Revista
|
|
GREQI - Alarm në burgun e Malandrinos në Greqi, ku i dënuari shqiptar Alket Rizai ka marrë peng zyrtarë të burgut. Nuk është e qartë nëse janë 5 apo 6 pengjet e tij. Thuhet se nga ora 21:00 e së shtunës ai mban me vete eksploziv, duke kërcënuar për të hedhur në erë burgun, në qoftë se nuk e lenë të lirë. Në korrik të vitit 2011, ai e njoftoi një arratisje të tretë në një intervistë për Gazeta Shqiptare.
17 MARS - GREQI, VAZHDON PENGMARRJA NË BURGUN E MALANDRINOS
Ora 13: 00 - I lirë njënga pengjet e Alket Rizait.
Ora 12: 00 - Orë dramatike po kalojnë 6 pengjet e të dënuarit shqiptar Alket Rizai në burgun e Malandrinos në Greqi. Që mbrëmë në ora 21:00 Alket Rizai ka marrë peng roje burgu per te cilet thuhet se jane 5 ose 6, dhe kërcënon se do hedhë në erë me gjysme kg eksploziv C4 që ka me vete, nëse nuk i japin një makinë që të largohet nga burgu. Sipas informacioneve të tjera, mes pengjeve 2 janë gra, të cilat janë mbyllur në qendrën e kontrollit dhe nuk kanë asnjë kontakt me të.
Nuk dihet si arriti t’i zerë në befasi punonjësit e burgut dhe t’i drejtojë pranë portës kryesore, por mendohet se kjo ndodhi gjatë orës së ndërrimit të rojeve. Kujtojmë se edhe pse në vëzhgim të rreptë, atij nuk i kanë munguar lidhjet e shumta dhe bashkëpunëtorët. Në prill të vitit të kaluar 2 oficerë të burgut të Malandrinos u arrestuan teksa i dërgonin 210 gr heroinë, dy celularë dhe 5 karta Sim me kërkesë të tij.
Alket Rizai ka folur gjatë natës me gazetarët grekë dhe ka protestuar për sistemin e drejtësisë dhe dënimin e tij që e cilëson të padrejtë, duke thënë ndër të tjera:
“Unë kam durim dhe nuk më soset durimi. Kjo është e treat dhe e më e hidhura. Do presim fundin e kësaj pune. Gjykata ka abuzuar me mua, vendimi për burg për jetë është i padrejtë dhe nuk e meritoj. Më sillni një makinë dhe unë do t’i liroj pengjet e do largohem. Të shohim kush do dalë i fituar. Unë i kam marrë masat e mia.
“Nuk dua të filloj t’i vras ata një nga një. Unë kam asgjë me ta", thotë Alket Rizai për pengjet e tij, duke vënë në dukje se ai ka durim dhe mund të presë.
Më pas i jep telefonin njërit prej pengjeve që të kërkojë një makinë dhe pengu pyet: "Kaq e vështirë është për të sjellë një makinë që të na lerë të lirë?"
Gjatë gjithë natës avokati i tij dhe e dashura Aspasia Mitropia, e njohur si Sula që e ka ndihmuar Alketin në arratisjen e tij të dytë, kanë negociuar duke i kërkuar të lerë të lirë pengjet dhe të mos derdhë gjak të pafajshëm. Në negociata kanë hyrë edhe negociatori i policisë, prokurori i Amfisas dhe një zyrtar i ministrisë së Drejtësisë.
Avokati i Alket Rizait, Saki Kehajoglu tha se ka folur disa herë në telefon me klientin e tij. “Iu luta t’i japë fund pengmarrjes, të mos derdhet gjak i pafajshëm. Iu luta të kujdeset për njerëzit dhe për veten”, tha avokati. Ai bën të ditur se i ka thënë Rizait se kjo situatë nuk ka një zgjidhje sic dëshiron ai. “I thashë Alketit se kjo situatë nuk ka rrugëdalje, ndaj të ketë kujdes njerëzit dhe veten”, tha avokati dhe pohoi se gjendja e klientit të tij ëshët e rënduar psikologjikisht. Alketi i ka thënë avokatit se është i vendosur në kërkesën e tij, së do një makinë dhe do të largohet. Ka qenë avokati që i ka kërkuar të dashurës së tij, Sula të komunikojë më të dhe ajo i është lutur gjithashtu t’i japë fund pengmarrjes.
Mësohet se edhe mbrëmë gjatë bisedës me të dashurën e tij, Alketi është shprehur i vendosur: “Ose do të iki, ose do më vrasin”
Sipas një zyrtari të burgut, 38 vjeçari Alket Rizai ndodhet në një gjendje të rënduar psikologjike. Sipas tij, situata e Rizait është ajo e një njeriu që nuk ka çfarë të humbasë. Mediat shkruajnë se pengmarrësi është nën ndikimin edhe të substancave narkotike dhe kjo e bën të vështirë negociimin me të.
Lidhur me eksplozivin që pretendon se ka me vete, është i tipit C4, një lëndë e rrezikshme dhe me efikasitet të lartë që përdoret kryesisht në ushtri, nga grupet terroriste apo kamikazët.
Gjatë mesnatës janë dëgjuar të shtëna në burg, por Alket Rizai tha se ishte policia që hodhi gaz lotsjellës.
Alket Rizai është dënuar me burgim të përjetshëm. Ai akuzohet për vrasjen e shtetasit grek, Thanasis Koropioti, në vitin 2003. Alketi e kreu vrasjen sepse dyshonte që greku kishte lidhje me të dashurën e tij ruse, Oksana. Në fakt e dashura e grekut quhej Roksana, por kur u vërtetua kjo, vrasja ishte kryer. Rizai u arrestua për këtë vrasje por arriti të arratiset më 4 qershor 2006 së bashku me grekun Vasilis Palokostas me helikopter nga burgu i Koridhalos.
Ndërsa në gusht të vitit 2006 akuzohet se ka vrarë 43 vjecarin Konstandinis Kutelieri dhe 36 vjecarin Joani Kacio, vrasje për të cilat u arrestua në shtator të atij viti dhe qëndroi në burg deri në shkurt 2009 kur realizoi ikjen e dytë spektakolare me helikopter ndihmën e së dashurës së tij, Sula.
NËNA E ALKET RIZAIT: IM BIR TA COJE DERI NE FUND AKTIN
Ora 11:10 - Nëna e Alket Rizait reagoi për “News24” pas publikimit të lajmit se djali i saj po mban peng prej mbrëmjes së djeshme 6 persona në burgun grek. Donika Rizai i bën thirrje të birit ta çojë deri në fund aktin që ka nisur, pasi sipas saj, ai mbahet peng prej 13 vitesh në burgjet e Greqisë, duke qenë i pafajshëm.
“Dje kam folur me Alketin në telefon më tha vetëm shpirt, zemër. Grekët nuk më kanë lënë të takoj djalin prej vitesh. I bëj thirrje kryetares së Parlamentit të ndërhyjë. Alketi është i pafajshëm.”- deklaroi nëna e Alket Rizait.
16 MARS - ALKET RIZAI MERR PENG ROJET E BURGUT, KERKON LIRIMIN
Ora 22:00 – Alarm në burgun e Malandrinos në Greqi, ku i dënuari shqiptar Alket Rizai ka marrë peng 4 zyrtarë të burgut dhe 2 persona të tjerë. Nuk është e qartë nëse këta të fundit janë robër apo mburoja njerëzore që i përdor pengmarrësi. Sipas disa informacioneve të tjera, pengjet e Rizait janë vetëm 2 zyrtarë të burgut.
Thuhet se nga ora 21:00, Rizai mban në duar dy granata dore dhe një thikë duke kërcënuar për të hedhur në erë burgun me 200 gr eksploziv, në qoftë se nuk e lenë të lirë. Gjithashtu mësohet se disa nga kamerat e burgut janë thyer dhe dritat janë shuar. Situata është shumë e rrezikshme, pasi siç shkruajnë mediat greke, Alket Rizai është nën ndikimin e substancave narkotike. Në anën e tij është edhe një grup i të burgosurve shqiptarë, të cilët e mbështesin.
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë Skandamis Marios ka shkuar në burgun e Malandrinos, ndërsa krerët e ministrisë monitorojnë zhvillimet. Sipas Ministrisë nuk bëhet fjalë për eksploziv.
Në vendngjarje ndodhen forca të shumta të policisë si dhe zyrtarët e burgut që ishin jashtë detyrës. Mësohet se po zhvillohen negociatat për lirimin e pengjeve.
I dënuari shqiptar Alket Rizai ka shpëtuar dy herë nga burgu i Koridhalos me helikopter së bashku me të dënuarin grek Vasilis Paleokostas. Arratisja e parë ndodhi më 4 qershor 2006 dhe Rizai u arrestua disa ditë më vonë, ndërsa arratisja e dytë ishte më 22 shkurt 2009. Ai u arrestua përsëri më 17 nëntor 2009 së bashku me partneren e tij, Soula Mitropia dhe që prej atëherë vuante dënimin në burgun e Malandrinos.
Në korrik të vitit 2011, nga burgu i Grevenës, Alket Rizai njoftoi një arratisje të tretë, gjatë një interviste për Gazeta Shqiptare: "Grekët më kanë marrë vitet më të bukura të jetës sime, kështu që unë do të iki përsëri. Nuk do të ndalem, më mirë të më vrasin".
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje