Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Fëmijëria ime e tmerrshme me Bin Ladenin
Publikuar me 30 Tet 2009

Fëmijëria ime e tmerrshme me Bin Ladenin

 


"Babai na hoqi gjithçka moderne në shtëpi dhe na futi të jetonim në një shpellë, vrau qenushët e mi që i doja shumë, për të provuar se sa helmues ishte një helm i veçantë që i kishte rënë në dorë dhe tentoi që të më shndërronte në një kamikaz".


Ndërsa flinte në dhomën e miqve në shtëpinë e gjyshes, 20-vjeçari u çua rrëmbimthi nga ulërimat dhe thirrjet që ia behën nga dhoma tjetër. Pak çaste më pas, dera e dhomës ku ai flinte u hap me rrëmbim dhe djali pa të ungjin të hynte me nxitim e t‘i thoshte rrëmbimthi: "Eja shpejt. Shih se çka bërë yt at. Na shkatërroi të gjithëve. Na shkatërroi jetët tona". Djali, ende i papërmendur nga gjumi dhe nga sapo dëgjonte, pa në ekranin e një televizori në dhomën ngjitur Kullat Binjake që po digjeshin në flakë. Nuk po u besonte dot syve. Ishte 11 shtatori i vitit 2001 dhe për Omar bin Ladenin ajo ishte një ditë që nuk do ta harrojë për sa të jetë gjallë. Djali i katërt i Osama bin Ladenit rrëfen se nuk kishte ide se i ati po planifikonte aktin më të madh terrorist të kohëve moderne dhe këtë bindje e ushqeu për shumë muaj, deri ditën kur u detyrua që të pranonte faktin se njeriu që e lindi dhe e rriti ishte pas këtij sulmi të madh. "Fjalët dhe pamjet ishin shumë të tmerrshme për t‘u përshkruar. Nuk mund të imagjinonim që dikush që e kishim dashur, me të cilin ishim rritur, i gjakut tonë, të kishte ideuar një katastrofë të tillë. Më dukej e pamundur që im at kishte marrë përsipër përgjegjësinë për kaosin dhe vdekjet në Shtetet e Bashkuara. Sulmi që po shihja ishte shumë më i madh nga të gjitha sulmet terroriste të mëparshme. Atë mund ta kishte organizuar vetëm një superfuqi. Nuk kam dashur kurrë që im at të ishte përgjegjës i asaj gjëme. Sulmi që po shihnim drejtpërsëdrejti atë ditë të 11 shtatorit ishte i përmasave të frikshme. Vetëm kohë më vonë, kur u përballa me shumë fakte, m‘u desh të pranoja se nuk e kisha më luksin e të dyshuarit për fajësinë e tim eti", rrëfen djali i Bin Ladenit. "Ai ishte momenti që vazhdova të lë mënjanë ëndrrën që nuk ishte im at njeriu që kishte shkaktuar gjithë atë të keqe". Vitet që pasuan sulmin e 11 shtatorit është shkruar shumë për sulmin, autorët, qëllimin, por kurrë më parë historia nuk është rrëfyer nga njerëz të familjes së Bin Ladenit. Së fundi, Omar dhe e ëma e tij, gruaja e parë e Bin Ladenit, Najwa, kanë botuar një libër të përbashkët: "Të rritesh me Bin Ladenin" që rrëfen për botën e fshehtë dhe të panjohur më parë të njeriut më të kërkuar të planetit. Ka disa që me të drejtë mund të pyesin për shkaqet e vërteta që i kanë çuar këta dy njerëz të afërt të Bin Ladenit që të rrëfejnë historitë personale, por cilado të jetë arsyeja e vërtetë e këtij rrëfimi intim familjar, ai është padyshim shumë interesant, kryesisht për shkak të këndvështrimit. Versioni i ngjarjeve të rrëfyera hedh dritë mbi ndryshimin që pësoi milioneri saudit, që befas vendosi t‘u kthente shpinën pasurive dhe jetës luksoze për t‘iu kushtuar terrorizmit, i obsesionuar nga ideja e luftës fetare, Xhihadit kundër Perëndimit. Bin Laden jo vetëm që mori vetë një vendim të tillë, por shpresonte se dhe pesë gratë dhe fëmijët e tij të ardhur në jetë nga pesë martesat do ta ndiqnin këtë rrugë. Ai ishte një njeri me një disiplinë të hekurt, që nuk kishte mëshirën më të vogël në trajtimin e bijve që i trajtonte si të ishin të rekrutuar për t‘u shndërruar në forca komando. Ai shpesh i kamxhikonte, për t‘i bërë të fortë dhe të durueshëm ndaj dhembjeve fizike dhe i nxirrte për orë të tëra nëpër marshime në shkretëtirë pa bukë dhe pa ujë. Shpresa e tij ishte se një ditë, djemtë e tij, do t‘i bashkoheshin kauzës në të cilën ai besonte dhe për të cilën kishte kohë që bënte plane. Në adoleshencë, ai i nxiste ata që të bëheshin kamikazë për çështjen e Allahut. Për herë të parë, në këtë libër, dalin detaje për Bin Ladenin që nuk diheshin më parë. I biri i tij ngulmon se i ati është i verbër nga syri i djathtë, si rezultat i një aksidenti që e ka pasuar në shkollë dhe se vuan nga malaria. Ndërsa ish-gruaja e Bin Ladenit rrëfen për një tjetër çështje të brendshme të ish të shoqit dhe, më konkretisht, për kontrollin që ai ushtronte ndaj familjarëve dhe ndjekësve të tij. Ajo thotë se sa e vështirë ishte të rrisje 11 fëmijët e saj në mërgim, në Sudan, dhe më pas jeta e vështirë në rrethinat e Tora Borës, në malet e Afganistanit. Aktualisht Najwa është 51 vjeçe dhe jeton në Siri së bashku me djalin e dytë dhe dy nga vajzat. Ajo iku nga Afganistani disa ditë para 11 shtatorit dhe nuk e ka idenë se ç‘bëhet me fëmijët që u detyrua të lërë pas. Nuk e di nëse ata janë gjallë, apo kanë vdekur. Një nga veçoritë e rrëfimit të saj është se ajo refuzon që të kritikojë të shoqin, duke thënë vetëm se "pavarësisht të gjitha gjërave që kanë ndodhur që nga 11 shtatori e deri më tani, nuk mund veçse të mendoj me zemrën e nënës. Një zemër nëne ndjen dhimbje për çdo humbje dhe derdh lot jo vetëm për humbjen e fëmijëve të saj, por për fëmijët e çdo nëne".
Najwa Ghanem ishte vetëm 15 vjeçe kur u martua me Bin Ladenin, 17-vjeçar që ishte edhe kushëriri i saj i afërt. Edhe pse lidhja mes tyre ishte me mblesëri, ajo ngulmon se për të ishte dashuri dhe e përshkruan si një njeri me një të folur të ndrojtur dhe të këndshme, një djalë shumë serioz me sy të kaftë, që i shndrisnin nga një dritë e brendshme. Ata vendosën të jetonin në një shtëpi dykatëshe, por fillimisht asaj iu desh të jetonte vetëm, e mbyllur, në pritje që bashkëshorti të mbaronte studimet e larta në një shkollë prestigjioze për djem. Bin, me anglishten e tij të përsosur, nisi që krahas studimeve të merrej edhe me biznesin e familjes dhe krijimin e grupit të fuqishëm "Saudi bin Laden Group". Ish e shoqja e kujton si një person që ishte shumë i thjeshtë në shije, nuk e preferonte luksin, përveçse kishte një dashuri e fiksim të madh për makinat e shpejta. Fëmija i parë i çiftit lindi në vitin 1976 dhe më pas erdhën njëri pas tjetrit edhe të tjerët. E shoqja, gjatë gjithë kohës me barrë dhe e fokusuar në punët e shtëpisë, nuk e vuri re se ndërkohë këndvështrimi i të shoqit për botën kishte nisur që të ndryshonte në krahasim me atë të viteve të para të martesës. Në fakt edhe kur i shoqi i tha se duhet të bënin një udhëtim dyjavor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo nuk pati asnjë ide se përse mund të bëhej fjalë. "Unë nuk përzihesha në punët e tim shoqi dhe nuk bëja kurrë pyetje", rrëfen ish-zonja Laden. Në fakt gjatë atij udhëtimi, Bin Laden e kishte lënë që të takohej me ekstremistët islamikë palestinezë dhe vetë Abdullah Azzamin që konsiderohet si mentori ideologjik i Bin Ladenit, që po merrej me rekrutimin e myslimanëve për t‘iu bashkuar çështjes së Xhihadit të ri. Në atë kohë, Bashkimi Sovjetik kishte hyrë në Afganistan dhe Bin Laden ishte përfshirë gjerësisht në këtë çështje fillimisht për mbledhjen e fondeve dhe më pas për shpërndarjen e furnizimeve për rezistencën afgane dhe luftëtarët vendas të njohur si muhaxhedinët. Më pas, ai iu bashkua edhe vetë luftëtarëve. Najwa pranon se ajo ndenji me frikë në zemër për 19 vjet rresht se mos lufta i merrte të shoqin. Ndërkaq asaj i duhej të pranonte edhe faktin se i shoqi, sipas rregullit mund të merrte edhe gra të tjera, përveç saj. Në vitin 1991, Bin Laden dhe familja e tij e madhe u përjashtua nga Arabia Saudite pasi kritikoi familjen mbretërore, që i kishte dhënë mundësi trupave amerikane që të kishin akses në tokën saudite. Me gratë dhe fëmijët që kishin ardhur në jetë nga martesat e tjera, Bin Laden fillimisht nisi të jetonte në mërgim në Khartum të Sudanit, ku Najwa thotë se i shoqi ishte shumë i pasionuar pas luleve të diellit në ferma. Por ndërsa ish-gruaja e parë nuk kishte dijeni në atë kohë për veprimtarinë terroriste të të shoqit, rrëfen se ndërkohë familja e saj vihej vazhdimisht në kushte të vështira për të kalitur te fëmijët instinktin e mbijetesës. Kështu ata shpesh liheshin në mes të shkretëtirës pa ushqim dhe ujë. Gjërat zhvilloheshin kështu: Osama do t‘i çonte gratë dhe fëmijët në një vend të largët dhe do t‘i linte atje pa bukë dhe pa ujë, duke pretenduar që edhe foshnjat e vogla të flinin nëpër shpella dhe vrima të qelbura e pa dritë. Gratë dhe vajzat përjashtoheshin nga ushtrimet e vështira fizike, por për sa i përket djemve ata trajtoheshin si të ishin komando të vërtetë. "Nuk mund ta imagjinoni se çfarë na bënte babai, se si na linte të mbijetonim në kushte shumë të vështira, na kamxhikonte dhe na linte pa ujë, deri në prag të vdekjes", rrëfen i biri. Për të i ati ishte një njeri shumë strikt. Lodrat ishin të ndaluara për fëmijët dhe bashkë me to edhe të gjitha gjërat me të cilat ishin mësuar fëmijët në Perëndim. Osama i rrihte të bijtë rregullisht me kamxhik. Omar dhe vëllezërit e tjerë që vuanin nga astma ndaloheshin që të përdornin medikamentet që do t‘i lehtësonin. Sipas të birit, të vetmet grimca normaliteti të të atit ishin dhënia e tij pas futbollit dhe dashuria që kishte për kuajt. Omar, i etur për dashuri, fillimisht u ndje shumë i lumtur kur i ati e zgjodhi që ta merrte me vete në Afganistan, por kur e pa se jeta e tij e re ishte ajo e një ushtari kazerme, nisi që të dëshpërohej. "Nuk mund ta besoja se jetët tona ishin në duart e aspra të babait. Im at ishte anëtar i njërës prej familjeve më të pasura saudite dhe unë nuk i kuptoja se përse ne duhet të vuanim në mënyrë të tillë. Ndërsa ne fëmijët e Osamës vuanim për bukën e gojës, duke u zvarritur nëpër shkretëtira, kushërinjtë tanë të pasur bënin kokrrën e qejfit nëpër vila e pushime. Askush nuk i njihte malet e Afganistanit si im at dhe shpesh ai më çonte në mesin e natës dhe më detyronte që të bënim ecje të gjata nëpër gërxhe. Edhe pse më merrte malli për familjen që ishte larg nuk më mbetej gjë tjetër veçse të adaptohesha me jetën e re". Por me kalimin kohës, Omar po huazohej gjithnjë e më shumë me fiksimin e të atit për Xhihadin. Pikëpamjet e tij u tjetërsuar veçanërisht kur i ati provoi forcën e një helmi tek disa këlyshë qen me të cilët ai kalonte kohën e lirë. Vrasja e tyre i vuri kapakun ndryshimit të Omarit. "Ajo që nuk kuptoja ishte se si ishte e mundur që shumë bashkëmoshatarë të mi, të rritur në kushte të vështira, ishin shndërruar në njerëz gjakatarë dhe të pamëshirshëm, që kënaqeshin pa masë kur ua prisnin gurmazet kafshëve". Pas shkrimit të librit dhe pas kalimit të kaq e kaq viteve nga 11 shtatori, Omar është i sigurt vetëm për një gjë që ai, megjithëse u rrit dhe u stërvit në kushte të vështira për të qenë një njeri i pamëshirshëm e gjakatar, nuk ka asnjë gjë të përbashkët me të atin. "Unë nuk jam si ai. Osama lutet për luftën, unë lutem për paqen. Tani jetët tona kanë marrë drejtime të ndryshme. Të dy besojmë në drejtësinë e bindjeve tona. Im at ka bërë zgjedhjet e tij, për të cilat do të mbajë një ditë përgjegjësi dhe unë kam bërë të miat, dhe në këtë pikë jam krenar me veten".


1123
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI