Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Feja kriter për vizat......?! Këtë e vendos BE-ja
Publikuar me 27 Pri 2010

Feja kriter për vizat......?! Këtë e vendos BE-ja

Heqja e vizave për shtetasit shqiptarë nuk varet nga përkatësia e tyre fetare, e cila në shumicën dërrmuese është e besimit mysliman, por nga procedurat që ndjek Komisioni Europian në marrjen e një vendimi të tillë. Këtë ka lënë të kuptohet Ministri ynë i Brendshëm, Lulëzim Basha, dje gjatë raportimit në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, teksa i është përgjigjur interesit të deputetëve për arsyet pse vendi ynë u veçua një vit më parë nga Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi, të cilat përfituan nga vendimi i Komisionit Europian që shtetasit e tyre të lëvizin lirisht në vendet e zonës Shengen. Ka qenë pikërisht deputeti demokrat Fatos Hoxha, ai që, duke shprehur shqetësimin për zvarritjen pa fund të marrjes së këtij vendimi nga strukturat më të larta të BE-së, i ka kërkuar shpjegime ministrit Basha nëse një gjë tillë ishte e ndikuar edhe nga përkatësia fetare e shumicës së shqiptarëve. "Nëse ky vendim do zgjasë pa mbarim, a kemi të bëjmë, në radhë të parë ne politikanët shqiptarë me atë që bëri kryeministri turk kur tha se BE-ja është kthyer në një kafe fetare. Nëse nuk duhet ta bëjmë këtë mund të më thoni pse jo", - tha deputeti Hoxha, duke aluduar qartazi se një nga arsyet pse shqiptarët nuk mund të lëvizin ende të lirë në vendet e BE-së është edhe besimi i tyre fetar. Në përgjigje të kësaj pyetje, ministri Basha nuk ka pranuar të shprehet drejtpërdrejtë lidhur me këtë shqetësim, duke u përqendruar kryesisht tek ajo që i ka takuar palës shqiptare të bëjë, por duke mos mohuar edhe një ndikim të tillë. "Këto janë çështje për të cilat ne mund të komentojmë, por janë çështje që tërësisht i takojnë institucioneve të Bashkimit Europian. Ajo që mund t'ju them është se ne bëjmë detyrat tona, i plotësojmë me rigorozitet te plotë dhe shprehim besimin tek institucionet e BE-së dhe vendet anëtare se nuk do të ketë vonesa të panevojshme në procesin e vendimmarrjes. Procesi i vendimmarrjes nga BE-ja, kalon në disa etapa. Natyrisht, duke plotësuar kriteret dhe duke mbajtur një komunikim të vazhdueshëm me institucionet e Bashkimit Europian ne e ndihmojmë këtë proces, por nuk jemi ne ata që vendosim për etapat e këtij procesi", - tha Basha, duke iu përgjigjur interesit të deputetëve. Ndërkohë, lidhur me heqjen e vizave, Ministri i Brendshëm ka pohuar se vendimi për shqiptarët nuk do mund të merret brenda verës në rast se Komisioni Europian nuk çon propozimin e tij pozitiv brenda dy javëve të para të muajit maj. "Nga ana tjetër, Parlamenti Europian ka bërë të qartë, me anë të deklaratave të përsëritura se nëse propozimi nuk vjen në dyjavëshin e parë të majit, mund të jetë e pamundur për atë që ta shqyrtojnë para pushimeve të verës", - u shpreh Basha, duke theksuar besimin që ka qeveria shqiptare në proces të tillë. Për sa i përket vlerësimit të kritereve, që duhet të përmbushë Shqipëria në këtë proces, Basha ka bërë të ditur se pala shqiptare i ka kërkuar BE-së që vlerësimi të jetë strikt dhe i pandikuar nga asnjë situatë. Ndërkohë, ai ka hedhur poshtë zërat se vendi ynë ka përmbushur me vonesë një sërë prej këtyre kritereve teknike, duke deklaruar se Shqipëria zotëron një kudër ligjor dhe sistem dokumentesh të sigurt dhe më të përparuara edhe se shumë vende të tjera të Ballkanit. Ai gjithashtu në raportimin e tij ka bërë të ditur se në kuadër të përmbushjes së këtyre kritereve, Policia e Shtetit është përpjekur për të rritur profesionalizimin si në goditjen e krimit ashtu edhe në asgjësimin e trafikut të lëndëve narkotike.


1181
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI