Revista
|
|
Share
Greqia nis sot një nga grevat më të mëdha në historinë e këtij vendi. Fluturimet janë pezulluar, shumica e shërbimeve publike nuk funksionojnë dhe dyqanet e zyrat janë mbyllur.
Greva e përgjithshme 48 orëshe vjen në momentin që parlamenti përgatitet për të votuar raundin e fundit të masave të kursimit, përfshirë këtu shkurtime vendesh pune dhe rritje taksash.
Greqia po përpiqet që të reduktojë borxhin e lartë qeveritar mes frikës se mund të ndezë një krizë më të madhe brenda eurozonës.
Korrespondenti i BBC thotë se protestat kanë ardhur në rritje dhe kjo e sotmja organizohet nga dy prej sindikatave më të mëdha që mbulojnë punonjësit e sektorit publik dhe privat.
Një prej drejtuesve të sindikatave thotë se po dërgojnë një mesazh të fortë dhe të lartë për qeverinë dhe sistemin politik.
Ndërkohë që Greqia proteston, lajmet që vijnë nga Zvicra bëjnë me dije se mbi 200 miliard euro janë dërguar në këtë vend që pas nisjes së krizës. “Vetëm muajt e fundit janë dërguar mbi 10 miliard euro jashtë vendit,” thonë ekspertët e bankave.
Në rast se Greqia do i kthehej sërish dhrahmisë, atëherë ekziston mundësi që pasuria në euro të përgjysmohet me një goditje të vetme.
Paratë e grekëve kalojnë përmes Qipros drejt Zvicrës. Gazetat e njohura greke thonë se madje edhe priftërinjtë, murgjit e të papunët fluturojnë me valixhe plot euro.
Shefi i socialdemokratëve në Parlamentin Europian, Martin Shulc thotë se duhet vendosur një taksë për të ardhurat mes Zvicrës e Greqisë. “Të paktën kështu do të kufizojmë daljen e kapitalit,” thotë ai.
Ndërsa bankat në Greqi kanë paralajmëruar shefat e qeverisë se kapitali po ikën me shpejtësi jashtë. Ekziston mundësia që qeveria të urdhërojë bankat të mos lejojnë këtë rrjedhje të fortë, duke bërë kontrolle më strikte.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje