Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Ditari i Mitrush Kutelit/ Bisedimet me Gjermanët për arin shqiptar
Publikuar me 16 Maj 2012


							Ditari i Mitrush Kutelit/ Bisedimet me Gjermanët për arin shqiptar

Jorida Pasku

Në përvjetorin e 105-të të lindjes dhe të 45-të të vdekjes së shkrimtarit Mitrush Kuteli (13 shtator 1907-4 maj 1967) botohet “Ditari i Ekonomistit” (Nga lufta për të shpëtuar floririn e Bankës dhe disa raporte e kujtime) nga familja që janë edhe botuesit e veprës (Botimet “Kuteli-04”). Libri hidhet këto ditë në qarkullim në libraritë e Tiranës. Siç është bërë e udhës, në kryeqytet kaloi pa u ndjerë përvjetori i Kutelit, kurse në Pogradec më 5 maj Zyra Arsimore (?!) organizoi një aktivitet kulturor e artistik ku morën pjesë njerëz të kulturës, familja, miq, qytetarë të Pogradecit dhe adhurues të veprës së shkrimtarit. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Dr. Aurel Plasari mbajti referatin “Kuteli dhe Eposi kutelian”; Dr. Adrian Civici kumtoi “Një vështrim për Kutelin në ekonomi”; aktori Mitrush Kabashi interpretoi vargjet “Poem kosovar”. Fragmente nga krijimtaria e Kutelit iu lanë nxënësve të shkollës së mesme të përgjithshme “M.Çollaku”. Më tej ekspozita “Motive kuteliane” e piktorëve Anastas Kostandini (Taso), Gjergji Lako, Gentian Zeka, ekspozitë fotografike nga jeta e Kutelit dhe një ekspozitë librash.

Në librin “Ditari i një ekonomisti” është përfshirë edhe botimi “Tri problema në lidhje me Bankën Kombëtare” (Konstancë, Shtypshkronja “Albania”, 1932), i vetmi libër shqip i shkruar nga Dr. Pas (kështu i ka nënshkruar ai një pjesë të shkrimeve ekonomike, ose thjesht “Pas”, “AB” etj.,  ku ekonomisti bën tri analiza bazë: “Problema e Monedhës së Vogël”, “Problema e Fitimeve” dhe “Kapitali, Aksionet dhe Privilegji” të Bankës së Shtetit Shqiptar, institucioni ku Kuteli punoi si konsulent dhe më vonë drejtor i Drejtorisë Qendrore së saj.

Botimi është i pajisur edhe me disa raporte zyrtare: “Raport mbi Çështjet Monetare-Financiare për t’u shqyrtuar prej Komisionit Shqiptaro-Gjerman”, “Mendime për Kombëtarizimin e Bankës Kombëtare të Shqipnis”, “Raport mbi disa masa valutare për t’u marrë për mbrojtjen e interesave të ekonomis Kombëtare”. Ka aty letra drejtuar Rexhep Mitrovicës – Kryetar i Këshillit të Ministrave, Rrok Gerës, dhe në fund kujtime, ku flitet edhe për rëndësinë që Dr. Pasko i jepte monedhës shqiptare duke dënuar spekulimet.

Mban mbërthyer atë që e merr në dorë botimin – që i përket ose jo fushës ekonomike – sidomos “Ditari…” , i kopjuar nga dorëshkrimi nga Misto Marko, nip i Kutelit, nga motra e madhe Aglla, i cili ka shkruar edhe pasthënien. Shënimet sqaruese janë të familjarëve, Atalanta e Pandeli Pasko.

Ditari është mbajtur nga 2 nëntori deri më 24 dhjetor të 1943-it, në kohën kur Komisioni i Bankës së Shqipërisë ishte në bisedime me pushtuesin gjerman.

Ja sesi nis ai: ”Një lajm i keq. Gjermanët kanë marrë nga Roma klishetë e Bankës Kombëtare (135) dhe i kanë shpënë në Berlin. Kanë marrë edhe arin tonë, rreth 8.4 milion fr.shq. Më një anë arin e muar, më anë tjetër këtu muar edhe pare – 40 ml fr. Unë vajta në Këshillin e Regjencës dhe fola, fola sa u lodha…. Do bëhet një notë diplomatike”.

Tek kalohen fletët kuptohet që kemi të bëjmë me ditarin e një ekonomisti, shkrimi i kursyer, Dr. Pas shënon çdo gjë aty, edhe cigaret e pira dhe orët e gjumit.  Ka një lloj regjimi që ekonomisti kërkon ta ruajë me gjithë lodhjen e ditës, ndihet mirë kur fle sa duhet dhe kur ushqehet si duhet.

Jetë në kohë lufte

Është 2 nëntori i vitit 1943… Për më shumë se një muaj, Dr. Pas hedh nëpër faqet e ditarit ndjesi për mungesat në kohë lufte – shkruan për lodhjen e ditës dhe ëndrrat e natës, e sheh shpesh në ëndërr të atin (Pandi Pasko Kutelin), të vrarë dhe të djegur me gjithë shtëpinë në Pogradec, në shtator 1943 nga ushtarët italianë

Problemet me shëndetin dhe lodhja, të ftohtit e lufta, mungesa e financave i rëndojnë, por ekonomisti nuk epet. Është 37 vjeç e i duhet t’i bëjë vetë të gjitha, kur kushtet nuk janë. Në njërin krah përgatit analiza… raporte ekonomike- lexon “Il finanziamento di una grande guerra” (Attilio Cabiati), për të kuptuar metodën gjermane të shfrytëzimit të shteteve të okupuar – në tjetrin shkruan për Nolin, gjen edhe kohën ‘për t’u arratisur me Omar Khajamin dhe Gorkin.  Pastaj mbledhje me rëndësi me Komisionin e Bankës (bashkë me Berattin, Bejlerin, Kondin, Qytezën, Meksin) dhe delegatët gjermanë për arin që gjendet në Berlin, marrëveshjet me  Gjermaninë. Komisioni i Bankës kërkon mallra, kurse pala gjermane kërkon të financohet ushtria. Por Dr. Pas është i prerë: “Populli shqiptar e ka humbur besimin te letrat. Ai kërkon arin. Ai parapëlqen arin”. Me humor përshkrimet që Kuteli bën për bisedimet me palën gjermane, kur thotë: “Këta qeratanj diplomatë qeshin e të vënë në dhé të gjallë” apo kur “i jep zemër” anëtarit tjetër të Komisionit, Dhimitër Berattit me fjalët: “Mbaju, Xha Mitkë, mbaju!”  në negociata me palën gjermane.

Mitrush Kuteli

Kam punuar pa interes vetjak, bile kundër interesit vetjak. Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka një mijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën), dhe me tradhëti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë para për këtë shërbim. Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin. Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes, po se s’munda. Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave. Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetjak, udhën “urtë e butë e lugën plot”

Fragment nga “Testamenti”


1916
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI