Revista
|
|
nga:Bernard Henri Levy
Nëse nuk arrihet Europa politike, euro do të zhduket. Kjo zhdukje mund të marrë forma dhe kthesa të ndryshme.Mund të ndodhin shpërthime, shpërbërje, vdekje të ngadalta, ndarje. Mund të ndodhë në dy, tre, pesë, ose dhjetë vjet, mund të paraprihet nga faza qetësimi ku do të krijohet përshtypja se më e keqja ka kaluar.
Ngjarja që do t’i hedhë benzinë zjarrit mund të jetë rrënimi i Greqisë, e dërrmuar nga plane të papërballueshme dhe të pazbatueshme për ringritjen e ekonomisë. Ose një vendim i Gjykatës së Karlsruhes që refuzon që Gjermania të ekspozohet ndaj rrezikut të pakufizuar në rast falimentimi të një shteti anëtar.
Por euro do të zhduket. Do të zhduket në një mënyrë ose një tjetër nëse nuk bëhet asgjë. Kjo nuk është më një hipotezë, një frikë e vagullt, një shami e kuqe e tundur para fytyrës së europianëve të pabindur. Është një siguri. Kjo siguri rrjedh jo vetëm nga logjika (kjo monedhë unike do të mbetej abstrakte, pluskuese, sepse nuk do të mbështetej tek ekonomitë, te burimet, te fiskalitetet e përbashkëta), por edhe nga historia (të gjitha situatat e dy shekujve të fundit që na kujtojnë krizën që po jetojmë).
Sepse euro nuk është përvoja e parë e monedhës unike që ka provuar Perëndimi. Ka patur të paktën gjashtë të tilla, të cilat – edhe pse jo të gjitha situatat janë të krahasueshme – janë të pasura me mësime.
Dy prej tyre kanë dështuar qartazi për shkak të egoizmave kombëtarë të ndërthurur me pabarazitë në zhvillimin e vendeve, të cilat, pa u bashkuar, nuk mund të flisnin të njëjtën gjuhë monetare (madje ngjarja që provokoi dështimin ishte një mospagesë e… Greqisë!): këto ishin dy aventurat, sot të harruara të Bashkimit latin (1865-1927) dhe të Bashkimit skandinav (1837-1914).
Dy të tjera, patën sukses dhe shumë shpejt madje – dhe nëse ia dolën, kjo ndodhi sepse procesi i bashkimit monetar u shoqërua nga bashkimi politik: ishte lindja e frangës zvicerane e cila, në vitin 1848, në momentin e hartimit të Kushtetutës që themeloi Konfederatën zvicerane, dhe pas një gjysmëshekulli përhumbjeje për shkak të refuzimit për të paguar çmimin politik të Bashkimit ekonomik, zëvendësoi monedhat e ndryshme të përdorua deri atëherë nga qytetet, kantonet ose territoret;
Në momentin e Bashkimit latin, ishte lira italiane që triumfoi ndaj miriadës së monedhave të indeksuara sa ndaj monedhave të shteteve gjermane, sa ndaj frangës ose traditave të vjetra dukale ose republikane (dhe me çfarë çmimi ky triumf! U deshën sa drama, sa struktura të bëra pluhur, sa mikro shoqëri të shpërbëra, fshatra të tërë emigruan në Francë ose në Amerikë).
Dy iniciativa të tjera u lëkundën, u zmbrapsën, dështuan, pastaj ia dolën-po, dy arritën të shpiknin një monedhë vërtet të përbashkët, por me çmimin e mijëra krizave, kthimeve pas, shfuqizimeve të përkohshme, dhe falë udhëheqësve të guximshëm të cilët kuptuan se një monedhë mund të ekzistojë vetëm nëse mbështetet mbi një buxhet, mbi një fiskalitet, një regjim të shpërndarjes së burimeve, të drejtën e punës, rregulla sociale, pra një politikë realisht e përbashkët: është krejt historia e markës së re, e cila pothuaj 40 vjet pas Zollverein të 1834, fitoi kundër florinit, thalersit, kronenthalersit, dhe markave të tjera të qyteteve hanseatike; është gjithashtu historia e dollarit, sepse ne e harrojmë që iu deshën 120 vjet të imponohej dhe kjo ndodhi vërtet vetëm pasi u ra dakord të federalizohej borxhi i Shteteve anëtare të Bashkimit.
Teorema nuk fal. Pa federatë, nuk ka monedhë të përbashkët. Pa bashkim politik, monedha duron disa dekada, pastaj shpërbëhet, pas një lufte, ose krize.
Pa progres të integrimit politik, i cili është paramenduar i detyrueshëm nga të gjitha traktatet europiane, por që asnjë udhëheqës, në Francë si në Gjermani, nuk e merr seriozisht, pa braktisje të kompetencave nga Shtet-kombet, dhe pa një humbje të pastër të “sovranistëve” që shtyjnë popujt drejt mbylljes dhe drejt shpartallimit, euro do të çintegrohet, ashtu si do të ishte çintegruar dollari nëse Luftën Civile Amerikane do ta kishin fituar Jugorët.
Dikur thuhej: socializëm ose barbari.
Sot duhet të themi: bashkim politik ose barbari.
Më tepër se kaq: federalizëm ose shpërbërje dhe shpërbërja do të sjellë regresion social, pasiguri, rritje të papunësisë, mjerim.
Më tepër se kaq: ose Europa bën një hap më tej në drejtim të këtij integrimi politik, pa të cilin asnjë monedhë e përbashkët nuk ka arritur të vazhdojë, ose ajo del nga Historia dhe zhytet në kaos.
Nuk kemi zgjidhje tjetër: ose bashkim politik ose vdekje.
Gjithë pjesa tjetër – magjepsje e disave, sajime të disa të tjerëve, fonde solidariteti, banka stabilizimi – thjesht e vonojnë fundin dhe zgjatin agoninë në iluzionin e një përmirësimi.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje