Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

David Villa,djali i minierave që mjekët desh i prenë këmbën.
Publikuar me 10 Kor 2010

David Villa,djali i minierave që mjekët desh i prenë këmbën.

Tani është duke udhëhequr Spanjën drejt fitimit të kampionatit botëror, por David Vija ka rrezikuar t'i prisnin këmbën kur ishte fëmijë. Blerja e re e Barcelonës ka shënuar 5 gola dhe ka një meritë kryesore që iberikët janë për herë të parë në një finale Botërori. E megjithatë, rreth çerek shekulli më parë mjekët vendosën që t'i prisnin këmbën e djathtë djaloshit të artë nga Asturia, i cili pësoi një thyerje të tmerrshme në femurin e saj. Vija pësoi një aksident ndërsa po bënte atë që dashuronte më shumë, pra po luante futboll, por një fëmijë më i madh ra mbi këmbën e tij. Falë një mrekullie, David Vija - 4 vjeç në atë kohë - ia hodhi më të keqes, por ai kaloi 6 muaj në allçi dhe në mënyrë ironike, atëherë nisi rruga e tij drejt majave të futbollit. I ati i tij i adhuruar, një punonjës miniere i quajtur Hoze Manuel, sa herë kthehej në mbrëmje në shtëpi, kalonte dy orë duke i mësuar djalit të tij që të godiste topin edhe me këmbën e majtë, pasi të djathtën e kishte në allçi. "Kur kthehesha nga miniera, kaloja gjithnjë dy orë me të, - shprehet Hoze Manuel. - Unë i pasoja topin dhe David duhet ta godiste gjithnjë me këmbën e majtë. Mendoj se për këtë arsye, ai i përdor të dyja këmbët mjaft mirë". Vija gjithnjë falënderon të atin e tij për atë çfarë është bërë sot. Sulmuesi i blerë për 40 milionë euro nga Barcelona shprehet: "Babai im ishte gjithnjë aty duke më hedhur topin papushim, duke më bërë ta godisja topin me të majtën, pasi të djathtën e kisha në allçi. Nuk mbaj mend asnjë seancë stërvitore që babai im të mos ishte aty. Nuk kam qenë kurrë vetëm në fushën e futbollit".
Puna në minierë
Djaloshi David Vija shihte çdo natë të atin që vinte i këputur në shtëpi dhe nuk dëshironte kurrë të bëhej një punonjës miniere si ai. "Nuk doja kurrë të punoja në minierë, sepse minatorëve u ndodhin shumë gjëra të këqija siç janë aksidentet, - rrëfen sulmuesi spanjoll. - Nuk i harroj kurrë orët që mamaja ime kalonte në spital. Do të bëhesha minator, vetëm nëse do të vdisja për bukë". Vija nuk ka ecur kurrë mirë në shkollë dhe i ati tregon se futbolli gjithnjë ka ardhur i pari në listë. Hoze Manuel thotë: "Mësuesi na kërkonte ta ndëshkonim për të mos e lejuar të luante futboll, por unë gjithnjë i thosha të njëjtën gjë: Nuk do ta lejoj të ngasë një motorr, të luajë video games apo gjëra të tilla, por ta ndëshkoj për futbollin? Jo, nuk mendoj aspak". Pavarësisht talentit të rrallë, David u refuzua nga klubi i tij Oviedo kur ishte 9 vjeç, ngaqë ishte shumë i vogël në trup për moshën e tij. Sulmuesi i tanishëm i Spanjës nisi të qante për orë të tëra. Në fakt, një tjetër arsye që ai u refuzua ishte fakti se ndodhej në zonën e poshtme të qytetit dhe klubi i duhej t'i gjente transport.
Yll botëror
Pas refuzimit nga Oviedo, Vijës iu thye zemra, por shumë shpejt ai firmosi për një tjetër klub të vogël, Langreo. Më pas, ai kaloi te Sportingu i Gijonit, rivalët e Oviedos dhe prej andej te Saragoza, përpara se të bëhej ylli i Valencias. Mançester Junajtid dhe Çelsi kanë qëndruar prej vitesh në gjurmët e tij, ndërsa një vit më parë Liverpuli ishte shumë pranë blerjes, por u tërhoq kur iu kërkuan 45 milionë stërlina. Më pas u fol për Mançester Sitin, që nuk i kishte problem paratë. E megjithatë ëndrra e Vijës u realizua para 40 ditësh, kur ai firmosi me Barcelonën. Dy vjet më parë, David Vija ishte kryegolshënuesi i Europianit 2008, me 4 gola. Por, një tërheqje muskulare e pengoi atë të luante në finalen ndaj Gjermanisë, gjë që e dëshpëroi shumë. Tani, 2 vjet më pas, David Vija ka shansin të luajë në finalen e një kompeticioni të madh. Të dielën do të përballet me Holandën në Johanesburg dhe në mes është Kupa e Botës. Ai u bë lojtari i parë që pas Rivaldos në 2002, që shënonte në 4 ndeshje radhazi të Botërorit. Ecuria ndali të mërkurën ndaj Gjermanisë, ndeshje në të cilën shënoi Karles Pujol. Por, Vija nuk mërzitet: "Ajo ishte ndeshja më e bukur e kombëtares sonë, nga më të mirat që kemi luajtur prej kohësh. Jemi në finale me meritë, ishte një performancë e shkëlqyer ndaj gjermanëve. E kemi treguar se jemi të mëdhenj në ndeshjet që kanë rëndësi. Ne e bëmë historinë që kur arritëm në gjysmëfinale, por kjo është e pabesueshme". Miliona spanjollë tashmë mbajnë veshur fanelën e tij në rrugët e të gjithë vendit, gjë që e bën krenar "djaloshin e minierave". "Ne jemi shumë krenarë që kemi tifozë si tanët dhe tani duhet t'u plotësojmë ëndrrën, duke fituar në finale", thotë shënuesi i 5 golave këtë Botëror.


1437
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI