Revista
|
|
TIRANE- Dëshmi rrënqethëse nga studentet të cilat “fati” desh të shpëtonin nga aksidenti tragjik i ndodhur dje pranë Himarës ku gjetën vdekjen shoqet e tyre. Një nga autobusët me studentë të Universitetit Aleksandër Xhuvani doli nga rruga e Ura e Vishës duke rënë në humnerë gati 80 metra.
Ergita Opingari
Eshtë njëra nga të mbijetuarat e aksidentit tragjik të Himarës. Ditën e djeshme ajo ka parë vërtet tmerr me sy. Në mendje i vërtiten çastet e aksidentit, britmat e shoqeve, fytyrat e çuditura teksa përpëliteshin për të kuptuar se ç’po ndodhte, por edhe trupat e tyre të copëtuar.
Ergita ende nuk i mban mend të gjitha ato që kanë ndodhur për shkak të tronditjes.
E shtruar në katin e tretë të Spitalit të Vlorës, ajo është e mbijetuara e tragjedisë së Qafë-Vishës në Himarë, ku humbën jetën 11 studente, një person tjetër dhe shoferi i autobusit, Pëllumb Çela, si dhe u lënduan rëndë 25 të tjerë. Ergita nuk e ka idenë se kanë vdekur shumë nga personat që ndodheshin në autobus. Ka momente që dyshon, pasi shumë prej shoqeve i ka parë të mbuluara me gjak, por optimizmi i shtirur i mjekëve për të mos e demoralizuar atë ka bërë që ajo të besojë atë çfarë i thonë të tjerët.
“Po zbrisnim në dishezë, kur dëgjova britmën e shoferit. Pas tij të gjithë ulëritëm. Brenda pak sekondash dëgjova një supertronditje nga një goditje e fuqishme. Pas asaj një tjetër dhe një tjetër derisa e pashë veten në humnerë.
Atij iu bllokua timoni. Dukej sikur nuk po e kontrollonte dot më autobusin. Lëvizte duart mbi timon i qëndronin aty. Pa lëvizur dot. Nuk mu duk se po ecte me shpejtësi.
Tentoi të frenonte dhe të manovronte me timon. Unë vetëm kam qenë e ulur në fund të autobusit, por e shihja që po tentonte të manovronte, ndërkohë që dhe një shoqe që ishte ulur në fillim të autobusit më tregoi të njëjtën gjë. Sapo ndjeva që autobusi po binte u kapa pas një tubi hekur. E shtrëngova fort dhe nuk e lëshova edhe kur rashë. Kur ndjeva që nuk po lëvizte më autobusi atëherë dola jashtë duke u zvarritur. U trondita kur dola jashtë. Pashë autobusin e ndarë në dysh, dhe gjak gjithkund. Nisëm të thërrisnim njëra tjetrën. Dikush përgjigjej, dikush jo. Unë nuk lëvizja dot sepse kisha dëmtuar këmbën e majtë. Qanim me ulërima dhe bërtisnim për ndihmë.
Kontrolluam për telefona por nuk gjetëm dot asnjë,. Ato kishin rënë te pjesa e parë e autobusit e cila ishte shkëputur dhe kishte rënë disa metra më tutje. Autobusi tjetër ishte para nesh pasi do të gjente një vend ku të hanbim drekën. Shoferi dukej i qetë dhe serioz. Unë përjashtoj që shkak i aksidentit të jetë shpejtësia”. Dëshmia u publikua te Panorama".
Besjana Dani tregon:
“Në dishezë kur po zbrisnim drejt Himarës shpejtësia sikur u bë edhe më e madhe. Po këndomin e dëfreheshin në autobus kur autobusi u godit diku dhe të gjithë bërtitën. Ishte momenti i përplasjes me bordurën e urës dhe me hekurat mbajtëse të urës.
S’po kuptonim se cfarë ndodhte vetëm dëgjonin ulërimat e njëra tjetrës. Unë mbylla sytë instinktivisht dhe nuk psahë më asgjë. Shoferi ishte i qetë.”
Ticiana Hysa tregon për gazetën Shqiptare: Faji ishte i shoferit, po ecte me shpejtësi.
Besjana Xheneti, vazja që humbi të fejuarin tregon për “Mapo”: "Rrugës po i thoja Armandit se shoferi po ecte me ngadalë, ndërkohë që ne donim të ecte më shpejt pasi donim të shkonim në destinacion. Armando më tha se autobusi ishte plot me njerëz dhe me bagazhe dhe nuk mund të ecte më shpejt. Në një moment pashë se shoferi po përpiqej të kthente timonin në një kthesë të fortë ku rruga ishte e ngushtë. Të gjithë vërejtëm se poshtë ishte një humnerë. Ngriva dhe u tmerrova.
Mbaj mend që autobusi doli nga rruga dhe ishim në ajër. Pastaj nuk mbaj mend asgjë. Kur u përmenda më thanë se Armandon e kishin transportuar në Tiranë me helikopter. Kishte shumë njerëz kur na nxorën nga autobusi. Më duket sikur unë jam shkaku që u plagos i fejuari. Shpresoj të jetë mirë e të mos jetë dëmtuar shumë. Dje vajzës nuk i kishin treguar që Armando kishte vdekur.
Miku i shoferit: Pëllumbin e njoh që nga ‘90, ka pasur probleme me zemrën
Sapo ka dëgjuar emrin e Pëllumb Çelës si shofer autobusi në aksidentin e Himarës, Engjëll Bimo menjëherë ka menduar se ai ka pësuar atak kardiak. Burri rreth të gjashtëdhjetepestave që banon në Vlorë e ka njohur Çelën që në vitin 1990 dhe e ka pasur mik ndër vite. “Në vitin 1990 ai bënte linjën Elbasan-Vlorë. Ishte shofer me përvojë.
U trondita kur mora vesh lajmin e vdekjes së tij”, thotë Engjëll Bimo. Dhe menjëherë pas kësaj fjalie ai “gjen” edhe shkakun e aksidentit: “Me siguri që do të ketë pësuar ndonjë atak kardiak, pasi që atëherë ka pasur shqetësime nga zemra. Unë kisha dhe një lokal në rrugën që ai bënte përditë me autobus dhe ai ndalonte përherë te mua. Më pas e ruajtëm miqësinë ndër vite dhe takoheshim herë pas here.
Ishte njeri që nuk trazonte askënd. Në punë të tij, në hall të tij. Gjynah që iku…”. Bimo përjashton dyshimin që shoferi Çela mund të ketë qenë i pirë apo që mund të ketë qenë duke ecur me shpejtësi.
Sipas tij, Çela i njihte prej 25 vitesh ato rrugë dhe e dinte që nuk mund të ecte me shpejtësi. “Pëllumbi dinte me detaje çdo pëllëmbë rruge. Dinte se kur duhet ecur më shpejt dhe kur më ngadalë. Jam krejt i bindur që diçka ka ndodhur me shëndetin e tij. Sa për alkool, jua garantoj unë që nuk ka qenë i pirë.
Sepse Pëllumbi nuk pinte asnjëherë. Për shkak të problemeve në zemër ai nuk konsumonte pije alkoolike.
Pinte vetëm kafe ose diçka freskuese”, thotë miku i tij, Engjell Bimo, ndërsa e cilëson të ndjerin Çela si njeri korrekt, të qetë dhe shumë të arsyeshëm. Sakaq, Bimo përpiqet edhe të argumentojë mënyrën e zhvillimit të aksidentit. Nisur nga informacioni i dyzuar nëse ka pasur apo jo frenim, ai thekson se “nëse ka pasur frenim, mund të ketë qenë në mënyrë instiktive. Fati i tij i keq dhe i atyre studentëve të gjorë. Vetëm zemra mund t’ia ketë sjellë atë tragjedi atij. Sa për manovrime të tjera me makinë, ai ka qenë mjeshtër”.
Shpëton Besjana Xheneti, vdes i fejuari
Fillimisht u mor vesh lajmi i mirë, pastaj i keqi. Në mes ulërimash, Nexhmie Xheneti, e ardhur me urgjencë nga Kavaja po kërkonte të bijën studente, Besjanën. Pas disa minutash, ajo u identifikua në katin e tretë të spitalit rajonal të Vlorës, por i fejuari i saj, Armand Aga, nuk ishte gjëkundi.
Ata po udhëtonin që të dy në turneun e fakultetin, pasi ishin edhe shokë grupi. Por do të ishte udhëtimi i fundit që bënë bashkë. Besjana Xheneti i mbijetoi aksidentit dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën edhe pse me plagë të shumta, por i fejuari i saj nuk është më… Sigurisht, Besjanës nuk guxon askush që t’ia thotë këtë! Madje, as nënës së saj, Nexhmies, që deri pas mesnate vijonte që ta kërkonte dhomë më dhomë….
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje