Revista
|
|
Nga Hans-Joachim Lanksch Që në fillim duhet me ju rrëfye dy gjana: prej meje nuk mund të pritni nji kumtesë shkencore, mbasi nuk jam njeri i shkencës, por i praktikës - nji qytetar i thjeshtë që punon me gjuhën shqipe. E dyta: unë jam nji dashamirës i madh i gegnishtes, ama jam edhe nji dashamirës i madh i tosknishtes. Gjuha e Mjedës, Koliqit e Camajt asht e ambël dhe e pasun, ama po aq e bukur dhe e pasun asht gjuha e Naimit, Lasgushit e Mitrushit. Vjetëve të fundit asht gjallnue diskutimi rreth gegnishtes resp. rreth raportit të saj me shqipen standarde, dhe, lidhun me këtê, debati rreth rishikimit të shqipes së standardizueme. Kam disa, ma saktë: 6 kërkesa ndaj atyne që merren me debatin në fjalë: Diskutimi për gegnishten dhe standardishten e sotme duhet liberalizue, duhet me i dhanë fund monopolizimit të këtij kuvendimi nga ana e disa gjuhëtarëve që e mbrojnë standardishten e Kongresit të Drejtshkrimit dhe orvaten me uzurpue çdo diskutim për këtê çâshtje, ku përjashtohen sidomos shkrimtarët, ata pra që e përdorin dhe e krijojnë gjuhën. Gjuhën e Dantes dhe Petrarkës s'e kanë krijue gramatikanët, por Danteja dhe Petrarka. Me fjalë të tjera: nuk ban që për problemet e këndimit operistik të monologizojnë profesorët e kantos tue ua kyçë gojën kangëtarëve. Duhet me i dhanë fund diskriminimit të gegnishtes letrare si "dialekt". Asht e vërtetë që ekzistojnë të folmet gege me nëndialektet, nën-nëndialektet dhe nën-nën-nëndialektet etj. të tyne, por asht e vërtetë edhe se autorë si Migjeni a At Anton Harapi kanë shkrue nji gegnishte letrare edhe pse ajo s'ka kenë e standardizueme. Diskutimi për gegnishten dhe gjuhën zyrtare letrare duhet shlirue prej vështrimeve jashtëgjuhësore. Gjuha nuk mund t'i nënshtrohet nji qasje ideologjike, sidomos jo nji qasje politike. Dihet që në djepin e gjuhës së dekretueme prej Kongresit të Drejtshkrimit qëndronin pikëpamje kryekëput politike që s'kishin me bâ asgjâ me çâshtjen e gjuhës. Diskutimi dhe trajtimi i gegnishtes dhe standardishtes duhet dezinfektue prej ngjitjeve të tilla e të ngjashme jashtëgjuhësore. Poashtu, debati për gegnishten dhe standardishten duhet shlirue prej emocionesh dhe frazave bombastike e patetike. Gegnishtja duhet të çmitologjizohet dhe standardi duhet të demistifikohet.Ithtarët e gegnishtes duhet me u dhanë lamtumirën shprehjeve si "gegnishtja e shêjtë", "lahuta ilire këndonte gegnisht" etj.Avokatët e standardit duhen me u distancue prej shtrembnimeve faktesh. Disa mbrojtës të gjuhës së sotme zyrtare shqipe pretendojnë se gjuha e Kongresit të 72-ës na ishte nji si arritje aspiratash shekullore të popullit shqiptar për nji gjuhë të përbashkët letrare. Kjo nuk asht e vërtetë. Siç dihet mirë dhe shpesh harrohet me gjithë qejf, orvatjet dhe aspiratat e shqiptarëve për nji gjuhë të përbashkët letrare rezultonin në vendimet konsensuale të Komisisë Letrare të Shkodrës, në gegnishten jugore elbasanase. Elbasanishtja qe nji idiomë e gjallë, që mund të përdorej pa telashe të mëdha si prej tosknishtfolësve ashtu dhe prej gegnishtfolësve. Pushteti komunist, në vend që të angazhohej për afirmimin e gjuhës letrare të përcaktueme prej Komisisë Letrare të Shkodrës, e dekretoi tosknishten dhe e ndiqte me ngulm e dhunë përdorimin e saj si gjuhë zyrtare e cila mbas konsultave të shumta më 72-ën rezultoi në krijesën artificiale të gjuhës së njësuar letrare shqipe, nji përziemje të çuditshme jo-organike tosko-gege. Përdorimi i standardit duhet liberalizue. Romancieri, poeti dhe publicisti Dr. Agron Tufa asht ankue disa herë në media shqiptare që redaktorët ia ndalojnë dhe shlyejnë edhe mâ të voglin devijim nga standardi. Kjo praktikë e mumifikon gjuhën dhe pengon çdo zgjanim dhe zhvillim, madje dhe frymëmarrjen e organizmit të gjallë që e quejmë gjuhë. Standardi nuk duhet fosilizue. Dihet se në bashkëpunim ndërakademik janë krijue komisione të ndryshme të "Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe" për shikimin dhe rishikimin e shqipes standarde. Lutja ndaj anëtarëve të Këshillit e ndaj të gjithë të tjerëve që merren me rishikimin e standardit asht – mos me u kënaqë me retushime të vogla, mos me u marrë me arnime, por me përmirësime e kurime të vërteta. Disa fjalë për statusin quo. Në Kosovë de facto ekziston gjendja e diglosisë. Përveç kësaj, kur orvaten me e përdorë standardin, shumica dërrmuese e popullatës atê nuk e zotnojnë. Në Shqipni, nji pjesë e mirë e toskëve e përdorin tosknishten në vend të standardit, gjâ që mund të vërehet mjaft mirë në radio e televizion, përderisa nji pjesë e mirë e gegëve nuk e zotnuekan mâ plotësisht gegnishten dhe përdorin nji mish-mash gego-standardisht. U kam bâ pyetje me shkrim disa shkrimtarëve të Gegnisë se pse shkruejnë standardisht dhe jo gegnisht. Disa syrësh u përgjigjën në mënyrë bukur specifike dmth. fare, ndërsa disa të tjerë më kthyen përgjigje interesante dhe fort informative. Po citoj disa prej tyne: Mimoza Ahmeti që babain e ka prej Malit të Zi, shkruen: "Akomodimi dhe funksionimi me sistemin ku jetoj që është administror e funksional nuk më përkrah në të folurën e veriut. Poashtu gradualisht të folurit normativ iu vesh mentalitetit tim dhe tani është e vështirë të zbërthehet. Por potencën e gjuhës veriore jo vetëm nuk e mohoj por e adhuroj." Autori shkodran Stefan Çapaliku përgjiget: "Kam shkruar në gjuhë letrare sepse nuk kam pasë një model të gegnishtes letrare. Ma vonë kam shkrue edhe në gegnisht. Dramën e fundit e shkruejta në gegnisht dhe e vuna në skenë në Shkodër. Në teatër provova se gegnishtja tingëllonte për bukuri." Nji autor tjetër shkodran, Gazmend Krasniqi, prozator, poet dhe eseist, që e quen veten autor gegnishtfolës dhe standardshkrues thotë ndër të tjera: "I takoj një brezi që, kur ka fillue të shkruejë e të lexojë (bahet fjalë për Abetaren) asht “bombardue“ në mënyrën ma të rreptë nga e quejtuna Gjuhë e Njësuar." Në përgjigjen e tij mâ të gjatë, autori thekson që gegnishtja nuk mirëpritet nga editoria kështu që nji shkrimtar serioz nuk mundet me ekzistue pa mbështetjen e domosdoshme të botuesve. Shkrimtari Ridvan Dibra, shkodran dhe ai, shkroi shqip e troç, siç e ka zakon: " nuk di me e shkru mire gegnishten, për kto arsye: 1. Jam formu e kulturu me një vepër të shkruar apo të përkthyer toskërisht (shkolla, realizmi i mbrapshtë socialist, media etj); 2. Mungon hala nji gramatikë e unifikueme e gegnishtes, sidomos asaj të stadit të sotëm; 3. Ndoshta nji dëshirë disi e fshehtë për ta shtri hapsinën ë komunikimit edhe ndë toskëri..." Mundemi me përmbledhë përgjigjet e miqve të mi shkrimtarë: gegët e Shqipnisë janë rritë e rriten me standardishten dhe janë mësue me tê. Mungesa e nji norme gjuhësore të gegnishtes së sotme e vështirëson mâ têj përdorimin e nji gegnishte letrare. Shumëkush përmallohet për bukurinë e gegnishtes. Sa i përket gegnishtes - çka me bâ? Linguocidi që e ndërmori sistemi komunist ndaj gegnishtes asht ireversibël. Tash për tash, krijimi i nji norme të përbashkët gege duket me kenë iluzion, sidomos për shkak të bajraktarizmit të njohun notor, por edhe në mungesë të strukturave të nevojshme organizative, administrative e shkencore. Duhet me i dhanë fund demonizimit të gegnishtes si element antikombëtar, anmik i popullit shqiptar, armë e përçarësve të kombit shqiptar etj. Botimi dhe distribuimi i librit në gegnishte duhet me u bâ edhe në jug të Shkodrës e Lezhës. Sa i përket standardit – statusi ante quo sot nuk mundet me u vendosë, nuk mundet me u rivendosë norma e elbasanishtes. Gjuha e sotme zyrtare letrare duhet me u lirue nga korseja e nji standardi të ngurosun. Duhet lejue zhvillimi organik i gjuhës, ku standardi i bazuem mbi tosknishten ka me u shkrî me elemente gege. Kultivimi i gegnishtes letrare dhe liberalizimi i standardit nuk duen me thanë dhe nuk synojnë divergjencën por konvergjencën e natyrshme të idiomave shqipe. Fjalë e mbajtur në Tubimin e 3-të Kulturor-Shkencor Shqiptaro-Gjerman "Kongesi i Manastirit: sfidë mes traditës dhe risisë në kulturën e shkrimit shqip", në Universitetin e Mynihut
Po citoj: "gjuhë letrare, gjuhë e përbashkët kombëtare duhet të jetë ajo e masave të popullit që përfaqësojnë pjesën më progresive të vendit tonë", u deklarue më '47-ën, dhe 5 vjet ma vonë, në sesionin shkencor me titull "Veprat e shokut Stalin mbi gjuhësinë dhe problemet tona gjuhësore në dritën e këtyre veprave" u tha se: "juga nxori udhëheqësit kryesorë e më të shumtë të lëvizjes, ajo i dha kuadrot më të shumta", ndërsa gegnishtja u shpall "reaksionare". Në Kongresin më '72-ën dhe mbasandej theksohej pandërpré që vlera e standardit qëndronte te "parimet marksiste".
Elbasanishtja si normë e shqipes nuk funksiononte në të gjitha nivelet. Nji pjesë të fajit për këtê kanë edhe shkrimtarë të njohun që e injoronin modelin e elbasanishtes, ndër ta edhe At Gjergj Fishta, përndryshe anëtar i Komisisë Letrare të Shkodrës, i cili me kryeneçësi prej gegit vazhdonte me shkrue nji gegnishte veriperëndimore.
Retushimet vetëm e vazhdojnë petrifikimin e standardit. Për t'iu shmangë diglosisë duhet me marrë para sysh edhe realitetin gjuhësor të shqipes në të shkruemit e të folunit, ku mundem me veçue sidomos, fjala vjen, çâshtjen e paskajores e cila përdoret prej dy të tretave të viseve shqipfolëse.
Krasniqi shton: "Besoj që sot shtrohet pyetja se çfarë duhet ba për ta ruejtun nga ekskomunikimi apo për të lidhë fijet e zhvillue një traditë të konsolidueme, siç asht gegnishtja, me një mundësi që e jep një kohë demokratike si kjo e jona."
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje