Revista
|
|
Botimet “Uegen” publikon biografinë e re për diktatorin.
Enver Hoxha u pushua si mësues se pati marrëdhënie intime me nxënëset e Liceut.
Për të mbyllur skandalin në Liceun e Korçës, Hoxha kërkon transferimin në Gjirokastër, por edhe aty shkarkohet.
Si u retushuan fotot e Liceut
Fshirja e miqve dhe zhvendosja e hapësirave duke krahasuar fotografitë.
Nexhmije Hoxha: Ka pasur retushime, por jo me urdhër
Jeta intime e Enver Hoxhës gjithnjë ka mbetur një mister. Me gjithë hamendësimet dhe supozimet e ndryshme, dokumentacioni për privatësinë e diktatorit rezulton i zhdukur, përveç disa dëshmive dytësore aty-këtu.
“Enver Hoxha në një optikë të re”, biografia më e fundit për diktatorin, me autor dr. Vasfi Barutin, tenton që të mbushë boshllëqet me fakte dhe materiale të reja, e në mungesë të tyre – përqasje rrëfimesh. Siç kuptohet edhe nga titulli, gjithçka në këtë libër vjen në një këndvështrim të ri, që i referohet periudhës 12 maj 1908–28 nëntor 1944. Autori e nis pikërisht me 12 majin, pasi ajo është data e vërtetë e lindjes së diktatorit (nga shtatë të publikuara) për ta mbyllur me çlirimin e Shqipërisë. Vepra voluminoze me 400 faqe është e redaktuar nga Xhevair Lleshi dhe vjen nën logon e shtëpisë botuese “Uegen”. Në tre numrat e kaluar, gazeta “Panorama” përzgjodhi disa nga pjesët e librit që kishin të bënin me Enverin si liceist në Gjirokastër e Korçë dhe më pas bursist në Francë e Belgjikë, ku arriti të bëhej sekretar i dy Konsullatave të Nderit të Shqipërisë në Bruksel e Anversë. Duke qenë se si në lice, ashtu edhe në universitet rezultonte tejet i dobët në mësime, biografi Vasfi Baruti ngriti pikëpyetjen se si arriti Enver Hoxha që për shumë vite studimi të mbahej me franga ari nga qeveria e Zogut, kur ai e ka konsideruar gjithnjë veten armik të Mbretit? Bashkë me përgjigjen se “Enveri ishte agjent sekret i Zogut”, autori i librit përballi ligjet e kohës dhe dokumentet e tjera, që sipas tij, vërtetojnë teorinë e spiunazhit. Sot biografia për diktatorin ndalet te intimiteti i tij, që shndërrohet në perversitet nëse është e vërtetë ajo që thotë dr. Vasfi Baruti – që Enver Hoxha u pushua nga puna si mësues në Lice në vitin 1939 për shkak se ngacmonte seksualisht nxënëset e tij…
(Pjesë nga libri biografik “Enver Hoxha në optikë të re”, me autor Vasfi Baruti)
Marrëdhënie intime me nxënëset
Në memorien e ish-studentëve të Liceut të Korçës dhe të korçarëve, profesor Enveri ishte sevdalli për dashuri dhe s’ka qortim për këtë, por teprim ishin marrëdhëniet e palejueshme të tij me vajza të Liceut ku jepte mësim morali. Panajot Plaku, bashkëkohës me Enverin: “Enveri, mësimdhënës në Liceun e Korçës. Në vitin 1939 u përjashtua nga Liceu në arsyetimin oficiel (zyrtar) se ka pasur marrëdhënie intime me nxënëset që u jepte edhe mësim morali!”. Panajot Plaku ka qenë ish-ministër dhe anëtar i Komitetit Qendror në vitet ‘50, më pas u arratis në Jugosllavi. E vërteta e Panajot Plakut kryqëzohet me studiuesin Pavle Goraniç: “Enver Hoxha përjashtohet nga shkolla me arsyen se kishte lidhur me nxënëset e tij marrëdhënie të palejueshme”. Dosja e Liceut ka kapërcim me një numër faqe dokumenti, është një fletë që hiqet nga dosja, dhe në dosje shkruhet: “Enver Hoxha, me kërkesën e tij, largohet” (AQSH, fondi i Liceut, dosja 305, 1939). Enveri e ndiente se do të përjashtohej dhe i bën kërkesë drejtorisë së Liceut për largimin e tij. Kjo përkon me motivimin e largimit të Enverit nga Liceu, siç shihet në vendimin e Ministrisë së Arsimit, që i dërgohet Liceut të Korçës dhe Liceut të Gjirokastrës.
Meraku i Enverit ishte të ndëshkonte me burg shokë e të njohur që dinin për jetën e tij intime. Këtë rrëfen dhe një ish-shoku i tij në Korçë në vitet ’30, Nesti Konomi: “Enverin e kam njohur në qytetin e Korçës në vitet ‘30. Kam pasur shoqëri të madhe me të. Ai më tregonte me mburrje të gjitha horrllëqet e tij me gratë e shtëpive publike të Korçës. Kur shkoi atje një natë i dehur, pa asnjë lek në xhep, ato e nxuarrën jashtë me forcë… Më 1968-n, kur unë isha punëtor ndërtimi në Voskopojë, një ditë vjen papritur Enver Hoxha bashkë me Mihallaq Ziçishtin, sekretar i parë i rrethit. Kur i pashë më ngriu shata e llaçi në dorë… Enveri vuri duart në mes dhe u gajas së qeshuri. ‘Uuuuu! Nesti qenke bërë kllasë punëtore… Mos ke qenë në hapsanë dhe ke vjellur helm kundër pushtetit… Po ti nuk e njeh Nestin, o Mihallaq…’. Mihallaqi më vërente nga koka në këmbë… Mbas një muaji më arrestuan dhe më dënuan 10 vjet burgim për propagandë fetare. Si mora vesh nga të tjerë, Enveri i la porosi Mihallaqit për të më rregulluar, dhe e mbajti fjalën”.
Zhdukja e dosjes arkivore
Në historitë e shumta të Luftës shkruhet se Enveri u pushua nga puna e mësuesit në Liceun e Korçës me motiv “element kundër regjimit”, dhe ky “motiv” ndryshoi nga koha në kohë. Kishin kaluar shtatë vjet nga viti 1939 dhe motivi i pushimit nga puna i Enverit në Liceun e Korçës është ky: “Një ditë fashistët, me demagogjinë e tyre shpallën një manifestim të madh që do të bënte populli i Korçës të nderojnë kujtimin e dëshmorit Themistokli Gërmenji. Në vendin e festimit shkojnë autoritetet më të larta. Por Grupi Komunist i Korçës dha kushtrim për sabotimin e manifestimit dhe në shesh shkuan vetëm kryetarët fashistë. Enveri që në atë kohë pushohej nga puna me motivacionin: Është kundër regjimit, nuk ka pranuar të shkruhet fashist dhe kanë shkruar kundër tij shumë raporte në Luogotenca nga ana e Tefik Mborjes. Autoritetet fashiste kanë të drejtë” (Biografia e shkurtër 1947). Ngjarja nuk ka ndodhur siç shkruhet. Në fakt, manifestimi është bërë, por jo entuziast: E pavërtetë është se “Grupi Komunist i Korçës dha kushtrim për sabotimin e manifestimit”, sepse Grupi që në mars 1938 kishte shpërndarë celulat e kishte pushuar si grup, në zbatim të direktivës së Kominternit. Meqë nuk ngjiste ky motiv i pushimit nga puna i Enverit, siç jepet më parë, u gjet “motiv” tjetër edhe më absurd, i shkruar një vit më pas, kur Enveri ishte në varr – tek “Enver Hoxha 1908-1985”. Në këtë libër shkruhet: “Për veprimtarinë revolucionare dhe qëndrimin e vendosur e të hapët antifashist, pas daljes në ballë të demonstratës së 28 nëntorit 1939, Enver Hoxha pushohet nga puna dhe nxirret jashtë kuadrit të arsimit”. Në faqet e “motivimit” të pushimit nga puna jepet edhe një faksimile me diçiturën: “Faksimile e vendimit të pushimit të Enverit”. Shihet qartë absurdi i parë: Vendimi i “pushimit” nga puna daton më 13 nëntor, 15 ditë më parë se të vinte demonstrata e 28 nëntorit dhe vendimi i “pushimit” s’ka asnjë lidhje me demonstratën. Absurdi i dytë: Është vendimi që nuk e shpall Enverin “element kundër regjimit fashist”, por e lë “jashtë kuadrit mbasi nuk shihet nevoja e mbajtjes së tij në shërbim” si profesor: Teksti i vendimit të pushimit nga puna është ky:
“Vendim
Ministria e Arsimit
Nr. 66 21/4X
Tiranë 13.11.1939
Gjimnazit të Gjirokastrës
Shkurtimi: Ju njoftohet se z. Enver Hoxha, mësues i transferuar aty prej Liceut të Korçës, shkarkohet nga detyra dhe mbetet jashtë kuadrit mbasi nuk shihet nevoja e mbajtjes së tij në shërbim.
Ministri
Drejtorisë së Liceut Korçë”.
Siç shihet dhe kuptohet lehtë, vendimi është i shkurtuar (dhe vendimi i arsyetuar nuk gjendet në dosje), me domethënie të qartë se transferimi i Enverit ka qenë i arsyetuar gjatë dhe arsyeja kryesore e vetme është motivacioni që e jep qartë Panajot Plaku për marrëdhënie intime me vajzat e Liceut, apo Pavel Goraniç, të cituar më parë. Nëse do të ishte ndryshe, përse mungon/është hequr nga dosja arkivore vendimi i arsyetuar i pushimit nga puna të Enverit?!
Vendimi i Ministrisë për transferimin e Enverit në Gjirokastër, i marrë më 13 nëntor, vjen më vonë në Korçë dhe i komunikohet më 8 dhjetor 1939.
Si u retushuan fotot e Liceut
Fshirja e miqve dhe zhvendosja e hapësirave duke krahasuar fotografitë
Nexhmije Hoxha: Ka pasur retushime, por jo me urdhër
Të gjitha vendet ish-komuniste, përfshirë edhe Shqipërinë, dallohen për retushimin e fotove apo laminimet e dokumenteve.
Librat e historisë, albumet për Luftën Nacionalçlirimtare etj., janë spastruar nga të gjithë emrat dhe fotografitë e “armiqve të klasës dhe tradhtarëve”, për interesa biografike të Enver Hoxhës. Në ish-Institutin e Marksizëm-Leninizmit që drejtohej nga Nexhmije Hoxha ishte një zyrë për retushimin e fotografive. Vetë Nexhmije Hoxha me gjysmë zëri e ka pranuar se ka pasur retushime të fotove, por fajin për këtë ua lë disa shoqatave pa emër: “Është e vërtetë se retushimi është përdorur dhe ka qenë, për mendimin tim, një budallallëk që vjen nga pikëpamje injorante në këtë drejtim. E para, nuk është bërë me urdhër. Unë kam qenë pikërisht në atë aparat që merrej me propagandën në atë kohë pas çlirimit, por shumë organizata e shoqata e bënin këtë”. Përtej këtij interpretimi të Nexhmije Hoxhës duhet pasur parasysh se gjatë diktaturës dhe për kohën kur janë bërë retushimet e fotove nuk ka pasur organizata e shoqata, përveç “Shoqatës së Gjahut”, që u legalizua në vitin 1963, ku ishte anëtarësuar edhe vetë Enveri. Disa nga fotot që publikohen sot në gazetën “Panorama”, të cilat i përkasin kohës kur Enveri ndiqte Liceun e Gjirokastrës dhe më pas atë të Korçës, duken qartë që janë hequr disa nga liceistët apo mësuesit e tij. Fotot e njëjta shfaqen herë me persona më shumë dhe herë më pak, si dhe duke lëvizur hapësirat ndërmjet tyre, sipas prerjeve dhe fshirjeve profesionale. Duke shpalosur më tej albumin e retushimeve, fotot e të cilit do t’i publikojmë ditët në vijim, vihet re se janë hequr fare apo retushuar ish-miq të Enverit, të cilët më pas janë përndjekur, internuar, burgosur apo edhe pushkatuar, si Nako Spiru, Omer Nishani, Medar Shtylla etj. Gjithashtu, pjesë e retushimeve kanë qenë edhe fotografitë e Enverit në aktivitete të ndryshme që çojnë lart glorifikimin e tij si luftëtar dhe udhëheqës i madh i popullit shqiptar, si fjala e mbajtur në mbledhjen e Beratit, Kongresi I i Frontit Demokratik, deklarata para hotel “Dajtit” më 1944-n etj.
Foto të njëjta, por duket që ka pasur prerje të njërit person dhe lëvizje të të tjerëve. Në foton majtas, Enveri (në rreth) është me 6 shokë liceistë, ku ka pak hapësirë mes katër dhe dy prej tyre. Ndërsa në foton djathtas është prerë personi i fundit (djathtas) dhe është afruar hapësira.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje