Revista
|
|
Ditari” i Kuvendit Popullor, në mars 1997. Si u bë kreu i SHIK-ut gjeneral dhe komandant i operacionit për shtypjen e kryengritjes. Debatet në Kuvend mes deputetëve të PD-së për dyshimet ndaj rolit antikushtetues të shërbimit sekret dhe ligjshmërisë së shkrirjes së SHIK-ut me Ministrinë e Brendshme.
Nuk ishte një veprim i një personi të vetëm. Nuk ishte vetëm presidenti Berisha, që donte të kishte në krye të grushtit të hekurt të shtetit, një emër që kallte frikë, por bashkë me të edhe deputetët e tij. Ndodhte në fillimmarsin 1997, kur shumica e qyteteve kryesore të vendit ishin në duart e bandave të armatosura, ku shteti kishte kapitulluar dhe deputetët në Tiranë, si për ironi të faktit, diskutonin për ekologjinë, apo shërbimin ushtarak për studentët, apo abuzimet e administratës të zbuluara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Nëse Bashkim Gazidede u zgjodh gjeneral dhe u vu në krye të një institucioni të dalë nga bashkimi i SHIK-ut me Ministrinë e Brendshme, kjo ishte edhe vota e deputetëve të PD-së, në një sallë ku, prej muajsh, merrnin pjesë vetëm deputetët e shumicës qeverisëse të dalë nga votimet skandaloze të 26 majit 1996.
Dokumentet parlamentare të asaj kohe, (përkatësisht volumi i parë i punimeve të kuvendit gjatë legjislaturës së 14-të, sesioni i dytë), flasin për një unifikim votash, por edhe debate prej disa nga deputetët, të cilët kishin frikë se çfarë do të ndodhte pas kësaj lëvizjeje jokushtetuese, siç ishte gradimi i Gazidedes në krye të një megaforce që do të zbatonte Gjendjen e Jashtëzakonshme në Republikën e Shqipërisë.
Seanca
Seanca ku kreu i SHIK-ut, Bashkim Gazidede, vihej në krye të operacionit për rivendosjene autoritetit të shtetit, në shumicën e zonave ku, ligjin e bënin bandat e armatosura, kishte qëlluar ditën e diel, 2 mars 1997. Në orën 17.35 sapo ishte shpallur gjendja e Jashtëzakonshme, me vendim të kuvendit Popullor, me 118 vota pro dhe asnjë kundër.
Pesë minuta më pas do të fiksohej si, hyri në fuqi vendimi për projektligjin “Për bashkimin e SHIK-ut me Ministrinë e Brendshme”, i cili kishte vetëm dy nene si përmbajtje: “Shërbimi Informativ Kombëtar bashkohet me Ministrinë e Brendshme” dhe neni tjetër: “Ky vendim hyn në fuqi në datën 2.3.1997, në orën 17.40”.
Kundështari i parë i projektligjit ishte Agron Musaraj, ministër i Brendëshëm deri kur të të formohej, qeveria e Pajtimit Kombëtar, kur do të zëvendësohej nga Halit Shamata. Më pas Alfred Serreqi, ish-ministër i jashtëm, të cilët në ndërhyrjet e tyre, pyesin se sa mund të ishte ky projektligj në kundërshtim me ligjin kushtetues dhe me ligjin që përcaktonte kompetencat e SHIK-ut. Pro ishte deputeti Azem Hajdari, i cili e thjeshtonte problemin me urdhrat e përbashkët që do të nxirrnin kryetari i SHIK-ut dhe Ministri i Brendshëm.
“Vulën” do t’ia vinte deputetja Jozefina Topalli, e cila në emër të komisionit parlamentar të Ligjeve dhe me miratimin e Komisionit të Mbrojtjes dhe të SHIK-ut , thekson vendimin, ku theksohej se, forcat e amratosura të Ministrisë së Brendshme dhe ato të SHIK-ut, ngarkohen nga parlamenti për shtypjen e kryengritjes së armatosur gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe për vendosjen e rendit kushtetues e publik dhe se këto forca do të komandoheshin nga gjeneral Bashkim Gazidede.
Ndërsa për ligjin për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme kishin votuar 118 deputetë, për ligjin që bënte Gazideden gjeneral të shtypjes së kryengritjes, votojnë vetëm 106 deputetë.
Dokumenti
Seanca e 2 marsit 1997, Debatet në Kuvendin për emërimin e Gazidedes
Pjetër Arbnori - …Pika e tretë, projektligji ”Për bashkimin e SHIK-ut me Ministrinë e Punëve të Brendshme”. Projektligji ka një nen me këtë përmbajtje: “Shërbimi Informativ Kombëtar bashkohet me Ministrinë e Punëve të Brendshme”. Neni tjetër: “Ky vendim hyn në fuqi në datën 2.3.1997, në orën 17.40”.
Agron Musaraj - Zoti Pjetër, çdo të thotë “bashkohet me Ministrinë e Brendshme”? Ka ndonjë specialist këtu që të na e shpjegojë? Sepse inkuardrimi është gjë tjetër dhe bashkimi është tjetër.
Pjetër Arbnori - Janë në një ministri
Agron Musaraj - Si bëhen në një ministri? Kemi ndonjë specialist këtu që të na i shpjegojë? I bashkuar nuk quhet me pushtetin lokal, sepse ngaqë u bashkua me Ministrinë e Rendit me pushtetin lokal, u përfitua Ministria e Brendshme. Ç’do të thotë tani “bashkohet”? Bëhet drejtori?
Pjetër Arbnori - SHIK-u inkuadrohet me Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Agron Musaraj - Në ç’shkallë të piramidës së Ministrisë së Punëve të Brendshme do të qëndrojë SHIK-u?
Pjetër Abnori - Zoti Shamata.
Halit Shamata - Ideja është që, forcat e SHIK-ut, inkuadrohen në repartet antiterror të Ministrisë së Brendshme.
Pjetër Arbnori -,Po, zoti Serreqi.
Alfred Serreqi - më kujtohet që ky parlament ka miratuar një ligj që përcakton strukturën e SHIK-ut, prandaj në këtë rast duhet të shprehet komisioni i Ligjeve se çfarë papërputhshmërie ka propozimi që bëhet për një bashkim të tillë, i cili nuk është definicion juridik. Ç’do me thënë “bashkohet”? Ne kemi një ligj për SHIK-un.
Pjetër Arbnori - Inkuadrohet në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Alfred Serreqi - Pa hyrë te inkuadrimi, së pari, duhet të shprehet qartë për këtë problem Komisioni i Ligjeve, se mund të jemi në kundërshtim me ligjin kushtetues dhe me ligjin që përcakton kompetencat e SHIK-ut.
Pjetër Arbnori - Zoti Azem Hajdari.
Azem Hajdari - Zoti kryetar, kjo që po diskutojmë është gjëja më e thjeshtë në konceptin e legjislacionit në Shqipëri. Pse? E para, kjo bëhet me një urdhër të përbashkët, domethënë kryetari i SHIK-ut plus Ministri i Brendshëm, me një urdhër të përbashkët, kryejnë një problem të tillë.
E dyta, kompetencën ekskluzive të kësaj e ka Këshilli i Mbrojtjes, ku Ministri i Brendshëm dhe kryetari i SHIK-ut janë anëtarë të këshillit të Mbrojtjes dhe, përderisa atyre u dhamë këto kompetenca që parashikohen në ligjin për Këshillin e Mbrojtjes, kanë edhe kompetencën për të bashkuar në detyra të caktuara funksionale një kompetencë të tillë legjislative.
E treta, funksionet e tyre atakohen në Kushtetutë dhe kjo ishte arsyeja që unë fola më përpara. Pse? Kryetari i SHIK-ut caktohet me propozim të Këshillit të Ministrave dhe është në kompetencë të Parlamentit. Prandaj, që të mos biem në konfrontim të funksionit, por që të realizohen detyrat operative që kërkon ministri i Brendshëm dhe sidomos bashkimi i degës Kriminale me kundërzbulimin, se kjo kërkohet në detyrat antiterror në Shqipëri, duhet një urdhër i përbashkët i zotit Gazidede me zotin Shamata dhe që në këtë moment, me miratimin e Komandantit të Përgjithshëm, ajo është e realizueshme.
Kjo është juridikisht. Kurse nga ana tjetër, është ajo që tha zoti Musaraj, duhet të rrëzojmë një dekret që t’i ndryshojmë emrin ministrisë, që të realizojnë një gjë të tillë, por prapë se prapë nuk do të bënim atë që u kërkua.
Agron Musaraj - Azemi mesa duket nuk më ka dëgjuar mirë, se unë nuk thashë për ndryshimin e emrit, por e kisha fjalën që SHIK-u mbulon shtatë figura krimi me ligj. Në atë drejtori, ku mendohet të inkuadrohet ai, nuk ka mundësi t’i mbulojë ato 7 figura krimi që ka. Kaq kisha.
Ali Spahia - Pa hyrë në vërejtjet që bënë zotërinjtë parafolës, unë mendoj se është koha që edhe ne të mbajmë përgjegjësitë tona, secili, dhe të mos ia lëmë vetëm Këshillit të Mbrojtjes, të mos ia lëmë vetëm Ministrit të Rendit ose kryetarit të SHIK-ut. Të marrim edhe ne përgjegjësitë tona dhe i ftoj zotërinjtë deputetë të miratojnë ligjin ashtu si na ka ardhur.
Bashkim Kopliku – Të nderuar kolegë, ju ftoj që edhe në këto momente kaq të vështira për vendin, të jemi pak gjakftohtë dhe të respektojmë ligjet. Kur i kemi ndarë, unë kam qenë Ministri i Rendit i asaj kohe dhe kemi pasur disa motive shumë të mira. Tani problemi është se ne nuk kemi këtu një ligj të shkruar.
Nuk merret vesh: është një bashkim i përkohshëm, vetëm për gjendjen e jashtëzakonshme, apo i përhershëm? Dua t’ju kujtoj që, kryetari i SHIK-ut, kur thuhet se ai emërohet kështu, kështu e kështu, formalisht është pjesë e ligjit tonë kushtetues, pra ne po atakojmë edhe ligjin kushtetues.
Nga ana tjetër, në qoftë se e kemi hallin për anën operative, ka një dokument, së paku në kohën time ka pasur, për bashkëpunimin, për shkëmbim informacioni në mes dy organeve. Aq më tepër, në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme, bashkëpunimi i tyre forcohet.
Galip Ramolli - Problemi shtrohet në lidhje me dispozitën kushtetuese, siç e diskutuan zotërinjtë parafolës, por dua t’ju kujtoj se, detyra themelore e organit të SHIK-ut, është ruajtja e rendit kushtetues dhe, ligji që po miratojmë sot, pikërisht për këtë bën fjalë, prandaj unë mendoj se është plotësisht e saktë, sepse është detyra numër një e organit të SHIK-ut, ruajtja e rendit kushtetues.
Për këtë nuk ka asnjë lloj klauzole tjetër ligjore që mund ta vërë në ekuivok apo në dilemë, u them zotërinjve deputetë që këtu nuk ka asnjë lloj mëdyshjeje, ose një boshllëk, apo ndonjë mendim për të bërë ndonjë konsultë ligjore, sepse detyra primare e organit të SHIK-ut, është ruajtja e rendit kushtetues, pikërisht për këtë ligj për të cilin flasim sot. Prandaj ju ftoj, zotërinj deputetë, që ta votojmë.
Pjetër Arbnori - Zotërinj, ky bashkim do të jetë për sa kohë që të vazhdojë gjendja e jashtëzakonshme. (Një deputet thotë diçka pa u incizuar). Jo emër zotëri, por Ministri i Punëve të Brendshme është titulluar.
Natasha Shehu - Zoti kryetar, nuk kam asgjë për bashkimin e tyre, por ndërsa Ministria e Brendshme është pjesë e qeverisë, SHIK-u ka një vartësi tjetër direkt nga parlamenti. Prandaj mos duhet rregulluar ndonjë gjë e veçantë aty në ligj? Kështu që le ta shohin komisionet. Vetëm aty është shqetësimi. Nuk ka rëndësi nëse i merr urdhrat aty, por mos ka ndonjë gjë që duhet rregulluar.
Pjetër Arbnori - Zonja Topalli.
Jozefina Topalli - Zoti kryetar, në emër të Komisionit të Ligjeve, ju kërkoj pak kohë për të diskutuar këtë vendim.
Pjetër Arbnori - Seanca ndërpritet për një çerek ore.
Pjetër Arbnori - Zotërinj deputetë, fjalën e ka kryetarja e Komisionit të Ligjeve, zonjaJozefina Topalli.
Jozefina Topalli - Komisioni i Ligjeve, së bashku me Komisionin e Mbrojtjes dhe të SHIK-ut, është dakord për kalimin e vendimit, në të cilin theksohet: “Forcat e armatosura të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të SHIK-ut, ngarkohen nga parlamenti për shtypjen e kryengritjes së armatosur gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe për vendosjen e rendit kushtetues e publik. Këto forca që do të angazhohen për kryerjen e detyrës së mësipërme, do të komandohen nga gjeneral Gazidede”.
Pjetër Arbnori - Hapet votimi. Kush është dakord për miratimin e këtij vendimi? U lutem deputetëve që të vijnë për të votuar. Votimi vazhdon. Mbyllet votimi.
Miratohet vendimi i Parlamentit për bashkimin e forcave të SHIK-ut dhe të forcave të armatosura të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për shtypjen e kryengritjes dhe për emërimin e gjeneral, Bashkim Gazidedes, si komandat për këtë çështje…
Pjetër Arbnori - Seanca rifillon. Zotërinj deputetë, propozohet që Kuvendi Popullor të ngarkojë Këshillin e Mbrojtjes të caktojë një emisar të këshillit të Mbrojtjes për çdo rreth, lidhur me detyrën për shtypjen e bandave terroriste. Mbyllet votimi. Miratohet me 106 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim. Zotërinj deputetë, ju lutemi, kemi patur një gabim teknik. Te vendimi i Kuvendit Popullor që ngarkon forcat e armatosura të Ministrisë së Brendshme dhe të SHIK-ut, duhet thënë”…për shtypjene bandave të armatosura terroriste dhe për vendosjen e rendit kushtetues dhe publik”.
Azem Hajdari - Për këtë përkufizim të dytë jam dakord, sepse është përkufizim i veprimtarisë së tyre antikushtetuese. Kurse, ku kemi thënë më parë që, Kuvendi Popullor ngarkon Forcat e Armatosura, presje, plus Rendin dhe SHIK-un…
Pjetër Arbnori - Jo, jo, zotëri…
Azem Hajdari - Po, po, se jemi konsultuar, është më mirë ashtu.
Pjetër Arbnori - Vetëm forcat e Ministrisë së Brendshme dhe të SHIK-ut, nuk ngarkojmë ushtrinë. Ashtu është.
….
Pjetër Arbnori - Atëherë kush është dakord me korrigjimin? (zëra në sallë) Më falni po ua lexoj unë, zotërinj. “Forcat e armatosura të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të SHIK-ut, ngarkohen nga Kuvendi Popullor për shpypjen e bandave të armatosura terroriste dhe për vendosjen e rendit kushtetues dhe publik”.
Aleksandër Meksi - Një minutë, se mbase nuk e kemi shprehur mirë. Fjala është këtu: Vetëm në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme ka të drejtë Komandanti i Përgjithshëm të përdorë edhe reparte të caktuara me urdhërin e tij dhe me vendim të Këshillit të Mbrojtjes për ruajtjen e rendit. Pra, këtë të drejtë e ka. Por kjo nuk është që përjashton Forcat e Armatosura të Ministrisë së Brendshme, të parën dhe të SHIK-ut, të dytën, që do të ngarkohen me këtë punë i komandon filani….
Seanca vijon më pas me një thirrje të lexuar nga Natasha Shehu, ku mbrohet vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme…
Pjetër Arbnori - Tani zotërinj kemi vendimin e fundit: “Kuvendi Popullor i kërkon Këshillit të Mbrojtjes të bëjë mobilizim të pjesshëm të popullsisë dhe ta vërë në dispozicion të forcave të Rendit dhe të SHIK-ut”.
Azem Hajdari - Zoti kryetar, mendoj që këtu përsëri duhet theksuar një fakt, që mobilizimi i pjesshëm bëhet edhe në këto raste. Prandaj mendoj se do t’u duhej juristëve, ose komisionit dy-tri minuta për ta formuluar këtë vendim, se është një vendim i rëndësishëm…
Seanca mbyllet me premtimin e kryetarit të kuvendit, Arbnori, se do të njoftohet popullata me anë të masmedias për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje