Revista
|
|
Nikollë Gjonpalaj është një nga prijësit e fundit të një riti që ka marrë udhë që nga Mesjeta e ka mbërritur deri në ditët e sotme.
80-vjecari nga Nikaj-Merturi i Tropojës, është prijësi i Gjëmës së burrave: një vajtimi të zëshëm që bëhet nga burrat e vetëm për burrat.
Gjëma e burrave është një rit mortor që bëhet në Malësinë e Dukagjinit, të Gjakovës dhe në Iballë të Pukës. Vajtimi mund të fillojë vetëm nëse në të marrin pjesë të paktën mbi 10 burra. Sa më shumë meshkuj t’i bashkohen ritit, aq më i respektuar është personi për të cilin bëhet gjëma.
Nikollë Pepkolaj ka marrë pjesë aq shpesh në këtë rit sa nuk mund të numërojë herët, por kujton se këtë rit e ka mësuar nga i ati që në moshë të hershme.
“Pas vitit’ 45 riti u ndërpre nga regjimi komunist si zakone prapanike, e më pas rifilloi pas viteve ’90, kur u përmbys regjimi”, tregon Nikolla.
Pjetër Marticanaj, ish-mësues historie por dhe njohës i mirë i traditave të zonës së Nikaj-Merturit na tregon se zanafilla e këtij riti ka lidhje me vdekjen e Skënderbeut.
“Princ Lekë Dukagjini, nga zemërimi për vdekjen e Skënderbeut, vajtoi me zë të lartë, rrahu gjoksin, shkuli flokët dhe filloi të gërvishtet me thonj. Që andej e tutje, për cdo burrë të nderuar kryhej ky rit”, shpjegon Pjetri.
Gjëma është një rit i organizuar. Prijësi, ai që e drejton atë, ka detyrën që të merret me çdo detaj dhe përgjegjësinë që cdo gjë të shkojë në mënyrën e duhur. Por si bëhet gjëma?
“Mblidhen burrat e fshatit dhe të fisit dhe nga larg nisin gjëmën duke rrahur gjoksin me grushta”, thotë Nikolla.
Prijësi më pas i afron burrat tek personi që i bëhet gjëma dhe u thotë burrave që ta rrethojnë. Përsërsin të njëjtat fjalë dhe veprime vetëm se kësaj rradhe të ulur mbi të. Teksti i gjëmës përmblidhet nga një fjali dhe shumë britma.
“Nëse gjëmën ia bëjnë nipit, thonë “o i mjeri nipi im”; nëse gjëma i bëhet mikut, thonë “o i mjeri mik”, e kështu me radhë”, shprehet Nikollë Peplokaj.
Gjëma konsiderohet punë burrash, dhe prandaj ata që marrin pjesë duhet të jenë në një moshë të pjekur. Cdo fis apo fshat që vjen duhet të bëjë gjëmën e vet. Qëllimi kryesor i gjëmës është shfryrja e dhimbjes dhe respektimi i figurës së të vdekurit. Por, në kohët kur mungonin mjetet e komunikimit ajo shërbente dhe për të lajmëruar njoftimin e vdekjes. Në ditët e sotme këto arsye duket se nuk qëndrojnë më, por si shpjegohet ekzistenca e këtij riti dhe sa i fortë është ai ende sot?
“Pas ’90 ky rit është gjallëruar përsëri dhe vazhdon edhe sot, kryesisht në fshatra”, sqaron Marticanaj.
Nikollë Gjonpalaj është një nga ata njerëz që do të donin të përcilleshin për në banesën e fundit me gjëmë dhe e vuan zbehjen e kësaj tradite.
“Gjëma është traditë e fortë, por djemtë e ri përtojnë ta bëjnë”, thotë Nikolla.
Të dy personazhet tona për herë të fundit në gjëmë kanë marrë pjesë qershorin e këtij viti në periferi të Tiranës.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje