Revista
|
|
Tokat që u ndanë mes fshatarëve te filmi ‘Toka Jonë’, nuk ishin të partisë. Megjithëqë fshatarëve të zonës iu gëzuan ëndrrat, ata e dinin fort mirë që nuk ishin të tyret. E njihnin edhe të zotin. Kjo është historia e vërtetë e Gjon Nik Sykut, personazhit mbi të cilin Kol Jakova ka shkruar dramën “Toka jonë” e që më pas u realizua edhe filmi me të njëjtin titull.
Por historia e Gjonit nuk nis e mbaron me pasuritë. Kur regjimi komunist të hidhte rrënjë, ai dhe gjithë burrat e fisit të tij do të quheshin antikomunistë të betuar, duke nisur kështu persekutimet njëri pas tjetrit.
“Në një fshat në veri të Shqipërisë reforma agrare i kthen tokën Lokes dhe familjes së saj, të cilën ia kishte përvetësuar me intriga Tuç Maku, një pronar i madh tokash në atë zonë. Fillon konflikti midis dy familjeve.
Tuç Maku hakmerret duke vrarë Murrashin, djalin e Lokes, i cili ishte një nga aplikuesit e reformës agrare. Mbas kësaj tragjedie, Lokja kthehet te fëmijët e saj, Leka dhe Filja”. Shkurtimisht, ky është përshkrimi që i bëhet filmit të famshëm, identifikuar më së shumti prej personazhit të tij Tuç Makut, “Toka Jonë”. Në fakt, për ata që kanë qenë vetëm shikues përtej ekranit, apo ata që tani e rishikojnë për nostalgji a për të qeshur me batutat e dikurshme, gjithçka duket se shkon mirë, se partia i shpërndante të mirat materiale të një familjeje në të mirë të të gjithëve. Nuk është krejt ashtu siç duket! Zengjinët e asaj kohe e dinë mirë! E kanë hequr mbi shpinë me gjithë të mirat që punuan për t’i pasur e që s’u bënë të tyret kurrë.
Ende edhe sot, pasuritë e dikurshme të marra nga shteti nuk u janë rikthyer. “Megjithëse historia mbi të cilën ndërtohet filmi është bazuar te një personazh real, tiparet e karakterit janë të ndryshme, sepse Gjon Nik Syku nuk ishte i tillë. Në film tregohet personazh negativ, çka nuk lidhet me realitetin. Por siç mund të merret me mend nga koha kur është bërë filmi e romani, do duhet të ishte siç ‘urdhërohej’-tregon Lokja, bashkëshortja e Prel Sykut, nipit të personazhit të famshëm.
Ende edhe sot, fisi i Sykajve vazhdon të jetojë në fshati Tale të Lezhës, aty ku ka jetuar gjithnjë, pavarësisht se nuk i trashëgoi asnjëherë pasuritë e ‘më të madhit’ të fisit, Gjonit. Asokohe, kur ata ishin në shënjestër nga pushteti, në fshatin e tyre shkoi të punonte Kol Jakova, autori i librit “Toka Jonë”, prej nga merr ngjarjet filmi. “Kola erdhi në fshatin tonë të punonte si mësues, dhe caktohej të jetonte nëpër shtëpitë e fshatit për kohë të ndryshme.
Për një 3-mujor a më shumë, jetoi në shtëpinë tonë e më pas shkroi edhe librin”. Në fakt, shtëpia e tyre duket se ka qenë një stacion që ka shërbyer për shumë emra vendimtarë të historisë. Përveç Kolë Jakovës, edhe Abaz Kupi ka qëndruar te Sykajt në ditën e tij të fundit, përpara se të largohej nga vendi i tij.
Duke qenë se shtëpia e tyre ishte buzë detit, i shërbeu atij si distanca më e afërt me detin, prej nga do të nisej ditën e nesërme. Pikërisht këtu, si bashkëpunues me antikomunistët, zë fill edhe historia e Sykajve, që nuk do të merrte fund për të gjitha vitet e komunizmit në vijim, për t’i bërë të vuajnë e të ndihen të persekutuar të gjithë ata që mbanin këtë mbiemër.
Ndër të tjerë, ai që u dëgjua më shumë pas xhaxhait të tij, Gjonit, ishte Prel Syku, bashkëshorti i Lukes. Ai që ishte vetëm 12 vjeç kur Abaz Kupi shkeli shtëpinë e tyre, as që dinte ç’ishin puçet ndaj pushtetit, antikomunizmi, e megjithatë jetoi gjysmën e jetës së tij të re përtej telave me gjemba.
Prejardhja e Tuç Makut te filmi “Toka Jonë”
Fisi i Sykajve (Syku) është një ndër familjet më të mëdha të Bregut të Matit, të ardhur nga Shkreli i Malësisë së Madhe nga fundi i shek. XVIII. Nëpërmjet punës ata arritën të krijonin pasuri të madhe, të përbërë kryesisht nga mijëra krerë bagëtish dhe disa qindra hektarë tokë, duke u radhitur kështu ndër fiset më të pasura dhe të zëshme të veriut.
I pari i këtij fisi, Gjon Nik Syku (1872-1950), të cilin banorët e zonës por edhe gjithë familjarët e tij e mbanin si njeri të zgjuar, të urtë (ishte ai që në familjet e mëdha mbahej si i pari i fisit), kishte miqësi me familjet më të mëdha të asaj kohe, si dhe me njerëz të shquar si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Prek Cali, Zef Koka, Shuk Sarreqi, Ded Gjo Luli etj. Me ardhjen e regjimit komunist në Shqipëri, nisi edhe perëndimi i periudhës së begatë të kësaj familjeje, pasi regjimi u konfiskoi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të tyre.
Konfiskimi i qindra hektarëve tokë që iu bë fisit të Sykajve, u bë edhe frymëzim për shkrimtarin Kol Jakova që të shkruante veprën e tij “Toka Jonë”. Kjo vepër më vonë u realizua edhe film, ku personazhi i Tuç Makut personifikonte Gjon Nik Sykun. Konfiskimet e mëdha që iu bënë Sykajve, erdhën edhe për shkak të damkosjen së këtij fisi si fis “kulakësh”, për të vijuar më pas me persekutime dhe burgosje që do t’i shoqëronin deri në kapitullimin e regjimit komunist.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje
peter syku |
shume faleminderit per mundimin qe ke marre , shihet qarte se asht jasht mundesive tua , sepse ti nuk e njeh fare historine e gjon nik sykut apo te bregut te matit e jo ma teper me shpjegua dramen e kole jakoves e cila asht me te vertete nji budallallek i prodhuem nga ky - kole jakova-do te kishte kene shume ma interesante qe te pasqyronte me drama historine dhe eleminimin e vellait te tij- tuk jakoves-apo te pjestareve te tjere te familjes se tije qe do te dilte nje drame shume terheqese per sherbyesit dhe servilat e pa afte qe mbajten peng te gjitha institucionet kulturore e artistike gjate regjimit te erret dhe sakat qe prodhoi shume sish me ne krye njerez si ky kol jakova per sa i perket historise se familjes tone ,ajo asht shume ma e hershme se sa ky fragment i rreme bile as bolshevizmi nuk ka pas arrit ne globin tone kur mbar shqipnia e ka pas njoft mire shpine e sykut ; ti qe ke marak me shkrua duhe te lexosh ose te pyesish mire ma perpare se te mundohesh te tregoshdicka -. pershendetje .dhe pac fat ma te mire ne kerkimet tua per te shkruajt perseri Martë, 14 Maj 2013 18:49 |