Revista
|
|
Gjendet trupi i pajetë i poetit Ali Podrimja. Lajmin e hidhur e konfirmoi Drilon Zogaj, zyrtar i lartë për Komunikim në Ministrinë e Punëve të Jashtme duke u bazuar në autoritetet shtetërore franceze.
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, nëpërmes një telegram ngushellimi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së poetit Podrimja, komunitetit të poetëve, shkrimtarëve e artistëve si dhe mbarë popullit të Kosovës.
“Humbja e poetit me renome ndërkombëtare Ali Podrimja, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e panumërt të tij, por një humbje e jashtëzakonshme edhe për kulturën dhe artin kosovar, shqiptar e më gjerë. Kujtimi i poetit Ali Podrimja do të jetë gjithnjë i gjallë në mesin tonë dhe do të shërbejë si figurë motivimi për brezat e ardhshëm të Kosovës”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të ministrit Hoxhaj.
Poeti Ali Podrimja ka humbur kontaktet me kolegët dhe miqtë e familjarët e tij nga data 18 korrik, në kohën kur po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée”, në qytetin e Lodève.
Autoritet franceze po punojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të humbjes së jetës së poetit Ali Podrimja.
/rg/shqiptarja.com/
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje