Revista
|
|
Në të vërtetë, në vitet ‘70, në disa vende të Evropës, në shumë burgje kishte të burgosur që arrinin ta shijonin "jetën e ëmbël" me të gjitha privilegjet. Shampanja, po ashtu edhe aragostat për drekë mbërrinin nga restorantet më të mirë të vendit dhe qelitë qëndronin thuajse hapur. Por, ato që e lejonin diçka të tillë nuk ishin ligjet e vendit, por kodet mafioze. Por edhe në kohët e sotme, në Burgun e Fullerton në Kaliforni janë në fakt paratë dhe rregullat e vendosura nga autoritetet ato që vendosin se kush ka të drejtën e një trajtimi me "pesë yje". Lista e çmimeve të këtij instituti që gjendet jashtë Los Angelosit, pak larg nga parku i lojërave dhe argëtimit "Disneyland", është e artë dhe transparente: 100 dollarë për dy ditët e para, 75 për ato pasardhëset. Po ashtu, mund të kesh dy vizita në javë dhe mundësinë për të sjellë nga shtëpia jastëk dhe çarçafë, librat, letrat gjyqësore, madje edhe celularin. Por ajo që është më e veçanta, mund të porositet ushqimi nga jashtë. Për të mos prishur qetësinë e atyre që paguajnë, përjashtohen të droguarit, alkoolizuarit dhe personat që janë dënuar për tentativa vrasjeje. Në burgjet kaliforniane kjo ndodh shpesh: janë me dhjetëra burgjet që ofrojnë këto shërbime për të gjithë ata që janë dënuar për krime të vogla. Me një shifër të përditshme, që shkon nga 70 deri në 130 mijë dollarë, mund të "blesh" qetësinë, sigurinë dhe pastërtinë, argëtim dhe vizita të tejzgjatura të miqve dhe të afërmve. Burgjet e zonës së Los Angelosit janë të dhunshme dhe të tejmbushura. Shifrat zyrtare për vitin 2005 flasin për dyfishin e numrit të lejuar, ndaj edhe "ndryshimi i klasave" garanton "mirëqenien për t‘u ndarë nga të burgosurit e tjerë dhe për të mos pasur kontakt me sistemin e ashpër të burgjeve", siç ka shpjeguar për "New York Times", Christine Parker, zëdhënësja e CSI, një shoqëri private që ka sipërmarrjen e një numri të madh burgjesh dhe që ka futur konceptin e burgjeve me "pesë yje" dhe që nuk ka të bëjë fare me qelitë e vogla dhe të mbyllura, shokët e dhunshëm ose të rrezikshëm, apo vizitat e rralla. Gjithashtu, mund të merret leja për të dalë për të punuar dhe të kthehesh vetëm në darkë, megjithatë për këtë rast duhet të paguash 15 dollarë më shumë për "byzylykun" elektronik që kontrollon lëvizjet. Një luks i vërtetë në një vend ku në fund të vitit 2004 ishin 2 milionë e 200 mijë të dënuar, siç tregon Elisabeta Grande në librin e saj "Goditja e fundit. Burgjet në Amerikë". Në Amerikë sot është në burg një banor në 140 të tillë. Tendenca rritet vazhdimisht, nëse mendohet se të dhënat relative të vitit 2005 flasin për rreth 2 mijë të burgosur të rinj çdo javë. Kjo gjë ka sjellë me vete edhe një shpërthim të burgjeve të rinj. Një tendencë që nuk ka ngjyrë politike, vetëm nga viti ‘93 deri në ‘98, gjatë presidencës së Klintonit, u ndërtuan 213 burgje të rinj. Kështu mund të "blihet" qetësia: në Montebello dhe Seal Beach paguhen nga 70 deri në 100 dollarë në ditë, por mund të kesh edhe dy orë vizita të përditshme, iPod, libra dhe lojëra. Nuk mund të pranohet në këtë program ata që kanë kryer krime të rënda, sepse në qelitë luksoze pranohen vetëm 30 veta. Burgu i vogël i Seal Beach është privat dhe ka qenë një ndër të parët që ka "eksperimentuar" për qelitë me pagesë. Shoqëria që e administron mendon se kjo është një mënyrë për të mos peshuar mbi arkën e shtetit. Në Pesadena ndodhet më i shtrenjti (128 dollarë plus një taksë pranimi prej 58 dollarësh). Mund të marrësh biblën dhe libra të tjerë, mund të mbash orë dhe 20 dollarë për shpenzime të vogla. Këtu nuk përjashtohen vetëm të burgosurit e dhunshëm, por edhe ata që kanë pasur probleme me drogën. Nicole Brockett, 22 vjeç, iu desh të kalonte tri javë në burgun e "Shën Anës" në zonën e Orange, në jug të Los Angelosit, për shkak se kishte drejtuar makinën në gjendje të dehur. Aty pagoi 82 dollarë në ditë dhe kishte të drejtën për të ndenjur në një dhomë të pastër dhe ta vuante dënimin e saj në një vend të sigurt. "Të gjitha kanë qenë të sjellshme. Nuk kam pasur probleme me asnjë nga vajzat, përkundrazi, shkonim shumë mirë. Jam e bindur se ai sistemim është konsideruar si një hotel me pesë yje", thotë ajo. Në "Shën Ana" klientëve të klasit të parë u rezervohet edhe një hyrje e veçantë. Në të vërtetë, "programi" me pagesë nuk është i ri, por sot është në rritje të vazhdueshme dhe në qendër të polemikave të lindura nga lajmi se një zëvendëssherif i zonës së Orange, i dënuar për shpërdorim të fondeve publike, qëndronte në qeli pikërisht në Fullerton, me lap-top dhe celular dhe merrte edhe tri vaktet e ngrënies nga familjarët e tij. Rritja e numrit të të burgosurve dhe ndërtimi i burgjeve të rinj nuk është shenjë për rritjen e numrit të krimeve në SHBA, por është "pjellë" e politikave të reja penale, në veçanti doktrina e "gabimit" të tretë: "Three strikes and you are out" ("Tre gabime dhe ti je jashtë"), e huazuar nga loja e bejsbollit në të cilën shërbyesi që nuk e gjuan topin tri herë, duhet të braktisë fushën. Në këtë rast, nëse bën krimin e tretë të rëndë, rrezikon burgimin e përjetshëm. Shembuj të tillë bëjnë që vrasësit të dënohen me 22 vjet burg, ndërsa shpërndarësit ose shitësit e drogave të dënohen me burgim të përjetshëm. Ken Kerlue, autor i dy librave mbi burgun, nënvizon se tendenca e burgut me pagesë "është vetëm hollivudiane, sepse pjesa më e madhe e njerëzve që përfundojnë në burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të varfër, kanë probleme mendore, varësi nga alkooli apo droga dhe janë analfabetë. Sigurisht që kjo kategori njerëzish nuk kanë 80 dollarë në ditë për një sistemim më të mirë". Profili i klientit të burgut me pagesë, në fakt është një tjetër: një tridhjetëvjeçar të cilit i duhet të bëjë 2 muaj burg sepse drejton makinën i dehur. Dhe duket se janë vërtet shumë meqenëse të gjitha vendet janë gjithmonë të zëna. Për Mike Jackson, që punon në "Shoqata Kombëtare e Sherifëve", kjo pabarazi trajtimi është e padrejtë: "Dy persona që janë në burg pasi kanë kryer të njëjtin krim, duhet të kenë të njëjtin trajtim. Pra shteti duhet të jetë i paanshëm". Paguhet në dorë. Çeqe dhe kartat e kreditit nuk pranohen. Një kriminel ngelet gjithmonë i tillë, edhe pse i ka lekët për të paguar një trajtim luksoz.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje