një pendesë. Më në fund pranoi dhe unë i nisa një gazetar për ti bërë një intervistë. Ai e pyeti nëse firma poshtë dokumentit ishte e tija dhe ai u përgjigj: Po. Më tej gazetari e pyeti se si kishte mundësi që u lejuan që të huajt të kalonin përmes territorit shqiptar dhe ai u përgjigj se në atë kohë ne dhe Jugosllavia ishim një dhe ndiqnim të njëjtën politikë. Pyetjes se a ndiente ai pendesë në lidhje me këtë ngjarje, iu përgjigj: Jo, nuk jam penduar, sepse po të ndodhesha sërish në të njëjtën situatë, do të veproja po kështu, sepse kosovarët janë reaksionarë. Kjo ishte biseda me Haxhi Lleshin, i cili deri në fund nuk u pendua për veprimet e tij, tha Butka. Sipas tij, fakti që MTKRS u bë mbështetësja e realizimit të këtij libri, do të thotë se më në fund, pas 70 vjetësh, shteti e konsideron këtë ngjarje, ku pushteti i asaj kohe u bë bashkëpunëtor. (Panorama)
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje