Revista
|
|
Buletini i panjohur i krerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Dokumenti sekret i vitit ’85: Po na degjenerojnë agjentët e fshehtë.
“Janë dekonspiruar 45 për qind e tyre, mjaft syresh nga qëndrimet imorale me gratë dhe nga vese të tjera””
“Ka informatorë që shërbejnë fshehtas edhe për Asfalinë greke”
Raportet e Sigurimit të Shtetit me agjentët e fshehtë nuk kanë shkuar kreshendo. Historia e tyre ka qenë më misterioze nga sa dukej. Mjafton të futesh paksa në labirintin e procedurave me të cilat operonin, për t’u njohur me të vërteta të pathëna.
Një dokument i shërbimit të fshehtë, i zbuluar së fundi nga “Panorama”, hedh dritë në mjaft nga marrëzitë e rrjetit sekret informativ, pohuar nga vetë autoritetet e larta të Sigurimit.
I konceptuar në formën e një studimi analitik, buletini me siglën “Tepër sekret” i Ministrisë së Brendshme, i datës 4 shtator 1985, me 40 ekzemplarë, rreket të ndriçojë përvojën 30-vjeçare të armatës së agjentëve të fshehtë, duke u ndalur në morinë e pafund të prapësive të tyre. Njëherazi me parashtrimin e këtyre të fundit në formën e një guide groteske, autorët që me sa duket kanë “hedhur në tokë” të gjithë arkivat e shërbimit në qendër e në bazë, shpalosin gjykimin e tyre për arsyet e degjenerimit të rrjetit të fshehtë agjenturor. Në rreshtimin e faktorëve që kanë sjellë situatën e padëshiruar në mbarëvajtjen e punës me bashkëpunëtorët e fshehtë, në dokument përmendet njohja e cekët e kontingjentit të rekrutuar, shkelja e normave të punës me rrjetin sekret, mossigurimi i fshehtësisë në takimet informative, përzgjedhja e njerëzve me vese, e sidomos atyre që dallojnë për lidhje me femra të degjeneruara etj. Kronologjia e fakteve që shtjellohen aty, është sa e rëndomtë aq edhe banale, por gjithsesi e vërtetuar zyrtarisht. Thirrja “Po na degjenerojnë agjentët e fshehtë” e ekspertëve që kanë operuar me këtë dokument, shpreh më së miri realitetin tronditës që përjetonte rrjeti sekret informativ, i mbështetur mbi të dhënat vulgare të një ushtrie amorfe të etiketuar si spiunë. Po çfarë vërente tjetër studimi i praktikës 30-vjeçare të punës së bashkëpunëtorëve të Sigurimit? Më poshtë po botojmë pjesët kryesore të dokumentit…
“Malishta” u tërhoq në shërbim si bashkëpunëtor i fshehtë në vitin 1967. Në vitin 1974, një qytetare, që ishte objekt i survejimit të tij, denoncoi se ka dashur ta përdhunojë. Ajo e ka kundërshtuar duke i thënë se do ta denoncojë në degë për këtë qëndrim. “Malishta” i ka thënë se “unë bashkëpunëtor i degës jam, prandaj të flas kaq serbes, i kam marrë të gjitha masat, atyre u kam thënë”. Madje ai e ka kërcënuar se do ta vriste në qoftë se ajo tregonte sekretet që ky i ka thënë. Denoncuesja ka treguar edhe për disa vjedhje që bënte “Malishta”. Më vonë ky bashkëpunëtor është marrë në përpunim aktiv 2A me dyshime si agjent i zbulimit grek.
“Qershia” është tërhequr në bashkëpunim në vitin 1972 dhe pas dy vjetësh i thotë të vëllait se “Beqir Balluku ka tradhtuar së bashku me një tjetër. Unë këto gjëra i di mirë se bashkëpunoj me punëtorin operativ të zonës. Për këtë që të thashë mos i thuaj njeriu”. Ky bashkëpunëtor është tërhequr duke pasur karakter të ulët, me maninë për t’u mburrur.
“Mekaniku” është tërhequr në bashkëpunim në vitin 1976 dhe u përjashtua në vitin 1978, sepse ka dekonspiruar përpara objekteve që ka pasur detyrë t’i përpunojë duke u thënë “mua më ka ngarkuar dega me detyrë që t’u ruaj”. Dekonspirimi direkt para objekteve tregon se mekaniku duhet të ketë mendime armiqësore, në mos veprimtari të tillë, gjë që duhet ngritur si version dhe duhet zbuluar nëpërmjet rrjetit sekret informativ.
“Lulara” është tër-hequr në bashkëpunim në vitin 1968 dhe është përjashtuar në vitin 1974. E ka pranuar shërbimin në rrethana detyruese dhe i gjendur në këto kushte, ka dekonspiruar para gruas së vet, e cila i ka kërkuar shkakun pse rrinte i mërzitur. Ajo është shprehur para të dashurit të vet duke thënë se burri im është mërzitur shumë se ata të Sigurimit i kërkojnë të thotë gjëra për dy shokë të vetët.
“Rrushi” është tërhequr në bashkëpunim në vitin 1981 dhe është djegur si bashkëpunëtor se në disa raste është mburrur. Lidhur me këtë bashkëpunëtori “Shqiponja” raporton se shitësja S.C. i ka thënë “Rrushit” se dje të kritikuam në mbledhjen e brigadës. “Rrushi” i është përgjigjur se “unë nuk pyes për qentë me dhëmbë e jo më për ata pa dhëmbë”. Në një rast tjetër u është mburrur disa bashkëfshatarëve duke u thënë se “unë u kam çuar mish disa kuadrove të degës”. Karakteri i ulët, mania për t’u paraqitur si njeri që zotëron pushtet e forcë mbi të tjerët, e kanë çuar “Rrushin” në dekonspirim.
“Deti” është tërhequr në shërbim në vitin 1957 dhe është përjashtuar në vitin 1983. Kur është shtrënguar, ka pranuar se ka realizuar takime dhe është rekrutuar agjent për llogari të zbulimit grek nga diversanti Pajo Mileci dhe në dy takime që ka bërë u ka dhënë të dhëna informative. Gjatë hetimeve në vitin 1963, diversanti Hajrulla (Lake) Tefiku ka deponuar se dinte nga zbulimi grek që “Deti” ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Gjithashtu në vitin 1963, K.J., në përpunim aktiv 2A i ka thënë bashkëpunëtorit që e përpunonte se “Deti” është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Ndërsa “Pisha” raportonte në vitin 1961 se shtetasi S.H. dinte që “Deti” ishte agjent i fshehtë. E me gjithë këto raste, “Deti” është mbajtur në lidhje deri në vitin 1983.
“Shkrepësja” është tërhequr në vitin 1950 mbi baza vullnetare, megjithëse i ati ishte agjent grek. Ka pranuar bashkëpunimin me kushte e kufizime që të jepte të dhëna vetëm në vendin e punës e për diversantët, por jo “për në fshat”. Deri në vitin 1971 ka dhënë të dhëna me interes. Më tej ka rënë puna e tij e si rezultat i kritikave ka pranuar se gjatë luftës italo-greke ka punuar së bashku me të atin në favor të grekut. Rezulton që “Shkrepësja” ka qenë edhe imoral e intrigant.
“Mersini” është tër-hequr në bashkëpunim në vitin 1955 me material shtrëngues. Në vitin 1961 është takuar me punëtorin operativ në zyrën e postës kufitare, sepse ky i fundit kishte frikë ta takonte në pyll se mos e vriste. Me të janë bërë edhe takime të tjera në vende të papërshtatshme. “Mersini” vet është shprehur: “Unë nuk bëj më për juve, se jam djegur”. Në vitin 1965, ai ka dekonspiruar para një bashkëpunëtori tjetër edhe dy objekte që përpunonte.
“Bregu i Borshit” është tërhequr në shërbim në vitin 1951. Në vitin 1954 është djegur duke u ballafaquar me një objekt. Madje ai ka dekonspiruar para një kushëriri të tij(edhe ky ish i dënuar për krime kundra shtetit), të cilit i ka thënë se “punoj me Sigurimin dhe u jap informata”.
“Ylli” është tërhequr në bashkëpunim më 1950 dhe u përjashtua në vitin 1974, pasi i kanë rënë shënimet për bisedat me objektet dhe ia kanë gjetur shokët e brigadës. Më e keqja, se me këtë shkelje ka rënë dakord dhe ka heshtur edhe punëtori operativ që e mbante në lidhje.
“Manushaqja” u tërhoq në bashkëpunim në vitin 1974 dhe u përjashtua po atë vit, pasi gjatë përpunimit të dy personave të cilët ndiqeshin si përvetësues të pasurisë socialiste, për të fituar besimin e tyre, i ndihmoi në krim dhe u implikua. Prirja për të zbuluar sa më thellë e qartë krimin në rrugë të paligjshme, bëhet shtytje për të gabuar rëndë e djegur bashkëpunëtorin.
“Shkrimtari” është tërhequr në vitin 1960 dhe u përjashtua në vitin 1983. Në vitin 1961, ai ka raportuar se objekti K.I., i cili ka pasur qenë punëtor operativ, i ka thënë “thuaju atyre shokëve të të drejtojnë më mirë”.
“Reaktivi” është tërhequr në shërbim në vitin 1978 dhe është përjashtuar në vitin 1984. Ai përpunonte K.S. si agjent të zbulimit grek. Ka dhënë për të informata ku ngrihen dyshime për veprimtari spiunazhi. Udhëzohet në vitin 1983 që të takohet me objektin dhe t’ia thotë të gjitha në sy. Duke qenë se bashkëpunëtori i përmendi pa takt të gjitha bisedat që kishin bërë bashkë qysh prej kohësh, objekti dyshoi dhe nuk u afrua më. Dyshimet e veta që “Reaktivi” ishte agjent i Sigurimit ua tha dhe dy objekteve të tjerë F.K. dhe U.M. “Reaktivi”, në vitin 1980, pas një takimi që kishte me punëtorin operativ, u pyet nga objekti K.S., të cilit i kishte rënë në sy lëvizja e tij: “Ku ishe?”, “Reaktivi” i tha: “Isha për të prerë dru”. Atëherë K.S. i thotë: “Ti dru bën, po sëpata nuk të dëgjohet”. K.S. kishte qenë dikur edhe vet bashkëpunëtor dhe i dinte format.
“Plepi” është tërhequr në bashkëpunim në vitin 1978 dhe është përjashtuar në vitin 1983, për arsye se ditën e takimit ishte në vrojtimin e objektit dhe se punëtori operativ që e takoi atë ditë shkoi me makinën e degës në fshatin e bashkëpunëtorit.
“Hëna” është tërhequr në bashkëpunim në vitin 1955 dhe u përjashtua në vitin 1973, sepse e ka parë në takim me punëtorin operativ komandanti i postës së kufirit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me bashkëpunëtorin “Kodra” e “Dëbora”, që janë rekrutuar në vitin 1972 dhe janë përjashtuar nga shërbimi dy vjet më vonë.
“Artisti” përpunonte objektin DH.Q., me të cilin shoqërohej edhe vëllai i bashkëpunëtorit. “Artisti” raportonte edhe bisedat armiqësore që DH.Q. zhvillonte në prani të vëllait të vet. Ky u nxor dëshmitar kundër objektit në fjalë. Një rezident i përjashtuar, që kishte vënë re kontaktet e shpeshta të objektit me dy vëllezërit, duke nxjerrë vetëm njërin dëshmitar, konkludoi që tjetri është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe këtë ia tha bashkëshortes së objektit të goditur. Pra, kjo solli rrjedhimisht djegien e “Artistit”, sepse i vëllai i një denoncuesi nuk mund të besohej më nga elementi armik.
“LIBRI” rrjedh nga një familje e pasur fshatare dhe me qëndrim të keq politik. Në prag të çlirimit të vendit i janë pushkatuar babai dhe gjyshi për krime të bëra gjatë Luftës. Ai është tërhequr në bashkëpunim sekret më 30.5.1972 dhe jepte të dhëna të rreme për 40 persona me qëndrim të mirë politik. Për këtë u përjashtua nga rrjeti më 24.6.1980. Në takimin e parë, “Libri” raporton një bisedë të rëndësishme të zhvilluar me L.G., person ky me qëndrim të mirë politik dhe H.X., i evidentuar kodigjent, ku L. G. fliste me nostalgji për bejlerët e agallarët dhe me urrejtje për pushtetin. Këtë të dhënë e vlerëson shumë punëtori operativ dhe shefi i tij, duke theksuar: “Ky bashkëpunëtor është i ri dhe me sa duket e ka filluar mirë”, pa e vërtetuar të dhënën e tij. Ndodhi që “mbarësia” e “Librit” mbeti në konsideratë deri në vitin 1978, kohë kur të dhënat filluan të vihen në dyshim. Përgjithësisht, ky bashkëpunëtor fliste keq për kuadrot e kooperativës, në vend që të informonte për rrethin e tij armiqësor e shoqëror me qëndrim të keq politik e me aktivitet armiqësor. Eprorët e tij, që e kanë mbajtur në lidhje, në vlerësimin e punës janë nisur nga “sakrifica” që gjoja ai bënte duke ardhur rregullisht në takime(!!) dhe që ato bëheshin larg fshatit të tij(?). Në këtë rast, elementit armik i është dhënë mundësia të bashkëpunojë me organet e Sigurimit dhe këtë ai e shfrytëzon për të dezinformuar, duke raportuar për veprimtari armiqësore të paqena për të spostuar vëmendjen nga mjedisi ku pritet të zbulohet veprimtari armiqësore në mjedise të pastra e që nuk i lidh asgjë me armikun e klasës(Kësaj i thonë t’i varësh ujkut në qafë mëlçitë).
“Arra” tërhequr në bashkëpunim në baza vullnetare në vitin 1949 dhe seleksionuar si bashkëpunëtorë tradhtar në vitin 1980, rrjedh nga një familje fshatare e mesme, me qëndrim të keq politik, sepse ka qenë pro fashizmit dhe ka marrë pjesë aktive në organizatën tradhtare Balli Kombëtar, me gradën toger. Gjatë 31 viteve të bashkëpunimit, “Arra” ka pasur lëkundje të theksuara, herë ka dhënë material me vlerë për disa persona dhe herë nuk ka dhënë për muaj të tërë asgjë. Vitet e fundit jepte të dhëna për persona me qëndrim të mirë politik, të cilët gjoja zhvillonin aktivitet armiqësor në formën e agjitacionit e propagandës. Me “Arrën” kanë punuar 15 punëtorë operativë, të cilët edhe pse kanë konstatuar që është në pozita tradhtare, asnjëherë nuk kanë qëndruar ndaj tij.
Më 16.7.1957 raporton për disa krime të kryera nga xhaxhai i tij gjatë Luftës për të cilat është dënuar pasçlirimit, dhe kur iu tha se pse e kishte bërë një gjë të tillë, është përgjigjur se meqenëse punëtori operativ është i ri, mendova se i duhej. Është konstatuar se ai raporton në vazhdimësi për personat që nuk shkon mirë. “Arra” është konfirmuar qysh në vitin 1960 dhe ka shenja mossinqeriteti dhe imoraliteti.
“Arra” duke qenë në pozita armiqësore dhe me qëllim që të krijojë besim te organet e Sigurimit, në takimin e bërë në datën 1.7.1979 raporton se ka mësuar nga gruaja e kushëririt të parë se disa persona në fshat (emrat e të cilëve nuk i mësova dot) qysh para 15 vitesh kanë mësuar se ai i shërben Sigurimit dhe kanë dashur ta asgjësojnë, por nuk ja kanë arritur dot…dhe më poshtë vazhdon, se ka vënë në dijeni për këtë edhe sekretarin e organizatës bazë që ta kishte parasysh. Këtë, ky e ka bërë në kohën kur është hequr nga puna si infermier (kartoteka e degës së Beratit, dosja personale nr.276)
(vijon nesër)
AFRIM IMAJ
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje