Revista
|
|
Ndërtimi i autostradës, shpresë për "zbulimin" e ujësjellësit
Tuneli është hapur në galeri horizontale, veshur me mure anësore, kurse nga sipër mbuluar me qemer. Gjerësia e tunelit është rreth 1 m, kurse lartësia lëviz nga 80 cm deri në 1,3 m, përmasa që lejonin kalimin e njeriut me trup përkulur. Rreth 100 m nga dalja e tunelit nëntokësor (nëpër të cilin rrjedh vrullshëm uji i ftohtë e i kthjellët), është ndërtuar pusi i kontrollit, që nis me një hyrje të maskuar nga sipërfaqja e tokës. Nga kjo hyrje, për në fundin e pusit zbritet me anë të 23 shkallëve guri në formë spiraleje, të vendosura në faqet e brendshme murore të pusit. Gjerësia e pusit shkon deri 2,15 m, lartësia e pusit është 8 m, në fund është puseta e kontrollit.
Ujësjellësi i Domgjonit është i vetmi i këtij lloji në vendin tonë dhe pa paralele në të gjithë Ballkanin. Së bashku me kështjellën, që në popull njihet me emrin "qytezë", ndërtuar në antikitetin e vonë e kryesisht në shekullin VI të erës sonë, flasin për një vendbanim të rëndësishëm. Ndërtuesit kishin një traditë të shquar në punimet nëntokësore, si nxjerrës të mineraleve. Ky objekt unikal është shpallur "Monument Kulture", por duke qenë larg dhe i izoluar nuk është rikonstruktuar dhe nuk vizitohet, siç e meriton një monument i tillë. Fakti që autostrada e re katër kalimëshme, që pritet të kalojë përmes luginës së Fanit, ndodhur në vetëm 700-800 metra larg, mendohet të jetë një nga vendet që do të bëjë kuriozë vizitorë të shumtë për aty.
Studiuesi, Nikollë Loka: Ndërtimi në kohën e Perandorit Justinian, në shekullin VI
Është një nga ujësjellësit e rrallë në Ballkan. Dallon jo vetëm për funksionin si i tillë, por dhe për arkitekturën, një monument origjinal, por jo dhe aq i vënë në vëmendjen e studiuesve tej se vendas. Me përcaktimin thjeshtë si "ujësjellës" disa prej studiuesve vendas nuk janë aspak dakord, madje e quajnë shumë të thjeshtëzuar dhe miopi e eksploratorëve apo arkeologëve. Njëri prej tyre që e kundërshton këtë ide është studiuesi Nikollë Loka, autori i monografisë "Fani del nga muzgjet".
Kurrsesi, jo vetëm ujësjellës, thotë ai, dhe këtë e lidh që me hershmërinë e ndërtimit, që shkon më tej legjendave që banorët e atyshëm e kanë të fiksuar në kokë. Duke kujtuar se ata banorë janë shumë të lashtë në atë vend, shumë më të lashtë sesa e pandehin veten, të ardhur nga Peja, disa shekuj më parë.
Zoti Loka, e cilësoni si një monument të rrallë, unikal në Ballkan dhe shumë të lashtë Gurrën e Domgjonit, ku e bazoni këtë?
Është e ditur dhe e pranuar se kjo gurrë, rrëzë malit të mrekullueshëm të Munellës, është quajtur si njëra prej më të rrallave në Ballkan. Kur është quajtur kështu, kanë patur parasysh se vetë kryeqyteti i Perandorisë Bizantine dhe qyteti më i mirë i asaj kohe në botë, ndodhej pikërisht në këtë gadishull. Duke marrë në konsideratë mjeshtërinë shumë të lartë të ndërtimit, ku së pari bie në sy ana arkitekturore e veprës, mendoj se duhet dalë përtej hipotezës tradicionale, se "meqenëse Domgjoni kishte nevojë për ujë, u ndërtua nga vendasit një ujësjellës për vaditje". Në ndihmë të kësaj hipoteze, vjen edhe fakti se domgjonasit janë vërtetë muratorë të zot. Dakord, muratorë të zot, por Gurra është ujësjellësi i vjetër më i mirë i Shqipërisë dhe ndër më të mirët e Ballkanit. Kur themi kështu, kemi parasysh edhe qytete shumë të rëndësishme, si ai i Durrësit, Shkodrës, Butrintit dhe Apolonisë.
D.m.th., duhet të kemi një hipotezë tej se një ujësjellës i strukur majë malesh?
Natyrisht. Një vepër e tillë ujësjellëse në një fshat apo qytezë të vogël, e fare pak të rëndësishme, kur Iliria ishte e mbushur me qytete të mëdha, duket disi jo e zakonshme. Edhe nëse do të ishte vërtetë kështu, atëherë ata burra arkitektë dhe muratorë të zotë do ta kishin përsëritur veprën e tyre, në një ujësjellës të dytë në Fan dhe në territoret e tjera shqiptare. Për një vepër të tillë kishin nevojë të gjitha qytetet, pa përjashtim. Gurra e famshme e Domgjonit, nuk është ndërtuar nga vendasit, por as nuk ka rënë në formën e ndonjë mrekullie atje në mes maleve, që ngërthejnë shumë histori dhe legjenda. Rrethanat ekonomiko-shoqërore na çojnë në një hipotezë më të besueshme: ishte shekulli VI, në krye të Perandorisë Bizantine kishte ardhur Justiniani i Madh ilir, i cili mbrojtjen e Ilirisë e bëri çështjen e tij personale. Në territoret ilire në atë kohë u ndërtuan dhjetëra qyteza të reja dhe u fortifikuan dhe u rindërtuan dhjetëra të tjera. Edhe qyteza e Domgjonit, e cila duhet të kishte qenë një kështjellë me mure rrethuese, brenda të cilës duhet të kishte patur kishën (aty ndodhet kisha e sotme), banesa për strehim dhe objekte të tjera, që i dhanë atributet e qytezës. Në fakt, qyteza e Domgjonit, nuk duket se është ndërtuar në pozicion kryq mbrojtës, siç janë majat e maleve, kodrave, e të tjerë, si dhe gjendej larg rrugës së njohur romake që kalonte nga Shkalla e Konajve në Batra, Qafa e Komit, për në Kukës në drejtim të Nishit. Ajo nuk është krijuar thjesht për të luftuar. Ka shumë mundësi të kishte shërbyer më shumë si rezidencë e ndonjë komandanti të shquar, i cili mund të ishte i ngarkuar me ruajtjen e rrugës shumë të rëndësishme që të çonte në Nish dhe që çuditërisht, pjesën më të vështirë e kishte nëpër territorin e Fanit, që forcat mund t'i kishte nëpër pikat e vrojtimit dhe kalatë pranë rrugës, ose mund të ishte edhe një vendstrehim për popullsinë në rast lufte, sepse ndonëse e vendosur në vend pothuajse të sheshtë dhe të papërshtatshëm për luftë, qyteza e Domgjonit, si hapësirë ofron mbrojtje të mjaftueshme; rrugët për të shkuar në Domgjon kalojnë nëpër qafa kodrash e malesh dhe nëpër grykën e lumit, nëse vihet nga Gjagza. Mbrojtja e Domgjonit nga terreni, ka qenë detyrë relativisht e lehtë.
Mund të ketë lidhje dhe me pasuritë nëntokësore që zotëron ajo zonë prej shekujsh?
Nuk përjashtohet mundësia që zyrtarë perandorakë shumë të njohur të asaj kohe, të joshur edhe nga pasuritë nëntokësore të arit dhe bakrit, kanë preferuar që të banojnë në Fan dhe duke shfrytëzuar pozitën e tyre të lartë për të ndërtuar një vendbanim model, ku ujësjellësi është vetëm ai që na ka mbetur. Dokumentet e kohës së Justinianit tregojnë se në rajonet metalmbajtëse të arit, argjendit, bakrit, etj,, ku përfshihet edhe Mirdita e sotme, ka patur nëpunës perandorakë, që merreshin me administrimin e kësaj pasurie dhe parandalimin e vjedhjeve të saj. Rrënojat e qytezës janë mermer i papërpunuar dhe gjysëm mermer, që na dëshmojnë një ndërtim luksi, që nuk e kemi as në qytetet e mëdha dhe të njohura. Meqenëse arkitektët më të mirë vinin nga kryeqyteti, projektuesit e ujësjellësit duhet të kenë ardhur prej andej, ndërsa përsa i përket bazës materiale, ndoshta dhe mjeshtërit janë gjetur në vend.
A është marrë në mbrojtje nga shteti ky monument i rrallë?
Për fat të keq, jo. Gurra e famshme e Domgjonit, e projektuar nga arkitekti perandorak, deri më sot, vetëm ka fituar cilësimin si njëri ndër objektet më të rëndësishme hidraulike të asaj kohe në Ballkan. Një vlerë e tillë, duhej të ishte marrë me kohë në mbrojtje nga shteti. Studiuesit duhet të jenë të parët që ta ngrenë zërin për këtë pasuri, jo vetëm të Mirditës, Shqipërisë dhe Ballkanit. Në guidat për Shqipërinë, si dhe në guidat e ndryshme tematike për Evropën, Mirdita pasqyrohet denjësisht me Abacinë e Oroshit dhe Manastirin e Rubikut. Gurra e famshme, monumenti shumë intrigues për studiuesit, nuk përmendet. Emri i saj duket se ndoqi fatin e ndërtuesit, ndonëse ujë i pastër kristal rrjedh e rrjedh dhe ujësjellësi i dëmtuar ngjan ende si kryevepër, që në Shqipëri nuk u pasua nga një i dytë, as në kohët e mëvonshme.
Denoncimi
Abuzime me fondet, galeritë e reja rrezikojnë Gurrën e lashtë
Në memorien e atyre pak banorëve që kanë mbetur në fshatin Domgjon të komunës Fan, është shënuar si ujësjellësi që u ka shpëtuar të lashtat nga thatësira. Por punët kanë ndryshuar nga të parët e tyre, me ata të sotmit. Nëse të parët, shekuj më parë, kur teknika e ndërtimit nëntokësor ishte tërësisht primitive, mundën që nga thellësitë e nëntokës ku merrej uji, të mund ta nxirrnin atë në sipërfaqe, për të ujitur plot 100 hektarë tokë tejet prodhuese, banorët e sotëm kanë dështuar me mjetet e teknologjisë moderne edhe pse buxheti i shtetit akordoi për këtë vepër, plot 14 milionë lekë të reja.
Nikoll Kola, banor i këtij fshati, rrëfen se tuneli i vjetër ndonëse ekziston, nuk e afron sasinë e duhur të ujit për fshatin. Uji humbet gjatë rrugës në trasenë e tij dhe për ta rregulluar këtë gjë, ndërmorëm aventurën për të punuar po si të parët tanë, pas financimit që u dha nga Ministria e Bujqësisë para katër vitesh, prej plot 14 milionë lekësh të reja. Mirëpo, lekët nuk dihet se ku e si shkuan dhe tashmë 180 metra tunel dolën jashtë përdorimit, ndërsa 30 metra të tillë janë shembur totalisht.
Zoti Kola, sipërmarrës i punimeve për ndërtimin e galerisë, thotë se projekti ishte të punonim me këtë fond, pas 40 vitesh që nuk ishte vënë dorë në këtë vepër, me qëllim që me tunel të shkonim deri tek liqeni në gji të malit Munellë,nga ku rrjedh uji i kristaltë i gurrës. Financimi i dhënë e bënte të mundur diçka të tillë. Por problemi ngeci tek tenderimet, ku filloi dhe ndarja e pjesës. Tenderin për kryerjen e punimeve e fitoi firma "Demal" nga Lezha, por referuar dhe dokumentacionit që e kemi në dorë, del se deri më tani janë sjellë në fshat për këtë qëllim vetëm 4,3 milionë lekë, nga 14 milionë të planifikuara. Është një histori e hidhur që në vitin 2002. Edhe kjo punë që ne e bëmë dhe që nuk u pagua sipas preventivit, thuajse ka shkuar dëm. Kola thotë se kemi lajmëruar disa herë për zhdukjen e kësaj sasie parash, si në Ministrinë e Bujqësisë, duke u sorollatur plot katër vite edhe në Ndërmarrjen e Ujërave në Lezhë, si dhe antikrimin ekonomik në policinë e Lezhës, madje i kemi shkruar dhe kryeministrit Berisha, Avokatit të Popullit, por deri më tash ,nuk është ndjerë ndokush për këtë zhvatje ditën për diell. Ndaj dhe Gurra e famshme po rrezikohet të shembet në galeritë e reja që kemi hapur.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje